Kerko: a
Idriz Zeqiraj: Votimi i fshehtë është kurorë e demokracisë
E marte, 10.06.2025, 06:53 PM
VOTIMI I FSHEHTË ËSHTË KURORË E DEMOKRACISË
NGA IDRIZ ZEQIRAJ
Bllokada e Kuvendit është një
precedent. Opozita e bashkuar, më saktë, e koalicionuar pas zgjedhjeve,
nuk pranon koalicion me partinë fituese, LVV, me arsyetime hiç bindëse. Të
mësuar me pushtetin abuziv, korruptiv, hajni zyrtare, edhe pas humbjes fatale,
duan të kthehen, dhunshëm në pushtet. Përtej një muaji, një seancë kuvendore
përsëritet në çdo 48 orë. Kryesuesi i seancës propozoi seancë javore, por
opozita destruktive nuk e pranoi propozimin, me qëllim dramatizimi e fajësimi
të pozitës, për mosdorëzimin e pushtetit në tavolinë, edhe pse ka qenë fituese,
pothuajse, plebishitare.
Pas një radhë dështimesh me votim të
hapur, për zgjedhjen e krye kuvendares, pozita kërkoi votim të fshehtë, ashtu
siç e parasheh edhe Kushtetua. Opozita pretendon se seanca ka filluar me votim
të hapur dhe kështu duhet vazhduar. Sepse në mes të seancës nuk mund të
ndryshohet në votim të fshehtë! Derisa Kushtetuta e ka të ligjësuar votimin e
fshehtë, arsyetimet tjera janë jo logjike, në mos idioteske. Fundja, votimi i
fshehtë është kurorë e demokracisë dhe dëshmon lirinë dhe integritetin e
deputetit. Broçkullat e shefave të grupeve parlamentare se, gjoja, deputetët
kanë integritetin e tyre, për ta shprehur vullnetin e lirë, edhe me votim të
hapur, me ngritje dore, janë gënjeshtër e kulluar.
Në vend që ta praktikonin votimin e
fshehtë pa ngurrim, deputetë nga PDK, LDK, AAK, çështjen e dërgojnë në
Kushtetuese për shqyrtim, duke e ditur se kjo mund të zgjasë 60 ditë. Nuk
përbën lajm nëse themi të vërtetën, se shqiptarët nuk shquhen për sinqeritet
dhe guxim, për ta shprehur vullnetin personal me votim të hapur, andaj votimi i
fshehtë është i domosdoshëm. Tashmë, të gjithë janë në pritje të opinionit të
Gjykatës Kushtetuese, nëse është në favor për të drejtën e votimit të fshehtë,
ashtu siç e përcakton edhe Kushtetuta. Nëse arrihet pajtueshmëria për këtë
mënyrë votimi, atëherë merr fund edhe ngërçi kuvendor. Në rast të dështimit të
këtij votimi, rizgjedhjet janë të pritshme, në mos të pashmangshme. Bashkimi i
datës zgjedhore lokale me ato qendrore, është një zbutje e dramës, për kursimin
buxhetor. Dhe, kjo nuk është pak, për hallet e shtetit tonë Kosovë.
Ndërrimi i Albulenës është shkak dhe jo
argument!
Është paradoks, për të mos thënë
poshtërsi, refuzimi i deputetes femër më të votuar, me tej 150 vota, Albulenë
Haxhiut! Ajo, si opozitare, për dy dekada radhazi, ka denoncuar dhe
kundërshtuar, madje me vrazhdësi unike, pazaret e pista të qeverive paraprake;
marrëveshjet fatale për Kosovën, të cilat vazhdojnë ta rrezikojnë Kosovën tonë.
Ky parlament i çoroditur, fjala është për opozitën aktuale, ka votuar një
president, agjent i tri Shërbimeve Informative të shteteve armike dhe një
kryetar Kuvendi, themelues dhe drejtues të një Organizate ilegale dhe kriminale
SHIK, për çka është në përballje me akuza faktike penalizuese edhe sot.
Opozita nuk ka qenë serioze në kërkesat
e saj: "Propozoni një emër tjetër, për kandidat të kryekuvendarit, sepse
Albulena e ka quajtur kriminel ish-kryeparlamentarin nga PDK-ja", edhe pse
ai kryesonte një organizatë të faktuar si kriminale, nga gjykata vendore dhe
ndërkombëtare. Pra, ajo nuk bëri asnjë akuzë të rrejshme apo shpifje.
Përkundrazi, e tha një të vërtetë faktike. Prandaj, kërkesa e opozitës është
shkak dhe jo argument!
Realisht, Albulenë Haxhiu nuk është e
pazëvendësueshme nga radhët e LVV, për postin e kryetares së Kuvendit. Por,
parimisht, emri dhe e gjithë veprimtaria e saj, ka shumë veçantira, qoftë
si individ, ashtu edhe familjar, madje të vajzërisë dhe të nusërisë. Gjyshi një
disident dhe burgaxhi politik, qysh në vitet `60-a e këtej; nga familja e
bashkëshortit, Krasniqët e Malishevës, qëndresetarë karshi pushtuesit dje dhe
sot. LVV, tashmë, ka kuadro të përgatitur, për ta mbuluar dinjitetshëm postin e
kryetarit të Kuvendit. Andaj është e sikletshme për të veçuar një apo ndoca
emra për titullarin, në mesin e asaj plejade shkollarësh numerikë. Citojmë
vetëm njërën syresh - Arbreshë Hyseni Kryeziun.
Megjithatë, Albulenë Haxhiu-Krasniqi
është në vendin e duhur dhe nuk duhet lëvizur që andej!
Opozita nuk është në pozicionin të
caktojë kuadrin e pozitës!
Vërtet, janë lakuar nga opozita, të
paktën, tre emra, edhe pse ajo nuk është e thirrur dhe nuk i takon asaj të
propozojë kuadrin e pozitës. Megjithatë, sqarojmë kandidatët e pranueshëm nga
opozita, për postin e kryesuesit të Kuvendit:
a) Sipas kryministrit Albin Kurti,
kandidatura e Glauk Konjufcës përjashtohet, meqë do të jetë pjesë e qeverisjes
në pritje dhe nuk kthehet në legjislativ. Opozita e ka vlerësuar atë me notë
pozitive sipërore, jo konfliktuoz, përkundrazi përbashkues, në kuadrin e skenës
politike aktuale, skajshëm të çoroditur dhe të marrosur.
b) Saranda Bogujevci është një vajzë,
një nuse, një nënë e, mbi të gjitha, një qëndresëtare e pashoqe, me
personalitet, dinjitet dhe integritet unik. Edhe pse me 16 plagë në trup, e
mbijetuar, nga ploja-masakër e familjes, gjënë forcë për të vazhduar, ushtruar
misionin e deputetes të popullit, duke qenë vetja e saj, në mendime dhe
veprime.
Ilustrojmë: Me rastin e të drejtës, për
shtatezani pa martesë klasike, me asistencë profesionale mjekësore, me mbarësim
anonim, Sarandë Bogujevci e mbrojti, e para, të drejtën njerëzore, për të
lindur, për t`u bërë nënë, madje nga tribuna e Parlamentit të Kosovës. Ajo theu
tabunë konservatore e fanatike, kanunore e fetare, të cilët në emër të një
nderi e morali artificial e hipokrit, e kundërshtuan, madje e anatemuan për
"blasfeminë", mëkatin e saj. Dhe, kur barku i saj po formësohej me
shtatzëninë, Saranda, çiltërisht e krenarisht, deklaroi se "unë kam një
shok, edhe pse i pa njohur nga ju!"
Mbrojtja e shtatzënisë të asistuar
mjekësore ka dy arsye: a) njerëzore dhe b) kombëtare:
Emigracioni masiv nga Kosova, për në
Evropë dhe gjetkë në botë, ndikoi në shpërputhjen gjinore në Kosovë dhe
shqiptarinë mbarë. Për rrjedhojë, jo pak vajza nuk patën rastin dhe fatin të
krijojnë familje, të martohen. Në mesin e tyre janë disa sosh edhe në
Parlamentin e Kosovës. Atëherë pse të mos u jepet mundësia edhe vajzave të
vonuara në martesë, të bëhen nëna, të lindin fëmijë? Të bëhesh nënë,
pavarësisht moshës, është jo vetëm njerëzore, por edhe hyjnore. Vetëm
smirëzinjtë mendjeprishur mendojnë ndryshe, çnjerëzisht!
Në aspektin kombëtar, ka një rëndësi të
veçantë, demografinë, riprodhimin, shtimin e popullsisë, fort i nevojshëm për
Atdheun tonë, i rrethuar me lakmitarë të tokave tona.
Saranda Bogujevci, në cilësinë e
nënkryetares të Kuvendit, ka shkëlqyer. Ajo do të ishte po kaq e aftë edhe në
rolin e kryetares të Kuvendit. Por, Parlamenti i Kosovës, në veçanti, ai i
opozitës PAN-iste, është rrast i kontaminuar me kriminelë, e sidomos me
mbështetës të krimit dhe të kriminelëve, të cilët, me rrugaçerinë e tyre në
debate e fjalime boshe e irrituese, provokojnë deputetët tjerë, popullin dhe
shqiptarët. Saranda, përjetuese e drejtpërdrejtë, e një masakre personale e
familjare, e mbijetuar nga një gjendje traumatike, është emocionale dhe super
ngarkesë, përballë horrakve dhe zuzarëve të bollshëm në Parlament! Andaj, duhet
ta ruajmë me përkujdesje të veçantë, duke e vënë në poste meritore, por të
përballueshme dhe me qetësinë e duhur.
c) Rasti i propozimit të tretë, nga
opozita e poshtër dhe provokative, paksa më i veçantë. Ajo është viktimë e
"komandantëve" kriminelë, të cilët e kanë bërë pjesë të krimeve të
tyre këtë njomëzake dhe të tjerë. Është, të paktën, një dëshmi e një viktime,
denoncues të goditjes, të përsëritur, me shkop, të shoqëruar me fjalët
"koke i mirë për dajak", edhe pse ai ishte një oficer koxha në moshë,
duar lidhur, në burgun e improvizuar, në Cahan të Kukësit. Ushtarja e
uniformuar rinore, tani deputete, nuk e ka mohuar dhe as demantuar denoncimin
publik të viktimës. Për eprorët e saj, viktima ka dëshmuar në Gjykatën e Hagës,
madje pa numër të koduar mbrojtës.
Fajësi kanë edhe ata eksponentë të
subjekteve politike, të cilët bëjnë përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë.
Është opozita e kriminalizuar, e cila provokon popullin e Kosovës dhe
shqiptarët botërorë, duke i vënë figura koxha të lënduara në krye të
institucioneve shtetërore. Kjo vlen dhe për Fatmir Limaj dhe ata që bisedojnë
me atë, për koalicion dhe aq më keq, madje kriminale, ta gëzojë postin e
kryekuvendarit! Lërini përrallat e "pafajësive", nga gjykatat vendore
dhe ndërkombëtare!? Shihni shtatoret dhe varret e vrasjeve numerike cilësore
politike anekënd Kosovës! Mos i rivrani viktimat dhe mos lëndoni shumë-mijëra
familje të viktimave me farefisni, miqësi e dashamirë të tyre!!
Standard i ri në emërimin e dhe
mbrojtjen e kuadrit të LVV
Kur Glauk Konjufca u vu në krye të
Legjislativit, ka pasur përshpëritje se angazhimi emërtesë zë madhe, por pa
vendimmarrje. Tani Vetëvendosje është përcaktuar për një angazhim më aktiv, në
qeverisjen e vendit. Zakonisht posti pasues pas Kryeministrit, është
zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Jashtëm. Këtë post e ka gëzuar për
një kohë shkurtër.
Përgjatë 4-vjeçarit qeverisës, këto dy
poste, plus ministre e Diaspores, ka qenë Donikë Gërvalla, e cila i ka mbuluar
mrekullisht mirë. Krejt pa të drejtë, dhe me tendencë të hapur inatçore, është
sulmuar nga lukunia leha-qene e anal-banalistëve, uzurpatorë të shumësisë
absolute të mediave të Kosovës, ngaqë bija krenare e Heroit Jusuf Gërvalla, i
dha emër dhe mbiemër krimit dhe kriminelëve. Edhe pse qeveria paraprake, kishte
nënshkruar në Zyrën Ovale, heqjen dorë nga kërkesa e njohjeve, tani, fajësonin
Donikën për mungesë të njohjeve!?
Kryeminstri Kurti vuri një standard të
ri në emërimin e kuadrove, në veçanti, të ministrave, të cilët i emëroi edhe pa
qenë militantët e tij partiakë, por, thjeshtë, në bazë të përgatitjes
profesionale. Anëtarësisë të LVV ua bëri të qartë: "Kemi fituar tej 400
mijë vota, ndërsa qeverisë i duhen vetëm një duzinë ministra! Uroj për
mirëkuptim! Nëse e doni Organizatën, tashmë, partinë e LVV, mos pretendoni tej
mundësive që ka partia, tashmë, fituese plebishitare", - i qetësoi Albin
kryeministri aktivistët luftarakë të tij! Edhe zërave të çjerrë të opozitës, të
cilët, në çdo javë sulmonin, një nga një, ministrat e tij, madje me akuza
shpifëse e pa mbulesë dhe kërkonin shkarkimin e tyre, "nuk ua vari fare"!
Dy fajësi i bëri Kurti kryeministër:
shkarkimin e djalit të zgjuar, Shkëlzen Gashin, këshilltar i tij, i cili akuzoi
"komandantët", për vrasjen e të paktën të 1.000 viktimave të
pafajshme. Dhe, Arbër Vokrrin, i cili, me të drejtë, akuzoi, me emër e mbiemër,
një ndërkombëtar, "për nxitjen dhe organizimin e protestave të serbëve në
veriun e Kosovës!" Po këtë marrëzi kanë bërë edhe Borell, Lajçak dhe disa
agjentë të tjerë.
Glauk Konjufca mund të jetë
zëvendëskryeministër, ndihmës i parë partiak dhe qeveritar, i kryeministrit
Kurti, me kompetenca të veçanta, në përcjelljen mbikëqyrëse të mistrive, për të
pamundësuar abuzimet me pushtetin, pra, punën -me duar të pastra-. Punë të
mbarë vajza-nuse dhe djem mençurakë e luftarakë!