Kerko: a
Xhelal Zejneli: Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881)
E premte, 13.06.2025, 07:00 PM
ME RASTIN E 147-VJETORIT
LIDHJA
SHQIPTARE E PRIZRENIT (1878-1881)
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Është organizatë e parë politike dhe
ushtarake mbarëshqiptare me frymëzim atdhetar. U themelua në Prizren më 10
qershor 1878 në kushtet e sundimit osman
dhe të Krizës lindore të
viteve ’70 të shekullit XIX. Lidhja mori përsipër të zgjidhte tri detyra
themelore që shqetësonin në atë kohë opinion shqiptar: a) të afirmonte në
arenën ndërkombëtare kombin shqiptar si subjekt i të drejtave kombëtare; b) të
kundërshtonte copëtimin e trojeve etnike shqiptare të vendosur në Kongresin
e Berlinit* në favor të
monarkive fqinje ballkanike; c) të realizonte bashkimin e trojeve etnike
shqiptare në Ballkan në një formacion shtetëror autonom në kuadrin e Perandorisë Osmane, si hap i parë për të
krijuar shtetin shqiptar të pavarur dhe demokratik. Para formimit të Lidhjes
Shqiptare të Prizrenit, shqiptarët kishin zhvilluar një mori kryengritjesh
kundër zgjedhës osmane, por Porta e Lartë
s’kishte pranuar asnjë nga kërkesat e tyre kombëtare. Edhe Fuqitë e Mëdha në praktikën e tyre diplomatike nuk kishin pranuar
t’u njihnin shqiptarëve të drejtën e formimit të një shteti të veçantë shqiptar.
As tani, kur dukej qartë fitorja ruse, asnjë nga Fuqitë e Mëdha nuk e mbështeti
formimin e një shteti shqiptar. Shqetësimi i shqiptarëve arriti kulmin më 3
mars 1878 kur u nënshkrua Traktati i Shën Stefanit.
* * *
Kongresi i Berlinit i nisi punime më 13 qershor 1878. Morën pjesë përfaqësuesit
e Fuqive të Mëdha të kohës: Anglisë, Austro-Hungarisë, Gjermanisë, Rusisë,
Francës, Italisë dhe Turqisë. U thirr për rishikimin e Traktatit të Shën Stefanit. Dokument më i rëndësishëm i Kongresit
të Berlinit ishte Traktati i Berlinit. Ky akt parashikonte një rregullim të ri
territorial në Ballkan pas disfatës së Perandorisë Osmane në luftën me Rusinë
në vitet 1877-1878. Në Kongresin e Berlinit çështja shqiptare nuk u
diskutua, edhe pse Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe degët e saj iu drejtuan
disa herë. U dërgua Memorandumi i Shkodrës, Memorandumi i Stambollit i
qershorit të vitit 1878 etj. Kancelari gjerman Oto fon Bizmark (Otto von Bismarck, 1815-1898) e mohoi aty
ekzistimin e kombësisë shqiptare. Në Protokollin XIII të Kongresit të Berlinit
(pjesa e dytë) bëhet fjalë për “privilegjet
dhe liritë” e popullsisë katolike të Mirditës “të njohura prej së lashti” (ab
antiquo) (“autonomia” e Mirditës). Kjo u bë me nismën e Francës dhe të
Austro-Hungarisë të cilat pretendonin secila për vete të drejtën “e protektoratit
të kultit” mbi popullsitë katolike brenda kufijve të Perandorisë Osmane.
“Autonomia” e Mirditës, e mbështetur në kriterin krahinor dhe fetar ishte një
mohim i autonomisë shqiptare në shkallë kombëtare. Kongresi i Berlinit mori
vendime që cungonin vise të banuara nga popullsi shqiptare në dobi të shteteve
fqinje. Serbia merrte disa toka me popullsi shqiptare në krahinat e Vranjës,
Nishit etj. deri në afërsi të Gjilanit. Mali i Zi merrte Plavën e Gucinë dhe
fitonte të drejtën e lundrimit të lirë mbi Bunën dhe në liqenin e Shkodrës.
Kongresi i Berlinit shtroi edhe çështjen e rishikimit të kufirit me Greqinë në
jug që do të zgjidhej me bisedime dypalëshe turko-greke mbi bazën e vijës së
formuar nga lumi Selemvria në Thesali dhe lumi Kalama në vilajetin e Janinës.
Ky rekomandim u përdor nga qeveria greke për të ngritur kërkesa që synonin të
aneksonin krahinën shqiptare të Çamërisë. Këto vendime hasën në kundërshtimin e
vendosur të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila iu kundërvu copëtimit të
tokave shqiptare. Kjo e zgjati Krizën lindore disa vjet, deri në vitin 1881.
* * *
Rusia fitimtare i shkëpuste Turqisë në
favor të Bullgarisë, Serbisë dhe Malit të Zi mjaft vise shqiptare. Në krye të
protestave popullore që shpërthyen në mabrë viset shqiptare kundër Traktatit të
Shën Stefanit u vu Komiteti i Stambollit (Komiteti
Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare). Krerë të tij
ishin: Abdyl Dume Frashëri (Frashër,
1839 – Stamboll, 1892); Pashko Vasa (Shkodër,
1825 – Bejrut, Liban,1892); Ymer
Prizreni (Zgatar, fshat i
komunës së Dragashit, 1820 – Ulqin, 1887);
Zija Prishtina*; Ahmet Koronica me prejardhje nga Gjakova; Iljaz Dibra* (lindi në fshatin
Kllopçisht, 1812- ?; sipas Haki Stërmillit, e ka prejardhjen nga Maqellara e
Dibrës.); Jani Vreto (Postenan,
fshat i Korçës, 1822 – Athinë, 1900);
Sami Frashëri (Frashër, 1850 – Stamboll, 1904) etj.
Këta shpalosën në faqet e shtypit evropian dhe në selitë diplomatike të Fuqive platformën
e të drejtave kombëtare të shqiptarëve dhe vendosmërinë e tyre për t’i
realizuar me çdo kusht këto kërkesa. Por në Kongresin e Berlinit që u mblodh më
13 qershor 1878, Fuqitë e Mëdha nuk i morën parasysh të drejtat kombëtare të
shqiptarëve. Ato i bënë korrigjime Traktatit të Shën Stefanit, ia shkëputën
Bullgarisë territoret e premtuara shqiptare, por nga ana tjetër, me Protokollin
13 ia premtuan Greqisë aneksimin e viseve shqiptare të Çamërisë deri në lumin Kalama.
Shënim: Më 7 maj 1879 Zija Prishtina ia paraqiti Portës së Lartë në Stamboll peticionin
me kërkesat e popullsisë së Sanxhakut të Prishtinës dhe të Vilajetit të
Kosovës. Pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit u përndoq nga administrata
osmane.
Shënim: Iljaz pashë Qoku i njohur në histori si Iljaz
pashë Dibra (1812- ) ka qenë ushtarak shqiptar i Perandorisë
Osmane dhe drejtues i mbledhjes të mbajtur më 18 qershor 1878 ku u firmos Kararnameja
(Dekreti) i Lidhjes Shqiptare të
Prizrenit. Ishte kryetar i Komitetit Qendror të saj. Ebru Savner është stërmbesa e tij. Ajo ka qenë konsull nderi i
Shqipërisë në Turqi.
* * *
Duke parë se Fuqitë e Mëdha nuk kanë
qëndrim dashamirës ndaj shqiptarëve, tri ditë para se të mblidhej Kongresi i
Berlinit, me nismën e Komitetit të Stambollit me delegatë të ardhur nga mbarë
krahinat shqiptare, më 10 qershor 1878 u mblodh në Prizren Kuvendi Kombëtar i
cili nën kryesinë e Iljaz pashë Dibrës shpalli Lidhjen Shqiptare, e njohur me
emrin Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Organ më i lartë i Lidhjes Shqiptare ishte
Këshilli i Përgjithshëm, me funksione
legjislative. Kryetar i këtij këshilli ishte Iljaz pashë Dibra. Këshilli krijoi një komitet kombëtar të pajisur
me pushtet ekzekutiv, me kryetar Ymer Prizrenin për të drejtuar
veprimtarinë e përditshme të saj. Komiteti kishte tre komisione me funksione
dikasteriale: për Punë të Jashtme, kryetar Abdyl Frashëri; për Punë të Brendshme, kryetar Shaban Prizreni (Plavë, Rrethlumë, 1833 – 1913);
për Çështje Financiare, kryetar Sulejman
Vokshi (Gjakovë, 20.02.1815 – Gjakovë, 1890).
Për të lehtësuar veprimtarinë e saj në
rrethe, Komiteti Kombëtar krijoi tri hallka të mëdha administrative apo
nënkomitete ndërkrahinore në tre vilajete për të përballuar rrezikun që vinte
nga synimet
serbe (Nënkomiteti i Prizrenit), malazeze (Nënkomiteti i Shkodrës), greke
(Nënkomiteti i Janinës). Pranë nënkomiteteve u krijuan tre shtabet
ushtarake ndërkrahinore të kryesuara nga Ali
pashë Gucia (1828-1888), Hodo Sokoli
(Shkodër, 1836 – Erzincan, Turqi, 1883), Nuri Mustafa Vlora.
Që në ditët e themelimit, Lidhja
Shqiptare e Prizrenit ishte nën trysninë e Portës së Lartë. Ajo bëri çmos që
Lidhja të pajisej me programin e një organizate fetare islamike, e bindur ndaj
sovranit të Perandorisë Osmane dhe të merrte përsipër që të mbronte të gjitha
territoret ballkanike të banuara nga myslimanë joshqiptarë. Kësaj trysnie
Këshilli i Përgjithshëm i bëri ballë duke miratuar më 2 korrik 1878, në vend të
Kararnamesë që ishte miratuar më 17 qershor 1878, një statut (kanun) me
karakter dhe me program më të përparuar kombëtar. Kanuni i jepte të drejtë
Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të kishte administratë,
ushtri, buxhet dhe gjykata të veçanta me karakter shqiptar. Lidhja
Shqiptare e Prizrenit u vesh kështu me funksione pushtetore. Me fjalë të tjera,
ajo u pajis me prerogativat në embrion të një shteti shqiptar brenda shtetit
osman.
Vendimet e Kongresit të Berlinit që
cenonin tërësinë territoriale, shkaktuan zemërimin e popullsisë shqiptare, jo vetëm kundër Fuqive të Mëdha, por edhe
kundër Portës së Lartë. e cila i kishte pranuar ato dhe kishte marrë përsipër
zbatimin e tyre. Kjo revoltë u shpreh në fund të gushtit të vitit 1878 kur
arriti në Prizren i dërguari i posaçëm i sulltanit, mareshali Mehmet Ali pasha (Magdeburg, 18 nëntor 1827 - Gjakovë, 7 shtator
1878) i njohur nga shqiptarët
me emrin Maxhari. Ai kishte për
detyrë të kryente në përputhje me vendimet e Kongresit të Berlinit,
formalitetet e dorëzimit të Plavës dhe Gucisë autoriteteve të Malit të Zi.
Mareshali osman nuk i mori në konsideratë kërkesat e krerëve të Lidhjes
Shqiptare të Prizrenit për të hequr dorë nga misioni i ngarkuar. Sapo arriti në
Gjakovë dhe pasi përsëri nuk pranoi të kthehej mbrapsht, më 3 shtator 1878 ai u
rrethua në sarajet e Abdullah Drenit,
ku kishte bujtur. Ishte rrethuar nga mijëra vullnetarë të LShP-së. Në përfundim
të ultimatumit prej 24 orësh, forcat e LShP-së hapën zjarr kundër sarajeve dhe
reparteve turke prej disa qindra vetash. Me disa ndërprerje, luftimet vazhduan
deri më 6 shator 1878. Ato përfunduan me vrasjen e Mehmet Ali pashës, të Abdullah
pashë Drenit (Gjakovë, 1820 – 6 shtator 1878) dhe të shumë shoqëruesve të
tyre. .
Shënim: Abdullah pashë Dreni ka qenë ushtarak
shqiptar i Perandorisë Osmane, përfaqësues i Gjakovës në Lidhjen e
Prizrenit dhe kryetar i kryetar i degës së Lidhjes në vendlindje.
* * *
Më 1 nëntor 1878 u thirr në Dibër një kuvend i ri i LShP-së.
Kuvendi miratoi një rezolutë me të cilën nga Porta e Lartë kërkohej:
- bashkimi i të gjitha krahinave shqiptare në një vilajet të
vetëm, të pajisur me një autonomi administrative nën sovranitetin e sulltanit;
- krijimi i një kuvendi të përgjithshëm (parlamenti), si
organ legjislativ më i lartë;
- njohja e gjuhës shqipe nga nëpunësit e vilajetit;
- futja e mësimit shqip në shkollat e vendit;
- mbulimi financiar i rrjetit arsimor nga buxheti i
vilajetit.
Kuvendi vendosi që rezoluta me këto kërkesa t’i paraqitej për
miratim Portës së Lartë nga një delegacion prej 14 anëtarësh të zgjedhur nga 14
sanxhakët e viseve shqiptare. Por në fund të dhjetorit të vitit 1878,
delegacioni i ngarkuar me këtë detyrë, i kryesuar nga Iljaz pashë Dibra dhe Abdyl
Frashëri, e pezulloi nisjen për në Stamboll, ngase në këtë kohë lindi
rreziku i zbatimit të Protokollit 13
të Traktatit të Berlinit që parashikonte aneksimin e Çamërisë nga Greqia.
Nënkomiteti ndërkrahinor i LShP-së për vilajetin e Janinës,
në janar të vitit 1879 ndërmori në Prevezë një varg demonstratash, duke kërkuar
që Greqisë t’i jepeshin gjetkë (në Thesali) vise greke dhe jo troje shqiptare
të Çamërisë. Ishte koha kur aty
ishte mbledhur komisioni turko-grek për të caktuar vijën e re të kufirit,
domethënë tokat shqiptare që do të aneksonte Athina. Protestat dhanë rezultat.
Komisioni turko-grek i ndërpreu punimet për t’i rifilluar më vonë. Pas këtij
suksesi, LShP-ja i dërgoi në një mision diplomatik dy nga krerët e saj, Abdyl Frashërin dhe patriotin,
politikanin, diplomatin dhe nënkryetarin e saj, Mehmet Ali pashë Vrionin (13 maj
1842 - 1895), për t’i bindur kancelaritë evropiane që të ndryshonin përmbajtjen
e Protokollit 13. “Përndryshe, midis
grekëve dhe shqiptarëve do të shkaktohej gjakderdhje” gjë të cilën LShP-ja
nuk e dëshironte.
Delegacioni që u nis për në Evropë në fund të prillit të
vitit 1879, vizitoi kryeqytetet e pesë Fuqive të Mëdha: Romën, Parisin,
Londrën, Berlinin dhe Vjenën. Përveç shpjegimeve gojore, delegatët e LShP-së u
dorëzuan ministrave të jashtëm të pesë Fuqive të Mëdha një memorandum me të cilin kërkonin që
shqiptarët të trajtoheshin ashtu siç ishin, si një komb më vete dhe që ato të
hiqnin dorë nga politika e copëtimit të tokave shqiptare. Në fund të misionit
ata arritën t’i bindnin shefat e diplomacive të tyre që të mos nguteshin në
zbatimin e Protokollit 13.
Ndërkohë Fuqitë e Mëdha, në shkurt të vitit 1879, nën
trysninë e Rusisë, e kishin detyruar Turqinë t’ia dorëzonte më në fund Malit të
Zi, krahinat e premtuara në Traktatin e Berlinit. Porta e Lartë i tërhoqi
ushtritë nga ato vise. Ushtritë malazeze hynë pa pengesa në Podgoricë, Shpuzë
dhe Zhabjak, por në Plavë e Guci gjetën ushtritë e LShP-së të cilat
kishin arritur para tyre dhe qenë përgatitur për qëndresë.
Me urdhër të princ
Nikollës (1841-1921) ushtritë malazeze nën komandën e Mark Milanit (Marko Miljanov Popovi? 1833-1901), më 4 dhjetor
1879 ndërmorën një sulm të furishëm në drejtim të Plavës. Ushtritë e LShP-së të
komanduara nga Ali pashë Gucia u
përgjigjën me luftë. Repartet e saj të udhëhequra nga udhëheqësi ushtarak nga Plava
dhe anëtar i LShP-së, Jakup Ferri (1832-1880) e përballuan me sukses
sulmin dhe u shkaktuan malazezëve në Nokshiq një disfatë të rëndë e cila i
detyroi të tërhiqeshin. Në histori njihen si Beteja e Nokshiqit dhe Beteja
e Pepajt. Më 7 janar 1880 rreth 12 mijë ushtarë malazezë, të rreshtuar në
vijën kufitare Pepaj-Nokshiq-Ërzhanicë prisnin urdhrin e sulmit nga princ
Nikolla. Por këtë radhë nismën e morën vetë forcat shqiptare. Luftëtarët e
LShp-së u hodhën në sulm të përgjithshëm kundër tyre. Në Betejën e Nokshiqit dhe të Pepajt
e cila u zhvillua më 8 janar 1880, forcat malazeze pësuan disfatë të thellë. Më
12 prill 1880, ambasadorët e Fuqive të Mëdha në Stamboll vendosën që në vend të
Plavës dhe Gucisë, Malit të Zi t’i jepeshin viset e Hotit dhe të Grudës, duke i
lënë Portës së Lartë dhjetë ditë kohë për ta kryer dorëzimin e tyre.
Duke
qenë se viset e Hotit dhe të Grudës bënin pjesë në vilajetin e Shkodrës, barrën
për ta kundërshtuar shkëputjen e tyre e mori përsipër Komisioni Ndërkrahinor i
LShP-së për këtë vilajet. Më 17 prill 1880, pas një mitingu proteste që u mbajt
në Shkodër, kryetari i Shtabit Ushtarak të LShP-së për këtë vilajet, Hodo beg Sokoli u nis nga Shkodra në
krye të vullnetarëve shqiptarë dhe u vendos në Tuz, pranë vijës kufitare. Edhe
këtë radhë sulltani, për të mos e acaruar zemërimin e shqiptarëve nuk mori
asnjë masë kundër tyre. Në afatin e caktuar, më 22 prill 1880, ai e tërhoqi
ushtrinë nga vija kufitare. Forcat e Lidhjes që ndodheshin në Tuz i zunë menjëherë pozicionet e tyre.
Kur ushtritë malazeze erdhën pasdite për të marrë në dorëzim Hotin dhe Grudën, u ndeshën me repartet e Lidhjes Shqiptare që kishin zënë
prita te Ura e Ërzhanicës, ku u zhvillua një përpjekje e shkurtër. Në Betejën e Ërzhanicës u pa vendosmëria e shqiptarëve.
Kjo vendosmëri i detyroi forcat malazeze të tërhiqeshin. Princ Nikolla përsëri i vari shpresat te Fuqitë e Mëdha. Pasi u pa
se shqiptarët nuk do të lëshonin pa luftë as Hotin me Grudën dhe pas bisedimeve
që zhvilluan midis tyre gjatë qershorit, Fuqitë e Mëdha vendosën ta detyronin
Turqinë që në vend të tyre t’i jepte Malit të Zi qytetin bregdetar të Ulqinit bashkë me rrethin, të banuara
edhe këto me popullsi krejtësisht shqiptare.
Disa
ditë më vonë, Këshilli i Lidhjes së Prizrenit vendosi ta kundërshtonte me armë
edhe dorëzimin e Ulqinit. Barrën e
mbrojtjes e mori përsipër Komisioni Ndërkrahinor i LShP-së për vilajetin e
Shkodrës. Me vendimin e Lidhjes brenda pak ditëve u mobilizua përsëri ushtria
vullnetare shqiptare. Në këto kushte te qarqet patriotike u forcua më tej
bindja se e vetmja rrugë për të larguar rrezikun e copëtimit të trojeve
shqiptare ishte formimi i një vilajeti shqiptar autonom, me integritet
territorial të njohur nga Porta e Lartë. Për ta trajtuar këtë çështje, më 24
korrik 1880 u mblodh Kuvendi i Gjirokastrës i cili
vendosi që t’i parashtrohej Portës së Lartë kërkesa e formimit të një Shqipërie
autonome me pëlqimin e sulltanit. Po qe se sulltani nuk do të pranonte,
atëherë autonomia të realizohej pa pëlqimin e tij, pra me kryengritje të
armatosur.
Ndërkohë,
çështja e Ulqinit erdhi duke u ndërlikuar. E zënë ngushtë, Porta e Lartë bëri
përpjekje të mëdha për t’i bindur shqiptarët që të hiqnin dorë nga qëndresa,
por nuk ia doli. Në shtator 1880, sapo ushtria turke u largua nga Ulqini,
forcat e vullnetarëve shqiptarë e shtinë në dorë qytetin dhe deklaruan se do ta
mbronin atë me çdo kusht. Disa ditë më vonë apo më saktë më 20 shtator 1880
mbërriti në afërsi të Ulqinit një flotë
ndërkombëtare prej 17 luftanijesh. Komandanti i flotës u dha ultimatum
vullnetarëve shqiptarë ta dorëzonin qytetin brenda tri ditëve, por mbrojtësit
nuk u lëkundën.
Pasi nuk
ia doli ta bindte, Porta e Lartë mori masa energjike për ta thyer Lidhjen e
Prizrenit dhe qëndresën e Ulqinit. Ndërkohë, kur zemërimi i shqiptarëve arriti
kulmin, krahu radikal i Lidhjes mendoi se ishte koha e përshtatshme për ta vënë në jetë programin
autonomist. Për këtë qëllim, më 20 tetor 1880 u mblodh në Dibër Kuvendi i Përgjithshëm i LShP-së
në të cilin morën pjesë rreth 300 delegatë nga të dyja rrymat e lëvizjes autonomiste.
Patriotët e krahut
radikal të kryesuar nga Abdyl Frashëri parashtruan në Kuvend programin e tyre të
përmbledhur në tri pika:
- të mbrohej me çdo kusht Ulqini, duke
luftuar edhe kundër ushtrive osmane;
- të miratohej një rezolutë ku t’i
kërkohej sulltanit në mënyrë të prerë autonomia
e Shqipërisë;
- në rast se sulltani refuzonte, të
kalohej menjëherë në aksion duke formuar qeverinë
e përkohshme shqiptare.
Por delegatët e rrymës së moderuar e
kundërshtuan në parim këtë platformë. Ata e kundërshtuan qëndresën e armatosur
për mbrojtjen e Ulqinit për arsye se kjo do t’i çonte në konflikt dhe në luftë
kundër ushtrive osmane. Ata qenë gjithashtu kundër formimit të qeverisë së
përkohshme të cilën e cilësuan si një akt rebelimi ndaj Portës. Sa i përket
çështjes themelore, në parim ata qenë për krijimin e një vilajeti autonom shqiptar,
por këtë donin ta realizonin jo me luftë, por me pëlqimin e sulltanit.
Si pasojë e këtyre divergjencave, nga Kuvendi dolën dy rezoluta:
- Rezoluta e krahut radikal fitoi rreth
130 vota, kurse
- Rezoluta e pjesës së moderuar – 150
vota.
Të dyja rezolutat u dërguan në Stamboll
me delegacione të veçanta. Porta e Lartë e zvarriti përgjigjen. Stambolli nuk
pranoi të merrte në konsideratë asnjërën rezolutë. Me fjalë të tjera, në parim
ishte kundër krijimit të një vilajeti të çfarëdoshëm shqiptar. Për më tepër,
nën trysninë e flotës ndërkombëtare, Porta e Lartë vendosi të përdorte ushtrinë
kundër LShP-së për t’ia dorëzuar Ulqinin Malit të Zi.
Në nëntor 1880, pasi arritën përforcime
të reja, mareshali turk Dervish pasha,
në krye të 20 batalioneve filloi nga
Shkodra marshimin kundër Ulqinit që mbrohej nga 3 mijë vullnetarë shqiptar. Në
saje të epërsisë ushtarake, Dervish pasha më në fund e theu qëndresën e
shqiptarëve. Më 26 nëntor 1880 ia dorëzoi Ulqinin malazezëve, në prani të
flotës së Fuqive evropiane.
* * *
Shënim: Lufta e Ulqinit u
zhvillua më 22 nëntor 1880 – 23 nëntor 1880. Palë ndërluftuese ishin: Lidhja e
Prizrenit, në një anë dhe Perandoria Osmane, në anën tjetër. Lufta u zhvillua
në Kodrën e Kuqe, pranë Klleznës afër Ulqinit. Perandoria Osmane mbështetej
prej Fuqive të Mëdha dhe prej Malit të Zi. Ushtria osmane komandohej prej Dervish pashës, kurse luftëtarët shqiptarë të LShP-së udhëhiqeshin prej Isuf Sokolit ose Jusuf Sokolit
(1820-1880), Mehmet Becit (Ulqin,
1830 – Shkodër, 1907) dhe Mehmet Gjylit.
Në saje të epërsisë ushtarake, luftën e fituan forcat osmane. Forcat osmane
patën 300 ushtarë të vrarë, kurse forcat e LShP-së – 400 luftëtarë të vrarë.
Porta e Lartë ia dorëzoi Ulqinin Principatës së Malit të Zi. Isuf Sokoli vdiq
si pasojë e plagëve të marra.
. *
* *
Pakënaqësia
që shkaktoi Porta e Lartë me dorëzimin e Ulqinit, krijoi kushte të favorshme
për LShP-në për ta realizuar vetë ajo autonominë e Shqipërisë, pa e pritur
pëlqimin e sulltanit. Që në dhjetor të vitit 1880 veprimtarët radikalë të
LShP-së shtinë në dorë pushtetin në mjaft krahina të Kosovës, duke përmbysur
administratën perandorake. Në valën e këtyre veprimeve u krye një riorganizim i
ri i LShP-së, duke lënë jashtë saj elementët që nuk u pajtuan me këtë kthesë.
Në mes të janarit të vitit 1881, në Prizren, Komiteti Kombëtar i LShP-së e
shpalli veten “Qeveri e përkohshme” e Shqipërisë,
me kryetar Haxhi Ymer Prizrenin i
cili ishte edhe kryetar i Lidhjes shqiptare.
Anëtarë
të Qeverisë së përkohshme, midis të tjerëve ishin Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Shuaip Spahiu (1816-1887) etj.
Shuaip Spahiu i takonte krahut më revolucionar të LShP-së. Në vitin 1880 u
zgjodh nënkryetar i Qeverisë së përkohshme dhe kryetar i Degës së Lidhjes për
Prizrenin.
Brenda
pak javëve Qeveria e përkohshme e shtriu veprimtarinë e vet në pjesën më të
madhe të vilajetit të Kosovës, përfshi edhe qytetin e Shkupit. Filloi kështu realizimi i autonomisë së Shqipërisë,
e cila në rast se nuk pranohej nga Porta e Lartë, mund të kalonte në shpalljen e
pavarësisë së saj. Por me gjithë këto suksese, Qeveria e LShP-së nuk i
zboi garnizonet e ushtrisë osmane, por i la aty ku ishin brenda kazermave të
tyre. Porta e Lartë nuk ndërhyri menjëherë për ta shuar lëvizjen autonomiste,
pasi ato javë qeveria greke rifilloi trysninë për shkëputjen nga Perandoria
Osmane të viseve të premtuara nga Kongresi i Berlinit.
Me
ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha, të dy palët, Stambolli dhe Athina, pas disa javë
ngurrimesh, pranuan që në vend të Çamërisë
shqiptare, Greqia të aneksonte Thesalinë greke. Sapo u nënshkrua marrëveshja,
Porta e Lartë më 25 mars 1881 nisi në drejtim të Shqipërisë një ekspeditë
ushtarake të fortë prej 40 batalionesh (20 mijë ushtarë), nën komandën e
mareshalit Dervish pasha, për
ta shtypur lëvizjen autonomiste shqiptare. Pasi e shtiu në dorë Shkupin me tradhti, ai hyri në Kosovë. Qeveria LShP-së u përgatit për
mbrojtje. Por në kur ajo do të ndeshej me ushtrinë osmane, prapa krahëve
filluan goditjet e garnizoneve turke të Kosovës kundër saj. Si rrjedhojë,
Qeveria e Lidhjes nuk qe në gjendje ta ndalte marshimin e Dervish pashës. Ushtritë e Lidhjes të udhëhequra nga Sulejman Vokshi, me gjithë qëndresën
heroike, më 20 prill 1881 u thyen në Slivovë. Është e njohur në histori Beteja e Shtimes dhe e Slivovës 1881.
Edhe qëndresa që organizoi Sulejman Vokshi të nesërmen në Shtime - u thye.
Kështu
ushtritë osmane e patën të lehtë t’i asgjësojnë pritat e mëtejshme dhe më 24
prill 1881 hynë në Prizren. Qëndresa vazhdoi më tej në malësinë e Gjakovës për
disa javë. E paorganizuar, në maj të vitit 1881, ajo u shtyp. Bashkë me të u
asgjësua edhe qeveria e përkohshme.
Në
vilajetin e Kosovës u vendos administrata ushtarake osmane, e
cila menjëherë ndërmori një fushatë persekutimesh kundër veprimtarëve të
LShP-së. Mijëra vetë u burgosën ose u internuan. Udhëheqësit e Lidhjes që nuk
pranuan të kërkonin ndjesë për pikëpamjet e tyre autonomiste pësuan dënime të
rënda. Haxhi Ymer Prizreni shpëtoi
ngaqë mërgoi në Mal të Zi. Sulejman
Vokshi nuk u arrestua pasi u fsheh për disa vite (deri në vitin 1885) në
Malësinë e Gjakovës. Shuaip Spahiu vdiq
si pasojë e plagosjes në luftë
kundër forcave osmane. Shumë të tjerë u ekzekutuan pa gjyq. Abdyl Frashëri i cili u arrestua me
tradhti, u dënua me burgim të përjetshëm.
LShP-ja
zë një vend të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Ajo është organizata e
parë patriotike që mori përsipër të zbatonte programin madhor të Rilindjes
Kombëtare Shqiptare: çlirimin e atdheut dhe
formimin e shtetit kombëtar. Lidhja është e para organizatë që tuboi në gjirin
e vet të gjithë shqiptarët, pavarësisht përkatësinë fetare, krahinore dhe
shoqërore. Është e para organizatë që e kombinoi për interesa kombëtare lëvizjen e armatosur me aksionin
diplomatik dhe me veprimtarinë
kulturore. Është e para organizatë atdhetare që shkriu në një llogore të
vetme qëndresën kundër Fuqive të Mëdha, Perandorisë Osmane dhe monarkive fqinje
për të mbrojtur tërësinë tokësore të mëmëdheut dhe për të sendërtuar autonominë
e Shqipërisë.
Si e
tillë, ajo ushtroi ndikim të thellë në Lëvizjen
Kombëtare Shqiptare të dhjetëvjeçarëve të mëvonshëm.
Burimi: Frashëri,
Kristo; Lidhja Shqiptare e Prizrenit:
(1878-1881), Tiranë 1989.