E hene, 23.06.2025, 07:07 PM (GMT+1)

Speciale

Paulin Z. Zefi: Tumat ilire në malin e Kakarriqit

E premte, 06.06.2025, 06:59 PM


TUMAT ILIRE NË MALIN E KAKARRIQIT

(Kemi të bëjmë me një pasuri arkeologjike kombëtare dhe jo vetëm)

Nga Paulin Z. Zefi

Kodra e Kakarriqit, e cila në gjuhën popullore njihet si Mali i Kakarriqit, shtrihet paralel me Malin e Rrencit në drejtim VP-JL, nga Fusha e Bregut të Bunës, në Fshatin e Ri dhe deri në afërsi të lumit Drin, në fshatin Balldre të Lezhës. Ky kurriz shkëmbor gëlqeror ka një morfologji të njëjtë me Malin e Rrencit (1). Ai ndahet midis Bashkisë Lezhë, që zotëron ¾ e sipërfaqes së tij dhe Bashkisë së Vaut të Dejës, e cila administron vetëm ¼ , më saktë, pjesën e tij veriore dhe verilindore. Mali i Kakarriqit është rreth 20 km i gjatë, 3 – 4 km i gjerë në bazë e 0.5 – 1 km në kreshtë (2), dhe në pjesën e tij veriore arrin lartësinë maksimale prej 398 m mbi nivelin e detit (3). Pjesa e tij më e lartë konsiston në një pllajë karstike, por më e valëzuar në krahasim me Malin e Rrencit. Shpati perëndimor bie thikë mbi Fushën e Torovicës, ndërsa faqja e tij lindore është më e butë dhe zbret gradualisht mbi Fushën e Zadrimës, në disa pjesë në formën e majave kodrinore, të cilat ulen gradualisht drejt bazës së kurrizit (4). Duke qenë se i gjithë mali përbëhet nga shkëmbinj gëlqerorë dhe gëlqerorë merodistë, këtu janë zhvilluar mjaft forma karstike dhe njësoj si në Malin e Rrencit, gjenden një numër i madh me livadhe të vegjël, shumica e të cilëve kanë qenë punuar gjatë shek. XX (5). Po ashtu, pranë këtyre livadheve kanë qenë disa vendbanime, sot të braktisura, prania e të cilëve dëshmohet qartë edhe nga rrënojat e banesave dhe objekteve të kultit të krishterë, ku bie në sy sidomos "Kisha-kapelë e Shën Gjergjit" në varrezat e vjetra të Kakarriqit, të njohura si “Varret e malcorëve” në “Qabalosh (6)." Ndërsa, "Tumat ose Kodërvarret ilire në Malin e Kakarriqit" shtrihen thuajse përgjatë të gjithë gjatësisë së këtij kurrizi malor, ndonëse me një përqendrim më të madh në pjesën qendrore dhe më të rralla në atë jugore (7). Tumat janë varre të lashta monumentale ose “Monumente funerare”, të ndërtuara kryesisht nga dheu dhe gurët, të cilat formojnë një kodër të vogël mbi varrin e individëve ose grupeve të njerëzve. Ato janë një tipar karakteristik i kulturave të lashta, veçanërisht në Europë, dhe janë përdorur për të varrosur njerëz me status të lartë shoqëror, si udhëheqës, fisnikë apo luftëtarë. Vetë tuma në thelb ishte simbol i statusit shoqëror, sepse individët e varrosur në tuma ishin pjesë e elitës së shoqërisë së kohës. Struktura e tumave është e ndërtuar në bazë me formë rrethore ose ovale dhe ata mund të përmbajnë një ose më shumë varre brenda tyre. Në qendër të monumentit funerar, vendosej varri i njeriut më të rëndësishëm dhe më pas varret e individëve të tjerë pozicionoheshin përqark tij në formë rrethi. Në disa raste, tumat mund të jenë përdorur për disa breza të një familjeje ose fisi. Ndërtimi i tyre shoqërohej me rituale funerale, si vendosja e objekteve të çmuara pranë të ndjerit. Kjo është arsyeja, që brenda tumave janë zbuluar vazhdimisht objekte si armë, stoli, vegla pune, qeramikë, por edhe mbetje kafshësh (kryesisht kuaj), që tregonin statusin dhe jetën e individit të varrosur. Disa tuma përmbajnë edhe mbetje të djegura të ruajtura nëpër urna, duke treguar se kremimi ishte një praktikë funerale në disa kultura. Në disa raste, rreth tumave vendoseshin gurë të mëdhenj si një lloj rrethimi mbrojtës, një dukuri që e ndeshin si në tumat e ndërtuara nga dheu, nga gurët apo nga të dy këta materiale të përzier së bashku. Tumat ilire në Malin e Kakarriqit paraqesin të njëjtën tipologji ndërtimore me tumat e identifikuara dhe dokumentuara në Malin e Rrencit, në Shkrel (Malësi e Madhe), në Shtoj (Shkodër), në Malin e Brisë (Ulqin), Pllanicës e Rakiqit (Tuz) dhe Neshkova Gruda në afërsi të Podgoricës . Pra, janë të ndërtuara të gjitha me gurë dhe njësoj si tumat e lartpërmendura, ato përbëjnë një pasuri arkeologjike dhe historike shumë të rëndësishme. Po ashtu, arkitektura funerare e tumave në Malin e Kakarriqit është e njëjtë me ato të tumave në Malin e Rrencit, ku kemi të bëjmë me arkitekturë karakteristike të "Kulturës Cetina” në Dalmacinë Qendrore, në Kroaci. Gjatë dy ekspeditave përnjohëse të kryera në Malin e Kakarriqit, e para në vitin 2014 (9) dhe e dyta më 2017 (10), arkeologët e "Departamentit të Prehistorisë / Instituti i Arkeologjisë, Tiranë", identifikuan dhe dokumentuan 38 tuma gjithsej, 24 në territorin e Bashkisë Lezhë dhe 14 brenda territorit të Bashkisë Vau i Dejës. Në hapësirën e kurrizit midis fshatrave Gjadër dhe Balldren janë dokumentuar vetëm dy tuma të veçuara, ku duhet theksuar se ajo jugore përbën tumën më të madhe të identifikuar në të gjithë Malin e Kakarriqit (diam.: 16.50 m; lart.: 3-4 m). Ajo ndodhet rreth 2 km në veri të Balldrenit, në kuotën 322 m dhe pak metra (400 m) në veriperëndim të "Majës së Marçipajit (11)", e cila ka një lartësi prej 372 m mbi nivelin e detit. Plot 22 tuma janë identifikuar në pjesën qendrore të Malit të Kakarriqit, në hapësirën midis fshatrave Torovicë dhe Gjadër, një grupim tumular, i cili përfaqëson përqendrimin më të madh të tumave në Malin e Kakarriqit. Nga këto, 4 tuma janë identifikuar mbi periferinë jugore të fshatit Torovicë (rreth 325 m mbi nivelin e detit), të vendosura në një distancë prej 8 deri në 14 m nga njëra-tjetra (diam. varion nga 6.6 - 16.20 m); 2 tuma individuale gjenden më në jug, në një distancë përkatësisht prej 1 km dhe 1.5 km nga grupimi i mësipërm; 16 tumat e tjera i hasim të veçuara ose në grupe prej 2 - 4 tuma, të vendosura në  pjesët më të larta të kurrizeve të shpatit lindor në një distancë në  vijë ajrore prej rreth 1.8 km (midis fshatrave Kukël dhe periferisë veriore të fshatit Gjadër). Lartësia e tyre mbi nivelin e detit varion nga 104 deri në 279 m dhe kanë një shikueshmëri shumë të gjerë drejt L-VL-V, mbi të gjithë fushën e Zadrimës, mbi kodrat e periferisë së saj lindore dhe deri në qytetet Vau i Dejës e Shkodër (12). Të dhënat arkeologjike më të rëndësishme, që lidhen me periudhat prehistorike nga Mali i Kakarriqit dhe që janë bashkëkohore me ndërtimin e tumave, janë depot e sëpatave prej bronzi të zbuluara pranë Torovicës, në rrëzë të faqes perëndimore të këtij kurrizi dhe shumë pranë grupimit tumular kryesor. Depoja e parë, e cila njihet si "Thesari arkeologjik i Torovicës (13)", përbëhej nga 124 sëpata bronzi të tipave të ndryshëm u zbulua në vitin 1983 tek vendi i quajtur «Shkëmbi», në të djathtë të rrugës automobilistike Lezhë-Shkodër, afërsisht 10 m mbi rrugë dhe 2 km pa arritur tek qendra e Torovicës dhe depoja e dytë u zbulua disa vite më herët shumë afër saj, por me një inventar që përbëhej nga vetëm dy sëpata bronzi (14). Këto depo, së bashku me ato të Pentarit, Melgushës, Beltojës të zbuluara më në veriperëndim dhe në veri të Malit të Kakarriqit, por edhe disa të tjera të zbuluara më në veri në zonën e Mbishkodrës, janë datuar në  fund të periudhës së Bronzit dhe në fillim të periudhës se Hekurit, rreth shek. XII-X p.k. (15). Nga studimi tipologjik i disa prej këtyre sëpatave (shqiptaro-dalmate dhe italike), rezulton se këto objekte janë dëshmi e qartë dhe e pakontestueshme e lidhjeve të ngushta të kësaj zone me kulturat e Adriatikut qendror në Kroacinë dhe Bosnjë-Hercegovinën e sotme, por gjithashtu edhe të shkëmbimeve midis bregdetit të Shqipërisë Veriore dhe atij të Adriatikut perëndimor, pjesa qendrore dhe jugore në Italinë e sotme. Mjerisht, deri më sot, përveç identifikimit dhe rilevimit të tyre, në asnjërën prej këtyre tumave nuk është bërë ende të paktën një sondazh arkeologjik, jo më një ekspeditë arkeologjike e mirëfilltë. Nga ana tjetër, duhet theksuar me shumë keqardhje, që para shumë vitesh disa prej këtyre tumave kanë rënë pre e gërmimeve pirate, ku gjurmët e një krimi të tillë janë shumë evidente sidomos në tumën më të madhe, në veri të Balldrenit. Tumat ilire në Malin e Kakarriqit duhet të trajtohen si pasuri kombëtare e rëndësisë së veçantë dhe të merren në mbrojtje nga Shteti Shqiptar, duke iu dhënë atyre statusin si Monumente Kulture të kateg. I.

BIBLIOGRAFIA:

1) R.Kurti & R.Ruka, Raport mbi vëzhgimin arkeologjik në zonën kodrinore të Shqipërisë Veriperëndimore (Lezhë-Shkodër, viti 2017), në: Candavia, 7, Akademia e Studimeve Albanologjike / Instituti i Arkeologjisë, Tiranë: 2018, f. 142.

2) S.Pulaha & A.Parruca, Lezha: Vështrim historiko-gjeografik, f. 148.

3) R.Kurti, R.Ruka & I.Gjipali, Rezultate paraprake të ekspeditës përnjohëse në Malin e Rencit dhe Malin e Kakarriqit, në Shqipërinë veriperëndimore, në: Iliria, 38, Tiranë: 2014, f. 182.

4) R.Kurti & R.Ruka, Raport mbi vëzhgimin arkeologjik në zonën kodrinore të Shqipërisë Veriperëndimore (Lezhë-Shkodër, viti 2017), në: Candavia, 7, Akademia e Studimeve Albanologjike / Instituti i Arkeologjisë, Tiranë: 2018, f. 142.

5) S.Pulaha & A.Parruca, Lezha: Vështrim historiko-gjeografik, f. 148.

6) G.Hoxha-L.Përzhita-F.Cavallini, Monumente Historike të Kultit të Krishterë në Dioqezën e Lezhës / Monumeti Storici di Culto Cristiano della Diocesi di Lezha, Lezhë: Botimet Françeskane, 2007, f. 98-100.

7) R.Kurti & R.Ruka, Raport mbi vëzhgimin arkeologjik në zonën kodrinore të Shqipërisë Veriperëndimore (Lezhë-Shkodër, viti 2017), në: Candavia, 7, Akademia e Studimeve Albanologjike / Instituti i Arkeologjisë, Tiranë: 2018, f. 142.

8)A.Lulgjuraj, Gjurmë të periudhës prehistorike në Malin e Brisë në rrethin e Ulqinit, në: Candavia 6, Akademia e Studimeve Albanologjike / Instituti i Arkeologjisë, Tiranë: 2016, f. 14-15.

9) R.Kurti, R.Ruka & I.Gjipali, Rezultate paraprake të ekspeditës përnjohëse në Malin e Rencit dhe Malin e Kakarriqit, në Shqipërinë veriperëndimore, në: Iliria, 38, Tiranë: 2014, f. 182-183.

10) R.Kurti & R.Ruka, Raport mbi vëzhgimin arkeologjik në zonën kodrinore të Shqipërisë Veriperëndimore (Lezhë-Shkodër, viti 2017), në: Candavia, 7, Akademia e Studimeve Albanologjike / Instituti i Arkeologjisë, Tiranë: 2018, f. 142.

11) Ibidem, f. 143.

12) Ibidem, f. 143-144.

13) P.Zefi, Thesari arkeologjik i Torovicës, në: "Rrënjët  / Le Radicci", Marzo 2017.

14) F.Prendi, Një depo sëpatash nga Torovica e Lezhës / Un dépôt de haches préhistoriques à Torovicë de Lezhë, në: Iliria, vol. 14, n°2, 1984, f. 19-45.

15) R.Kurti, R.Ruka & I.Gjipali, Rezultate paraprake të ekspeditës përnjohëse në Malin e Rencit dhe Malin e Kakarriqit, në Shqipërinë veriperëndimore, në: Iliria, 38, Tiranë: 2014, f. 187-188.

Nga: Paulin Zefi.

Lezhë: 23.05.2025.

P.S.: “Fotot dhe skicat e sëpatave prej bronzi që kam publikuar i përkasin “Thesarit arkeologjik të Torovicës”, që janë bashkëkohore me ndërtimin e tumave, të cilat i kam përdorur për ilustrim.”



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Ekskluzive nga Fotaq Andrea & Dritan Muka: Figura e Skënderbeut sipas një kompozimi në gravurë në vitin 1631 Sabile Basha: Pafajësia e vrarë Sabile Basha: Ta duash Kosovën do të thotë të jetosh dhe të veprosh për të Hasan Hasanramaj: 26-vjetori i Masakrës së Dubravës Sabile Basha: Një thirrje e hapur për deputetët e Parlamentit të Kosovës Lutfi Alia: Meditime – Jonufër, korrik 1966 Sabile Basha: Mbi jetën me maska - midis frikës, përshtatjes dhe hipokrizisë Sabile Basha: Dimensioni historik dhe kulturor i këngëve të hakmarrjes në librin e Adem Zejnullahut Paulin Z. Zefi: Portreti artistik autentik dhe fizionomia e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut Sabile Basha: Kur nata bëhej burg Vilhelme Vrana Haxhiraj: Skënder Vrana u ekzekutua më Mat’hauzen, më 9 Maj 1945 Sabile Basha: Kufiri serb që s’mundi t’i ndalojë violinat e nxënësce shqiptarë Mark Palnikaj: Kultprotektorati për katolikët e Shqipërisë Themi J. Tushe: Beteja e Pirgut të Myzeqesë e vitit 1457 Sabile Basha: Vetëdija kombëtare në nderim të figurave historike Sylejman Salihu: Konvertimi i popullatës pejane nga malazezët Jahja Drançolli: Instrumenti dentar që pa dritën në librin e shtypur në vitin 1525 nga humanisti arbëror Nikollë Leonik Tomeu Themi J. Tushe: Ish-ministri i Drejtësisë në qeverinë e Ismail Qemalit, Petro Poga, ka dënuar ashpër mashtrimet e hajdutëve... Sabile Basha: Ata që i mbajnë gjallë plagët e lirisë Themi J. Tushe: Rrugëtimi i gjatë i Ismail Qemalit nëpër Myzeqe dhe Mitingu i Fierit më 25 nëntor 1912

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx