E enjte, 30.10.2025, 11:45 PM (GMT)

Kulturë

Përparim Hysi: Lirika në moshë të vonë

E enjte, 30.10.2025, 06:17 PM


Lirika në moshë të vonë

(cikël me poezi)

Nga Përparim Hysi

1. Unë e TI

Unë e Ti,"fajtorë" pa faj

Të plagosur mbemë për jetë

Dhe asnjëri s'e ka kollaj

Të harroj një të vërtetë.

E vërteta mbeti ëndërr

Si një makth që na prish gjumin

O moj kohë që ishe shëmër

Si mbi ne e nise "plumbin"?

Mbetëm të dy të mëdyshur

As këtej dhe as andej

E të dy të sfilitur

Po çfarë të shtoj më tej?

Ta hajë dreqi:-Pse po "lozim"

Se çfarë qe nuk qe vërtetë

Që të dy po bëjmë nervozin

Kohë që dhe dashuritë "vret".

2.Portret

Flokët krehur bukur

Mbërthyer me karficë

Unë po  bëhem turbull

Sikur kam"krizë"

Dukesh lozonjare

Tek sulmon me sy

Unë si në"alarme"

SE jam pleqëri

Vështrimin me epsh

Peng i një dëshire

Unë shikoj me neps

O zonja me hire.

"Delikat" parfumi

Më kënaqi era

Plaku seç e humbi

Në vjeshtë erdh pranvera.

3.Stres

Më zuri stresi

M'u mbytën gjemitë

SE nuk më lë nepsi

Po pashë bukuritë.

Trupi fin,i hollë

Buzëqeshja tunduese

Më mbyti një"kollë"

Se është torturuese.

Unë po gjerb kafenë

Ti nuk m'i ndanë sytë

Dhe e gjeni"psenë"

Që m'u mbytën  gjemitë.

4. Ç'janë këto hire?

Ç'janë këto hire që gjëkund nuk i kam parë

Si një trëndafll me petale të hapura

Po ç'është ajo fytyrë si zambak i bardhë?

Sa i bukur gërsheti që varet mbi shpatulla.

Ti je e tëra si magji verbuese

Sa brishtësi të ka falur natyra

Pleqëri jam,por ti je aq tunduese

Sa gati më zë"mynxyrra".

"Mynxyrra" më zë,e strukem,e strukem

Se kam frikë, se mos "të ha" me sy?!

Ta  hajë dreqi, kam dhe hak që "tutem"

S'mban zemra në pleqëri.

5. Takimi

Ishe ligur,ishe tretur,

Qe e gjithë si fije bar

Ja,kështu,të kam gjetur

O moj dashuri e parë!

Befasia qe e madhe

Nga ty, britma-ulërimë!

Dhe të dy si në"alarme"

Në të ngrohtin përqafim

Se kanë ikur,vite e vite

Mos gaboj: mbi 50-vjet!

Sikur qenë "vitedrite"

Dukeshim si nga"tjetër planet"

Edhe malli zu vërshoi

Siç vërshon nga shirat lumi

Që të dy,mbetur pa gojë

Si goditur qemë nga plumbi

Plumbi i mallit zë ha plagën

Zë hap plagën e qëkuri

Puthja,puthjes s'i lë radhën

E nuk pyetëm hiç nga turpi.

6. CIGANIA

Një CIGANE në shelgjishte

Eh,si ishte! Eh,si ishte!

Në shelgjishte bën purteka

Sa e pashë... dhe u meka

Bëj t'i flas,po m'u pre goja

Sado djalë,po më doli boja

Më vu re dhe zuri e qeshi

Dhe me sy më"përqeshi"

Po kur erdhi,u afrua

Pupu,ç'më gjeti mua?

Veçse qesh e veçse qesh

Unë nga mendja bërë"përshesh"

Dhe atje,tek "shelgjishtja

Zura unë nga"sajdisja"

E kujtoj tash"pleqërisë"

CIGANEN e dashurisë.

                         Tiranë,29 tetor 2025



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx