Kerko: a
Idriz Zeqiraj: Istogu dhe Kosova datë të çlirimit kanë 12 qershorin 1999
E shtune, 14.06.2025, 07:00 PM
ISTOGU DHE KOSOVA DATË TË ÇLIRIMIT KANË 12 QERSHORIN 1999
NGA IDRIZ ZEQIRAJ
Fillimisht, data e çlirimit të Kosovës
është hamendësuar, për ta përcaktuar krejt të panevojshëm, edhe pse dihej
mirëfilli. Ndoca kërkonin ndonjë datë, që ata të ishin protagonistë të ndonjë
beteje ballore të veçantë. Por, kjo u mungonte. Arsyeja triumfoi dhe data-ditë
e çlirimit të Kosovës u përcaktua, faktikisht e mençurisht, pikërisht ditën e
hyrjes të tankeve të NATO-paktit, në Kosovë, si dëshmi e çlirimit, të Kosovës
anë përtej, përjashto veriun e Kosovës, ku ndodhi tradhtia e KFOR-it francez, në
koordinim me agjentët e saj shqipfolës në Kosovë.
Dikush u mundua ta shpallë Prishtinën e
çliruar më 10 qershor. Por, falsifikimin e Rrustem Mustafës dhe të Ahmet
Isufit, i demantuan, madje bindshëm, shumë qytetarë të Prishtinës, të cilët nuk
kishin lëvizur nga kryeqyteti. Dëshmi tjetër është hyrja, shpenguehëm, e
kontigjentit ushtarak rus, më 11 qershor 1999, përmes kryeqytetit, në
aeroportin e Prishtinës. Kjo duhej t`u mjaftonte të tjerëve, për të mos
shpallur data çlirimi fiktive, të rrejshme, as para dhe as pas 12 qershorit.
Caktimi i një date të vetme çliruese,
për tërë Kosovën, bëhet ende më i domosdoshëm, po të kemi parasysh anomalinë e
Shqipërisë, e cila feston dy data çliruese, mbi baza partiake, të një lufte: E
djathta feston 28 nëntorin, ndërsa e majta 29 nëntorin 1944. Sepse ishte
vendosur bashkimi i dy shteteve, jugosllav dhe shqiptar. Dy krerët udhëheqës të
luftës në Shkodër, Seit Bushati dhe Sadik Bekteshi, i pari politik, i dyti
gjeneral, i shpallur Hero i Popullit, me 1969, ndërsa i dënuar me 25 vjet burg,
me 1975, si Armik i Popullit, bashkëvuajtes i imi, në Burgun e Burrelit,
deklaron: "Shkodra, qyteti i fundit i Shqipërisë është çliruar me 28
nëntor, kur forcat ushtarake gjermane kanë kaluar kufirin në Han të Hotit. Data
29 nëntor është datë nostalgjike e komunistëve shqiptarë për Jugosllavinë. Por,
në majën e Malit Tarabosh, ka qëndruar një skuadër ushtarësh gjermanë edhe për
disa ditë, pas çlirimit. Megjithatë, luftë nuk ka pasur dhe data e çlirimit të
Shqipërisë mbetet 28 nëntori 1944".
Profitieret e luftës kanë zvetnuar dhe
përdhosur gjakun e dëshmorëve dhe të viktimave, me dy falsifikime groteske:
1) Data fiktive, e rrejshme çliruese e
Istogut, jashtë datës së vërtetë, 12 qershor 1999;
2) Rritja fiktive, e rrejshme të numrit
të veteranëve të luftës, zvetnuan nderimin për dëshmorët, viktimat dhe
luftëtarët e vërtetë. Disa komandantë të zëshëm, përfshi edhe shefin e SHTAB-it
të Përgjithshëm, gjeneral Sylejman Selimin, i cili zotëron listën emërore të luftëtarëve,
përgjatë luftës, thotë, me bindje të plotë, se Kosova ka pasur 12.700
luftëtarë, tashmë, veteranë. Edhe Kolonel Anton Quni pajtohet me shefin e
Shtabit, Gjeneral Sylejmanin, duke shtuar edhe 1.000 të tjerë, si pjesë e
logjistikës.
Por, sot llogaritën edhe 45.500
"veteranë" të rremë në Kosovë. Ndërsa në Shqipëri, gjeneral Spiro
Butka, kryetar i të UÇK-së OVL, për luftëtarët shqiptarë nga Shqipëria
numërohen 186, kurse Kolonel Dilaver Goxhaj e redukton në 129 veteranë, duke
dhënë detaje për luftëtarët e djeshëm, fshati apo qyteti nga vijnë dhe njësitë
luftarake, ku kanë qenë pjesë e luftës. Por, sipas gjeneral Spiro Butkës, sot
marrin pensionin 3.000 "veteranë" dhe ky numër vazhdon të rritet. Ai
përmend edhe emra falsifikatorësh të "Dëshmive të Veteranit", si dhe
bizneset e tyre nga Malësia deri në Tiranë, me matrapazët vendorë. Ndërsa
oficerët-komandantë nga Shqipëria, numrin e luftëtarëve nga Shqipëria, e
reduktojnë në dyshifrorë, ngaqë veçsa janë regjistruar në ndonjë njësi
ushtarake dhe janë larguar pa e shkrepur një plumb!
Makro-abuzimi me buxhetin e pakët
shtetëror, për pagesën e tej 45 mijë "veteranëve" të rrejshëm, është
hajnia më e madhe zyrtare në hapësirat ballkanike dhe evropiane. Këtu kanë
dështuar të gjitha qeveritë: ato që kanë falsifikuar, ato që kanë filluar
pagesën e "veteranëve" të rrejshëm dhe qeveritë, të cilat nuk e kanë
ndaluar këtë gjakderdhje financiare të trishtme! Ekziston dyshimi i bazuar, se
shumësia e "veteranëve" të rrejshëm, janë bërë klientelë elektorale e
disa partive! Padyshim, me këtë hajni zyrtare, po e vënë në dyshim, nëse Kosova
është e aftë, për ta administruar, qeverisur Kosovën e sotme?!
Istogu, me sa di, është komuna e parë,
e cila i bashkoi dëshmorët e luftës, në një lokacion të përbashkët. Ky fakt
është ri konfirmim i vlerësimit të bërë, si komuna e dytë me performancë në
nivel të Republikës të Kosovës. Dhe, kjo është vlerë shtesë për udhëheqjen
komunale, të kryesuar nga kryetari Ilir Ferati, me stafin e tij simpatik.
Përzgjedhja e lokacionit, projekti dhe
realizimi i Kompleksit Memorial i Varrezave të Dëshmorëve të komunës të
Istogut, mendoj se është i qëlluar, i shkëlqyer. Një hapësirë vendore e lirë,
me një pjerrësi terreni, që i jepë hijeshi, me shkëlqimin diellor ditën, qoftë
natën nën ndriçimin e llampadarëve ndriçues. Nuk e fshehim dot, meqë
kontestimet kanë qenë publike dhe kjo ka bërë që përurimi zyrtar, pikërisht,
për këtë është vonuar ndër vite. Dhe, kjo vonesë ka lënduar jo vetëm grupet
kundërthënëse, kryesisht, brenda OVL të UÇK-së, por ka prekur edhe qytetarët e
Kosovës, duke vënë dyshimin e bazuar se sindromi i falsifikimit është shtrirë,
si në rastin e shumëfishimit të listave të veteranëve. Urojmë që në Varrezat e
Dëshmorëve, nuk do të këtë dyshime, për ata që, tashmë, prehen në Panteonin e
Lavdisë meritore, vajzat, burrat dhe djemtë dëshmorë të lirisë.
Përmes RTV -FONTANA-, me drejtor Zeqir
Mehmetaj, me stafin e tij të vullnetshëm, kemi përcjellur punën e shkëlqyer,
përgjatë eskumimit të kufomave-eshtrave dhe rivarrosjen në Memorialin e
Varrezave të Dëshmorëve në Vrellë. Natyrisht, e dhimbshme, por, gjithsesi
krenare për familjen me farefisni të dëshmorëve dhe mirënjohjen e popullit të
Kosovës, për dëshmorët tanë.
Është vënë re mungesa e ish-drejtorit
të Axhencisë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve të Memorialëve,
zotëri Idriz Blakaj, i cili, me aq sa jam në dijeni, ka qenë nismëtar i kësaj
ideje, gjetjes së lokacionit dhe përcjelljes, deri ë realizimin e Kompleksit
Memorial në Vrellë. Sidoqoftë, një keqardhje për ne, miqtë e tij dhe popullin,
i cili e ka çmuar, përgjatë tej dy dekadave për veprimtari publike e zyrtare.
Këshilli mbikëqyrës realizues i
zhvarrim-rivarrimit të Dëshmorëve të komunës të Istogut, duhet të shërbejë si
frymëzim dhe guidë edhe për komunat tjera të Kosovës, që t`i bashkojnë
dëshmorët në një varrezë të përbashkët komunale. Në këtë rast do të caktohej
një datë-ditë e dëshmorëve, në nivel Kosove, ashtu siç e ka Shqipëria 5 Majin,
në ditë-vrasjen e Sekretarit të rinisë komuniste shqiptare, Qemal Stafa. Kosova
ka një rast ideal, flijimin e Shaban Jasharit, me familje, "në mbrojtje të
pragut të shtëpisë-Kosovë", për ta bashkuar datën-ditën e Dëshmorëve të
Kosovës, me atë të Shqipërisë, pikërisht, me 5 Maj.
Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve
dhe Komplekseve Memoriale, strukturat komunale, të kryesuar nga kryetari i
komunës të Istogut, Ilir Ferati; drejtori ekzekutiv i Komplekseve Memoriale,
Imer Hakaj, kryetari i OVL, Muhamet Demaj, për komunën e Istogut si dhe Shoqatat
tjera, janë organizuar dhe kanë krijuar Komisionin e zhvarrim-rivarrimit të
Dëshmorëve të komunës të Istogut, për t´i bashkuar në Kompleksin Memorial në
fshatin Vrellë. Komisioni në fjalë, bollshëm i shkolluar, ka shansin dhe rastin
të bëjë punë të tjera të mira, në interes të komunës dhe të Kosovës.
1) Ju, anëtarë të nderuar të këtij
Komisioni (Këshilli), mund ta unifikoni datën e çlirimit të Istogut dhe tërë
Kosovës, ashtu siç ka ndodhur, realisht, më 12 qershor 1999, duke kërkuar edhe
nga komunat tjera, si datë çliruese në nivel të Kosovës.
2) Të saktësoni numrin e veteranëve të
komunës të Istogut, për t`u bërë shembull për komunat tjera.
Nisma për pastrimin e listave, nga
veteranët e rremë, ishte e gabuar, rrjedhimisht, edhe e dështuar. Fillimi i
gjyqeve individuale ishte marrëzi. As shekulli nuk e zgjidhte problemin.
"Peshku qelbet nga koka",- thotë urtësia. Janë krye krerët partiakë,
shtetërorë e pushtetarë, që u kanë prirë këtyre proceseve të pista, për
interesa personale e partiake! Ata abuzuan dhe vazhdojnë të abuzojnë, edhe sot
e gjithë ditën, me paranë e shtetit. Dhe, kush vjedh shtetin, është armik i
Atdheut. Ndërkohë, në Kosovën tonë të përbaltur, i himnizojnë si heronj e
çlirimtarë!?
Asnjë llogari nuk duhet kërkuar nga
veteranët e rrejshëm. Asnjë pyetje as për ata, që u kanë dhënë "Dëshminë e
Veteranit". Emrat e tyre të hiqen nga listat e veteranëve të vërtetë, pa
zhurmë. Blerja e "dëshmive", është paguar dhe tejkaluar shumëfish,
nga marrja e pensionit të -veteranit- ndër vite. Ata që nuk pajtohen, vihen
para provave, por edhe para përgjegjësinë, nëse pretenduesit humbin testimin.
45.500 "veteranë" të rrejshëm, rrjedhin miliona euro, nga buxheti i
varfër shtetëror. Andaj, të shpëtohet, aq sa mund të shpëtohet, tani e tutje.
Hajnia zyrtare - turp kombëtar.
Në mesin e Komisionit aktual, për
zhvarrim-rivarrim të Dëshmorëve të komunës të Istogut, në Kompleksin Memorial
të Dëshmorëve në Vrellë, janë të angazhuar edhe disa miq të mi, të vjetër dhe
të rinj: kryetari Ilir Ferati, drejtori Imer Hakaj, luftëtarët Januz januzaj,
Shasivar Haxhijaj, Muhamet Demaj, me shokë, veprimtari i hershëm, i shumëfishtë
dhe drejtor i RTV -FONTANA-, Zeqir Mehmetaj, ndonëse ndjehem krenar me ata,
pres të mos kufizohen me këtë vepër të vyer dhe domethënëse, por, të vazhdojnë
edhe me propozimet e shtruara në këtë shkrim.
Uroj për mirëkuptim!