Kerko: a
Frank Shkreli: 12 qershor, 1987 – Thirrja në Berlin e Presidentit Reagan
E premte, 13.06.2025, 06:59 PM
12 QERSHOR, 1987 -THIRRJA NË BERLIN E PRESIDENTIT
RONALD REAGAN: “Zoti
Gorbachov, shëmbe këtë mur”
Nga
Frank Shkreli
Më 12 qershor 1987, Presidenti i
Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan në fjalimin e tij në Berlinin Perëndimor i
ka bërë thirrje, ish-udhëheqësit komunist të Bashkimit Sovjetik: “Z. Gorbaçov,
shëmbe këtë mur!” Ishte kjo një kërkesë
e një Presidenti amerikan që hyri në historinë botërore. Por sot, fatkeqësisht,
agresioni ushtarak i Rusisë putiniste në Ukrainë na kujton në mënyrë të
dhimbshme, se paqja e shpresuar asokohe duket edhe sot një mundësi e largët për
Evropën dhe për botën. Po sjell në kujtesë këtë fjalim historik të
ish-Presidentit Reagan nëpërmjet një shkrimi që kam botuar në qershor, 2012,
por me disa përditësime për ta bërë më aktual.
Ditët e fundit në median shqiptare
përflitet për një raport të Bashkimit Evropian(BE)mbi Shqipërinë – ndërsa
thuhet se ky raport që pritet të botohet, zyrtarisht, brenda disa ditësh -- më
në fund – i thotë gjërat pa dorëza, ashtu siç janë aktualisht në Shqipëri. Ndër
të tjera, raporti i BE-së paralajmëron edhe për rrezikun e ndikimeve të huaja
në Shqipëri, me lloj-lloj mënyrash e ndërhyrjesh, të dukshme të padukshme. Një
fenomen për të cilin, në mënyrën time modeste, jam munduar të sjell vëmendjen ndaj
këtij rreziku për Shqipërinë e Kosovën dhe për shqiptarët në përgjithsi,
pothuaj 15-vite më parë. Fjala është për ndikimet dhe ndërhyrjet e Rusisë e të
Kinës, por edhe të autoritarëve të tjerë ballkanas e botërorë. Këto ndikime të
huaja kanë gjetur livadh për të kullotur dashakeqsit e interesave të Kombit
shqiptar – një një hapësirë ku rreziku i brendëshëm – mos funksionimi i shtetit
në përgjithësi dhe mungesa e lirive bazë dhe vlerave demokratike në veçanti,
përfshirë zgjedhjet e lira -- krijon vetvetiu një atmosferë të favorshme për
ndërhyrje të dëmshme nga regjime absolute të huja.
ZGJOHU O SHQIPTAR!
Kujdes klyshët e Rusisë dhe ndikimet e tjera të huaja në trojet iliro-arbërore
shqiptare!
Ndërsa isha duke shkruar këtë rreshta,
vura se se në median shqiptare nuk u përmend fare përvjetori i fjalimit të
Presidentit Reagan në Belirn më 12 qershor, 1987 – fjalim që konsiderohet si
fillimi i mbarimit që çoi në shembjen e Murit të Berlinit. Përveç
Ambasadës gjermane në Tiranë, as ndonjë përfaqësi tjetër dkjpomatike në Tiranë
nuk e përmendi fare këtë datë e këtë fjalim.
“Tear down this wall!
Në fjalimin e tij më 12 qershor 1987
përpara Portës së Brandenburgut në Berlin, Presidenti Reagan i bëri thirrje
liderit sovjetik Gorbaçov të hapte portën dhe të shembte murin. Ai deklaroi:
“Vetëm liria të çon në prosperitet. Liria zëvendëson urrejtjen mes popujve, me
konsensus dhe paqe”.. (Ambasada e Gjermanisë në Tiranë) 12 qershor, 2025
Sa shpejt harrojmë!
Më 12 qershor, 1987 Presidenti Reagan
duke mbajtur fjalimin e tij historik drejtuar banorëve të Berlinit Perëndimor,
Gjermanisë dhe gjithë botës.
Kur Z. Ronald Reagan filloi nga detyra
e presidentit të Shteteve të Bashkuara në janar 1981qindëra miliona njerëz nga
perandoria komuniste e ish-Bashkimit Sovjetik dhe Evropa Lindore, vuanin nën
diktatura të ndryshme regjimesh komuniste. Regjimi komunist sovjetik
kërcënonte botën me mijëra armë bërthamore dhe ndihmonte lëvizjet komuniste anë
e mbanë botës, të cilat përpiqeshin që, me forcë, të vendosnin në fuqi regjime
komuniste edhe në shtete të ndryshme të Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine. Me
12 qershor 1987, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan viziton
Berlinin dhe para portës Brandenburg mbajti fjalimin historik, ndoshta, sipas
disa ekspertëve më i rëndësishmi i presidencës së tij, me të cilin sfidoi botën
komuniste dhe udhëheqësin e atëhershëm sovjetik, Mikhail Gorbaçov duke iu
drejtuar me fjalët: “Zoti Gorbaçov, nëqoftëse kërkon paqë, nëqoftëse
dëshiron begati për Bashkimin Sovjetik dhe Evropën Lindore, nëqoftëse kërkon liberalizim,
eja tek kjo portë. Zoti Gorbaçov, hape këtë portë. Zoti Gorbaçov, shëmbe
këtë mur.”
Presidenti Reagan, në atë fjalim, që
sipas gazetës më të madhe gjermane Bild, ishte një fjalim që “ndryshoi botën”,
ka shtuar gjithashtu se “Krushovi më 1950-at kishte parashikuar se do të
‘varroste’ Perëndimin. “Por”, ish-presidenti amerikan ai që ka theksuar në atë
fjalim se, “në Perëndim sot ne shohim një botë të lirë e cila ka realizuar një
nivel begatie dhe mirëqënjeje për popujt e vetë, e pashëmbullt në histori. Në
botën komuniste, ne shohim dështime, prapambetje teknologjike, rënie të
standardeve në shëndetësi, madje edhe mungesë ushqimi. Sot, Bashkimi
Sovjetik gjithnjë nuk mund të ushqejë popullin e vet. Kështuqë, para botës,
sot shpaloset një e vërtetë e pashmangshme dhe e pamohueshme: se liria të çon
drejt begatisë, se liria zëvendëson armiqësitë e vjetra midis shteteve. Liria
është triumfuesja’’, ka thënë, ndër të tjera, Presidenti Reagan, 38 vjetë më
parë në Berlin.
Parë, historikisht, në të vërtetë, ky
fjalim ishte në vazhdimësi të politikës së jashtme anti-komuniste të
Presidentit Reagan, tonin e së cilës ai e kishte përcaktuar në një fjalim
tjetër, që kishte mbajtur pesë vjet më parë në Pallatin Uestminstër të Londrës,
ku kishte deklaruar para botës shpresën e tij: “Për marshimin e lirisë dhe të
demokracisë”, duke thënë se bota gjëndej në një pikëkthesë historike, se
komunizmi si ideologji politike dhe ekonomike, ka devijuar. Kishte dështuar,
pikërisht, sepse shtypte lirinë dhe nuk respektonte të drejtat e popujve që
sundonte. Fjalimi historik i Presidentit Reagan në Berlin 38 vjet më parë,
nuk i drejtohej, vetëm Berlinit dhe Gjermanisë, por gjithë botës komuniste,
duke venë në pyetje legjitimitetin e regjimit sovjetik dhe të gjitha regjimeve
komuniste të Evropës Lindore e Qëndrore.
Nga fundi i vitit 1989, pothuaj të
gjitha diktaturat komuniste në Evropën Qendrore e Lindore ishin përmbysur dhe
më 1991, Bashkimi Sovjetik u shpërnda dhe shumica e vendeve të reja të pavarura
ish-sovjetike, filluan të marshonin drejt demokracisë. Fjalimi i Presidentit Reagan, që për kohën
konsiderohej si një sfidë e guximshme dhe serioze ndaj ish-udhëheqësit sovjetik
Mikhail Gorbaçov --një thirrje që të provonte me vepra -- se ai ishte serioz për
zbatimin e politikës reformiste të “Perestrojkës’’ dhe “Gllasnost-it’’ -- që
predikonte në atë kohë udhëheqësi sovjetik.
Sipas shumë historianëve, ky fjalim
shikohet gjithashtu edhe si një pikëkthesë në periudhën e luftës së ftohtë,
sepse nxiti dhe rriti moralin dhe shpresat, jo vetëm në Gjermaninë Lindore, por
dhe anë e mbanë Evropës Lindore dhe Qendrore, pasi, sipas tyre, kjo ishte një
thirrje për t’u zgjuar dhe për të rivendosur ndërgjegjen dhe besimin në vetvete.
Fjalimi, që disa e patën konsideruar si provokues për kohën, dihet tani se
kishte shkaktuar mosmarrëveshje madje edhe në radhët e zyrtarëve të
administratës së Presidentit Reagan, disa javë para se të mbahej në
Berlin. Fjalimi ishte shkruar nga një shkrimtar në moshë të re i Shtëpisë
së Bardhë i quajtur Peter Robinson. Por këshilltarët e lartë të mbrendshëm
dhe diplomatë të Presidentit Reagan kundërshtonin përdorimin, pikërisht të
thirrjes, tanimë të famshme: “Zoti Gorbaçov, shëmbe këtë mur...’’. Sepse
mendonin ata, një thirrje e tillë publike nga Presidenti Reagan do të dobësonte
pozicionin politik të Zotit Gorbaçov, brenda në Kremlin. Por sipas
ish-ndihmësit të tij, Ken Duberstinë, megjithë kundërshtimet nga këshilltarët e
tij më të lartë, Zoti Reagan, më në fund, vendosi vetë që kjo thirrje të mbetej
pjesë e fjalimit, ndonëse ishte shprehur se, “do të ç’mendë diplomatët e Stejt
Departmentit, por megjithë këtë, unë do ta përdor’’, u kishte thënë Reagan
këshilltarëve të tij të ngushtë.
Presidenti Reagan dhe para se të bëhej
president i Shteteve të Bashkuara ishte shprehur se Muri i Berlinit nuk duhej
të ishte ndërtuar kurrë. Si governator i Kalifornisë ai kishte mbajtur
qëndrimin se telat me gjëmba që komunistët kishin vendosur fillimisht për të
ndarë Berlinin perëndimor nga ai lindor, duhej të ishin hequr
menjëherë. Ai kishte shprehur gjithmonë neveritjen e tij me ndërtimin e
Murit të Berlinit dhe ishte i vendosur të bënte çdo gjë të mundur për
ta rrëxuar atë mur megjithëse skeptikët ishin të shumtë si në Evropë ashtu
edhe në Amerikë -- se shëmbja e atij muri nuk mund të sillte ndonjë ndryshim të
madh në Berlin ose në Evropë. Por në këtë 38-vjetor të fjalimit, mund të
thuhet se të gjithë skeptikët ishin gabim dhe se Presidenti Reagan kishte të
drejtë. Ish-këshilltari i Presidentit Reagan për çështje të sigurimit Kombëtar,
Frank Carluçi është cituar të ketë thënë para se të mbahej fjalimi në Berlin,
se thirrja që Presidenti Reagan i ka bërë ish-udhëheqësit sovjetik për të
shembur Murin e Berlinit, “Është një fjali shumë e mirë, por një gjë e
tillë nuk do të ndodhte kurrë.” Megjithkëte, ky fjalim sot konsiderohet si
njëri ndër më të rëndësishmit në historinë e Amerikës e ndoshta edhe në historinë
e botës.
38- vjetë pas fjalimit të Presidentit
Reagan në Berlin, bota përballet sot me probleme të reja politike, ekonomike
dhe të sigurimit. Në mungesë të
udhëheqsve botërorë si Reagan dhe Gorbachov, madje, madje këto sfida, në
krahasim me ato të shekullit të kaluar, mund të jenë edhe më të mëdha e
më të rrezikshme dhe më të pa-parashikueshme. Për t’u ballafaquar me
këto sfida, Shtetet e Bashkuara dhe bota kanë nevojë për një udhëheqës si
Ronald Reagan, i cili me optimizmin dhe vendosmërinë e tij, me besimin në
vlerat, aftësitë dhe fuqinë e këtij vendi, do të mund të përballen dhe të
përballojnë sfidat e sotme kombëtare dhe ndërkombëtare.