E premte, 25.07.2025, 11:00 AM (GMT+1)

Kerko: a

Mehmet Kraja: Për Bujar Bukoshin

E enjte, 12.06.2025, 06:58 PM


PËR BUJAR BUKOSHIN

(Falë e mbajtur në mbledhjen përkujtimore)

Nga Mehmet Kraja

Të nderuar miq,

Nuk kam dalë këtu para jush në emër të ndonjë institucioni, as në emër të ndonjë pushteti. Jam këtu në emër të miqësisë dhe të vlerave që lidhen me të.

Me Bujar Bukoshin më lidhi një miqësi e gjatë, pa asnjë pretendim, as për të ndryshuar botën, as për të ndryshuar rregullat e jetës: thjeshtë u nisem nga një ideal dhe arritëm aty ku arrijnë shumica e njerëzve të serës sonë: më shumë të zhgënjyer dhe më pak të lumtur që bëmë një rrugë të mundimshme, për t’u përballur së fundi jo në dimensionin abstrakt të një ideali, por me përmasën reale të një bote, e cila pamëshirshëm t’i pamundëson dhe t’i shpërbën të gjitha ëndrrat.

Megjithatë, ne e bëmë pjesën tonë të historisë.

Në bisedat tona të gjata, që nga fillimi, donim që Kosova të ishte ndryshe dhe doli se ne nuk ishim opozitë e askujt: thjeshtë ishim opozitë e pamundësive tona, opozitë e një realiteti që nuk lë shumë vend për idealizëm. Kultivuam mendimin e lirë, si observim për Kosovën ndryshe nga rregullat obskurantiste të besimit në një Zot të gjithpushtetshëm. Nuk e pëlqyem Kosovën mbretëri as principatë, nuk u magjepsem nga asnjë idiolatri, por e deshëm Kosovën e idealeve tona të kryehershme, pa ndryshuar asgjë në konfigurimin e projeksioneve tona futuriste. Në këtë pikë, ndonëse shkenca ku kishte bërë hapa profesionalë ia bënte gjuhën lakonike, Bukoshi ngjante më shumë me idealistët ëndërrimtarë, të cilët kërkojnë me ngulm që “harmoninë qiellore” ta projektojnë në realitetin e pamundshëm të politikbërjes pragmatike. Thënë ndryshe, nuk ishim asnjëherë “të prerë” për politikën e rezultateve të pritshme, por ishim të prerë për politikën e synimeve utopike, atje ku, siç është e ditur, nuk mund të arrijë gjithkush.

Me Bukoshin u njohëm në themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Për bindjen time ne përbënim krahun më autentik të saj, sepse nuk kishim interesa, kishim vetëm synime. Ky krah autentik nuk kërkoi dhe nuk mori mirënjohje dhe dekorata, asnjë për be! Deshi vetëm që kjo histori suksesi të mos jetë ëndërr e pajetuar.

Të nderuar miq,

Kohët që kërkojnë heronj janë kohë të vështira, janë kohë me shumë kontradikta, që, mbi të gjitha, kërkojnë sakrificë, kurajë, guxim dhe ndershmëri. Bujar Bukoshi e përballoi këtë kohë të vështirë, edhe përkundër ëndrrave të këqija që dikush mund të shihte për të.

U prehsh në paqe, mik!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx