Kerko: a
Xhelal Zejneli: Serbia e Madhe – Ideologjia dhe politika
E premte, 01.08.2025, 06:59 PM
SERBIA E MADHE – IDEOLOGJIA DHE POLITIKA
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Serbia e Madhe është nocion i përdorur shpesh për projektin nacionalist politik serb dhe
për ideologjinë irredentiste serbe rrënjët e të cilit paraqiten në shekullin
XIX. Mbështetësit e këtij projekti nacionalist thonë se kufijtë e Serbisë së
Madhe duhet t’i përfshijnë të gjitha rajonet dhe territoret që për serbët kanë
rëndësi tradicionale, duke përfshirë edhe territoret jashtë Serbisë së sotme,
të cilat, në një farë mase, popullohen prej serbëve. Ideologjia kryesore e
lëvizjes fillestare (panserbizmi) ka qenë bashkimi i të gjithë serbëve (ose të
gjitha territoret të cilat gjatë historisë i kanë populluar serbët) në një
shtet, duke ushtruar të drejtë, varësisht nga versioni, për rajone të ndryshme
të shumë shteteve në fqinjësi.
Ideologjia serbomadhe, e
përjetësuar në projektin e Serbisë së Madhe, ushtron të drejtë për territoret
të cilat sot ndodhen në shtete të pavarura, si Kosova, Kroacia, Bosnja dhe
Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia të cilat dikur kanë qenë në përbërje të
Jugosllavisë. Gjatë disa periudhave të zhvillimit të kësaj ideje, synimet e
ideologëve serbomëdhenj kanë përfshirë edhe ekspansionin territorial të Serbisë
ndaj pjesëve të caktuara të Shqipërisë, të Bullgarisë, të Hungarisë dhe të
Rumanisë.
Inspirimin për ta mbajtur
gjallë dhe për ta forcuar idenë për Serbi të Madhe, mbrojtësit e saj e marrin sidomos nga kujtimet emocionale për
perandorinë e dikurshme serbe, relativisht të madhe dhe të fuqishme, që ka
ekzistuar në Evropën Juglindore gjatë shekullit XIV.
Përpjekja e realizimit të idesë së Serbisë së Madhe ka
ndikuar shumë në shpërthimin e luftërave gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, me
ç’rast janë kryer krime të shumta.
* * *
Nocioni i projektit të
Serbisë së Madhe (ndonëse jo me atë emërtim), paraqitet në kohën e Kryengritjes
së Parë Serbe të vitit 1804 dhe pas saj. Në thelb, programi i zakonshëm i
integrimit kombëtar dhe krijimi i shtetit kombëtar në kufijtë maksimalë është dukuri
e fillimit të shekullit XIX dhe nuk është diçka e rrallë ndër popujt evropianë
të cilët zgjimin kombëtar e kanë përjetuar gjatë Revolucionit Francez (1789)
dhe pas tij si dhe gjatë luftërave të Napoleonit.
Formuluesi i parë i lëvizjes
kombëtare serbe (ndonëse në formë të mjegulluar) ka qenë shkrimtari iluminist
serb Dositej Obradoviq (i lindur Dimitrije; Çakovë 1739 ose 1742 –
Beograd, 1811). Lindi në pjesën e sotme rumune
të Banatit, të Austrisë Habsburge të atëhershme. Serbët e konsiderojnë reformator
të periudhës së zgjimit dhe të ringjalljes kombëtare. Themelues dhe profesor i
Shkollës së Madhe, paraardhëse e Universitetit të Beogradit. Është autor i himnit “Çou Serbi” (Vostani Serbi?) që e shkroi në kohën e Kryengritjes së
Parë Serbe (1804).
Të gjithë sllavët
që flisnin në dialektin shtokav, Vuk
Karaxhiqi i konsideronte serbë. Më vonë, ky koncept u quajt panserbizëm gjuhësor.
Vuk Stefanoviq Karaxhiqi (Tërshiq afër Loznicës, 06.11.1787 – Vjenë,
07.02.1864) ka qenë gjuhëtar serb, filolog, antropolog, shkrimtar, përkthyes
dhe akademik. Reformues i gjuhës serbe. Serbët e konsiderojnë linguist më të
rëndësishëm serb të shekullit XIX. Figurë më e rëndësishme e letërsisë serbe e
gjysmës së parë të shekullit XIX.
Pjesën gjeopolitike të
ideologjisë kombëtare serbe që bazohet në interpretimet problematike të
kulturës dhe të trashëgimisë historike, e ka radikalizuar reformuesi më i madh
serb i gjuhës dhe i kulturës – Vuk Karaxhiqi. Panserbizmi gjuhësor i tij mund
të reduktohet në pohimin e rëndomtë:
“Të gjithë folësit burimorë të cilitdo
dialekt të së folmes shtokav janë serbë etnikë. Me fjalë të tjera, e
folmja shtokav është per se e folme kombëtare serbe”.
Karaxhiqi nuk është autor i
këtij pohimi. Ai është vetëm trashëgues i lajthitjeve po edhe i shtrembërimeve
politike të vetëdijshme të sllavistikës
së hershme {filologu dhe historiani çek Josef
Dobrovsky (1753-1829), filologu dhe historiani slloven Pavel
Jozef Shafarik (1795-1861), gjuhëtari dhe filologu slloven Jernej
Kopitar (1780-1844), sllavisti slloven Franc Mikloshiç (1813-1891}.
Pohimi i sipërthënë në njëfarë mënyre i përgjigjej frymës së kohës. Por
faktografia e solli atë në vështirësi të pakapërcyeshme. Duhet theksuar se në
kohën e romantizmit kombëtar gjuha barazohej me “shpirtin e popullit” kështu që tri të folmet (dialektet) perëndimore
të gjuhëve të sllavëve të jugut (shtokav, çakav dhe kajkav), në pikëpamje
letrare të hartuara mirë, filologjinë e romantizmit i vinin para vështirësive
ideore të mëdha:
“Si është e mundur që një popull të ketë ‘tre
shpirtra’? “Problem” akoma më i madh
për ideologët e panserbizmit gjuhësor ka qenë fakti se katër shekuj para se të
paraqitej Vuk Karaxhiqi, ka pasur letërsi të shkruar në dialektin shtokav e cila etnikisht, nga vetë
autorët e veprave, është identifikuar me emrin dhe gjuhën boshnjake e kroate dhe
kurrë me serbishten.
Për këtë arsye, mbështetësit
e kësaj ideologjie, sidomos Pavel Shafariku, ishin të detyruar të bënin
shtrembërime të ndryshme dhe të shfaqnin pikëpamje bizare se shkrimtarët shtokavë të cilët kanë shkruar në
shekullin XVII ose XVIII dhe veten e kanë identifikuar me ide kombëtare sllave
të tjera – këtë “nuk e kanë menduar seriozisht”.
Përpos për planet
gjeostrategjike të zakonshme, panserbizmi
shtokav ka luajtur rol kryesor në formësimin e qëllimeve të ekspansionit
potencial serb: Edhe pse rimëkëmbja e perandorisë së idealizuar të Dushanit ka
qenë një prej shtysave emocionale dhe ideologjike, në praktikë kjo rimëkëmbje
ka qenë e flakur, në radhë të parë për shkak të krijimit të shtetit grek dhe mbështetjes që ka pasur. Ideologët e
ekspansionit serb, përveç në vendet në të cilat shteti i vjetër serb i shekujve
XII-XIV ka lënë vulë civilizuese të fuqishme, si në Kosovë dhe në Maqedoni -
siç thonë ata, janë orientuar kah perëndimi, në drejtim të Bosnjës e
Hercegovinës dhe Kroacisë, në të cilat nuk ka pasur traditë të vjetër kombëtare
shtetërore dhe kulturore serbe, por që kanë pasur prurje të theksuar të
emigrantëve vlleh (më vonë të serbizuar) gjatë shtrirjes së osmanlinjve në
Kroaci dhe në BeH në shekujt XV-XVIII.
Historia
e ideologjisë – Formulimi i parë dhe
më i rëndësishëm i idesë së Serbisë së Madhe bëhet në programin serbomadh “Naçertanie” (1844) të shkrimtarit,
politikanit dhe kryeministrit serb Ilija
Garashanin (Kragujevc, 1812 - Beograd, 1874). Vepra e tij paraqet bazë
ideologjike për krijimin e Serbisë së Madhe, si gjatë shekullit XIX ashtu edhe
gjatë qindvjeçarit XX. Në thelb, flitet për planin e promovimit të emrit,
kulturës dhe të identitetit kombëtar serb, sidomos ndër boshnjakë dhe kroatë.
Pritej momenti i volitshëm i shkatërrimit të Perandorisë Osmane në mënyrë që të
krijohet një perandori serbe e fortë. Historiografia serbe e shekullit XIX e
publikonte hartën e perandorisë së Dushanit.
Idenë e Serbisë së
Madhe e ilustron edhe citati në vijim: “Shteti serb që tanimë ia ka nisur me një këmbë
të mbarë, e që duhet të zgjerohet dhe të forcohet, bazën dhe themelet e tij të forta
i ka në perandorinë serbe të shekujve 13 dhe 14 dhe në historinë e pasur dhe të
lavdishme serbe. Nga kjo histori dihet se perandorët serbë filluan t’ia rrëmbenin
hovin perandorisë greke dhe mbase t’i
jepnin fund asaj dhe në vend të Perandorisë Lindore Romake të shembur, ata do
të krijonin një perandori serbo-sllave dhe do ta zëvendësonin atë... Shteti i
ri serb në jug do t'i jepte Evropës çdo garanci se do të ishte një shtet i
shkëlqyer dhe i fortë dhe që do të ishte në gjendje të mbahej midis Austrisë
dhe Rusisë. Besimtarët katolikë për t’u shkëputur nga Austria dhe për t’iu
bashkuar Serbisë dhe për ta parandaluar ndikimin e saj, kësaj duhet t'i kushtohet vëmendje e veçantë.
Kjo mund të arrihej më së miri nëpërmjet fretërve të këtushëm. Prej tyre duhet
marrë mbështetjen e idesë së bashkimit të Bosnjës me Serbinë”.
Pjesët e mësipërme të tekstit flasin për synimin e
krijimit të një shteti të madh serb mbi rrënojat e Perandorisë Osmane. Modus
operandi kryesor nuk është dhuna e cekur, por propaganda politike
kombëtare. Duhet theksuar se projekti themelor që u krijua në bazë të idesë së
idealistit politik çek Frantishek Zah i
njohur si Franjo Zah (Franjo Zach,
1807-1892) dhe kontit polak Adam
Cartoriski (Adam Jerzy Czartoryski, 1770-1861), në “Naçertanien” e Garashaninit u ndryshua në mënyrë thelbësore.
Derisa formulimet e para ishin në frymën e
pansllavizmit të proveniencës së
sllavëve të jugut, teksti i Garashaninit është një program panserb në të cilin termi "sllavë të jugut" është
zëvendësuar sistematikisht dhe plotësisht me fjalën serb. Prej një projekti proto-sllavë
të jugut Garashanini ka krijuar një projekt serbomadh.
Pas pesë vjetëve, d.m.th. më 1849, u botua shkrimi i
dytë themelor i ideologjisë serbomadhe, artikulli "Të gjithë dhe kudo serbë" (Srbi svi i svuda) i gjuhëtarit dhe ideologut kombëtar serb Vuk Karaxhiqit. Në këtë tekst të
Karaxhiqit, panserbizmi gjuhësor mori formën përfundimtare.
Në vitin 1913 në Serbi publikoheshin harta të
ekspansionit serb. Në një prej tyre shihet edhe pushtimi serb i Shqipërisë
gjatë luftërave ballkanike.
Për tekstin e Garashaninit nuk pati komente ngase u
botua shumë më vonë se koha kur u shkrua, ndërsa artikulli i Vuk Karaxhiqit
shkaktoi reagime të mëdha, sidomos në radhët e intelektualëve kroatë. Edhe pse
vitin e ardhshëm u caktua në Vjenë një takim midis pjesëtarëve të Lëvizjes
Ilire kroate dhe Vuk Karaxhiqit, i cili
shoqërohej nga nxënësi i tij Gjuro
Daniçiq (emri i vërtetë Gjorgje Popoviq, 1825-1882), marrëveshja e Vjenës
për çështjet e gjuhës mbeti pa ndonjë ndikim të vërtetë (dhe as që kishte të
bënte drejtpërsëdrejti me kundërthëniet gjuhësore-kombëtare). Në vitet në vijim
u botuan artikuj më gjithëpërfshirës të disa autorëve në të cilat u hodh poshtë
pan-serbizmi gjuhësor i Vuk
Karaxhiqit. U publikuan shkrimet e
filologut, historianit dhe leksikografit kroat Bogoslav Shulek (1816-1895), të politikanit, publicistit, filozofit
dhe shkrimtarit kroat Ante Starçeviq (1823-1896),
të shkrimtarit kroat Mirko Bogoviq (1816-1893)
dhe të filologut kroat Adolfo Veber
Tkalçeviq (1825-1889). Edhe pse pas vdekjes së Vuk Karaxhiqit, filologu më
i madh serb, Gjuro Daniçiq hoqi dorë nga tezat e mësuesit të vet, madje edhe i
hodhi poshtë ato, është fakt se në gjysmën e dytë, nacionalizmi gjuhësor serb
mbeti dominues në publikun kulturor serb dhe në atë të Përjeçanit. Shembuj
janë: filologu, historiani i letërsisë, politikani, kryetari i Akademisë
Mbretërore Serbe, kryetari i qeverisë serbe,
Stojan Novakoviq (1842-1915),
historiani dhe politikani, profesor
universitar, enciklopedisti i parë serb, anëtar i Akademisë Mbretërore Serbe Stanoje Stanojeviq (1874-1937), filologu, politikani serb, anëtar i
Akademisë, Lubomir Stojanoviq (1860-1930).
Në anën tjetër, politikanët
qytetarë-liberalë më aktivë serbë në Austro-Hungari e kundërshtonin idenë e
Serbisë së Madhe (politikani,
publicisti dhe juristi serb Mihailo
Polit-Desançiq (1833-1920), avokati
dhe politikani serb Svetozar Miletiq (1826-1901), të
ndjekur nga socialistët serbë Svetozar Markoviqi (1846-1875) dhe
juristi, politikani, gazetari, publicisti, teoricieni dhe udhëheqësi i lëvizjes
socialiste në Mbretërinë e Serbisë, themelues i Partisë Socialdemokrate Serbe Dimitrije “Mita” Tucoviq (1881-1914).
Svetozar Markoviqi ishte mendimtar socialist, politikan dhe publicist serb
me ndikim i gjysmës së dytë të shekullit XIX. Ishte kritik i ashpër i irredentizmit serb dhe pionier i idesë
së federatës ballkanike. Hodhi poshtë “të drejtën historike”, d.m.th.
rimëkëmbjen e perandorisë së Dushanit, si
bazë e zgjidhjes së çështjes serbe. Ai thotë:
“Tendenca për ta rimëkëmbur këtë shtet mesjetar që edhe nuk ka qenë vetëm e
serbëve dhe në hapësirën e të cilit janë zhvilluar procese historike
ireversibile, do ta paraqiste Serbinë në planin e jashtëm si pushtuese, kurse
brenda, si një shtet ushtarako policor”.
* * *
Dimitrije “Mita”
Tucoviqi është
autor i librit “Serbia dhe Shqipëria:
kontribut kritikës së politikës pushtuese të borgjezisë serbe” (Srbija
i Arbanija: jedan prilog kritici zavojevaçke politike srpske burzhoazije, 1914). Në
të autori kritikon politikën pushtuese serbe ndaj Shqipërisë dhe krimet e
kryera ndaj shqiptarëve gjatë luftërave ballkanike. Në libër Tucoviqi në mënyrë
kritike ballafaqohet me shkrimet antishqiptare të
politikanëve serbë – Vladan Gjorgjeviqit
dhe të Stojan Protiqit (Balcanicusit).
Vladan Gjorgjeviqi (1844-1930) ka
qenë politikan, diplomat, mjek, oficer, shkrimtar dhe akademik serb.
Stojan M. Protiqi (1857-1923) ka qenë
politikan, shtetar dhe publicist serb, i shkolluar në Beograd. Një prej
themeluesve të Partisë Popullore Radikale. Për postin e liderit të Partisë,
erdhi në konflikt me Nikola Pashiqin (1845-1926).
Protiqi ka qenë kryeministër i parë i Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe
Sllovenëve. Si të gjithë radikalët, edhe ai u angazhua për Serbi të Madhe. E
shkroi përgjigjen për ultimatumin e Austro-Hungarisë ndaj Serbisë në vitin
1914.
* * *
Pjesa më e madhe e inteligjencies serb, si gjeografi i njohur në qarqet ndërkombëtare,
akademiku Jovan Cvijiq (1865-1927)
dhe sllavisti Aleksandar Beliq
(1876-1960) qëndronin në pozitat e Serbisë së Madhe, domethënë aspironin të
krijonin shtetin kombëtar serb në territoret e Kosovës, të Maqedonisë, të Bosnjës e Hercegovinës dhe të Kroacisë.
Protagonistët e këtyre ideve mohonin ekzistimin kombëtar të kroatëve dhe të
maqedonasve. Ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe në Maqedoni kishin qëndrim racist. Myslimanët e Bosnjës
synonin t’i shpërngulin ose t'i konvertonin në ortodoksë. U bënë plane
sistemore për përhapjen e ortodoksisë serbe, për nxjerrjen në plan të dytë të
katolicizmit dhe të islamit, për ngulfatjen ose për çrrënjosjen e të gjitha
traditave kombëtare të huaja. Politikë më brutale zbatohej ndaj shqiptarëve për
të cilët thuhej se nuk ka vend në çfarëdo shteti serb. Kjo shihet edhe prej
planeve të mëvonshme që parashikonin ushtrimin e terrorit ndaj shqiptarëve
dhe shpërnguljen e tyre. Në krye të
elaborateve të tilla ishin akademiku Vaso
Çubriloviq (1897-1990) dhe shkrimtari, më vonë laureat i çmimit
“Nobel”, Ivo Andriq (1892-1975). Kjo ideologji mbështetej edhe nga
elita politike dhe financiare serbe në pushtet, sidomos nga Partia Radikale e
udhëhequr nga politikani dhe diplomati serb dhe i mbretërisë jugosllave, Nikola Pashiq (1845-1926).
* * *
Aleksandar Beliqi (1876-1960) ka qenë filolog serb.
Profesor universitar dhe akademik, rektor i Universitetit të Beogradit, kryetar
i Akademisë Serbe (ASShA). U shkollua në Beograd, në Moskë dhe në Gjermani.
Pretendimet e Serbisë së Madhe para
luftërave ballkanike (1912-1913) sipas Raportit të Komisionit ndërkombëtar për
luftërat ballkanike
Ideja e Serbisë së Madhe në kohën e
Luftërave Ballkanike
Ideja e kthimit të zotërimit të territorit të
proklamuar si historik serb, u shtrua disa herë gjatë shekujve 19 dhe 20,
sidomos gjatë zgjerimit territorial të Serbisë kah jugu në periudhën e rënies së Perandorisë Osmane, përkatësisht
gjatë luftërave ballkanike. Serbia proklamoi të drejta historike për territorin e Maqedonisë, një pjesë e së
cilës në shekullin XIV ka qenë në përbërje të shtetit të car Dushanit.
Gjeografi dhe etnografi Jovan Cvijiq thotë: “Për të
arritur pavarësinë ekonomike, Serbia duhet të sigurojë dalje në detin Adriatik
dhe në një pjesë të bregdetit shqiptar, duke pushtuar territorin ose duke
fituar të drejta ekonomike dhe transporti në atë zonë. Kjo nënkupton pushtimin
e një territori, në pikëpamje etnografike të huaj, d.m.th. të territorit
joserb, për shkak të interesave ekonomike dhe nevojave jetike të një rëndësie
të veçantë”.
Projekti "Serbia e Madhe"
dhe Jugosllavia - Ideologjia e Serbisë së Madhe, në aspektin kohor
përkonte me programe të ndryshme mbinacionale ose pseudo-nacionale të krijuara
në territorin e ish-Jugosllavisë: së pari me Lëvizjen Ilire, e pastaj me idenë
e Jugosllavisë apo të jugosllavizmit. Kjo e fundit thoshte se sllovenët,
kroatët, serbët dhe herë-herë edhe bullgarët (pa i lënë anash edhe boshnjakët
dhe maqedonasit) nuk janë veçse pjesë e të njëjtit popull, atij
“jugosllav” dhe jo kombe të veçanta.
Kjo ndikoi me të madhe sidomos mbi inteligjencien, por edhe te një numër i
politikanëve praktikë, si: politikani kroat Frano Supilo (1870-1917), poeti kroat, i konsideruar si më i madhi
i shekullit XX, Augustin Josip “Tin”
Ujeviq (1891-1955) dhe shkrimtari kroat, i konsideruar si më i madhi i
shekullit XX, Miroslav Kërlezha (1893-1981) i fazës së hershme; shkrimtari
serb dhe jugosllav, laureat i çmimit “Nobel” (1961) diplomati Ivo Andriq (1892-1975); shkrimtari
serb, më i shquari në kapërcyell të shekujve XIX dhe XX, Jovan Skerliq (1877-1914). Dy idetë e sipërthëna, historia më së
shpeshti i ka përplasur ndër vete, por herë-herë edhe i ka bashkuar
Shembull është krijimi i shtetit të Serbëve, Kroatëve
dhe Sllovenëve (1918) pas Luftës së Parë Botërore, kur për disa dekada
hierarkia shtetërore u dominua nga ideja e "jugosllavëve" si komb i
përbërë prej tre "fiseve": sllovenëve, kroatëve dhe serbëve.
Historianët kanë mendime të ndryshme në vlerësimin e jugosllavizmit, si në Mbretërinë e Serbëve,
Kroatëve dhe Sllovenëve, përkatësisht në Mbretërinë e Jugosllavisë (1918-1941), ashtu edhe në
Jugosllavinë socialiste (1945-1991). Midis politologëve hasim në dy qëndrime:
Sipas disave, ideologjia jugosllave, si ajo "e forta" e kohës së
Karagjorgjeviqëve, ashtu edhe "e buta" e epokës së Titos, ka qenë
varr i aspiratave serbe, për arsye se serbizmi
përkufizohet nëpërmjet vlerave tradicionale (mësimet e Shën Savës, miti i
Kosovës, etj.). Është fakt se ideologjia
jugosllave në Jugosllavinë e vjetër (1918-1941) nuk ka qenë veçse ideologji
serbomadhe e maskuar. Kjo u theksua edhe me themelimin e Organizatës së
Nacionalistëve Jugosllavë (ONJ). Ky ishte një grup monarkist antifashist, i
përfshirë në një seri vrasjesh të veprimtarëve politikë dhe kulturorë kroatë
dhe sllovenë, si dhe në shtypjen e lëvizjes punëtore. Duhet theksuar se ONJ-ja
shpesh vepronte bashkë me Rininë Kombëtare Serbe (RKS) kundër Rinisë Kombëtare
Kroate (RKK), duke treguar me këtë se nuk bëhej fjalë për një ideologji
mbinacionale apo antinacionale, por për modifikimin e platformës ideore të
Serbisë së Madhe.
Shikuar nga këndi që serbizimin e identifikon me
traditat kombëtare specifike serbe, sipas disa studiuesve, ideologjia serbe në
të dyja jugosllavitë, nuk fitoi. Nuk mundi t’i asimilojë ose t’i dëbojë kroatët
dhe boshnjakët, kurse serbët u reduktuan në rreth një të tretën e popullsisë.
Pas luftërave të vitit 1990 e këndej, serbët morën 49%
të territorit të Bosnjës dhe Hercegovinës, por etnikisht përsëri mbetën të
ndarë, që nga alfabeti deri te vlerat etnike dhe fetare. Si rrjedhojë, ndaj të
tjerëve, serbët nuk mund të veprojnë si faktor asimilimi.
Shikuar nga ky këndvështrim, serbizmi në Kroaci dhe
pjesërisht edhe Bosnjë e Hercegovinë, ose e ka humbur rëndësinë e vet, ose
është reduktuar në atë masë saqë nuk është më
faktor vendimtar në politikën në perëndim të lumit Drinë. Mbetet faktor
i rëndësishëm dhe i pashmangshëm, por pa pasur gjasë dominimi siç ka ekzistuar
në vitin 1880.
Projekti "Serbia e Madhe"
në Luftën II Botërore – krerët çetnikë
Stevan Moleviqi (Rudo, BH, 06.01.1887 – vdiq në burgun e
Sremska Mitrovicës më 15.11.1959) ishte jurist serb, u shkollua në
Universitetin e Zagrebit, një prej ideologëve më në zë të idesë së Serbisë së
Madhe, ideolog i njohur i lëvizjes së çetnikëve,
botues i revistës çetnike “Ravna Gora”,
anëtar i Komandës Supreme çetnike,
gjatë Luftës II Botërore - këshilltar politik i Drazha Mihailoviqit. Në shtator të vitit 1945 iu dorëzua
autoriteteve komuniste. Në vitin 1946, në Procesin e Beogradit u gjykuan krerët
e çetnikëve. I akuzuari i parë ishte Drazha
Mihailoviqi, kurse Moleviqi – i
akuzuari i dytë. U dënua me 20 vjet heqje lirie. Vdiq në burg më 15 nëntor
1959.
Në memorandumin dhe elaboratin “Serbia homogjene” flet për krijimin e Serbisë së Madhe si dhe
spastrimin etnik të saj prej popujve të tjerë.
Dragolub Drazha Mihajloviqi (Ivanjicë, Serbi, 26.04.1893 – Beograd,
17.07.1946) ka qenë udhëheqës i çetnikëve në Luftën II Botërore. Gjatë luftës
lidhej herë me gjermanët dhe italianët, herë me anglo-amerikanët, por gjithmonë
kundër partizanëve të Josip Broz Titos (1892-1980). Prej koloneli u ngrit
në gradën e gjeneralit të Armatës Jugosllave në Atdhe. Gjatë luftës II
Botërore qëndroi në Mal të Zi, në Serbi
dhe në Bosnjë. Të armatosur prej italianëve dhe gjermanëve çetnikët kryen
masakra ndaj myslimanëve të Sanxhakut
dhe të Bosnjë lindore. Në të njëjtën kohë, “për
qëndresë heroike ndaj pushtuesit”, Mihailoviqi dekorohet nga udhëheqësi i
Rezistencës Franceze, gjenerali Sharl
dë Goli (1890-1970). Në vitin 1944 Mihailoviqi kalon në Bosnjë ku
e vazhdon luftën kundër Armatës Jugosllave të udhëhequr prej Titos, deri në
kapitullimin e Gjermanisë. U zu në vitin 1946 nga organet jugosllave të Titos.
Në procesin e Beogradit u dënua me vdekje për krime lufte dhe u ekzekutua.
Gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë dhe luftërave të vitit 1990 e këndej,
ideologjia antikomuniste e Mihailoviqit, e krijimit të Serbisë së Madhe dhe e
pastrimit etnik u përhap kudo nëpër
Serbi. Në atë periudhë, për nder të tij u ngritën një mori përmendoresh.
Në vitin 2015 Gjykata e Lartë në Beograd mori vendim për rehabilitimin e tij.
* * *
Gjatë luftës ndëretnike shfarosëse në Jugosllavi në
vitet 1941-1945, e posaçërisht në Shtetin e Pavarur të Kroacisë (akronimi
kroatisht: NDH) si dhe në Bosnjë e
Hercegovinë, programi i Serbisë së Madhe mori formulimin përfundimtar në
shkrimin e avokatit serb të Banja-Lukës, Stevan
Moleviq (1887-1959). Shkrimi mban titullin "Serbia homogjene". Në
tekstin e botuar në Nikshiq më 30 qershor 1941, ku iku për t’i shpëtuar ndjekjes prej ustashëve, ky ideolog, këshilltar i
udhëheqësit të çetnikëve - Drazha
Mihailoviqit (1893-1946), shkruan:
“Gabim themelor në rregullimin tonë shtetëror ka qenë se në vitin 1918 nuk
u përcaktuan kufijtë e Serbisë. Ky gabim duhet të korrigjohet, sot ose kurrë.
Kufijtë duhet të përcaktohen sot dhe duhet të përfshijnë krejt rajonin etnik ku
jetojnë serbët, me dalje të lira në det për të gjitha rajonet serbe që janë
afër detit.
1. Në lindje dhe
juglindje (Serbia dhe Serbia jugore), kufijtë serbë janë shënuar me epilogun e
luftërave çlirimtare dhe ata vetëm duhet të përforcohen me Vidinin dhe
Qystendilin.
2. Në jug (Mali i
Zi dhe Hercegovina), në rajonin jugperëndimor të Serbisë, përveç territoreve të
Banovinës së Zetës, duhet të përfshihen edhe:
a) e gjithë
Hercegovina lindore me vijën hekurudhore prej Konjicës deri në Plloçë (Ploça),
duke përfshirë edhe brezin që do ta mbronte
hekurudhën, duke përfshirë aty tërë rrethin e Konjicës; prej rrethit të
Mostarit, komunat: qyteti i Mostarit, Bijelo Pole, Blagaj dhe Zhitomisliqi; i
tërë rrethi i Stolacit; kurse nga rrethi i Metkoviqit të Plloçës edhe e gjithë
zona në jug të Plloçës; Dubrovniku të
cilit do t'i jepej status i veçantë.
b) pjesa veriore
e Shqipërisë, po qe se Shqipëria nuk do të fitonte autonomi.
3. Në perëndim,
në rajonin perëndimor serb, përpos Banovinës së Vërbasit, duhet të
përfshihet Dalmacia Veriore, pjesa serbe
e Likës, e Kordunit, e Banisë dhe një pjesë e Sllavonisë, në mënyrë që këtij
rajoni t’i përkasin vija hekurudhore e Likës nga Plashka deri në Shibenik dhe
vija hekurudhore veriore nga Okuqani nëpër Sunjë deri në Kostajnicë. Në atë
zonë do të hynte në një anë rrethi i Bugojnos, me përjashtim të Gornji Vakufit,
kurse nga rrethi i komunës së Livnos: Livno dhe Donje Pole, kurse në anën
tjetër nga rrethi i komunës së Shibenikut: Shibeniku dhe Skradini; nga rrethi i
Kninit: komuna e Kninit dhe pjesa serbe e komunës së Drnishit me tërë
territorin nëpër të cilin kalon vija hekurudha Knin-Shibenik dhe eventualisht
pjesa serbe e komunës Vërlika në rrethin e Sinjit; i gjithë rrethi i
Benkovacit; i gjithë rrethi i Biogradit; i gjithë rrethi Preko; kështu që kufiri
i rajonit perëndimor të Serbisë shkon me Kanalin e Velebitit dhe përfshin Zarën
(Zadar) me të gjithë ishujt para saj, nga rrethi i Gospiqit, komunat: Gospiq,
Li?ki Osik dhe Medak; nga rrethi Perushiq, pjesa lindore, nëpër të cilin kalon
vija hekurudhore; nga rrethi Otoçacit komunat: Dabar, Shkare dhe Vërhovine; nga
rrethi i Ogulinit komunat: Dreznica, Gomirje, Gorna Dubrava dhe Pllashka; (zonat
e tjera nuk i shkruaj – Xh. Z.);
4. Rajonit
verior të Serbisë, përpos territorit të Banovinës së Danubit duhet t'i jepen
rrethet serbe që i janë marrë asaj, si Vukovari, Shidi dhe Illokut dhe nga rrethi i Vinkovcit komunat: Vinkovci,
Llaze, Mirkovci dhe Novi Jankovci; rrethi dhe i tërë qyteti Osijek; këtij
rajoni duhet siguruar Baranjën me Peçujin dhe Banatin lindor me Temishvarin dhe
Resicën.
5. Rajonit
qendror serb - Banovinës së Drinës - duhet t'i kthehen rrethet boshnjake që i
janë marrë: Bërçko, Travniku dhe Fojnica. Dalmacia, e cila do të përfshinte
bregdetin e Adriatikut nga Plloça deri në Shibenik dhe nga rrethet e Bosnjës e
Hercegovinës: Prozor, Lubushki, Duvno; pjesët perëndimore të rrethit të
Mostarit dhe të Livnos, pjesë e rrethit të Kninit dhe Shibenikut në veri, do të
bëhen pjesë e Serbisë dhe do të fitojnë pozicion autonom të veçantë. Kisha
Katolike Romake në Dalmaci do të njihet dhe do të ndihmohet nga shteti, por
puna e kishës dhe e klerit katolik romak në popull, duhet të jetë në dobi të
shtetit dhe nën kontrollin e tij.”
Sipas nacionalistëve serbë “Serbia shtrihet deri aty ku ndodhet varri i serbit të fundit. Aty ku ka një serb të varrosur, deri aty është
Serbia”.
Nga sa më sipër shihet se kemi të bëjmë me shkëputjen e rreth 70% të territorit të
Kroacisë dhe bashkëngjitjen e tij Serbisë së Madhe, kurse me mbetjet e Kroacisë
dhe Sllovenisë së krasitur të krijohet
një Jugosllavi sipas planeve të serbomëdhenjve. Rajone boshnjake dhe kroate
etnikisht të pastra përfshihen në Serbi të Madhe si zona autonome, ku tolerohen
vetëm të drejtat fetare (të paktën në teori) dhe jo edhe të drejtat kombëtare.
Përmbajtja më reale e gjithë kësaj mund të shihet nga citimet e mëposhtme.
* * *
Dragomir "Dragisha" Vasiq (Gornji
Milanovac, 02 nëntor1885 – Banja-Llukë, qershor 1945) ka qenë shkrimtar serb
dhe jugosllav, avokat, dhe akademik, nënkryetar i Klubit Kulturor Serb në
Beograd ku Vaso Çubriloviqi më 17
mars 1937 e lexoi elaboratin famëkeq “Dëbimi
i shqiptarëve”. Në Shtabin e Drazha Mihailoviqit erdhi në verë të vitit
1941 ku konsiderohej zëvendës i tij. Aty qëndroi deri në mes të marsit të vitit
1945. E konsideronin si ideolog të lëvizjes
çetnike Në prill të vitit 1945, me
një grup udhëheqësish çetnikë shkëputën prej Drazha Mihailoviqit. Pas betejës në
Lievço pole u burgosën prej ustashëve
(kroatë). Dragisha Vasiqi u ekzekutua në Stara Gradishkë. U ekzekutuan prej
ustashëve edhe të tjerë. Në
Jugosllavinë e Titos konsiderohej armik. Në vitin 2009 serbomëdhenjtë në
Beograd e rehabilituan.
* * *
Në fillim të vitit 1942 Moleviqi i shkruan
këshilltarit të dytë të komandantit çetnik Drazha Mihailoviqit, Dragisha Vasiqit:
"Sa i përket demarkacionit tonë me kroatët, sapo të na jepet mundësia
duhet t’i mbledhim të gjitha forcat dhe t’i krijojmë vetes akt të kryer:
a) të vëmë nën
zotërim territorin e shënuar në hartë,
b) të pastrojmë
territorin, para se të tjerët të organizohen për rezistencë.
Zotërimi do të bëhej me njësi të forta të cilat do të pushtonin nyjet
kryesore, e përkatësisht: Osijekun, Vinkovcin, Slavin. Brodin, Sunjën,
Karlovacin, Kninin, Shibenikun, Mostarin, Metkoviqin. Pastaj të bëhet pastrimi
i vendit nga të gjithë elementët joserbë. Fajtorëve duhet t'u hapet rrugë - kroatëve në Kroaci, kurse boshnjakëve
në Turqi (ose në Shqipëri)..."
Disa dilema që lindën në vjeshtën e vitit 1941 në
shtabin çetnik, nën ndikimin e elementëve prokomunistë, Drazha Mihailoviqi i
evitoi më 20 dhjetor 1941 me një udhëzim të posaçëm.
* * *
Gjorgje Lashiq (1906 – Podgoricë, 05.05.1944) ishte komandant i
forcave çetnike në Mal të Zi. U vra gjatë bombardimit të Podgoricës nga
aleatët;
Kapiteni Pavle
Gjurishiq (1909 – Stara Gradishkë, 21.04.1945). Ky u ekzekutua nga forcat ustashe në kampin e përqendrimit Stara
Gradishkë të Kroacisë.
* * *
Jo rastësisht, udhëzimi iu dërgua komandantëve të
aradheve çetnike në Mal të Zi Gjorgje
Lashiq (1906-1944) dhe kapitenit Pavle
Gjurishiq (1909-1945). Këta ishin
eprorë çetnikë të zonës në të cilën ndodhej një numër i madh i boshnjakëve
myslimanë. Në këtë dokument, ndër të tjera theksohen edhe këto detyra të
lëvizjes çetnike:
1. Të krijohet një Jugosllavi e madhe dhe brenda saj
një Serbi e madhe, etnikisht e pastër, brenda kufijve të Serbisë-Malit të
Zi-Bosnjës dhe Hercegovinës-Sremit-Banatit dhe Baçkës.
2. Luftë për përfshirje në jetën tonë shtetërore të të
gjitha territoreve ende të paçliruara, d.m.th. që janë nën italianët dhe gjermanët
(Trieste-Gorica-Istria dhe Korushka) dhe të Bullgarisë, të Shqipërisë veriore me Shkodrën.
3. Pastrimi i territorit shtetëror nga të gjitha
pakicat kombëtare dhe nga elementët jonacionalë.
4. Të krijohen kufij të përbashkët të drejtpërdrejtë
midis Serbisë dhe Malit të Zi si dhe Serbisë dhe Sllovenisë, duke pastruar
Sanxhakun nga popullsia myslimane, kurse
Bosnjën nga popullsia myslimane dhe katolike.
5. Në zonat e pastruara nga pakicat kombëtare dhe nga
elementët jonacionalë, të vendosen malazezë (vijnë parasysh familjet e varfra
dhe kombëtarisht të rregullta dhe të ndershme)... (Arkivi VII, Ça, k. 1, regj.
nr. 10/1.)
Duke marrë parasysh faktin se Moleviqi ishte
"hartografi" kryesor në shtabin e Mihailoviqit, mund të nxirret
përfundimi se plani gjeopolitik serbomadh ka qenë bazë politike kombëtare
e lëvizjes çetnike. Pohimet që shfaqen
herë pas here se lëvizja çetnike e
Mihailoviqit ka qenë për rimëkëmbjen e Jugosllavisë brenda kufijve siç kanë
qenë në prag të luftës në vitin 1941, nuk janë të vërteta.
Projekti i Serbisë së Madhe në Luftën II Botërore
pësoi katastrofë dhe kolaps me fitoren e partizanëve komunistë dhe me krijimin
e gjashtë republikave federative dhe të dy krahinave autonome brenda Serbisë. Me Kushtetutën e vitit 1974 dy krahinat
autonome u bënë pjesë e federatës jugosllave.
Roli i idesë së Serbisë së Madhe në
shkatërrimin e RSFJ-së - Në Jugosllavinë socialiste të Titos
programi serbomadh u shua ngase interesat kombëtare serbe u plotësuan kryesisht
në RPFJ / RSFJ të atëhershme, ndërsa planet ekstremiste u reduktuan kryesisht
në retorikën e emigracionit çetnik dhe ruajalist. Në vitin 1980 vdiq Josip Broz
Titoja. Në vitin 1981 shpërtheu në Kosovë rebelimi irredentist shqiptar.
Federata jugosllave nuk tregoi zotësi që kryengritjes shqiptare t’i qaset në
mënyrë racionale. Për nga numri i popullsisë, shqiptarët ishin të tretët – pas
serbëve dhe kroatëve. Megjithëkëtë, Kosova nuk ishte republikë. Kah mesi i
viteve ’80 (të shekullit XX), lëvizja kombëtare serbe u forcua. Burime të saj
ishin elita intelektuale serbe
(Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve, akronimet në serbisht: SANU, Shoqata e
Shkrimtarëve të Serbisë, Kisha Ortodokse Serbe). Ndër intelektualët më prominentë
(më të shquar) të cilët i dhanë formë projektit të ri të Serbisë së Madhe ishin
kryesisht shkrimtarët, ekonomistët, historianët, filozofët dhe politologët:
- Dobrica
Qosiqi (1921 - Beograd, 2014), shkrimtar serb dhe jugosllav, politikan dhe
akademik, i mbiquajtur “baba i kombit” serb;
- Lubomir
Tadiqi (Smrijeçno, Mal i Zi, 1925 – Beograd, 2013) akademik serb, profesor
i filozofisë, i shkolluar në Sarajevë
dhe në Beograd, baba i ish-kryetarit të Serbisë Boris Tadiqit (Sarajevë, 1958- ), i cili me profesion ishte
psikolog dhe ishte shkolluar në Beograd;
-
Mihailo Markoviq (Beograd, 1923 -
Beograd, 2010) filozof serb i orientimit
marksist-humanist, profesor universiteti, teoricien dhe akademik i
Akademisë Serbe, në vitin 1955 doktoroi në Beograd, një vit më vonë edhe në
Kolegjin Universitar të Londrës; disa herë profesor i filozofisë në
universitetet e ShBA-së;
-
Dejan Medakoviqi (Zagreb, 1922 – Beograd, 2008) shkrimtar serb, akademik,
historian i artit, profesor universiteti, kryetar i Akademisë Serbe
(1998-2003), dekan i Fakultetit Filozofik, doktoroi në Beograd, specializoi në
Gjermani si shfrytëzues i bursës së Fondacionit
“Alexander von Humboldt”, ligjëroi në disa universitete evropiane;
- Antonije
Isakoviqi (Raçe, Kragujevc, 1923 –
Beograd, 2002) shkrimtar serb, në vitet 1980-1992 ka qenë nënkryetar i
Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve; Ka të kryer gjimnazin në Beograd;
- Miodrag
Bulatoviqi (Okllada, Bijello Pole, 1930 – Igallo, 1991) shkrimtar i njohur
i letërsisë moderne serbe. Studioi psikologjinë dhe letërsinë në Universitetin
e Beogradit. Në vitete ’90 (të shek.. XX) u angazhua në Partinë Socialiste të
Serbisë. Mbronte ideologjinë e Slobodan Milosheviqit në çastet e shpërbërjes së
Jugosllavisë. Në vjeshtë të vitit 1988 qyteti Bor i minatorëve ishte bërë
vendtakim i shkrimtarëve të Ballkanit. Kishin ardhur edhe Ismail Kadareja (1936-2024) dhe Dritëro Agolli (1931-2017). U pritën prej Bulatoviqit dhe prej
shkrimtarëve të tjerë serbë. Para këtij takimi, në një intervistë për gazetën “Mond“të Parisit Kadareja e kishte
mbrojtur Kosovën, duke shtuar se “në krye
të histerisë antishqiptare serbe qëndron Miodrag Bulatoviqi”. Por tani në
Bor, nuk folën për politikë. Bulatoviqi nuk i shqitej Kadaresë duke treguar
ndaj tij respekt të konsiderueshëm. Ndërkaq, Dritëro Agollin e cilësoi si “njeri që s’e ka shokun” (ludina od çoveka);
- Milorad Ekmeçiq
(Prebilovci, Çaplinë, Bosnjë e Hercegovinë, 1928 – Beograd, 2015) ka qenë
historian serb, akademik, anëtar i Senatit të Republikës Serbe (të BH-së);
sipas historianëve serbë, gjatë Luftës II Botërore Ekmeçiqi ka humbur 78
anëtarë të familjes në masakrën në Pribolovci të kryer prej ustashëve kroatë. Diplomoi historinë në
Zagreb; doktoroi në Zagreb, specializoi një vit në Prinston të ShBA-së; kah
fundi i viteve ’80 (të shekullit XX) u bë një prej përfaqësuesve më të njohur të
nacionalistëve serbë dhe mbështetës i politikës së Slobodan
Milosheviqit; në vitet 1992-1994 profesor në Fakultetin Filozofik të
Universitetit të Beogradit; anëtar i akademive të BH-së, të Malit të Zi, të
Republikës Serbe, i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve.
- Zagorka
Goluboviq (Debërc, Vlladimirci afër Shabacit, 1930- Beograd, 2019);
antropologe dhe sociologe; kreu filozofinë në Beograd; profesoreshë inordinare
në Universitetin e Beogradit. Në vitin 1975, bashkë me shtatë profesorë të
tjerë, e largojnë prej fakultetit për qëndrimin kritik ndaj politikës së Titos.
Në vitet 1963-1974 ka qenë pjesëmarrëse e Shkollës
verore të Korçullës. Aty tuboheshin intelektualë me orientim kritik, nga Jugosllavia dhe bota. Aty kanë ardhur filozofi
gjerman Jyrgen Habermas (Jürgen Habermas, 1929- ); psikologu social gjerman, psikanalisti dhe filozofi humanist Erih From (Erich From, 1900-1980);
filozofi gjermano-amerikan Herbert
Markuze (Herbert Marcuse, 1898-1979) etj.
- Kosta
Mihailoviq (Shabac, 1917 – Beograd, 2007) ka kryer drejtësinë në Beograd;
doktoron ekonominë në Beograd; profesor ordinar, akademik; si shfrytëzues i
bursës së KB-ve, qëndron për përsosje profesionale në ShBA, në Japoni dhe në
Indi.
- Vojislav
Koshtunica (Beograd, 1944- ) ish-kryeministër i Serbisë, kryetar i fundit i
Republikës Federale të Jugosllavisë (2000-2003) dhe ish-kryetar i qeverisë së
Republikës së Serbisë (2004-2008). U prit në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti
amerikan Xhorxh Bush (George W.
Bush, 1946- ). Në vitin 2000 u prit në
Kremlin nga Vladimir Putuni (1952-
).
- Radmilo
Marojeviq (Morakov, 1949- ) profesor ordinar, emeritus, u shkollua në
Beograd. Në vitin 1972 diplomon në Fakultetin Filologjik, kurse në vitin 1973 –
në Fakultetin e Shkencave Politike. Në vitin 1980 doktoron në Fakultetin
Filologjik.
Dokumenti më i rëndësishëm që vjen nga ajo periudhë
është "Memorandumi i ASShA-së" (serbisht: Memorandum SANU). Ishte një tekst i shapirografuar (i
shtypur) i projektit politik kombëtar të vitit 1986.
Teza kryesore të Memorandumit ishin:
Territoret nën kontrollin serb gjatë luftërave të
viteve 1991-95
- RSF e Jugosllavisë është "burgu i popullit
serb";
- Serbët janë të shtypur dhe i janë nënshtruar
shkombëtarizimit dhe shfrytëzimit;
- Kufijtë midis republikave janë krijime artificiale
të vizatuara nga komunistët dominues kroatë dhe sllovenë si dhe nga poltronët e
tyre anacionalë serbë.
Këto teza ishin në qarkullim sidomos pas përhapjes së lëvizjes
panserbe që organizonte dhe mbante mitingje apo tubime. Lëvizja
serbomadhe (sipas tekstit të historianit, akademikut dhe politikanit kroat Dushan Bilanxhiq, 1924 – Zagreb, 2015),
që i organizonin shoqatat shkencore dhe kulturore serbe, vazhdimisht e ka
tensionuar situatën në vend, por nuk arriti ta ndryshonte Jugosllavinë derisa
Slobodan Milosheviqi, në valën e mitingjeve dhe të protestave masive serbe, nuk
erdhi në krye të komunistëve serbë dhe
me një sërë masash të ndryshme (mitingje, grusht shteti apo puç partiak, dhunë
policore), e shembi udhëheqjen e komunistëve të Vojvodinës dhe të Malit të Zi
dhe dhunshëm përsëri "e inkorporoi" Kosovën në Serbi, si krahinë pa
një autonomi reale.
Kjo, bashkë me neutralitetin e shtirur të Armatës
Popullore Jugosllave (APJ), ishte një hap i fortë drejt shndërrimit të
Jugosllavisë në Serbosllavi, një vend që nuk do t’i ndryshonte kufijtë e
jashtëm, e mbase as kufijtë e brendshëm, por në të cilin serbët do të ishin
popull absolutisht dominues në të gjitha republikat, kryesisht nëpërmjet një
aparati ushtarako-policor represiv dhe
një ekonomie të centralizuar e cila do të thithte kapital prej republikave
ekonomikisht më të zhvilluara siç janë Kroacia ose Sllovenia.
Me shpërbërjen e Lidhjes së Komunistëve të
Jugosllavisë, me zgjedhjet demokratike shumë-partiake në Jugosllavi, si dhe me
rënien e komunizmit dhe të Bashkimit Sovjetik, u pa se këto aspirata ishin
joreale. Me fjalë të tjera, "të tjerët" nuk mund të qeverisen
nëpërmjet një sistemi një-partiak.
Prandaj, pas një lufte të shkurtër në Slloveni në
qershor të vitit 1991, lëvizja për Serbi të Madhe u nis në luftë totale për
realizimin e kufijve që kryesisht përputheshin me kufijtë e vizatuar në hartën
e Moleviqit. Mirëpo, pas rezistencës së papritur në Republikën e Kroacisë dhe
në Republikën e Bosnjës dhe Hercegovinës, plani i Serbisë së Madhe i nënshtrohet
korrigjimit. Me fjalë të tjera, Serbia dhe Kroacia ta ndajnë Bosnjën dhe
Hercegovinën. Marrëveshja për ndarjen e BH-së është lidhur ndërmjet
historianit, gjeneral-majorit dhe kryetarit të parë të Kroacisë Dr. Franjo Tugjmanit (1922 – Zagreb, 1999) dhe Slobodan Milosheviqit (1941 – Burgu Sheveningen, Hagë, Holandë,
2006) në Karagjorgjevë. Për takimin e tyre në Karagjorgjevë kanë dëshmuar para
Tribunalit të Hagës politikani kroat, i cili në vitet 2000-2010 ishte kryetar i
Kroacisë, Stjepan “Stipe” Mesiq
(1934- ) dhe kryetari i Kryesisë së RS të Kroacisë e kryetari i fundit i
Këshillit Ekzekutiv Federativ të RSF të Jugosllavisë (qeverisë jugosllave) Ante Markoviq (Konjiq, BH, 1924 –
Zagreb, 2011). Në vitin 1954 diplomoi elektroteknikën në Zagreb.
Më 16 mars 2007 kryetari i Kroacisë Stipe Mesiq i bëri një vizitë joformale
dyditëshe Shqipërisë.
Gjatë dëshmisë së vet kryesore, Ante Markoviqi tha se
në vitin 1991, për takimin midis Milosheviqit dhe Tugjmanit në Karagjorgjevë ku
këta dy ishin marrë vesh për ta ndarë Bosnjën dhe Hercegovinën - kishte dëgjuar
nga shumë burime.
Që të dy i pohuan se ajo që flitej për Karagjorgjevën
ishte e vërtetë.
"Kërkova të flisja me të dy dhe u takuam veç e veç në Beograd dhe në
Zagreb. Ua thashë hapur atë që ma kishin bërë me dije. Që të dy e konfirmuan se
kishin rënë dakord të ndanin Bosnjën dhe Hercegovinën. Milosheviqi ma tha këtë
menjëherë, kurse Tugjmanit i duhej shumë më tepër kohë", tha Markoviqi.
Sipas dëshmitarëve, Milosheviqi thoshte: "BH-ja edhe ashtu nuk është veçse
krijim artificial i Titos dhe si e tillë nuk mund të mbijetojë. Myslimanët
(boshnjakët) janë të krishterë ortodoksë të cilët për shkak të
rrethanave e kanë pranuar islamin”.
Sipas dëshmitarëve, kryetari i Kroacisë Tugjmani,
ndante të njëjtin mendim me Milosheviqin, duke shtuar se "Bosnja ra me një të pëshpëritur" dhe se Evropa do ta
mbështesë këtë ngase nuk do të lejojë të ketë në zemër të saj një "shtet
mysliman."
Tugjmani thoshte se myslimanët në të vërtetë janë katolikë
të cilët kanë qenë të detyruar ta ndërrojnë fenë.
Kur e pyeta nëse mendonte se një gjë e tillë do të
mund të bëhej pa u derdhur gjaku deri në gju, Milosheviqi u përgjigj: “Nuk besoj se mund të ketë luftë për arsye
se shumica e popullsisë në Bosnjë dhe Hercegovinë përbëhet prej serbëve dhe
kroatëve. Pastaj unë dhe Tugjmani për myslimanët kemi parashikuar një enklavë.”
Kur e pyeta se ç’do të bëjmë po qe se do të ketë luftë,
ai m’u përgjigj: “Atëherë do të shohim se
ç’do të bëjmë”, tha Markoviqi.