E merkure, 30.04.2025, 02:29 AM (GMT+1)

Speciale

Sylejman Salihu: Konvertimi i popullatës pejane nga malazezët

E hene, 21.04.2025, 06:59 PM


KONVERTIMI I POPULLATËS PEJANE NGA MALAZEZËT

Nga Sylejman Salihu

Unë kisha dëgjuar më përpara për familjen Harapi të Shkodrës, madje kisha dëgjuar më shumë për Anton Harapin, apo edhe për ndonjë tjetër nga Harapët , por nuk kisha dëgjuar për Zef Mark Harapin. Natyrshëm vjen pyetja: Kush ishte ai? Që në fillim të librit "Dita e trishtimit n' Pejë" për të shkruhen këto fjalë: "Ai ishte një ndër ata persona, mësues, që e mbajtën gjallë jetën teatrale për më se dy dekada në Shkodër e më gjerë, si dhe dhanë një kontribut të shquar në letërsi, etnografi dhe historinë e Shqipërisë"(f. 7) Kaq sa për hyrje. Por Zef Mark Harapin kësaj radhe e njoha përmes një libërthi, që lexohet për 2-3 orë dhe ndonëse gjuha , dialekti dhe drejtshkrimi që ai përdorë mund të ta ngadalësojë leximin, por kur i ke hyrë librit, dhe kur e ke kuptuar se përse do të flasë ai, doemos që do ta kapërcesh pengesën me lehtësi, duke ndjerë edhe një trishtim të thellë, të një plage të rëndë shoqërore të popullit tonë. Jo gjithnjë na bie të lexojmë libra që na kënaqin me artin dhe estetikën e tyre, sepse ka disa nga ata që na dokumentojnë gjëra të hidhura dhe na trishtojnë, por edhe na hapin sytë më shumë për të kuptuar periudha të rënda dhune historike mbi ne. Autori në librin  mbi njëqind faqe "Ditt e trishtimit n' Pejë" shpërfaqë një vit të trishtë, një vit të "mbrapshtë" siç do të thoshte Kadare, domethënë një vit tragjik, për shqiptarët e këtij qyteti të bukur të Dukagjinit. Janë vitet 1912-13 kur Perandoria Osmane e lodhur u largua, duke lën? rrëmujën prapa. Por të tjerë armiq po prsinin me një këmbë në kufirin e tokave tona, për të marrë copa të atdheut si një plaçkë, që gjoja ishte ruajtur për ta. Madje siç shpreheshin,  ata do t' i rikthenin "tokat e tyre" "Stara Serbiinë"(Sërbinë e Vjetër). Dhe kush ishte ky armik? Ishte fqiu i parë, Mali i Zi. Në fillim autori na tregon pak histori duke ardhur ngadalë në kohën e atij fillimshekulli, i cili nisi keq për shqiptarët, sepse Kosova mbeti me miratimin e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës të vitit 1913, nën Sërbi deri në vitin 1999. Këtu autori na e paraqet ardhjen e malazezëve, të cilët nuk dallojnë shumë nga serbët, apo "shkjetë" siç i quan ai me gjuhën dhe të folmen e shkrodranishtes së tij. Mali i Zi me Krajl Nikollën e donte Pejën, e ëndërronte atë, madje e kishte ëndërruar edhe kur paskësh qenë student në Paris,  prandaj edhe ishin bërë gati të gjitha strategjitë për ta pasur nën këmbët e veta. "Kapica" e Malit të Zi do të vinte dhe do ta ndërronte plisin e bardhë. Kështu ishte vullneti i Krajl Nikollës, të cilit ushtarët e tij do t' i thurnin këngë, kur tashmë kishin pushtuar Pejën e bukur e të kamur  me rrethinë, ku i kanë t? gjitha, derisa këndojnë: "Dosta leba, dosta para/Zhivjo-o nashe Gospodara, Nikolli"(39), që në shqip do të mund të përshtateshin:"Bukë boll, e pare boll/Rroftë kryezoti jonë, Nikollë".

*

Por shqiptarët nuk mendonin si ai. Ata do ta mbronin tokën e tyre, dhe do ta mbronin me gjakun e tyre. Nuk mund të ikte kush nga lufta, që po vinte, sepse nënat malësore shqiptare, nuk i kishin rritë djemtë e tyre që ikin dhe marrin dangën e madhe të dezertorit apo të ikanakut. "Me ikë prej lufte â punë e paa burrni, e m'nji mndyrë t' posaçme për koom t' shqyptarit, madje n' a kaa lânë për mësim malcorja, kuer kjo e kaa nisë n' luftë nji djalë t' vetun qi e kishte: "Biroo, shko n' luftë e qindro, ku t' ngulish kamën aty len edhe kryet, por saa me ikë e me t' vuu n' qejnim shokët t' uu mrapa, maa mirë mos u nis e rri bashkë me mue e t' tjerrim bashkë"(33-34). Lufta po vinte dhe i pari  i  Pejës, Zenel Begu mori lirat e kuqe me vete dhe iku në Stamboll, kurse feudali tjetër Jashar Pasha shkoi dhe i ra në dorë Sërbisë.  "T' shtunden me 26 tetuer u hap zani n' Pejë se Malazezt hinë n' Shtupeq t' madh, tre sahat larg qytetit"(36). Ushtria malazeze në krye me  serdar Janko Vukotiçin, tashmë kishte hyrë në Pejë  dhe siç ndodh rëndom , pushtuesi kërkonte haraçin e tij. Malazezët që vinin nga shkëmbinjtë dhe kreshtat e thata, kur ranë në Rrafshin e Dukagjinit kërkonin edhe të bënin qejf. Në stilin e një bajlozi, ata kërkojnë raki, bukë e duhan. "U lutem edhe me bâ gadi vênë e rakii, buk e duhan, me i dhânë ushtriis s' onë qi âsht lodhun tash njizet dit tui luftue"(38). Zef Mark Harapi, që ishte mësues në atë koh? në Pejë, në shkollën që e kishte hapë Austria apo Shvaba siç e quanin malazezët, vëzhgon me detaje çdo lëvizje dhe çdo lloj dhune që ushtrohej mbi shqiptarët, nga pushtuesi i ri. Ai në mënyrë kronologjike ka  përshkruar të gjitha veprimet e Malit të Zi, të gjitha llojet e  zullumit, të plaçkitjeve, të  rrahjeve, të vrasjeve, të dhunimeve, me një gjuhë të dokumentuar dhe të argumentuar. Ndonëse katolikët e qarkut të Pejës, ishin mbështetës të pushtetit austriak, i cili edhe i kishte marrë nën mbrojtje, pushteti malazez, përpiqej që t' ua mbushte mendjen shqiptarëve të krishterë të konfesionit katolik, se pushteti i Cetinës me në krye Krajl Nikollën ishte më i mirë se ai i turkut  madje edhe se i Austrisë dhe  mjaftonte që këta të ishin të disiplinuar dhe të mos rebeloheshin kundrejt këtij pushtuesi të ri me Krajl Nikollën në kry. "Edhe po u tham tesh e per gjith herë me hjekë meç Austriin pse kjo vetun ju merr n'qafë..."(49). Tash pushtuesi kërkonte që të nënshtruarit të ndërronin fenë duke vu kryqe dhe kapicë mbi kokë, sepse ndryshe do të pasonin masat ndëshkuese, të cilat ishin drakoniane dhe tipike mesjetare. Kështu një ditë edhe mësuesit shqiptar shkodran të konfesionit  katolik Zef Mark Harapit i erdhi kërcënimi: "Deri nesër do t' vesh kapicë t' Malit t-Zi, për ndryshe kee burg dhe gjobë"(55). Pushtuesi e mbante veten mirë të etabluar dhe largimi i tij nga tokat shqiptare nuk ishte asnjëherë në mendje dhe se trofeu i fituar me luftë do të mbahej përgjithmonë se lëre më që të largohet:.."e para lëshohet Çetina se lëshohet ky vend me rrethe"(57). Ky ishte mendimi i pushtetarëve të Cërna Gorës. Përveç plaçkitjeve të rënda, të cilat cënonin rëndë pronat dhe ekzistencën fizike të shqiptarëve, si represion ishte edhe kërkimi dhe dorëzimi i armëve, një metodë kjo e vjetër e tyre, që u përdor pastaj  në Kosovë edhe në kohën e Aleksander Rankoviqit. Kjo nënkuptonte çarmatosjen e shqiptarëve, të cilët pastaj nuk do të kishin mundësi të mbronin tokat dhe pragun e vet. "Lypte prej katolikve armë tjera, t' cillat nuk i kishin"(66). Kur ato nuk i kishin, prandaj edhe nuk mund t' i dorëzonin fillonin masat represive: "Si bite nata i lidhshin per njênë krah m' nji gardh e me nji cung i bishin turîve e parzmit e nder brryla: mushëshin mandej  nji teneqe vojit gurit me uj e ja u shprazshin mîi krye e uji derdhej nëpër t' tanë shtatin e t' yne. Merrnie me mend  saa mundim kan hjekë ata t' mjerë për gjith at t' ftoftë e kuer uji ju ngrite akull n' shtat. N' at dimën shum t' kshtenë i lidhne me konop për fytit e i hidhshin me gjith petke ndër vija ujnash e i ngrehshin rrëshqanë për konopit e i qitshin n' breg , kshtu ja u bâshin shpesh herë. T' shumve ju duel shpirti mjes atii ujit t' ftoftë"(67) Harapi si katolik që ishte duket sikur ka theksuar më shumë dhunën malazeze mbi shqiptarët katolikë, të cilëve u thuhej se ishin të njejtë , (brate-vëlla)sepse e kishin kryqin që i "bashkonte". Klerikët katolikë të drejtuar nga argjipeshkvi Lazër Mjeda, që u jepte zemër të mos e pranonin konvertimin,  ishin në shënjestër të vazhdueshme që këtë ta bënin. Konvertimi i katolikëve në ortodoksë ishte parësore për pushtetin e ri. Secila shtëpi duhej të kishte një kryq n? derën e shtëpisë, madje edhe në kapelën e tij, qoftë edhe të vizatuar. I detyronin me gjithë familje të shkonin në kishë dhe të konvertoheshin në besim të ri, sepse kërcënimi i ri thoshte:"..deri t' ejten  do t' shkote krejt katundi i Novosellës me gra e thmii, pleq e plaka, t' rii e t' reja  me u bâa shkje n' kishë t' Deçanit"(73). Kur ata nuk kishin armë të dorëzonin, që s' kishin mundur as t' i blenin se kushtonin deri në 20 napoeleona (67) dhe konvertimin e kundërshtonin, atëherë  fillonin masat represive dhe ndëshkimet barbare. Le të flasë autori flet me gojën e personazheve: "Nji herë na lypin armë; armët ja u biim e mandej thonë se kemi mâa e mâa e s' keni tjetër pshtim, përposë qi m' u bâa shkjee. Nja gjashtë vetë prej katundit t' onë i kan thânë se, armët i këna pasë ju a këna dhânë Sundimit t' Pejës e praa as armë s' kenë me dhanë as shkjee nuk bâhena. At herë  i kan kapë, i kan futë ndë ujë akull-shtin e xiirr -mandej ja u kan rreshtue duert nder rrasa me nji guur t' madh  ja kan shtypë, deri saa u kaa raa t' pakët n' zêmër...."(74).

*

Por ajo zezonë historike në Lugun e Baranit kishte edhe ekzekutorët e vet, që kishin emër. Ai që kishte ekzekutuar vdekjet e shqiptarëve ishte personazhi dhe antishqiptari  i quajtur Sava. Madje me emrin Sava kishte dy ekzekutorë: Savë Dajaku dhe Savë Batarja, që kishte hyrë edhe në këngë si personazhi më famkeq  me dhunën që kishte ushtruar mbi  shqiptarët. Autori Zef Harapi shpjegon:"Kta dy êmna ja pat njitë n' qejnim populli njënit Savë qi, e kishte ndêjën n' Gjakovë pse rrite gjinden n' dajak e bate për dekë, shum edhe i niste për Pejë e ktu bâheshin batare prej tjetrit Savë i cilli mrriti me grii deri n' 3000 vetë mrëndë n' Gjytet, nahije mshehtas neper pyllna e llugje"(79). Savë  Batarja ishte tmerri i shqiptarëve, se s' kishte lënë të tortur? pa bërë, duke mbushur burgjet me shqiptarë, qoftë myslimanë, qoftë katolikë, të cilët detyroheshin të bëheshin "shkjee" tamam si viktima të një inkuizicioni sllav pasmesjetar dhe antishqiptar.  Por le të citojmë autorin! "Gospodin Sava per me bâa nji ndeer (sic) shkote vetë tu dera  e burgut e u thotë: "Kush bâhet shkjaa pshton, tjerët bâhen batare"(80). Pastaj vazhdojmë citatin q? tregon pamjen tjetër tragjike:  "T' kishte raa pikëllim n' zêmër me i pasë paa ata t' ngartë kuer i çoshin me i grîi me kaa shtatë e dhetë vetë tubë t' lidhun me duer mrapa, me ftyrë t' zbeet e kahe shikojshin dugâjet, gjinden e rrugës, miqt e vet: me sy t' përlotshem e pa çilë gojë. Vêndi i vraiis ishte jashtë gjytetit. Çilshin nji gropë t' giatë e buzë saj rêndoshin t' gjikuemt për dekë me ftyrë kah ushtarët qi, do t' qitshin kaa dymdhetë herë për nieri e ata t' ngratë rrxoheeshin e bishin n' vorr t' vet"(81). Vdekja me plumb mbase ishte e lehtë, sepse tortura tjera më të rënda ishin praktikë e malazezëve të Krajl Nikollës, që të kujtojnë ato vdekjet e Nikolla Kopernikut e Jan Husit, kur digjeshin mbi turrën e druve nga inkuizicioni kishtar i mesjetës: "Shum  vetë qi guxuene me i dalë per baall ktii urdhnit t' paa-udhë i xëshin, i rrihshin mirë e mirë, mandej përdhuni ja shtîshin kryet n' grykë t' kaftorrit (stufës) t' ndezun e ja mashin ashtu deri saa i piqeshin syyt; ase i lyshin duert me voj gurit e i nepshin zjermin me shkrepcë; ase i shtergoshin kryet me nji vegël t' hekurit deri saa ja qitshin syyt jashtë e trûtë ja derdhshin; ase me nji piskërr i ndukshin mustakët fije për fije"(81).Dhuna dhe masakrat ishin bërë një përditshmëri në Pejë. Ishte nj? zallahi e madhe. Vetëm për një javë Qeverija kishte vra 113 vetë. Madje edhe në një shtëpi në kërkim të pushkëve numri i të vrarëve kishte qenë i madh: "N' Rugovë t' Pejes kaa mrriit me vraa, për shkajk t' pushkve deri n' njimdhetë preje nji shpijet e lânë shpiinë vetun për nji plakë 60 vjetshe"(82). Të lodhur nga dhuna, masakrat dhe persekutimi deri në vdekje dhe shfarosje, shumë shqiptarë u detyruan të ktheheshin në fenë ortodokse. E Zef Harapi vazhdon përsëri rrëfimin e tij: "Kahë marimi i Marcit u kthyene n' shkjenim shum myslimana t' shpijave t' mira t' Pejës. Graa myslimane duelne me ftyrë zblue e nder karroca e streme shkoshin n' kishë t' Pejës me marrë pagzimin; për nûnë u pat kenë bâa Krajlica Milenë e Cetinës"(84-85).

*

Por le të vazhdojmë të tregojmë edhe për një rast tjetër sa të  dhembshëm aq edhe tragjik, sa të trishtueshëm, aq edhe heroik. Nëse gratë suljote dikur  kërcenin nga shkëmbinjtë për të mbrojtur moralin dhe dinjitetin e tyre nga ushtarët turq, atëherë edhe një vajzë pejane do ta bënte më përpara vdekjen e saj sesa të bëhej plaçkë e një oficeri malazez. Me aktin e saj  tragjik, për të mos i rënë dorë "shkjaut" të Cetinës, ajo pranon të vetëvaret në një degë mani, në oborrin e shtëpisë së saj. Autori thotë se një oficer malazez kishte hetuar një vajzë të bukur të një shtëpie shqiptare dhe i kishte premtuar babait të vajzës 18 vjeçare se në këmbim të vajzës, që do ta mirrte ai për grua apo si robinjë, do ta lironte babain dhe familjen e tij nga konvertimi me dhunë. Babai i gjorë pèr t? shpëtuar familjen kishte pranuar ofertën ogurzezë dhe tash mbetej vetëm ekzekutimi i marrëveshjes. Kur oficeri shkoi ta mirrte prenë e tij, gocën e bukur pejane, fillon edhe shpalosja e aktit që parathotë tragjedinë. Le të shohim pamjen në vazhdim përmes këtij rrëfimi tragjik:

"I duel n' derë vajza: -Urdhno-i tha, se baba e nana t' presin nelt , n' kaq edhe unë po bâhemm gaadi. -Ajo vetë muer nji konop e duel n' kopshte e vari veedin për degët e nji mândit. Asht çue ai zyrtari kaa lypë vajzën, kaa kërkue baba e nâna kuer e t' plasun t' zëmrës e kan paa t' vjerrun për mand e dekë"(85). Autori nuk ngurron të na paraqesë edhe pamje tjera të trishta e të shëmtuara, teksa përshkruan sesi  njerëzit që pritshin në radhë për konvertim përpara kishës, i fshinin lotët, jo si shenjë gëzimi që po bëheshin ortodoksë, por si shenjë pikëllimi se po detyroheshin të braktisnin besimin e tyre të moçëm, të trashëguar ndër shekuj. Kështu kishte ndodhur me myslimanët e Strellës, t' Grabanicës, t' Isniqit, t' Krushevës, t' Papiqit. "Krejt numri i shkjeeve t' kthyem kje afër 1500 vetve"(91)

*

Le t? kthehemi edhe nj?here te Savë Batarja , ky emër famkeq që është bërë personazh edhe i këngës popullore shqiptare. Ai paraqitet me gjithë kërcënimet dhe egërsinë , me  despotizmin dhe batërdinë, teksa kërkon konvertimin në ortodoks të shqiptarëve. Derisa një pjesë e shqiptarëve nuk e kishte përballuar dhunën dhe represionin malazez  dhe prandaj edhe ishin konvertuar në ortodoksë, janë të tjerë, që e kundërshtojnë këtë, duke paguar qoftë edhe me kokën e tyre. Motivi i konvertimit ka gjetur frymëzim edhe te epika historike shqiptare. Poeti popullor nuk ka mundur ta anashkalojë këtë kohë dhune e konvertimi pa e kënduar në vargjet epike popullore. Vargjet epike historike e paraqesin këtë periudhë të errët me vargje edhe krenarie, edhe trishtimi, edhe trimërie, edhe flijimi. Personazhe të këngës janë Savë Batarja, Hazir Alija, Sali Bajraktari e Hasan Bajri. Në vargjet pasuese kryeplaku i drejtohet Savë Batares:

" Maje n'men Savë- i ka thanë

Shum selam kralit t'm'i bajsh

Selam kralit, ti, me i çue

S'ke gjetë kishë për m'u kryque... !

Me këto vargje poeti spikatë elementin e qëndresës shqiptare karshi dhunës malazeze.  Shprehet stoicizmi dhe martirizimi me  fjalë të plakut të urtë që  do t' ia acarojnë ndjenjat hakmarrëse Savë Batares, i cili merr menjëherë masat ndëshkuese, duke i shndërruar në viktima mijëra shqiptarë, të cilët janë shkrirë në detin e madh sllav. Por edhe qëndresa dhe flijimi për të mos ndryshuar fe e besim ishin aq të forta sa u mbrojtën me lumenj gjaku nga shqiptarët që vdesin "për fe e atdhe".

"Hazir Alia trim koka qillue

Përpjet gishtin e ka çue

Du me u gri e me u coptue

Tybe n`Zotin fenë s`muj me e nrrue

Krisi pushka e dajaku,

Rrugët e shehrit i mbuloj gjaku"

Me të njëjtin zë kryengritës  i drejtohet Savë Batares edhe Hasan Bajri, i cili ia kujton Savë Batares faktin se derisa ishin nën sundimin turk, asnjëherë nuk u kishin shkaktuar kurrfarë dhune dhe kurrfarë dëme serbëve, veçanërisht në fushën e besimit të tyre pravosllav:

"Hasan Bajri n' kam u çue:

T' u nxiftë fjala shka, çka po thue!

Pesqind vjet t' kena sunue,

Asniher me zor n'xhami s'të kam çue,

S'të kena thanë fenë m'e nrrue"

*

Fenomeni i konvertimit ndër shqiptarët ka qenë kurdoherë i rëndë dhe është endur mbi shqiptarët si një murtajë, nga e cila janë shkaktuar shumë dhimbje dhe shumë tragjedi nëpër shekuj, qoftë në kohën e Perandorisë Osmane, qoftë në kohën e pushtimit të Kosovës nga serbomalazezët, pas largimit të kësaj perandorie. Madje edhe sot ka një frymë të rikonvertimit në fenë e moçme, e cila po përcillet me shumë turbulenca dhe polemika të ashpra, të cilat jo që po pakësohen por përkundrazi po shtohen.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Jahja Drançolli: Instrumenti dentar që pa dritën në librin e shtypur në vitin 1525 nga humanisti arbëror Nikollë Leonik Tomeu Themi J. Tushe: Ish-ministri i Drejtësisë në qeverinë e Ismail Qemalit, Petro Poga, ka dënuar ashpër mashtrimet e hajdutëve... Sabile Basha: Ata që i mbajnë gjallë plagët e lirisë Themi J. Tushe: Rrugëtimi i gjatë i Ismail Qemalit nëpër Myzeqe dhe Mitingu i Fierit më 25 nëntor 1912 Qazim Namani & Emin Sallahu: Konfliktet ndër kufitare në mes të Shqipërisë dhe Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene në vitin 1921 Sabile Basha: Vazhdimësia e Ilegales Shqiptare nga viti 1945 dhe Demonstratat Studentore të vitit 1981 (2) Sabile Basha: Vazhdimësia e Ilegales Shqiptare nga viti 1945 dhe Demonstratat Studentore të vitit 1981 (1) Jusuf Buxhovi: Lavdia dhe tragjika e akterëve të Pavarësisë së Shqipërisë Sabile Basha & Tefik Basha: Galeria e Arteve – Tempulli i shprehjes dhe kujtesës artistike Sabile Basha: Mehmet Hajrizi – Atdhetari që nuk hesht Sabile Basha & Tefik Basha: Muzeu i Kosovës – Një thesar i trashëgimisë dhe kujtesës Sabile Basha & Tefik Basha: Gryka e Rugovës, epika e natyrës së gdhendur Sabile Basha: Kur qielli fliste shqip - 78 ditët që ndryshuan historinë Vilhelme Vrana Haxhiraj: E ardhmja e kombit vjen e sigurt kur pranohet e shkuara dhe e sotmja Jusuf Buxhovi: Rrënimi i autonomisë së Kosovës dhe fillimi i shkatërrimit të Jugosllavisë Sabile Basha: Takimi në Tivar Sabile Basha & Tefik Basha: Kosova – Shtet në zemër të Ballkanit Sabile Basha & Tefik Basha: Kosova – Vendi im që nuk falet, as nuk blihet Sabile Basha: Libri ‘’Këngët e lirisë’’ ndërmjet dhimbjes dhe dritës Sabile Basha & Tefik Basha: Kthimi në Prishtinë

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx