E marte, 03.06.2025, 09:41 AM (GMT+1)

Mendime

Anton Marku: Kosova në multikrizë

E diele, 01.06.2025, 06:58 PM


Kosova në multikrizë

Nga Anton Marku

Falë teknologjisë informative dhe inteligjencës artificiale njerëzimi gjendet në fillimin e një epoke të re, një revolucioni të ri, i cili do të zhdukë botën të cilën e njohim. Ajo do të bëhet më kaotike duke i zhvendosur qendrat e vendosjes globale herë në një pol e herë në një tjetër. Në tërë këtë rrëmujë shtetet e vogla do të duhej të mësonin të manovrojnë pa vënë në pikëpyetje besueshmërinë në raport me aleancat strategjike. Ata që do të njohin herët lëvizjet tektonike që na presin do të zënë hapin dhe do të jenë më të përgatitur për të nesërmen. Ata që të ardhmen e tyre do vazhdojnë ta bazojnë në dëshmimin e të tjerëve do të mbesin prapa. Pas tyre më nuk do të kthejë kokën askush. Është koha e fundit që Kosova të reflektojë.

Diverziteti

Tash e së paku një mijë vite Kosova është shumë-etnike, shumë-religjioze, shumë-gjuhësore e shumë-kulturore. E tërë kjo shumëllojshmëri është pasuri për të cilën ajo do të duhej të krenohej. Historikisht kjo ka bërë që banorët e saj të kenë mirëkuptim për interesat dhe shqetësimet e të tjerëve. Në anën tjetër sa herë që njeri grup ka shfaqur tendenca përjashtuese ndaj një grupi tjetër tensionet janë rritur duke bërë që keqkuptimet e mosmarrëveshjet të transformohen në konflikte të hapura. Largimi nga politikat gjithëpërfshirëse dhe animi nga ato përjashtuese kanë ndikuar që të vij deri tek distancimi mes komuniteteve. Aty ku dhuna bëhet mjet komunikimi nuk mbetet vend për dialog. Ai edhe nëse ndodhë nuk është më i sinqertë.

Aktualiteti

Kosova është duke kaluar fazën më të brishtë  të saj që nga shpallja e pavarësisë. E udhëhequr nga kryeneçësia, egocentrizmi dhe cinizmi i pashoq, pushtetarëve të rinj, adhurues të së kuqes, duhet pasur lakmi talentin e tyre të pakontestueshëm që të izolojnë shtetin nga perëndimi duke e kthyer Turqinë në aleatin e ri numër një, e cila, në aspektin ekonomik, politik dhe të sigurisë është bërë dora e parë e kësaj qeverie. Erdogani po kopjohet si model të cilit autokrati i ri në Prishtine po i ngjan çdo ditë e më shumë.

Pasi që ndërtoi një aparaturë të fuqishme të propagandës, filluar nga profilet e rrejshme në platformat sociale e deri te sekretariati që kontrollon dhe shkruan fjalimet e deputetëve Lëvizja Vetëvendosje ia doli që të shkatërroj pothuajse të gjithë mirëbesimin mes strukturave relevante shoqërore në Kosovë, duke filluar nga bojkotimi i partneritetit social në trekëndëshin qeveri-biznese-sindikata. Një element tjetër është sulmi brutal që VV e bën jo vetëm në drejtim të opozitës por edhe të mediave të pavarura dhe gjyqësorit. Në thumb janë sidomos Gjykata Kushtetuese dhe Prokuroria Speciale. Marrëdhëniet me Shqipërinë janë sjellë në nivelin më të ulët në dekadat e fundit, ato me SHBA dhe metropolet evropiane edhe më poshtë se kaq.

Marshimi në veri

Me veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara qeveria e Kosovës ka bërë që serbët e veriut të shihen si viktima të reprezaljeve policore dhe të fitojnë simpatinë e bashkësisë ndërkombëtare. Kjo simpati është duke u rritur pas çdo incidenti që raportohet nga atje. Këto lëvizje që deri më tani quheshin mbyllje të strukturave paralele ndërsa tani kryesisht quhen rikthim i kontrollit të republikës mbi objektet që kanë funksionuar pa leje vetëm çimentojnë sanksionet të cilat kanë hyrë në vitin e tretë dhe të cilat do të mund të vazhdojnë të mos hiqen edhe për shumë kohë. Kjo dhe për faktin se në BE ka vende të cilat, edhe pse na kanë njohur si shtet, do të hezitojnë të votojnë në favor të largimit të tyre.

Është më se e qartë se vërja e drynit të sallave sportive dhe objekteve në shfrytëzim të shoqërive kulturo-artistike andej lumit Ibër janë parapërgatitje për goditjen e sistemeve të arsimit dhe shëndetësisë në Kosovë të mbështetura nga Beogradi (çerdhet, shkollat, universiteti në Mitrovicën e Veriut, ambulancat dhe spitalet), e cila mund të ndodhë gjatë kësaj vere, në prag të zgjedhjeve lokale që do të mbahen në vjeshtë. Kjo dhe për faktin se është për tu pritur që komunat në veri, aty ku ende mbretëron gjendja e jashtëzakonshme, do të qeverisen nga serbët lokale e jo nga kryetarët e vendosur dhunshëm të cilët, në këtë dy vite, u shërbyen me besnikëri të plotë partive të tyre politike, e më së paku, apo aspak, qytetarëve. Të qeverisësh 96% të popullsisë me 4% të votave më së paku i ngjan demokracisë.

Mbyllja

Kosova po e dobëson vetveten dhe pozicionin e saj në skenën ndërkombëtare çdo ditë e më tepër. Duke mos e gjetur rrugën e kompromisit që do të sillte krijimin e institucione të reja, të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ajo është duke e humbur edhe atë pak mirëkuptim (se besimin ka kohë që e ka humbur) që ndonjë ndërkombëtar mund ta këtë ende.

Eksperimentet në emër të shtetit duhet të përfundojnë. Kosova duhet të dalë nga vetizolimi dhe të ri-gjejë vetveten në mesin e miqëve, atje kur dikur ka qenë e mirëpritur. Ajo derë u mbyll nga jashtë, jo nga brenda.

Atë e mbylli injoranca jonë.

Anton Marku

Vjenë, 31 maj 2025



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Idriz Zeqiraj: Në Mynih u përkujtua 80-vjetori i përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, me moton: "Paqe për Ukrainën – Siguri për Evropën" Kalosh Çeliku: Komuna e “Çairit” mbeti edhe pa ujë Idriz Zeqiraj: Organizimi i "Defender Europe 2025", konfirmim i miqësisë SHBA-Kosovë Kalosh Çeliku: Viçat e palëpi Aurel Dasareti: Kur qeveria është mafioze, jeta është skllavëri Fahri Xharra: Stobi, qytet antik pajon - ilir Klajd Kapinova: Presidenti Trump ekspozon Gjenocidin e qeverisë marksiste ndaj fermerëve të bardhë në Afrikën e Jugut Gjon Keka: Me mund të mësojmë´edhe sot nga Skënderbeu, Tereza, Rugova e Bogdani Federata e Arbërisë: Letër e Hapur për Opinionin Publik Florim Zeqa: Thirrje medieve: bojkotoni intervistat në hollin e Kuvendit! Asllan Dibrani (Luani): Seksi në familje – Mision i errët i islamizmit politik brenda gjakut tonë! Fritz Radovani: Komunistat ‘heronj’ shemben kishen ku u konorzue Gjergj Kastrioti! Fahri Xharra: Libri nga lini Idriz Zeqiraj: Vota e fshehtë pastron Parlamentin dhe Institucionet nga të inkriminuarit Eduard M. Dilo: Në vitet e errëta të terrorit komunist, kur gjithçka mbulohej nga frika dhe heshtja Asllan Dibrani-Luani: Në Shërbim të Spiunëve Islamistë Politikë dhe Tradhtarëve të UDB-së Serbe? Gjon Keka: Kombi ynë nuk i ka themelet në ndonjë ideologji fetare Albert Zholi: Bisedë e pabesueshme me një rus dhe Adem Jashari Idriz Zeqiraj: Aleanca e Opozitës bllokuese e Institucioneve kuvendore Luan Asllan Dibrani: Rasti Duda Balje dhe heshtja bashkëpunuese e deputetëve të nënshtruar

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx