E diele, 10.08.2025, 06:28 PM (GMT+1)

Kerko: a

Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (20)

E enjte, 07.08.2025, 07:00 PM


GRATË SHQIPTARE – SHTYLLA TË QËNDRESËS KOMBËTARE (20)

GRATË  E VAJZAT DËSHMORE TË UÇK-SË

FATIME SADIK JASHARI

(26.4.1970 – 7.3.1998)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Nuk është hera e parë që kam mprehur penën dhe mendimin për të evidentuar e dokumentuar me kujdes të veçantë kontributin e grave dhe vajzave shqiptare në luftërat tona çlirimtare. Kjo temë nuk është thjesht një çështje e kujtesës historike, por një detyrim moral dhe intelektual për të nxjerrë në dritë një të vërtetë shpesh të lënë në hije apo të nënvlerësuar padrejtësisht.

Roli i tyre ka qenë thelbësor, i gjithanshëm dhe i pazëvendësueshëm. Gratë dhe vajzat shqiptare kanë qenë bashkëpjesëmarrëse të plota të përpjekjeve çlirimtare, duke bartur mbi supet e tyre një barrë të rëndë që bashkonte kujdesin për familjen, mbështetjen logjistike të luftës dhe angazhimin e drejtpërdrejtë në veprimet luftarake.

Ato kanë marrë pjesë në front, përkrah burrave, me armë në dorë dhe me vendosmëri në zemër. Kanë përballuar rreziqe të njëjta, kanë duruar vuajtje të pandara dhe nuk kanë hezituar të japin jetën për atdheun. Sakrifica e tyre shihet si pjesë organike dhe e barabartë e mozaikut të rezistencës shqiptare.

Shumë prej këtyre grave dhe vajzave kanë rënë dëshmore, duke u bërë pjesë e pandarë e panteonit kombëtar të lirisë. Emrat dhe veprat e tyre janë monumente të gjalla që dëshmojnë se ideali i çlirimit ishte një kauzë dhe një përpjekje e madhe kolektive, ku gratë dhanë gjithçka që kishin — shpirt, forcë, mendje dhe jetë.

Prandaj, çdo përpjekje për të dokumentuar historinë tonë duhet të ketë guximin dhe ndershmërinë ta pranojë dhe ta nderojë këtë të vërtetë. Vetëm kështu kujtesa jonë kolektive bëhet e plotë dhe e drejtë, duke shërbyer si mësim dhe frymëzim për brezat që do të vijnë. Nëpërmjet këtyre shkrimeve të shkurtra, të cilat në vetvete mbeten modeste për nga përmasat, por aspak për nga rëndësia, synoj të hedh dritë mbi një pjesë të historisë sonë të përgjakur dhe njëkohësisht të lavdishme. Duhet pranuar me ndershmëri se për secilën prej këtyre dëshmoreve, për jetën, sakrificën dhe idealin e tyre, do të mund të shkruheshin volume të tëra, faqe pafund që ende nuk do të mjaftonin për të përmbajtur gjithë thellësinë dhe madhështinë e kontributit të tyre.

Megjithatë, edhe këta rreshta, sado të kufizuar, kanë një qëllim të qartë dhe të patjetërsueshëm, të na kujtojnë, me respektin më të madh dhe nderimin më të thellë, gratë dhe vajzat e familjes Jashari, si dhe të gjitha gratë- dëshmoret e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këto janë figura që nuk i përkasin vetëm familjeve të tyre apo brezit të tyre, por mbarë kombit shqiptar, sepse gjaku i tyre u bë themel i lirisë sonë dhe amanet për brezat që do të vijnë.

Ato nuk u flijuan vetëm për çlirimin e Kosovës si një territor politik, por për idealin e madh të bashkimit kombëtar dhe të dinjitetit njerëzor. Në aktin e tyre më sublim, ato rrëzuan kufijtë e frikës dhe nënshtrimit, duke na lënë si trashëgimi shembullin e një dashurie të pakushtëzuar për atdheun dhe të një përgjegjësie që shkon përtej jetës vetjake. Prandaj, këto shkrime nuk kanë synimin të jenë një përmbyllje apo përmbledhje e plotë, por një thirrje për reflektim dhe kujtesë kolektive. Ato janë një përpjekje për të mos lënë të zbehen emrat dhe veprat e këtyre heroinave, për të mos i lënë në mëshirën e harresës, por për t’i vendosur aty ku e meritojnë, në ndërgjegjen dhe kujtesën tonë kombëtare. Sepse vetëm duke i kujtuar me nder dhe duke mësuar prej tyre mund të jemi të denjë për lirinë që na lanë amanet.

Beteja e Prekazit — ajo vatër e pavdekshme e qëndresës kombëtare — dhe të gjitha betejat e tjera që përbëjnë mozaikun e luftës për çlirimin e Kosovës nuk mund të kuptohen në tërësinë e tyre pa rolin e grave luftëtare. Të përjashtosh kontributin e tyre do të thoshte të cenosh vetë thelbin e kësaj lufte dhe të zhvlerësosh dimensionin e saj më të plotë dhe njerëzor.

Ato nuk ishin thjesht të pranishme si mbështetëse në prapavijë, por ishin aty në vijën e parë të frontit, përballë rrezikut dhe vdekjes, me një qëndresë që buronte nga ndjenja e thellë e dashurisë për atdheun dhe përgjegjësisë për të ardhmen. Ishin të forta jo vetëm në armë, por edhe në karakter, duke përballuar sfida të jashtëzakonshme me një guxim që shpesh tejkalonte imagjinatën e zakonshme.

Këto gra nuk ishin vetëm luftëtare të armës, por edhe luftëtare të mendimit dhe të vizionit. Ato e kuptonin se lufta nuk ishte thjesht një akt i dhunshëm për përmbysjen e një pushteti, por një projekt i madh për çlirimin shpirtëror dhe politik të një populli të tërë. Në vendosmërinë e tyre pasqyrohej një vizion për një shoqëri më të drejtë, më të lirë dhe më të denjë, ku brezat e ardhshëm do të mund të jetonin pa frikë dhe me dinjitet.

Prandaj, kur përpiqemi të rindërtojmë kujtesën historike të asaj periudhe, duhet të jemi të ndershëm dhe të plotë. Të pranojmë se pa pjesëmarrjen dhe sakrificën e grave luftëtare, Prekazi dhe të gjitha betejat e tjera të luftës së Kosovës nuk do të kishin të njëjtin kuptim, të njëjtën madhështi dhe të njëjtin frymëzim për brezat që i pasuan. Ato ishin dhe mbeten pjesë përbërëse e pandashme e heroizmit dhe e fitores sonë kolektive.

Beteja e Prekazit zë një vend të veçantë dhe të pashlyeshëm në kujtesën historike të popullit të Kosovës, duke u ngulitur në analet e saj si një nga përballjet më të mëdha, më vendimtare dhe njëherazi më të dhimbshme të historisë sonë moderne. Ajo nuk ishte thjesht një luftë lokale e armatosur, por një ngjarje që shënoi kthesë të thellë në ndërgjegjen kolektive dhe në rrjedhën e zhvillimeve historike të vendit.

Në këtë betejë u përplasën dy botëkuptime të papajtueshme: ai i pushtuesit, i ndërtuar mbi dhunën, shtypjen dhe mohimin e identitetit, dhe ai i rezistencës, që buronte nga dëshira e zjarrtë për liri, dinjitet dhe vetëvendosje. Prekazi u shndërrua në simbol të vendosmërisë së pathyeshme, ku një grusht njerëzish, të armatosur më shumë me ideale sesa me armë, vendosën të përballen me një makineri ushtarake të pamëshirshme dhe të stërarmatosur.

Por madhështia e kësaj beteje qëndron jo vetëm në trimërinë dhe vendosmërinë e mbrojtësve, por edhe në tragjiken e saj të thellë. Ishte një akt sakrifice sublime, ku familje të tëra, burra, gra dhe fëmijë, pranuan vdekjen për të mos pranuar nënshtrimin. Ky çmim i lartë i paguar me gjak e bëri Prekazin jo vetëm një skenë tragjike, por edhe një altar të shenjtë të lirisë kombëtare.

Në këtë dritë, Beteja e Prekazit nuk mund të shihet si një ngjarje e izoluar, por si momenti themeltar që nxiti rezistencën mbarëpopullore dhe i dha formë përfundimtare kauzës së çlirimit. Ishte një betejë që, me gjithë dhimbjen dhe tragjedinë e saj, ndezi pishtarin e shpresës dhe i dha popullit të Kosovës forcën morale për të përballuar çdo sfidë në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë.

Në këtë betejë të lavdishme dhe të përgjakshme, nuk mungoi prania e grave trime, të cilat u bënë pjesë e pandashme e qëndresës së armatosur dhe e historisë së sakrificës kolektive. Ato nuk mbetën në hije dhe as nuk e kufizuan rolin e tyre në mbështetje morale apo logjistike — përkundrazi, ato u gjendën krah për krah me burrat në vijën e parë të frontit, duke marrë armën në dorë dhe duke u bërë mburojë e gjallë e atdheut.

Ky angazhim i grave në mbrojtjen e tokës dhe të nderit kombëtar nuk ishte një akt i rastësishëm apo i detyruar nga rrethanat, por një shprehje e qartë e ndërgjegjes së tyre të lartë shoqërore dhe atdhetare. Me vendosmërinë dhe guximin e tyre, ato dëshmuan se ideali i lirisë nuk ka gjini, se mbrojtja e atdheut është një mision që u takon të gjithëve pa dallim.

Në radhët e tyre kishte nëna që linin fëmijët pas për të mos lënë të binte flamuri i lirisë, vajza të reja që flijonin ëndrrat e tyre për të ruajtur ëndrrën kolektive të popullit, dhe motra që betoheshin të mbroheshin e të mbrojnë njëra-tjetrën deri në fund. Ato jo vetëm që ngritën pushkën ndaj pushtuesit, por edhe simbolizuan shpirtin e palëkundur të një kombi që refuzonte të nënshtrohej.

Kështu, pjesëmarrja e grave në këtë betejë nuk ishte vetëm ndihmë, por një akt heroizmi të plotë dhe të barabartë. Ajo pasuroi dhe thelloi kuptimin e qëndresës sonë kombëtare, duke treguar se liria fitohet atëherë kur çdo shtresë e shoqërisë merr përgjegjësinë për të dhe është gati të japë gjithçka për të mos e humbur kurrë më.

Dhe duhet shtuar me krenari se midis luftëtareve të familjes legjendare Jashari, spikaste edhe figura e Fatime Sadik Jasharit, një grua 28-vjeçare, e cila mishëronte më së miri ndërgjegjen e kthjellët dhe të pathyeshme të atij brezi që kishte vendosur të përballej me pushtimin me çdo çmim. Ajo nuk ishte thjesht një pjesëmarrëse rastësore në ngjarjet dramatike të kohës, por një luftëtare e vetëdijshme për peshën e jashtëzakonshme të asaj lufte dhe për përgjegjësinë që mbante mbi supet e saj.

Fatimja e kuptonte në thellësi domethënien e lirisë — jo si një koncept abstrakt apo një slogan politik, por si një të drejtë themelore dhe të panegociueshme, pa të cilën jeta e një populli mbetet e cunguar dhe e nënshtruar. Ajo e dinte se liria e vendit nuk do të dhurohej kurrë nga ndonjë fuqi e jashtme dhe se për ta fituar atë duhej përballuar fuqia brutale e okupatorit, e simbolizuar nga hordhitë e tij ushtarake që terrorizonin popullin e pafajshëm.

Në sytë e Fatimes, beteja nuk ishte thjesht një akt mbrojtjeje territoriale, por një përpjekje për të mbrojtur dinjitetin njerëzor, identitetin kombëtar dhe të ardhmen e brezave që do të vinin. Ajo ishte e vetëdijshme se fati i një kombi të tërë qëndronte në forcën e pakompromis të atyre që kishin guximin të ngrinin armën dhe të thoshin “jo” robërisë.

Prandaj, vendimi i saj për të qëndruar në mesin e luftëtarëve të familjes Jashari nuk ishte i diktuar nga rrethanat, por ishte një zgjedhje e ndërgjegjshme dhe madhështore. Ishte shprehje e asaj fryme të lartë sakrifice që nuk pyet për moshë, për gjini apo për frikë, por vetëm për detyrën e shenjtë për të mbrojtur tokën amtare dhe për të hapur udhën e lirisë për ata që do të trashëgonin atdheun.

Fatimja, ishte e bija e Sadik Jasharit, dhe erdhi në jetë më 26 prill të vitit 1970, në Prekaz — vendin që do të shndërrohej në simbol të pavdekshëm të rezistencës dhe të sakrificës kombëtare. Fëmijëria dhe rinia e saj u rrënjosën thellë në këtë truall të lashtë, të shquar për traditat e forta atdhetare dhe për frymën e pathyeshme të qëndresës. Shkollimin fillor e përfundoi po në Prekaz, duke marrë bazat e dijes në mesin e shokëve të saj, i cili, edhe pse i varfër në mjete materiale, ishte i pasur në virtyte dhe ndjenja kombëtare.

Sikur shumë moshatare të saja, ajo nuk pati mundësi të vazhdonte më tej shkollimin. Kjo nuk ishte pasojë e mungesës së vullnetit apo e mungesës së talentit, por rezultat i drejtpërdrejtë i gjendjes së vështirë materiale të familjes, një realitet i ashpër që rëndonte mbi shumë familje shqiptare në atë kohë. Pamundësia për të ndjekur rrugën e dijes formale nuk e ndali, megjithatë, nga formimi i saj si njeri i përgjegjshëm dhe i përkushtuar.

Në vend të bankave të shkollës, Fatimja e vazhdoi “shkollimin” e saj në jetën e përditshme, në shërbim të prindërve, vëllezërve dhe motrave. Përkushtimi i saj ndaj familjes nuk ishte thjesht një detyrim i zakonshëm shoqëror, por një shprehje e thellë e dashurisë dhe e përgjegjësisë që kishte brenda saj. Ajo mishëroi tiparet më fisnike të gruas shqiptare, punën e palodhur, kujdesin për familjen dhe gatishmërinë për të vënë të tjerët para vetes.

Kështu, edhe pse jeta e saj e hershme u kufizua nga varfëria materiale, ajo u pasurua nga vlerat morale dhe nga një ndjenjë e thellë solidariteti familjar. Ky formim i heshtur dhe i pandërprerë në gjirin e familjes dhe të komunitetit do të bëhej më vonë themeli i vendosmërisë dhe i sakrificës së saj në momentet më vendimtare të historisë.

Edhe pse iu kishte kërkuar me ngulm që të largohej nga vatra e betejës për të shpëtuar jetën, Fatimja refuzoi prerazi të tërhiqej, duke e përbuzur çdo mendim për ikje që do ta njolloste me damkën e frikacakes. Për të, braktisja e vendit të betejës nuk ishte një mundësi e pranueshme, sepse e shihte si një tradhti ndaj familjes, ndaj shokëve të armës dhe ndaj vetë parimeve të nderit dhe të qëndresës që kishin mbajtur gjallë frymën e Prekazit.

Ajo qëndroi aty, krah për krah me familjarët e saj, gjatë netëve dhe ditëve të 5, 6 dhe 7 marsit 1998 — në ato çaste të mbushura me ankth dhe heroizëm të pastër, ku çdo frymëmarrje ishte një akt sfide dhe çdo sekondë mund të ishte i fundit. Trimëria e saj nuk ishte një moment i shkëputur, por një qëndrim i qëndrueshëm dhe i vetëdijshëm përballë rrezikut absolut.

Me aktin e saj të jashtëzakonshëm të trimërisë, Fatimja dëshmoi qartësisht dhe në mënyrën më të fuqishme se ishte një trashëgimtare e denjë e traditës së atdhedashurisë që kishte mbajtur gjallë familjen Jashari për breza të tërë. Në gjakun dhe shpirtin e saj rridhnin jo vetëm kujtimet e sakrificave të paraardhësve, por edhe një edukatë e formuar që në fëmijëri mbi detyrën e shenjtë të mbrojtjes së atdheut.

Ajo nuk u bë trime rastësisht, as nuk e gjeti guximin e saj vetëm në momentin e fundit të rrezikut. Përkundrazi, që nga vogëlia ishte rritur dhe formuar në një ambient ku nderi, besa dhe dashuria për tokën amtare ishin vlera të patjetërsueshme, të trashëguara si një amanet i shenjtë familjar. Në këtë frymë ishte mësuar se liria nuk është një dhuratë që të jepet, por një ideal që kërkon sakrifica të mëdha, madje edhe flijimin e jetës.

Vendosmëria e Fatimes për të qëndruar në Prekaz deri në fund, përballë një armiku të pamëshirshëm dhe të armatosur gjerë në dhëmbë, nuk ishte vetëm një akt i rrallë trimërie individuale, por edhe një përmbushje e ndërgjegjshme e këtij amaneti. Ajo mishëroi më së miri filozofinë jetësore të familjes Jashari, se për lirinë e atdheut jo vetëm mund të vritesh, por edhe duhet të vdesësh, nëse është e nevojshme.

Në këtë mënyrë, Fatimja nuk u bë thjesht pjesë e historisë së lavdishme të qëndresës së Prekazit, por një simbol i gjallë i vazhdimësisë së asaj tradite të lavdishme familjare që refuzonte nënshtrimin dhe që e shihte vdekjen më të pranueshme se robërinë. Heroizmi i saj është dëshmi e qartë se dashuria për atdheun mund të formësojë karaktere të tilla që nuk e njohin frikën dhe që e shohin flijimin jo si humbje, por si triumf moral dhe kombëtar.

Në ato ditë tragjike, forcat serbe, të pajisura me një arsenal të tërë ushtarak e policor, ndërmorën një ofensivë brutale dhe të pamëshirshme kundër familjes Jashari dhe gjithë lagjes së Prekazit. Qëllimi i tyre nuk ishte thjesht mposhtja e rezistencës së armatosur, por asgjësimi fizik dhe shfarosja e plotë e familjes, si një akt simbolik për të trembur e nënshtruar krejt popullin shqiptar të Kosovës.

Përballë kësaj egërsie të planifikuar dhe të zbatuar me brutalitet barbar, Fatimja nuk u lëkund. Ashtu si gjithë anëtarët e familjes Jashari, ajo zgjodhi të qëndrojë deri në fund, duke e pranuar vdekjen si një çmim të pranueshëm për të ruajtur nderin, për të mbrojtur idealin e lirisë dhe për të mos u gjunjëzuar para armikut. Qëndresa e saj në ato ditë të rrethimit nuk ishte vetëm një dëshmi individuale e guximit, por pjesë e atij akti të përbashkët dhe sublim që e ktheu Prekazin në simbol të përjetshëm të sakrificës dhe të lirisë kombëtare.

Në ditët e përgjakshme dhe njëherazi madhështore të 5, 6 dhe 7 marsit 1998, gjatë betejës heroike që u zhvillua në Prekaz dhe që hyri në histori si akti më sublim i rezistencës shqiptare, familja Jashari dha dëshmi të paharrueshme të vendosmërisë dhe të sakrificës për liri. Brenda kullës së tyre të rrethuar dhe të bombarduar pamëshirë, Sadik Jashari dhe bashkëshortja e tij, Afija, u përballën me fatin e tyre me një dinjitet që sfidoi vdekjen, duke rënë së bashku në mbrojtje të nderit familjar dhe të idealit kombëtar.

Krahas tyre, ranë edhe bijtë e tyre, Hamdiu dhe Ramizi, si dhe bijat Elfija dhe Fatimja, duke shënuar një sakrificë të plotë familjare, ku prindër dhe fëmijë bashkuan jetët e tyre në një kurorë të përbashkët martirizimi. Ishte ky një akt që i tejkaloi kufijtë e dhembjes individuale dhe u shndërrua në simbol të pavdekshëm të qëndresës shqiptare, duke treguar se familja shqiptare ishte e gatshme të zhdukej fizikisht, por kurrë të nënshtrohej shpirtërisht.

Por kjo histori e lavdisë së përgjakur nuk ndalet këtu. Brenda asaj vëllazërie të fortë dhe të pathyeshme, në ato ditë të rrethimit dhe të rezistencës së pashoqe, ranë edhe Hamit Qerim Jashari — figura e njohur për guximin dhe udhëheqjen e tij — dhe të afërmit e tjerë të gjakut e të armës: Qerim Hysen Jashari, Shahin Qerim Jashari, Ukshin Qerim Jashari.

Gjithashtu, akti i sakrificës nuk kufizohej vetëm tek burrat. Edhe bashkëshortja luftëtare Salë Jashari e Hamit Jasharit dhe Hajrije Jashari dhanë jetën e tyre, duke dëshmuar se lufta për mbrojtjen e atdheut dhe të nderit familjar ishte një përpjekje kolektive ku nuk kishte vend për dallime gjinore, por vetëm për bashkim të plotë në idealin e lirisë.

Kjo panoramë e dhimbshme, por njëherazi madhështore, e bën Prekazin jo thjesht një vend gjeografik, por një altar të shenjtë të lirisë kombëtare, ku gjaku i derdhur i Jasharëve vulosi me përjetësi të drejtën e popullit shqiptar për të jetuar i lirë, i nderuar dhe sovran. Gjatë asaj beteje të përgjakshme dhe heroike që e bëri Prekazin simbol të pavdekshëm të rezistencës shqiptare, nuk munguan të bien edhe figura të tjera që ndanë të njëjtin fat tragjik e të lavdishëm me familjen Jashari. Midis tyre ishte Isak Halili, nip i familjes, i cili qëndroi besnik deri në fund, duke përjetuar të njëjtën fatkeqësi heroike me të afërmit e tij.

Po ashtu, nën rrethimin vrastar të forcave serbe, u gjendën dhe ranë me armë në dorë edhe miq të afërt të kësaj familjeje, Fatime Bazaj dhe Smajl Bazaj. Të bashkuar jo vetëm nga gjaku, por edhe nga ideali i përbashkët i lirisë dhe nga besa shqiptare që nuk lë mikun në baltë, ata treguan se vlerat e solidaritetit dhe të qëndresës nuk i lidh vetëm gjenealogjia, por mbi të gjitha ndërgjegjja e përbashkët kombëtare.

Sot, familja e Sadik Jasharit, e cila jeton dhe punon në Austri, nuk ka lejuar që kujtimi i atyre që ranë të zbehet në mjegullën e harresës. Përkundrazi, ajo ka kujtuar dhe ka përsëritur me nderim të veçantë emrat e Sadikut, Afijes, Elfijes dhe Fatimes, duke i mbajtur gjallë jo vetëm në kujtesën e saj familjare, por edhe në ndërgjegjen kombëtare.

Ky nderim nuk ka mbetur vetëm brenda mureve të shtëpisë apo në rrethin e ngushtë të të afërmve. Sakrifica e tyre është njohur dhe vlerësuar zyrtarisht nga instancat më të larta të luftës çlirimtare: nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga Ministria e Mbrojtjes së Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, nga Komanda e Zonës Operative të Drenicës dhe nga shoqatat e luftës së UÇK-së.

Emrat e këtyre dëshmorëve nuk janë thjesht pjesë e listave zyrtare, por janë gdhendur përjetësisht mbi gurët e varrezave në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Aty, ku toka mban kujtimin e gjakut të derdhur dhe ku gurët rrëfejnë historinë e një populli që vendosi të ishte i lirë, emrat e tyre qëndrojnë si testament i gjallë i sakrificës dhe si frymëzim për brezat që do të vijnë.

Sot, teksa ndalemi për të kujtuar këto figura të lavdishme që u bënë gurë themeli të identitetit dhe lirisë sonë kombëtare, ndiejmë një detyrim të shenjtë moral e historik për t’u përkulur me përulësi para veprës dhe sakrificës së tyre. Ata sot janë emra të respektuar të gdhendur mbi memorialë, dhe dëshmi të gjalla të asaj çka mund të arrijë një popull kur vendos ta mbrojë dinjitetin dhe të drejtën për të jetuar i lirë.

Këto jetë të flijuara janë kapituj të paharrueshëm të historisë sonë, faqe të shkruara me gjak e vendosmëri, që nuk duhet dhe nuk mund të mbulohen kurrë nga pluhuri i harresës. Respekti ynë ndaj tyre nuk është një ritual i zakonshëm përkujtimi, por një betim i përhershëm se ideali për të cilin ata dhanë gjithçka do të mbetet i gjallë dhe i paprekur për sa kohë të ekzistojë kombi shqiptar.

Kjo përulje është shenjë krenarie, por edhe shenjë e ndërgjegjes sonë të lartë qytetare dhe kombëtare. Është mënyra jonë për të pranuar se liria që gëzojmë sot është fryt i sakrificës së tyre dhe se ne mbartim mbi supet tona përgjegjësinë për ta ruajtur e trashëguar këtë liri. Prandaj, për sa kohë të jetojë e të marrë frymë kombi shqiptar, do të ketë vend në kujtesën tonë kolektive për t’i nderuar dhe respektuar këto figura të pavdekshme, duke u siguruar që mesazhi i tyre i lirisë, i qëndresës dhe i dashurisë për atdheun të mos shuhet kurrë.

Literatura:

1.       Hanëmshahe Ilazi, Gra të njohura të trojeve shqiptare, Prishtinë, 2015

2.       Ahmet Qeriqi, https://www.radiokosovaelire.com/fatime-sadik-jashari-26-4-1970-7-3-1998/

3.       https://sq.wikipedia.org/wiki/Antar%C3%ABt_e_Familjes_Jashari_t%C3%AB_r%C3%ABn%C3%AB_gjat%C3%AB_luft%C3%ABs_s%C3%AB_U%C3%87K-s%C3%AB

4.       https://www.radiokosovaelire.com/hamdi-sadik-jashari-1-8-1960-7-3-1998/

5.       https://www.facebook.com/story.php?story_fbid=1201033182024087&id=100063522502730&_rdr

6.       https://www.drini.us/epopeja-e-jashareve-nje-heroizem-i-pashembullt-ne-historine-e-njerezimit/

7.       https://pashtriku.org/ne-prekaz-ne-fortesen-e-pare-te-uckse-te-kulla-e-hamit-jasharit/

8.       https://www.botasot.info/kosova/392030/59-pjesetar-te-familjes-jashari-u-njihet-statusi-deshmor/

9.       https://www.zemrashqiptare.net/news/20753/milazim-kadriu-doli-nga-shtypi-fenikset-e-lirise-13.html

10.     https://www.klina.info/rrethimi-i-trete-i-kulles-se-jashareve-ne-prekaz-me-5-6-dhe-7-mars-1998-epopeja-e-uck-se/

11.      https://reporteri.net/lajme/shqiperia/ne-tirane-shenohet-22-vjetori-i-epopese-se-uck-se-duke-theksuar-kontributin-e-grave/



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (19) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (18) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (17) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (16) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (15) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (14) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (13) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (12) Sabile Basha: Kërkesë për inicimin e ngritjes së obeliskut përkujtimor në nder të të burgosurve politikë në Kosovë Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (11) Sabile Basha: Obelisku i qëndresës për kujtesën e të burgosurve politikë shqiptarë Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (10) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (9) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (8) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (7) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (6) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (5) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (4) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (3) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (2)

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx