Kerko: a
Nexhmedin Saqipi: Kur politika e mashtrimit vret të ardhmen?!
E premte, 13.06.2025, 06:52 PM
Kur politika e mashtrimit vret të ardhmen?!
Nga
Nexhmedin Saqipi
Pas luftërave të
përgjakshme në Ballkan, shumë prej nesh kemi shpresuar për një epokë të re: një
epokë paqeje, ndërtimi, drejtësie dhe përparimi demokratik. Megjithatë, ajo që
kam parë dhe përjetuar nga përfaqësuesit politikë në rajon më ka zhgënjyer thellësisht.
Sepse Ballkani, sado që është ndarë në kufij politikë, në esencë mbetet një –
një mentalitet, një frymë, një mënyrë e të bërit politikë: mashtrimi.
Tranzicioni
Ata që morën
përsipër barrën për të udhëhequr tranzicionin drejt demokracisë – të mbështetur
me financa e përkrahje nga ndërkombëtarët – shumë shpejt e keqpërdorën atë
besim. Përdorën çdo krizë, çdo dallim dhe çdo plagë të së kaluarës për të
përfituar politikisht. Dhe më keq se kaq: e trashëguan urrejtjen tek gjeneratat
e reja, duke bllokuar çdo rrugë drejt paqes, dialogut dhe mirëkuptimit. E bënë
këtë me vetëdije, ose më tragjikisht – nga padituria.
Shumë prej tyre
nuk e kuptojnë thelbin e fjalëve që i thonë përditë: “dialog”, “tolerancë”,
“mirëkuptim”. I shqiptojnë si papagallë, pa reflektim, pa ndjenjë, pa qëllim.
Kam shkruar dhe folur shpesh për këtë: është shumë më e lehtë të ndërtosh
imazhin e armikut sesa të ndërtosh paqen. Është më e thjeshtë të frysh
urrejtjen sesa të hapësh rrugë mirëkuptimi. Dhe me këtë rrugë, e vorrosim të
ardhmen, dita-ditës.
Mediat, që do të
duhej të ishin katalizatorë të edukimit, janë bërë vegla të frikës dhe të
manipulimit. Në vend të temave që ngritin dijen, nderin dhe vetëdijen, ato
mbushin ekranet me zhurmë, stres, frikë dhe urrejtje. Në Serbi, çdo ditë fillon
me Kosovën; në Kosovë, çdo ditë s’pushon së foluri për Serbinë. Populli i
rëndomtë, që jeton me halle e varfëri, jo vetëm që po e varrosin për së gjalli,
por as në varr nuk po i lënë qetësi.
Rebelizmi
Kohët e fundit, jo
vetëm loja politike shqiptaro-serbe më ka lodhur, por edhe ajo e shteteve të
mëdha. Pas pandemisë, bota u zhyt në një narrativë të re: kërcënime, gara
armatimi, përgatitje për luftë. Po a është kjo siguri? Apo është një mënyrë
tjetër për të mbjellë frikë e pasiguri, për të na bërë më të kontrollueshëm dhe
më të dëshpëruar? Unë jam kundër kësaj filozofie. Sepse kjo nuk është mendje e
shëndoshë, as udhëheqje me vizion, por është rrugë drejt rebelizmit, injorancës
dhe humbjes së shpresës. Dhe kur njerëzit humbin shpresën, humbin vetë jetën –
e kalojnë në depresion, e braktisin dijen, punën, ëndrrat.
Si mund të
kërkojmë nga rinia të studiojë e të ndërtojë, kur u ofrojmë një botë pa të
ardhme? Zoti i Gjithësisë, në mëshirën e Tij, i ka lënë të fshehta gjërat që do
ta shkatërronin shpirtin e njeriut: vdekjen, katastrofat, çka ndodh pas çastit
tjetër. Pse? Sepse njeriu nuk i përballon dot. As psikiatria nuk të mban kur
humbet shpresa për jetën. Prandaj, në vend që miliarda të harxhohen për
armatime, për gara kozmike, për fantazi të shfrenuara, më mirë të investojmë në
Tokë – në jetën që kemi, në botën e bukur që Zoti e ka krijuar për ne.
Zgjimi
Të jetojmë si
njerëz. Të zhvillojmë paqen, kulturën, edukatën, mendjen. Zoti ka dhënë
gjithçka që njeriut i nevojitet për të jetuar me dinjitet. Por nuk ka garantuar
asgjë për ambiciet e tij të tepruara. Për to nuk ka as kufi, as kornizë. Dhe në
to fshihet shkatërrimi i botës. Koha është të zgjohemi. Të mos përkrahim më as
fantazistët e as mashtruesit. Le ta ndërtojmë jetën me vlera, jo me frikë. Le
ta ushqejmë shpresën, jo tmerrin. Sepse vetëm ashtu mund ta shpëtojmë njeriun –
dhe ta çojmë përpara njerëzimin.
(Autori është kryetar i Shoqërisë Civile “Perspektiva”
dhe Shoqatës së Gazetarëve “Etika” nga Lugina e Preshevës)