Kerko: a
Edison Ypi: Cuca me Nishana
E marte, 12.08.2025, 06:57 PM
Cuca me Nishana
Nga
Edison Ypi
Cuca
me nishana, korr grurin deri në mbrëmje kur ka dalë hana, i ka flokët
kaçurrela, thur triko ose çorapa me shtiza, mbush bucela, prashit nëpër ara, i
ka sytë me shkëndia, asnjë djalë katundi nuk i del përpara.
Kështu
thotë kënga për Cucën e Radomirës të kohës së Kooperativës, kur lumjani
kafshonte shkëmbin dhe pula hante gurin.
Kush
e di sa ka përparuar sot Radomira prej kohës së cucës me nishana, tashmë kur
kooperativa nuk ekziston, kooperativisti është i lirë, buka, bulmeti, mishi,
zarzavatet, janë me bollëk, dhe bio.
Nga
Bulqiza te Ura e Cerenecit, Rruga e Arbërit shkon përgjatë një lugine të gjerë.
Në
të majtë, rrëzë malit, fshatra strukur nëpër gryka si në përralla.
Në
të djathtë, përroin e luginës e ndjek harlisja, hazdisja, çartallosja e blertë
më mahnitës në botë.
Nga
Ura e Cerenecit mundesh me u nis në tre drejtime, njëri më mahnitës se tjetri:
Djathtas,
në Librazhd përmes panoramave frymëndalëse të Martaneshit, Fushë-Studës, Parkut
Kombëtar të Shebenikut.
Majtas,
rruga e vjetër për Peshkopi duke kaluar nga Shupenza. Ëmbëlsira në fund. Këtë
rrugë do ta bëj në kthim.
Drejt,
nga Ura e Cerenecit deri ku kthen rruga për Bllatë, pak para Maqellarës, është
rruga e re me ta heq trurin e kokës. Mjaltë e qumësht e tëra. Disa kilometra,
asnjë kthesë. Spango e tendosur. Në njërin krah e tërheq një dibran i Zerqanit.
Në tjetrin, një i Maqellarës. Një mrekulli autostradale në të dy anët. Si e
pikturuar, si pamje që i ke parë nëpër filma. Fusha, fshatra, ara të mbjella,
gjelbërim, përrenj. Kur ke dalë në Maqellarë, revoltohesh, rebelohesh pse
mbaroi, pse kaq e shkurtër, a isha në ëndërr?
Peshkopia
tashmë është një qytet i pastër, i rregullt, i vetmjaftueshëm, qytet i
mirëmbajtur nga dibranët nikoqirë me nam. Veç t'i hedhësh një sy. Rregull,
pastërti, seriozitet. I ka kaluar në çdo pikëpamje qytetet e tjera të kësaj
madhësie knejna dhe anejna kufirit.
Drejt
Kuksit panoramat bëhen lot-ndjellëse. Aq të bukura, aq sublime, aq sugjestive
sa po i pe gjatë, ose po ndale për të bërë foto, të lagen sytë.
Parakalojnë
me radhë:
Nga
e majta, Muhurri. Këmbët rrëzë malit sapo kalon lumin. Koka nja 30 kilometra më
tutje mbi Qaf-Muhurr afër Matit. Pastaj ushtria e maleve, regjimentet e
shkëmbinjve, repartet e luginave, kuadratet e pyjeve, të gjitha drejt Lurës së
bukur, me të cilën të gjithë dashurohen me shikim të parë, të cilës, të gjithë,
sapo e shohin, nuk e përshëndesin mirdita apo mbrëma. As nuk e pyesin, a bëre
boll qejf, a fjete rehat mbrëmë me Thethin a Korabin, me Tomorrin apo Gramozin.
Cili ishte më interesanti ? por pa pik turpi i ulurasin: I love you Lura.
Nga
e djathta, Sohodoll, Kastriot, Shumbat, Sllovë, Vleshë, etj. Pas pak duhet me u
kthy djathtas për ku jam nisë. Te e bukura, e freskëta, kufitarja, Radomirë.
Prej
ku mbaron asfalti i Radomirës, të gjitha shtigjet të çojnë në Korab. Te
shtigjet ku më parë kalonin vetëm kufitarët me çizme dhe qen me zinxhir, sot
ngjiten me litarë dhe ganxha turista dhe alpinista.
Hap
sa të duash harta, çfleto atlasa, guida, shih dokumentarë, filma, po deshe shih
dhe ëndrra. Kurrkund në botë s'ke me pa male më thepisje shkëmbore që grisin
qiellin, më të egra, më të hazdisura, më të çartallosura se ato të Korabit.
Radomira
është një vend aq i bukur sa nuk mund të rrëfehet. Në Radomirë fjala s'del,
fjala ngec, gjuha trashet, syri zmadhohet, këmbët ngadalësohen, busulla
hallakatet, laptopi dhe celulari heshtin, bëhen të tepërt, të panevojshëm,
duhet me i hedh në përrua, me i shkel me këmbë, ose me i përplas pas shkëmbit.
Radomira
ka shumë shtëpi të ndrequra ose të reja, por pak, fare pak banorë. Ata pak që
kanë mbetur, rrinë nëpër veranda ulur nëpër shezlonga me kurriz nga Korabi,
sytë kah lugina duke pritur të fermentohet whiskey.
Për
Cuca me ose pa nishana, s'bëhet fjalë. Por Poeti nuk rren. Shqiptarët dhe
shqiptaret me nishana, ose quka, vijnë nga shkartisja shekullore e bullgarëve
sllavë kontinentalë me shqiptarët mesdhetarë. E provon fakti se pothuaj të
gjithë janë nga Dibra në Pogradec. Një Cucë me nishana, në Radomirë është më se
e mundshme.
Lumjanët
e Radomirës nuk janë si mirditorët, lezhjanët, shkodranët, që nisin me folë e
s'dinë me ndalë. Lumjanët flasin pak, ose aspak. Gojët e lumjanëve janë si
kasaforta me xhevahire brenda që çelësat ua kanë hedhur në det. I pyet për
diçka. Nuk përgjigjen. Stepen. Bishtnojnë. Nisin e mendojnë si duhet të
përgjigjen. Çfarë s'duhet të thonë, e çfarë duhet të thonë, e si duhet ta
thonë.
Megjithatë,
nëse u drejtohesh si duhet, edhe kasafortat e shurdhëta me çelsa në fund të
detit nisin e flasin.
–
Posta e Kufirit ishte në mes të fshatit. Ajo shtëpia me gurë në mes të arës me
misra. Ajo shtëpia si U. Si U-ja e prangave që ua vinin shqiptarëve që deshën
me ikë, se ata matanë s'erdhën kurrë në këtë anë. Kjo ishte posta e madhe,
posta kryesore. Përgjatë kufirit kishte posta më të vogla, posta bijëza, me
kalashnikova, fisheku në gojë, me tel me gjëmba, me qen, me kazan groshe, me të
gjitha. Ne lumjanët jemi punëtorë të mëdhenj. "Dru me pre", ata me
sharrë e sëpatë në sup, ishin lumjanë. Na çonin me bë lloj-lloj punësh nëpër
krahina të tjera. Sidomos me hapur rrugë të reja. Parrulla jonë ishte:
"Bukë e kripë e grosh e kep", pra na jep bukë e kripë e grosh, t'i
bëjmë shkëmbinjtë thërrime. Por tani kemi ikur. Na ke në Bathore dhe në Londër.
E kam zaptuar një copë tokë në Tiranë në '92-shin. Ende s'kam ndërtuar mbi atë tokë.
Kam vënë një tabelë "Tokë e Xanun". Me ardh një tiranas, një
skraparlli, apo një lab me zaptu një copë truall në Radomirë, lumjani vjen për
gjithë natën nga Edinburgu dhe ta pret fytin me thikën e bukës. Dikë që erdhi
nga Tirana për me u arratis, e vrau me kalaahnikov, ja bëri kokën shoshë me
plumba, kuzhinieri i postës majë Korabit, një mallakastriot nga fshati
Kremenar, i cili, pasi pa bluzën e bardhë dhe dyshemenë mbytur me gjak
shqiptar, bërtiti, uluriti, vajti volli. Donin t'i jepnin 15 ditë leje
shpërblim për vrasjen. Nuk mundën. Iku nga fiqiri. E mbyllën në çmendinën e
Vlorës, si më afër familjes. Ushtari ose oficeri i kufirit që e dashuroi Cucën
me nishana dhe ngriti këngën e famshme ishte një kolonjar nga Rehova. Një tip e
kundërta jote. Ti kolonjar që ke dashur gjithë jetën të arratisesh. Ai kolonjar
që ka dash gjithë jetën me të vra. Poeti vrasës, dashuruesi i Cucës me nishana,
në një moment asocimi absurd idesh, nishanat mbi faqet e cucës i janë dukur
nishana mbi surratin tënd që deshe të arratiseshe në botën perëndimore të
degjenerimit, molepsjes, të shfrytëzimit të njeriut nga njeriu. Dhe një rrugë e
dy punë. Dashuroi cucën, dhe të vrau ty me aq plumba në surrat sa cuca kishte
nishana në faqe. Ju duk emocionuese, ekzaltuese, artistike, poetike. Dhe shkroi
e pavdekësoi makabritetin në një këngë me cucë, nishana, korrje gruri, flokë
kaçurrela, shtiza, bucela, sy me shkëndia, e të tjera e të tjera. A po jam i
qartë?
Po
je i qartë e i kthjellët si uji i përroit të Radomirës, dhe i bardhë si bora e
Korabit. Halli se çunat dhe cucat lumjane kanë ndërruar Parajsën e Lumës me
mish e qumësht bio, faqet me nishana, me ferrin e metropoleve me lavazhe, llaç
e tulla, shtëpi bari, fytyra të zbehta si kufoma.
S'e
zgjata. Me përmend kufirin në Radomirë, si me kujtu varrin në shtëpinë e të
vrarit.
Kështu
përfundoi ky udhëtim i paharrueshëm në një vend kreshnikësh. Ku bullgari u la
emrin e katundit, turku u ndërroi besimin, Mbreti s'i kishte në asnjë tefter,
Partia e Punës i fukarallepsi, i armiqësoi, i degjeneroi, i pështyu në fytyrë,
i pshurri mbi kokë, i la pa Fe e pa Atdhe, dhe kreshnikët ikën nga sytë këmbët.
Kthimi
nga Shupenza ishte i shijshëm si fshirja me një çapë buke e një pjate që sapo e
zbraze në një gosti mbretërore.