E hene, 23.06.2025, 07:27 PM (GMT+1)

Speciale

Hasan Hasanramaj: 26-vjetori i Masakrës së Dubravës

E hene, 26.05.2025, 07:01 PM


Njëzet e gjashtë vjetori i masakrës së Dubravës

Të burgosurit shqiptarë nuk do t’i harrojnë kurrë tmerret që përjetuan...

Nga Hasan Hasanramaj

Kompleksi famëkeq i burgut të Dubravës në komunën e Istogut, para njëzet e gjashtë vjetësh, ishte selia më e rrezikshme e grumbullimit të forcave elitë të ushtrisë, policisë dhe forcave paramilitare të pushtetit serb, të cilat kishin para vetes vetëm një detyrë – shfarosjen e shqiptarëve, për çka me kohë hartuan strategjitë dhe platformat për asgjësimin e të burgosurve shqiptarë, të kthyer dhe të grumbulluar nga burgjet serbe në Kosovë dhe Serbi.

Në burgun famëkeq të Dubravës në komunën e Istogut, që nga muaji dhjetor i vitit 1998 deri në qershor të vitit 1999, netët dhe ditët e ferrit nuk do të harrohen kurrë. Të gjitha këto barbari ishin të vështira për të gjithë ata që ishin të burgosur ta mbanin emrin “njeri”; vështirë ishte të thuhej: “E duam lirinë!” Janë këto një pjesë e vuajtjeve dhe krimeve që i përjetuan me qindra të burgosur shqiptarë të pafajshëm nga të gjitha anët e Kosovës.

Shkaktarët kryesorë për të gjitha këto barbari ishin kriminelët ordinerë, të liruar nga burgjet serbe dhe malazeze, të dërguar në Kosovë për të vrarë dhe masakruar shqiptarët e pafajshëm.

Të burgosurit shqiptarë të kthyer nga burgjet serbe në burgjet e Kosovës në Lipjan dhe komunën e Istogut pësuan barbari nga më të rëndat, psikike dhe fizike, dhe shumë të tjera. Ata që i shpëtuan të keqes nuk do ta harrojnë kurrë këtë barbari antinjerëzore. Në masakrat barbare të njëzet e tre majit të vitit 1999, kriminelët ordinerë serbë, në mënyrën më barbare, vranë njëqind e gjashtëdhjetë dhe plagosën rëndë e lehtë mbi dyqind të burgosur të tjerë shqiptarë, të zgjedhur nga të gjitha anët e Kosovës, për çka dëshmitarët e gjallë të masakrave më barbare në burgjet e Dubravës së Istogut dhe Lipjanit nuk do t’i harrojnë kurrë...

Si kudo në Kosovë, edhe në komunën e Istogut ndodhën tragjedi të mëdha që nuk kishin ndodhur ndonjëherë në këtë anë të Rrafshit të Dukagjinit. Nëpër rrugët dhe rrugicat, fushat, kodrat e malet e këtij regjioni u kryen krimet më barbare, ku nga duart e kriminelëve serbë – shumica “fqinjë” të shqiptarëve – të armatosur me armë të kalibrave të ndryshëm, me thika, bomba dore, shufra gome, të hekurta dhe mjete të tjera të forta, me fitilin e benzinës, pas vetes lanë gjurmë të rënda të krimit, të çmendurisë, të barbarizmit, të dhunës shtazarake, të cilat gjyshet dhe stërgjyshet tona nuk i mbajnë mend.

Në fshatin Staradran dhe shumë lokalitete të tjera të komunës së Istogut, në rrugë, rrugica, në oborre, në livadhe, janë gjetur kafka të hedhura, trupa njerëzish të sharë me sharra motorike, duar, këmbë, koka dhe pjesë të tjera?!...

Në javën e parë të muajit maj të vitit 1999, në fshatin Staradran u vranë dhe u masakruan shtatëmbëdhjetë staradranas, kurse në oborrin e shtëpive të Demë dhe Zymer Berishës u masakruan njëqind e pesëdhjetë veta, kryesisht të zhvendosur nga regjione të ndryshme të Kosovës. Ata që bënë krime në fshatin Staradran e në mjedise të tjera të komunës së Istogut ishin paramilitarë, shumica nga fshatrat e komunës së Istogut.

Shkurt, në komunën e Istogut, njëqind e gjashtë serbë morën pjesë në djegie, në plaçkitje, në vrasje, në masakrime, në vjedhje dhe në shumë barbari të tjera të rënda, të cilat populli shqiptar i fshatrave të komunës së Istogut dhe të rrethinës nuk do t’i harrojë kurrë…

Masakra më barbare në burgun famëkeq të Dubravës u organizua dhe u dirigjua nga kreu shtetëror, ushtarak dhe policor i Serbisë

Në muajin maj të vitit 1998, kompleksi i burgut famëkeq të Dubravës në komunën e Istogut u zbraz nga katërqind e njëzet të burgosur shqiptarë, me qëllim që në këtë kompleks modern të përqendroheshin forca profesionale – elitë e ushtrisë dhe policisë serbe. Aty, në mënyrë profesionale, ishin përgatitur kurthe dhe strategji që me aeroplanë të tipave të vegjël luftarake dhe helikopterë të ndërmerreshin sulme të organizuara dhe të furishme ndaj vatrave të rezistencës në Rrafshin e Dukagjinit dhe në Drenicë, me synim shfarosjen e njësive të rezistencës dhe të vendbanimeve shqiptare.

Pra, të burgosurit politikë në burgun e Dubravës dhe burgjet e tjera serbe, me vendim të ministrisë dhe shërbimeve sekrete serbe, kinse “për shkaqe sigurie”, u dërguan nga burgjet e Kosovës për të vuajtur dënimet në burgjet e Serbisë. Ndër ta ishte edhe profesori Ukshin Hoti.

Organet sekrete shtetërore serbe morën vendim të prerë që të gjithë të burgosurit shqiptarë nga burgjet e Serbisë dhe të Vojvodinës të ktheheshin sërish në Kosovë, ku “siguria” do të ishte më e madhe, e sidomos në burgun famëkeq të Dubravës së Istogut. Ky kthim u bë në fillim të muajit prill të vitit 1999, me një qëllim: asgjësimin e tyre?!

Rasti i burgut famëkeq të Dubravës së Istogut është një ndër krimet më barbare, i cili ishte organizuar mirë dhe me qëllime të caktuara nga kreu shtetëror, ushtarak dhe policor, me qëllim likuidimin e të burgosurve shqiptarë dhe pengjeve të luftës. E tërë kjo kurthë e mirëorganizuar për të likuiduar dhe masakruar të burgosurit shqiptarë nuk mbahet mend në historinë e burgjeve ndërkombëtare. Kjo dëshmi e gjallë është rrugë e mirë për t’ia treguar botës së civilizuar dhe të gjithë atyre që janë të interesuar, pas dymbëdhjetë vjetësh, për të ndriçuar masakrën barbare në burgun famëkeq të Dubravës së Istogut, në mënyrë që të bëhet diçka për ndëshkimin e të gjithë kriminelëve ordinerë dhe udhëheqësve të tyre, të cilët kryen këtë dhe shumë krime të tjera të mirëkurdisura.

Andaj, është obligim njerëzor që kriminelët, pas njëzet e një vjetësh lirie, të zihen, të burgosen dhe të dërgohen aty ku e kanë vendin, ngase krimi barbar i kryer në kompleksin e burgut të Dubravës së Istogut është një përsëritje e ngjarjes tragjike të burgut famëkeq të Tivarit dhe të burgjeve të tjera që i kanë ndodhur shqiptarëve gjatë njëqind e tridhjetë e tri viteve të fundit.

Kompleksi modern i burgut të Dubravës, para dymbëdhjetë vjetësh, u shndërrua në një kazermë të rrezikshme ushtarako-policore dhe paramilitare serbe. Sipas shënimeve dhe fotografive që disponojmë, në kompleksin e burgut famëkeq të Dubravës u stacionuan forcat më të përgatitura ushtarako-policore dhe njësitë sekrete të armatës jugosllave, të cilat, qysh në ditët e para të vendosjes, në pjesën më të mirë të tokës së punuar të burgut ngritën pista moderne për aterimin e aeroplanëve dhe helikopterëve ushtarakë, të cilët çdo ditë bombardonin vatrat e rezistencës dhe fshatrat e Rrafshit të Dukagjinit dhe të regjionit të Drenicës, që ishin në shënjestër të tyre.

Burgu i Dubravës – kamp përqendrimi për të burgosurit shqiptarë

Të burgosurit shqiptarë, me të arritur nëpër burgjet serbe, kudo, nga gardianët dhe forcat paramilitare u priten me “mirëseardhje”, duke i rrahur me shufra gome, me shqelma dhe mjete të tjera të forta, të cilat nuk do t’i harrojnë kurrë. Skenari i mirë i përgatitur për kthimin e afro njëmijë të burgosurve shqiptarë nga burgjet serbe të Serbisë dhe Kosovës, me urdhrin e kriminelit Sllobodan Millosheviq, ministrit të Jurisprudencës të Republikës së Serbisë, Bogolub Jankoviq, drejtorit të burgut famëkeq të Dubravës, Aleksandër Rakoçeviq, të cilët në bashkëpunim të ngushtë me strukturat sekrete ushtarako-policore serbe, në kohën kur ushtria serbe ishte në valën dhe flakën e bombardimeve nga forcat e NATO-s, më se nëntëqind e nëntëdhjetë të burgosur shqiptarë filluan t’i kthejnë në Kosovë dhe të njëjtit t’i grumbullojnë në kompleksin e burgut famëkeq në Dubravë, i cili u bë një kamp i vërtetë përqendrimi, me një qëllim që, sipas skenarit të mirë të përgatitur, ishte paraparë të bëhej një masakër barbare për asgjësimin e djemve, burrave e intelektualëve më në zë në Kosovë, me në krye prof. Ukshin Hotin.

Në burgun famëkeq të Dubravës, në kohën kur filloi kthimi dhe grumbullimi i të burgosurve shqiptarë, shumica e tyre ishin të dënuar politikisht. Në këto momente kritike për shqiptarët, organet shtetërore të Serbisë nga burgjet serbe liruan shumë kriminelë ordinerë, të cilët erdhën me detyra speciale në burgun e Dubravës dhe në burgjet e tjera në Kosovë për të kryer maltretime të rënda fizike, për të vrarë, për të masakruar dhe, në fund, për t’i shfarosur të gjithë ata që janë shqiptarë?!

Masakra e Dubravës së Istogut ishte një përsëritje e krimeve të Tivarit

Të lidhur në pranga, të burgosurit shqiptarë, me të arritur në burgun famëkeq të Dubravës, i rreshtuan dy nga dy dhe i drejtuan e i vendosën në pavilionin "C", ku ishin pozicionuar shumica e gardianëve dhe paramilitarëve kriminelë ordinerë në pozicionet cik-cak, të cilët, pa një, pa dy, si bishat, i torturuan me shufra gome, të hekurta, shqelma dhe mjete të tjera të forta, duke "uruar mirëseardhjen" për të burgosurit shqiptarë, duke i keqtrajtuar deri në alivanosje?!...

Synimi i gardianëve dhe kriminelëve ordinerë, me aparate të rrymës, me shufra gome, shqelma dhe mjete të tjera të forta, ishte shkatërrimi i veshkave dhe organeve gjenitale të çdo të burgosuri shqiptar, dhe mu aty ishin goditjet më të shpeshta. Të gjitha këto presione, maltretime të rënda fizike dhe psikike, u bënë nën komandën e komandantit të burgut të Dubravës – Mikiç Vidiçit.

Pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi kompleksin e burgut të Dubravës, së pari furishëm u goditën lokalet e qëndrimit të gardianëve, të cilët, si zakonisht, para çdo bombardimi të forcave të NATO-s, u mundësuan kriminelëve serbë të largoheshin nga kompleksi i burgut e të strehoheshin...

Gjatë kohës së bombardimeve, të 990 të burgosurit shqiptarë që kishin mbetur në pavilionin "C" dhe pavijonet e tjera, me shufra të metalta dhe mjete të tjera të forta, i thyen dyert e burgut dhe dolën në fushën e kompleksit të burgut.

Më njëzet e një maj të vitit 1999, nga kompleksi i burgut të Dubravës, serbët, me armë të kalibrave të ndryshëm, provokonin aeroplanët e NATO-s, të cilët u detyruan që për të dytën herë mbi kompleksin e burgut të Dubravës të kryejnë bombardime të furishme, të cilat zgjatën gjatë tërë ditës, deri në mesnatë. Gjatë këtij sulmi, gjithashtu mbetën të vrarë e të plagosur shumë shqiptarë. Të tjerët, nga frika e më së keqes, tërë natën e kaluan në pjesën e jashtme të lokaleve të burgut.

Më njëzet e dy maj, komandanti i burgut – Aleksandër Rakoçeviç, të burgosurve shqiptarë, nëpërmjet altoparlantëve, u bëri thirrje që, për pesë minuta, të bëhen gati dhe të dalin në oborrin e kompleksit të burgut, ku për shkak të "sigurisë", do të largoheshim nga burgu i Dubravës dhe do të udhëtonim për në Nish dhe burgjet e tjera të Serbisë?!

Shumica e atyre që i shpëtuan masakrës makabre serbe të njëzet e dy majit të vitit 1999, të trazuar shpirtërisht pas fatit dhe ndihmës së Zotit që patën gjatë ikjes, arritën të strehohen në lokalet e kuzhinës, në bodrume, në kanale, në gropën septike dhe në skuta të tjera të burgut, me qëllim për të shpëtuar trupin dhe shpirtin. Pasi pushuan të shtënat e kriminelëve ordinerë, ne, të burgosurit tjerë që i shpëtuam vdekjes së sigurt, vrapuam në vendin ku ishte bërë masakra makabre për t’u ardhur në ndihmë shokëve të plagosur rëndë e lehtë, dhe me vështirësi të mëdha arritëm të bëjmë tërheqjen e disa të plagosurve. Gjatë tërheqjes na hetuan kriminelët ordinerë serbë, të cilët mbi ne, që shkuam në ndihmë, filluan të shtinin me pushkë snajper dhe armë të tjera. Në ato momente kritike për shpëtimtarët dhe të plagosurit, mbeti i vdekur shpëtimtari Nazmi Shala me disa shokë të tjerë.

Kriminelët ordinerë në burgun e Dubravës, kudo që hasën në shqiptarë, i lanë të vdekur

Një ditë pas masakrës barbare serbe më njëzet e tre maj, në orët e para të mëngjesit, kriminelët ordinerë serbë – shumica prej tyre të ardhur nga burgjet serbe për të masakruar shqiptarë në burgun e Dubravës dhe në Kosovë – të armatosur deri në dhëmbë me revole, thika të mprehta, bomba dhe maska në kokë, si bishat e tërbuara, hynë nëpër pavijonet e burgut, ku filluan të kositin shqiptarët si barin para kosës, kuptohet, ata që i shpëtuan masakrës në burgun e Dubravës.

Kriminelët ordinerë, nëpër kanalizime, gropën septike dhe skuta të tjera të burgut, ku ishin një numër bukur i mirë i të burgosurve, hodhën bomba dore, ku shumë të burgosur të strehuar mbetën të vdekur. Këta kriminelë ordinerë, nëpër korridore dhe vende të tjera, kudo që hasën në shqiptarë të burgosur, shtinë me revole në kokë dhe i lanë të vdekur.

Në spitalin e burgut, ku ishin dërguar pesëmbëdhjetë të plagosur rëndë për shërim, kriminelët ordinerë, si me të gjithë të burgosurit tjerë, edhe të plagosurit rëndë i qëlluan prapë me revole në kokë dhe të gjithë i lanë të vdekur para syve të personelit shëndetësor.

Më në fund, grupet paramilitare dhe gardianët ordinerë, me të arritur në lokalet e kuzhinës së burgut, ku ishin grumbulluar një pjesë e mirë e të burgosurve shqiptarë që kishin shpëtuar nga masakrat e mëparshme, pa kurrfarë paralajmërimi zbrazën rafale automatikësh, ku mbetën të vrarë dhe të plagosur rëndë e lehtë shumë të burgosur shqiptarë.

Autorët e kësaj masakre, që duken qartë në njëzet e gjashtë fotografitë e gazetarit tonë, të mirëorganizuar, e realizuan urdhrin e strukturave shtetërore në krye me Millosheviqin, Sheshelin, Arkanin dhe këlyshët e tyre në vrasjen dhe masakrimet barbare të shqiptarëve. Në fotografitë që po ua prezantojmë, shihet qartë se kriminelët ordinerë, me në krye zëvendëskomandantin Mikiç Vidiqin, me armë automatike të kalibrave të ndryshëm, me revole, me thika, me shufra gome e hekuri dhe mjete të tjera, po vrisnin dhe maltretonin rëndë fizikisht dhe psikikisht shqiptarë të pafajshëm, shumica të moshave të reja.

Pas këtyre masakrave barbare, që nuk i mban mend historia e burgjeve ndërkombëtare, ata që i shpëtuan plumbave të armëve të kriminelëve ordinerë serbë u kërkua, nëpërmjet megafonave, që të gjithë nga birucat dhe lokalet tjera të këtij burgu, brenda pesë minutave, të dalin në pistat e betonuar në oborrin e burgut dhe aty të rreshtohen, mu në vendin ku më parë, me metodat më barbare, u vranë dhe u masakruan kolegët e tyre të burgut. Edhe përkundër luhatjeve të mëdha, për të zbatuar urdhrin e kriminelëve dhe komandantëve të tyre, nga frika për më të keqen, pozitivisht iu përgjigjën këtyre thirrjeve dhe dolën e u rreshtuan në vendin e caktuar.

Afër të rreshtuarve shqiptarë, si herën e parë, kriminelët serbë ishin mirë të pozicionuar për gjuajtje. Kriminelët ordinerë në këto çaste komandoheshin nga një i burgosur kriminel serb, të cilin të gjithë e njihnin mirë, por emrin nuk ia dinim – na thanë të burgosurit e burgut famëkeq të Dubravës së Istogut. Pas rreshtimit për katër, na urdhëruan të shkojmë në drejtim të sallës së sporteve të vogla dhe, pasi na futën brenda, na urdhëruan të gjithëve të uleshim poshtë në parket. Madje, nga ne kërkuan që t’i bartnim të plagosurit dhe t’i sillnim në parketin e sallës sportive. Në këto momente të vështira për të gjithë ne, ku ishim të strehuar si pulat, na shanin nënën shqiptare dhe na kërcënonin se të gjithëve do të na prisnin kokat si pulave.

Në sallë, ku ishim të grumbulluar ne të burgosurit shqiptarë që Zoti dhe fati deshën t’i shpëtonim të gjitha këtyre masakrave, këto ditë në “vizitë” komandantit të burgut, Mikiç Vidiç, i erdhën tre inspektorë të sigurimit shtetëror dhe shumë gazetarë, të cilët filluan të incizonin objektet e dëmtuara nga bombardimet, të plagosurit dhe të vrarët, për çka e fajësuan NATO-n, ndërsa në realitet ishin vetë ata që i kryen të gjitha masakrat në fjalë.

Në fillim të javës së fundit të muajit maj të vitit 1999, me autobusë dhe kamionë, ata që i shpëtuan masakrës barbare në kompleksin e burgut famëkeq të Dubravës së Istogut, e në mesin e tyre edhe të plagosurit nga komuna e Istogut, u nisën në drejtim të burgut të dytë famëkeq të Lypjanit. Ndërkohë, të vrarët dhe të plagosurit u varrosën në një varr masiv në kodrën e fshatit Rakosh, me një qëllim: për t’ua humbur gjurmët – na thanë dëshmitarët e gjallë të burgut të Dubravës së Istogut dhe shumë burgjeve tjera në Kosovë dhe anë e kënd Serbisë.

Edhe në burgun e Lypjanit, ku qëndruam shtatëmbëdhjetë ditë, të burgosurit shqiptarë të gjitha moshave përjetuan torturat më të rënda fizike dhe psikike. Këtu mungonte buka, uji; në një birucë të burgut ishim të grumbulluar mbi tridhjetë veta. Shkurt, kushtet ku ishim të burgosur ndikuan rëndë në ruajtjen e shëndetit.

Të plagosurit rëndë në masakrat në burgun e Dubravës, të dërguar në burgun e Lypjanit, shumica prej tyre për shërim në Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës, në vend që të shëroheshin, pësuan maltretime të rënda fizike dhe psikike nga ana e personelit shëndetësor të spitalit, në mesin e të cilëve ka pasur raste kur të burgosurit shqiptarë edhe kanë vdekur.

Gjatë gjysmës së parë të muajit qershor, të burgosurit shqiptarë të burgosur nëpër burgjet e Serbisë përjetuan ditët më të vështira të jetës…

Është interesante të përmendim se mu ata që organizuan dhe bënë krimet më barbare në burgun e Dubravës së Istogut dhe burgjet tjera anë e kënd Kosovës, kur shkuan në birucat e burgjeve të Serbisë "demokratike", u shpërblyen me vende të larta udhëheqëse nëpër burgjet serbe. Sa për ilustrim, po përmendim se Aleksandër Rakoçeviqi, drejtor i burgut të Dubravës së Istogut, u emërua drejtor i burgut qendror famëkeq të Pozharevcit. Mbikëqyrësi i burgut të Dubravës, Branko Komatina, ishte përcjellësi i fundit i profesor Ukshin Hotit, i cili u lirua më gjashtëmbëdhjetë maj të vitit 1999. Ai është njeriu që di në detaje për fatin e profesorit — ku është dhe kah ka shkuar. Kush e ka marrë dhe ku gjenden varri dhe eshtrat e tij?...

Pra, Branko Komatina është njeriu i vetëm që di për fatin e profesor Ukshin Hotit. Bashkëbiseduesit e mi të gjallë të burgjeve të Dubravës, Lypjanit dhe birucave të burgjeve tjera serbe anë e kënd Serbisë — nga biseda e gjatë dhe mjaft interesante që zhvilluam këto ditë me ta — na njoftuan se kurthet mirë të kurdisura në burgjet famëkeqe në Dubravë dhe Lypjan nga strukturat më të larta shtetërore të Serbisë morën jetën e shumë të burgosurve shqiptarë, të cilët barbarisht u vranë, u masakruan dhe u varrosën në një varrezë masive për t’u humbur gjurmët.

Mirëpo, me kthimin e shqiptarëve nga Shqipëria dhe vendet tjera nga Evropa e deri te Amerika e largët, u zbuluan varret masive, ku, pas identifikimit, shumë viktima i morën të afërmit dhe familjet e tyre. Nga varret masive, gjatë procesit të ekzaminimit të viktimave dhe tërheqjes së trupave, janë bërë shumë gabime, ku në vend që të bëhej tërheqja e trupave të anëtarëve të familjes së tyre, gabimisht janë tërhequr trupat e pajetë të familjeve të tjera?!

Duke u bazuar në faktet që i ofrojnë dëshmitarët e gjallë të masakrës dhe dëshmive të tjera autentike e origjinale, fotografive dhe shumë fakteve të tjera të gjalla në këto momente, na rrëfyen bashkëbiseduesit e mi se edhe pas dymbëdhjetë vjetëve është e nevojshme të punohet më shumë për ndjekjen e vazhdueshme të kriminelëve serbë dhe identifikimin e krimeve të cilat janë kryer me metoda më barbare në burgun famëkeq të Dubravës së Istogut dhe mjediset tjera anë e kënd Kosovës.

Pra, ne shqiptarët e Kosovës sot kemi nevojë për ngritjen e një institucioni të ngjashëm me atë të Vizentalit, i cili do të punonte për grumbullimin sa më të madh të argumenteve të gjalla për ndjekjen e kriminelëve të cilët edhe pas dymbëdhjetë vjetëve i kanë duart e zhytura deri në bërryla me gjak shqiptari. Dhe të njëjtit, për befasi të gjithë neve, organeve të ndjekjes dhe të bashkësisë ndërkombëtare, lirshëm po bredhin rrugëve të qyteteve dhe fshatrave anë e kënd Kosovës dhe Serbisë — e në mesin e tyre edhe Mlladiqi, i cili u kap këto ditë, dhe shumë mlladiqë të tjerë të cilët janë në Serbinë “demokratike” e madje dhe në Kosovë?!

Andaj, për krimet e bëra për të cilat flasin dëshmitë, mirë dihen emrat dhe mbiemrat. Edhe pas dymbëdhjetë vjetëve, kërkohet burgosja e tyre dhe dërgimi në gjyqe dhe burgje, sepse këtë e meritojnë.

Duke u bazuar në këto dhe shumë fakte të tjera, kërkohet nga delegatët dhe strukturat udhëheqëse të Parlamentit, Qeveria e Kosovës, gjykatat, që të punojnë më shumë që në çdo mjedis të ngrihen aktpadi penale duke filluar nga maltretimet fizike, psikike, vrasjet, masakrimet, djegiet, dhunimet, plaçkitjet dhe shumë barbarizma të tjera që i bënë mbi trojet tona barbarët kriminelë serbë, duke filluar që nga periudha e Kongresit të Berlinit të vitit 1878 e deri në ditët e sotme...

Për kryerjen e të gjitha këtyre punëve, më në fund, pas dymbëdhjetë vjetëve kërkohet që në Kosovë të formohet Instituti për ndjekjen e kriminelëve, në mënyrë që publikisht më në fund të dihet se kush janë ata që kanë duart e zhytura me gjak, e kush janë ata që nuk janë masakrues.

Kjo, pas dymbëdhjetë vjetëve, do të na mundësonte dhe lehtësonte të gjithë neve në Kosovë për të ditur më në fund se kush ka të drejtë të kthehet në Kosovë dhe kush nuk ka të drejtë, në mënyrë që të mos na ndodhë që në organet shtetërore e deri te ato komunale të hyjnë njerëzit që i kanë duart e përlyera me gjakun e shqiptarëve të pafajshëm...

Është befasi se si mu ata që është dashur të punojnë dymbëdhjetë vite radhazi për ndriçimin e masakrës më barbare në burgun e Dubravës në Kosovë, e anashkaluan me qëllim masakrën më famëkeqe në kompleksin e burgut të Dubravës së Istogut — për çka, për fat të mirë, ka shumë dëshmitarë dhe dëshmi të gjalla. Por...

Dëshmitarë në procesin e gjykimit të grupit të 145 gjakovarëve ishin punëtorë të sigurimit shtetëror serb

Prof. dr. Qamil Haxhibeqiri rrjedh nga një familje e vjetër gjakovare. I ati, Qamil Haxhibeqiri, i takon brezit të parë të Shkollës Normale të Gjakovës. Gjyshi, Beqir Haxhibeqiri, ishte simpatizues i Lëvizjes përparimtare kombëtare, anëtar i Këshillit Nacional Çlirimtar të Gjakovës me rrethinë. Profesori Qamil shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Gjakovë, kurse studimet e matematikës, magjistraturën dhe doktoraturën i përfundoi në Universitetin e Zagrebit – drejtimi i topologjisë.

“Gëzimi i ne gjakovarëve për fillimin e bombardimeve – na tha në fillim të bisedës tonë prof. dr. Qamil Haxhibeqiri – nuk zgjati shumë. Në orët e para pas mesnatës, flaka përfshiu Çarshinë e Madhe në Gjakovën kreshnike. Në mëngjesin e së nesërmes mësuam për djegien e Qershisë monumentale të Gjakovës dhe për viktimat e para nga territori serb, i cili vazhdoi të ‘trashet’ ditëve në vijim. Mbetëm të mbyllur nëpër shtëpitë tona. Jetonim në ankth të papërshkrueshëm, duke pritur ‘radhën’ se kur do të bëheshim ‘pre’ e forcave paramilitare të Arkanit, Sheshelit dhe Millosheviçit, të cilat bënin kërdi në të gjitha lagjet e qytetit dhe rrethinës së komunës së Gjakovës...

Avionët e NATO-s bombarduan forcat ushtarake e paraushtarake të stacionuara në Kodrën e Çabratit, rrëzë së cilës shtrihet lagjja jonë. Nuk vonoi shumë dhe forcat ushtarake serbe, të çorientuara nga bombardimet, ‘zbresin’ në lagjen e Çabratit dhe strehohen nëpër shtëpitë e qytetarëve shqiptarë.

Thika ime i pret lehtë dhe shpejt kokat e shqiptarëve?!...

Më dhjetë maj të vitit 1999, në orën tetë të mëngjesit, në lagjen tonë dëgjohen rrapëllima dhe thyerje të dyerve të oborreve të shtëpive tona. Pas lajmërimeve tona, paramilitarët na urdhëruan nën kërcënimin e armëve dhe fyerjeve të rënda që brenda pesë minutave ta lëshojmë shtëpinë dhe lagjen ku banojmë dhe jetojmë.

“E keni kërkuar NATO-n”, na thanë, “ata do t’ju vrasin të gjithëve.”

“Nëse shpëtoni të gjallë, këtu nuk keni vend. Ikni sa më parë në Shqipëri, atje është nëna juaj, vendi juaj. Këtu është nëna Serbi!”

Largohuni brenda pesë minutave nga shtëpia me fëmijët dhe plakën shtatëdhjetë e pesëvjeçare, pothuajse të palëvizshme. E njëjta gjë u ndodhi edhe fqinjëve tanë – na rrëfeu prof. dr. Qamili.

Në qendër të qytetit ndalohen shumë të rinj si Edmond Dukagjini, Bekim Hagjibeqiri, Agron e Afrim Hagjiavdyli, Arben Gexha e shumë të tjerë, për fatin e të cilëve edhe sot e kësaj dite nuk dihet asgjë.

Në qendër të qytetit na ndanë nga gratë dhe fëmijët dhe me autobus na dërguan në një punëtori afër bodrumit të verës në Gjakovë, ku gjatë tri ditëve i grumbulluan mbi treqind meshkuj të të gjitha moshave dhe strukturave kualifikuese të qytetit të Gjakovës.

Një paramilitar i dehur serb me pseudonimin “Bajo”, në ato momente kritike dhe të vështira për të gjithë ne qytetarët gjakovarë që ishim aty, me thikë në njërën dorë dhe pistoletë në dorën tjetër, barbarisht na maltretonte rëndë psikikisht e fizikisht. Ai na thoshte: “Thika ime i pret lehtë dhe shpejt kokat e shqiptarëve?!...”

Pas gjashtë ditësh ndalese – na rrëfeu në vazhdim profesor dr. Qamili – nga punëtorët e sigurimit shtetëror serb, të uritur, të rraskapitur, tri herë na është dhënë nga një e katërta e bukës, dhe në të njëjtën kohë, nën kërcënimin e armëve, na detyruan të nënshkruajmë vendimet policore që na ngarkonin për veprimtari terroriste.

Pas kësaj, të bartur me një kamion për bartjen e kafshëve dhe një autobus, na dërguan në qytetin e Pejës, ku ashpër na kërcënuan qytetarët serbë nga Peja. Pasi në burgun e Pejës nuk kishte vend, na vendosën në bodrumin e firmës “Banana”, në afërsi të stacionit të autobusëve në Pejë, ku na mbajtën dy ditë e dy net nën kërcënime, sharje dhe maltretime të rënda fizike e psikike.

Maltretimet shtazarake: njeriu ishte më i fortë se guri

Pas dy ditësh na bartën në burgun e Dubravës, ku kordoni i gardianëve na priti me goditje të rënda me shufra gome, druri dhe metali, si dhe të shqelmuar e të grushtuar na përcollën në pavijonin e pranimit. Më nëntëmbëdhjetë maj, pas hetuesisë, aeroplanët e NATO-s e bombarduan pavijonin C, çka për ne të burgosurit shqiptarë ishte shpëtim nga maltretimet shtazarake të hetuesve të sigurimit serb. Me këtë rast mbetën të vdekur tre të burgosur shqiptarë.

Ditën e premte, më njëzet e një maj të vitit 1999, nga orët e paradites, pandërprerë deri në orët e vona të pasdites, avionët e NATO-s bombarduan burgun famëkeq të Dubravës, ku shumica e bombave ranë në afërsi të pavijonit të pranimit, ku ishim ne shqiptarët të mbyllur prapa grilave të hekurta. Në këto momente, pas ikjes së gardianëve, të burgosurit e vjetër i thyen dyert e pavijonit dhe u bashkuam me të burgosurit e tjerë në oborrin e burgut. Predhat dhe bombat binin kudo afër nesh, e bashkë me to edhe viktimat e pafajshme shqiptare. Secili në ato momente kritike mundohej ta mbrojë veten, ta ndihmojë shokun. Sheh njerëz pa një dorë, pa njërën këmbë. Aty diku shtrihet një trup pa kokë, pak më larg koka e shkëputur dhe trutë e dala jashtë, e shumë skena rrëqethëse të cilat nuk i duronte syri i njeriut. Rënkimet e të plagosurve përziheshin me ulërimat e aeroplanëve, ku si pasojë e bombardimeve mbetën të vdekur nëntëmbëdhjetë veta, e shumë të tjerë u plagosën. Disa vdiqën nga pamundësia e ofrimit të ndihmës mjekësore, nga gjakderdhja e madhe, ndonëse nuk munguan përpjekjet e mëdha të burgosurve shqiptarë. Nga grupi gjakovar – na rrëfeu prof. dr. Qamili – mbetën të vdekur Sadik Kastrati, Hasan Hoda, Tomë Maksuti, Blerim Hoda e Bahri Kryeziu.

Forcave paramilitare serbe, kundër të burgosurve shqiptarë, iu bashkuan edhe të burgosurit ordinerë serbë të rekrutuar nga autoritetet udhëheqëse të burgut. Ky sulm bizar zgjati një orë, kur ranë shumë viktima të reja si Ilir Damonga, Myhedin Guta e shumë të tjerë. Më njëzet e pesë maj të vitit 1999, në orët e para të mëngjesit, me autobus të vjedhur nga populli, na shpërngulën për në burgun e Lypjanit, ku gardianët na dëshironin “mirëseardhje” përmes goditjeve të pakursyera me shkopinj gome, druri, shufra metalike, si dhe fyerje dhe sharje në baza nacionale.

Në ferrin e Lypjanit qëndruam shtatëmbëdhjetë ditë me nga pak ushqim, ku kishim dyqind gramë bukë bajate dhe të mykura, një decilitër lëng të përzier me disa pika yndyre, për çdo pesë veta katër litra ujë të papastër, të cilit i kundërmonte era e ndryshkut të gypave. Kur gjithë kësaj i shtohet edhe vapa e qershorit, numri i tridhjetë deri në dyzet vetave në një dhomë prej gjashtëmbëdhjetë metrash katrorë, fjetja në dyshemenë e thatë, kuptohet se çfarë mund të ishte gjendja shëndetësore e ne të burgosurve – na rrëfeu prof. dr. Qamil Hagjibeqiri. Ditën e mërkurë, rreth orës njëzet e tre, na zgjuan nga gjumi. Na grumbulluan nga pesëdhjetë veta dhe na lidhën duart me zinxhir nga pas. Jashtë dëgjoheshin krisma armësh. Kështu e kaluam pjesën e mbetur të natës në ankth të papërshkrueshëm, duke mos ditur se çfarë po ndodhte me ne. Më dhjetë qershor, në orët e pasdites, me autobus të “Nishi Ekspresit” na bartën për në burgjet famëkeqe të Serbisë, ku një pjesë na vendosën në burgun e Nishit, ndërsa pjesën tjetër na dërguan për në burgjet famëkeqe në Pozharevc dhe Mitrovicë të Sremit.

Të burgosurit gjakovar ishin fajtorë sepse ishin shqiptarë dhe qytetarë të Gjakovës

Njëqind e dyzet persona të burgosur nga Gjakova, duke filluar që nga muaji prill dhe maj, për gjykatën e Nishit u përcollëm nga forcat e mëdha policore, ku në hyrje të gjykatës i "pritën" turma njerëzish, të cilët nëpërmjet shtypit ishin njoftuar për fillimin e gjykimit të grupit "terrorist" nga Gjakova. Të përcjellë me kërcënime dhe fyerje nga qytetarë të ndërsyer dhe të lidhur, hymë në gjykatë. Aty na i lexuan aktakuzat, të cilat ishin një montim i pashije dhe i paqëlluar, ashtu si të gjitha akuzat që bëheshin aso kohe ndaj shqiptarëve.

"Ne, të burgosurit gjakovarë – na rrëfeu prof. dr. Qamili – ishim fajtorë sepse ishim shqiptarë dhe banorë të qytetit të Gjakovës, ku kishin ndodhur vrasje dhe plagosje të shumta të forcave policore dhe paramilitare serbe, për të cilat akuzoheshin shqiptarët."

Se çfarë ishte gjykimi, tregon edhe fakti se dëshmitarë në këtë proces të montuar ishin punëtorët e sigurimit shtetëror serb: Nebojsha Avramoviç, Veselin Veshoviç, Milutin Vishnjiç, Rade Vlahoviç, Dushan Dragoviç, Daniello Zeqeviç, Predrag Gavriç, Radovan Nikoliç, Sllobodan Kovaç – të gjithë kriminelë që kishin dorë në vrasjet, masakrat dhe djegiet masive që bënë me duart e tyre në qytetin e Gjakovës dhe rrethinë gjatë ditëve më të tmerrshme të luftës. Kryetar i trupit gjykues ishte gjykatësi famëkeq Goran Petronijoviç, njëri nga ata që për "krime lufte" "dënuan" presidentin Bill Klinton, kryeministrin Toni Bler, Havier Solanën, Medlin Olbrajtin, Iber Vedrinin, e të tjerë.

Gjykimi përfundoi me dënime drakonike: të njëqind e dyzet e pesë gjakovarët u dënuan jo më pak se një mijë e gjashtëqind e tridhjetë e dy vjet heqje lirie.

Të hënën, më gjashtë nëntor të vitit 2000, në orët e mbrëmjes, filloi rebelimi i furishëm i të burgosurve serbë, të cilët në pavijonet A dhe B prishën qetësinë e mbrëmjes. Nuk vonoi shumë dhe filloi thyerja e grilave në katin përdhes të pavijonit C. Në momentet më të duhura, në dy katet ku ishin të vendosur të burgosurit shqiptarë, gardianët u zhdukën pa gjurmë.

"Prej këtij momenti – na rrëfeu në vazhdim prof. dr. Qamil Haxhibeqiri – ne, të burgosurit shqiptarë, në këto momente kritike ndodheshim në 'mëshirën' e të burgosurve ordinerë serbë. Atëherë filloi demolimi i lokaleve, thyerja e instalimeve incizuese, kallja e qendrës arsimore të burgut. Nëpër çatitë e të gjitha pavijoneve – serbë. Kështu, edhe një herë, u përballshim me jetën apo vdekjen..."

Gëzimi pas lirimit nuk kishte kufij…

Ne – trembëdhjetë vajzat dhe gratë shqiptare – tmerrin që e përjetuan në burgjet serbe në Serbi nuk do ta harrojmë kurrë...

Afërdita Zekaj, e lindur në fshatin Jabllanicë e Madhe në komunën e Pejës, ishte një ndër shumë veprimtare që kontribuoi me rezistencë aktive kundër pushtetit dhe forcave të armikut shekullor. Ata që e njohin mirë Afërdita Zekajn, kanë shumëçka për të rrëfyer për trimërinë e kësaj vajze të re, e cila kurrë nuk diti të frikësohej nga inspektorët e sigurimit shtetëror serb. Kjo e re e palodhshme, ditë e natë, me shokët e rezistencës, nuk pushonte së vepruari në anë të ndryshme të komunës së Pejës dhe të Rrafshit të Dukagjinit, vetëm e vetëm për t’i dalë në ndihmë popullit dhe kolegëve të rezistencës shqiptare.

Nga kjo shihet qartë se kjo aktiviste, deri në momentin e burgosjes nga inspektorët e sigurimit shtetëror të Serbisë, me sukses e mbuloi çdo pëllëmbë në veprimtarinë e saj. Për Afërdita Zekajn, tri data janë të paharrueshme: burgosja më 8 dhjetor të vitit 1998, vrasja dhe masakrimi i babait në kohën kur ajo ishte prapa grilave të burgjeve serbe në Serbi dhe 13 marsi i vitit 2001, kur mori lajmin për lirimin nga burgu famëkeq i Pozharevcit dhe kthimin në Kosovë.

Afërdita, si aktiviste qysh në bankat e Shkollës së Mesme të Artit në Pejë dhe si studente e Shkollës së Lartë Komerciale, ra në sy të inspektorëve të sigurimit shtetëror të Serbisë.

Kjo e re, si aktiviste dhe trimëreshë e pathyeshme, në momentet më të vështira, pa iu trembur syri, ia ngarkoi vetes për detyrë që në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë të vendoste të vizitonte dhe të lironte shokun e plagosur Naim Lushin, shokun e luftës dhe të rezistencës. Me të ofruar te objekti i Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, i ranë në sy dy patrullave të policisë serbe. Njëra ishte pozicionuar te dera kryesore në hyrje të spitalit dhe tjetra te dera e dhomës ku ishte i shtrirë shoku i luftës – i plagosuri Naim Lushi. Trimëresha Afërdita Zekaj ia arriti qëllimit të mbërrinte deri te dhoma dhe shtrati ku ishte shtrirë kolegu i rezistencës Naim Lushaj.

Pas tri ditësh, një grup shokësh, në krye me Afërdita Zekajn, përgatitën aksionin për tërheqjen e shokut të tyre të plagosur Naim Lushaj, por në hapat e parë hasën në një rezistencë të forcave policore dhe paramilitare serbe. Në këtë aksion u vra dëshmorja Myrvete Maksutaj nga fshati Orrobërd i komunës së Istogut.

"Pas shumë aksioneve – na rrëfeu Afërdita Zekaj – më 8 dhjetor të vitit 1998, në dyqanin ku isha duke punuar, pa pritur erdhën dy inspektorë të sigurimit shtetëror të Serbisë, të cilëve mjaft u kishte ndihmuar paramilitari, 'fqiu' ynë malazez, të cilët, pas një përshëndetjeje të shkurtër, kërkuan nga unë që ta mbyllja dyqanin dhe të shkoja me ta deri në Sekretariatin e Punëve të Brendshme në Pejë për të dhënë një 'deklaratë'...”

Në zyrën e sigurimit shtetëror më mbajtën pesë ditë. Aty më akuzonin për rastin e ndodhur në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë dhe për shumë raste të tjera...

Gjatë marrjes në pyetje, kriminelët serbë kërkonin nga unë t’i informoja se ku gjendeshin pjesëtarët e rezistencës dhe kush ishin udhëheqësit e tyre, por, për fat të keq për ta, nga unë nuk arritën të dinin asgjë. Për pesë ditë kam ngrënë tri herë, gjumin e kam bërë në këmbë dhe e ulur cucë, e lidhur me pranga për radiator, si shumë shokë e shoqe të tjera. Gjatë marrjes në pyetje, inspektori Dragan Millosheviqi, ndër të tjera, më tha: “Kur të lirohesh nga burgu, nuk do ta gjesh babain gjallë” – dhe ashtu më doli...

Nga burgu i Pejës, si e akuzuar për terrorizëm në bazë të nenit 136, më 12 dhjetor të vitit 1998 më transferuan në burgun famëkeq të Lypjanit, ku më vendosën në një birucë me Zahrije Podrimçakun, e cila më ndihmoi shumë që t’i përballoja ditët më të vështira të jetës sime. Edhe në burgun e Lypjanit, torturat dhe barbaritë mbi ne të burgosurit filluan të ashpërsoheshin, sidomos me fillimin e bombardimeve nga forcat e NATO-s.

Gjatë kësaj kohe, përveç maltretimeve të rënda fizike e psikike, na linin pa ushqim dhe ajo kafshatë buke që na ofronin ishte tejet bajate dhe e mykur. Kurrë nuk më largohet nga mendja – na rrëfeu më tej Afërdita Zekaj – momenti i transferimit të të burgosurve shqiptarë nga burgu i Dubravës në burgun e Lypjanit, mbi të cilët, me mjete dhe metoda më barbare, janë rrahur si shtazë shumë të rinj dhe burra me shufra gome, metalike, litarë dhe mjete të tjera të forta – zëri i dhembshëm i të cilëve e shponte tokën dhe qiellin…

Nga trojet tona stërgjyshore në drejtim të Serbisë u larguam me lot në sy…

Në pavijonin ku ishim ne femrat, nga gardianet: Nadica Boshkoviq, Sllagjana Arsiq (Pipi), Bojana Stoliq (Bila), Suzana, Adriana, Milijana, Danica dhe Marina – nga Botusha, Lypjani, Graçanica dhe Prishtina – nuk shpëtuam lehtë. Në burgun famëkeq të Lypjanit, për “terrorizëm”, nga femrat shqiptare të Kosovës ishim: Flora Brovina, Zahrije Podrimçaku, Shahe Isufi, Sadije Rexhepi, Igballe Xhafa e shumë të tjera.

Në burgun e Lypjanit, më dhjetë qershor të vitit 1999, me duar të lidhura me litar, duke na rrahur dhe sharë nënën shqiptare, me dhunë shtazarake na hipën në autobus dhe na transferuan për në burgjet serbe në Serbi.

Të tmerruara dhe me lot në sy e kaluam kufirin Kosovë–Serbi, me bindjen se kurrë nuk do t’i shohim më trojet tona stërgjyshore, e as nuk do të ktheheshim ndonjëherë. Deri në burgun e Nishit na dërguan me autobus, kurse atje na bashkuan në një tjetër autobus që i transferonin për në burgjet tjera të Serbisë. Aty kishte edhe të plagosur – na rrëfeu në vazhdim të bisedës sonë e trishtuara Afërdita Zekaj – të cilëve nuk u jepnin asnjë pikë ujë për të pirë. Në vend të ujit dhe bukës, na jepnin shufra gome.

Të gjithë ishim të uritur, të etur, të maltretuar. Dyzet e tetë orë na trajtuan si kafshë, pa na dhënë asnjë kafshatë buke.

Natën e parë – na rrëfeu më tej Afërdita Zekaj – na vendosën në burgun e femrave në Pozharevc, ku ishim trembëdhjetë femra të burgosura shqiptare dhe një serbe, e cila e kishte vrarë një shqiptar në Ferizaj. Të nesërmen na transferuan në burgun hetimor në Pozharevc. Aty, ne tetë vajzat shqiptare dhe një serbe qëndruam tetë muaj e gjysmë, dhe më pas na kthyen në burgun ku na kishin vendosur natën e parë.

Kur përsëri me këmbët e mia shkela në tokën e Kosovës, mu duk se linda për së dyti

Më katërmbëdhjetë korrik të vitit 1999, për herë të parë në vizitë në burgun e Pozharevcit, na erdhën përfaqësuesit e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, të cilët, pas bisedave të gjata, bënë edhe evidentimin e vajzave dhe grave shqiptare. Në fillim të muajit shtator, gjithashtu në burgun e Pozharevcit – na rrëfeu Afërdita Zekaj – na vizitoi avokati Ibish Hoti, i cili përpos të tjerash më informoi për vrasjen dhe masakrimin e babait tim nga forcat serbe, për çka më herët më patën paralajmëruar inspektori i sigurimit shtetëror Dragan Millosheviqi. Është interesante të përmend se në burgun famëkeq të Pejës, Lipjanit dhe atë të Pozharevcit, si e burgosur shqiptare, jam mbajtur pa asnjë dokument për paraburgim?!

Dita më e lumtur për mua ishte dhe do të mbetet dita e dytë e nëntorit të vitit 2000, kur për herë të parë pas burgosjes u përqafova me nënën time në lokalet e burgut në Pozharevc, ku u informova për gjendjen e familjes sime të ngushtë dhe situatën në Kosovë. Pa vonuar shumë, më thirri mbikëqyrësi i burgut të Pozharevcit, i cili gjatë një bisede më lajmëroi se isha liruar nga burgu dhe kisha tridhjetë minuta kohë për t’u përgatitur. Ky ishte momenti më i gëzueshëm, i dyti me radhë në jetën time.

Në këto momente gëzimi, dëshira ime ishte që sa më shpejt të largohem nga oborri i burgut famëkeq të Pozharevcit dhe Serbisë, sepse bashkë me shoqet e mia u frikësoheshim kidnapimeve nga të burgosurit rebelë serbë, por deshi Zoti dhe dola pa therë në këmbë.

Atë natë fjeta në lokalet e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar në Beograd, ku ishte edhe një shqiptar. Të nesërmen, me gjashtë shqiptarë të burgosur e të tjerë të liruar, në mesin e tyre edhe Riza Xhakli, u nisëm për Kosovë. Kur me këmbët e mia shkela në tokën e Kosovës nënë, mu duk se linda për së dyti – na tha në fund të rrëfimit të saj trimëresha, nacionalistja, shpëtimtarja dhe pjesëmarrësja e shumë aksioneve të suksesshme kundër pushtetit dhe pushtuesit shekullor serb dhe klisheve të tyre.

Për të gjitha ato që i bëre për trojet tona stërgjyshore dhe qytetarët e saj, të lumtë Afërdita Zekaj – si vajzë shqiptare mburru me emrin që e mban.

Ne të burgosurit shqiptarë kemi mjaft dëshmi për kriminelët serbë që sot lirshëm bredhin në Serbi dhe Kosovë

Nga mesi i muajit shtator të vitit 1998, meqë e kisha babanë shumë të sëmurë, pa dëshirën time, u desh që të udhëtoja për në Pejë për të siguruar një vend në spitalin e përgjithshëm për babanë. Policia më ndaloi, më burgosi dhe pastaj kalova nëpër të gjitha torturat më të egra nëpër burgjet serbe në Pejë, Dubravë të Istogut, Lipjan, Mitrovicë të Sremit dhe në fund në Beograd.

Njeriu është më i fortë se guri dhe, pa thënë Zoti, askush shpirtin nuk mund ta marrë – na rrëfeu Kamer Buqolli nga fshati Raushiq i komunës së Pejës, i burgosur politik. Në një bisedë të gjatë dhe mjaft interesante, me një trishtim të madh, na rrëfeu për torturat që i përjetoi nëpër birucat e burgjeve serbe nga policia, forcat paramilitare dhe kriminelët ordinerë serbë.

Aty kah mesi i muajit shtator të vitit 1998, meqë e kisha babanë të sëmurë, pa dëshirën e tij, u desh që të udhëtoja për në Pejë për të siguruar një vend në Spitalin e Përgjithshëm për shtrirjen e tij. Për fat të keq, me të arritur në qytetin e Pejës, më ndaloi një polic i komunikacionit. Fatkeqësisht, në atë moment kritik, njëri prej tyre më njohu mirë dhe, me kërcënimin e tytave të automatikëve, të cilët m’i vunë në trup, më lidhën me pranga dhe, duke më maltretuar rëndë fizikisht dhe psikikisht, më dërguan në stacionin e policisë dhe në organet shtetërore të sigurimit, ku më njoftuan me përmbajtjen e fletë-arrestit, e cila ishte lëshuar para shumë ditësh për burgosjen time.

Para se të më merrnin në pyetje, inspektorët e sigurimit shtetëror më ofruan si kusht për lirim nga arresti të dilja para kamerave televizive dhe të UÇK-në ta pagëzoja si organizatë terroriste. Në atë moment, siç na rrëfeu Kamer Buqolli, e ndjeva veten shumë të fyer dhe u thashë: "Më parë e pranoj vdekjen sesa të deklarohem para kamerave televizive për një gjë të tillë."

Pas shkëmbimit të fjalëve të ashpra me ta, më lidhën me pranga për radiatorin dhe me metoda më të rënda fizike dhe psikike më rrahën deri në alivanosje. Këto tortura shtazarake vazhduan tërë natën deri të nesërmen në orën katërmbëdhjetë, kur më dërguan në burgun famëkeq të Pejës.

Gardianët shqiptarë për të burgosurit shqiptarë ishin heronj të vërtetë

Në burgun famëkeq në Pejë dhe qelitë e tij trishtuese, të përgjakura me gjakun e të burgosurve shqiptarë, në momentet më të vështira, gardianët shqiptarë dhe personeli tjetër ishin heronj të gjallë për ne shqiptarët. Ata treguan kujdes të jashtëzakonshëm dhe, në momentet më të rënda, na mbanin gjallë moralisht, duke na thënë: “Mos u ligështoni, ne do të fitojmë, fitorja është afër”.

Kur jemi këtu, duhet veçuar teknikun shëndetësor Bujar Agusholli, i cili për të burgosurit e pafajshëm shqiptarë shpesh e rrezikoi vetveten.

“Në burgun e Pejës, – na rrëfeu në vazhdim të bisedës Kamer Buqolli, – inspektorët shtetërorë në orët e vona të mbrëmjes na merrnin nga birucat e burgut dhe na dërgonin në zyrat e tyre. Aty, një nga një na merrnin në pyetje dhe na maltretonin rëndë, fizikisht e psikikisht. Në të gjitha lokalet e këtij burgu dëgjoheshin zërat trishtues nga rrahjet e rënda me shufra gome, me shqelma, me grushta dhe mjete të tjera. Britma e të rrahurit shqiptar e shponte tokën dhe qiellin.

Fati deshi që, pas dy javësh qëndrimi në burgun e Pejës, mbi njëqind të burgosur të pafajshëm shqiptarë nga komunat e Pejës, Klinës, Deçanit, Gjakovës dhe vendeve të tjera, na dërguan në burgun famëkeq të Lypjanit.

Pas dy muajsh, nga Lypjani me autobusë e mjete të tjera na transportuan në burgun famëkeq në Dubravë të Istogut. Bashkë me ne, në Dubravë u grumbulluan mbi një mijë të burgosur shqiptarë nga burgjet e Kosovës dhe të Serbisë me një qëllim: për të na vrarë dhe masakruar.

Çdo bombardim i aeroplanëve luftarakë të NATO-s ishte shpresë e madhe për ne, sepse shumica prej nesh e dinim se, më në fund, Kosova – edhe pa ndihmën tonë si të burgosur shqiptarë që ishim prapa grilave – do ta fitonte lirinë dhe në fund do të çlirohej nga thundrat pushtuese serbe.

Pas goditjeve të rënda mbi zyrat e gardianëve ordinerë dhe pjesë të ndërtesave të burgut të Dubravës, më nëntëmbëdhjetë dhe njëzet e një maj, forcat paramilitare të zgjedhura pikë për pikë për kryerjen e krimeve, si bisha të tërbuara silleshin rreth mureve të burgut dhe, nën komandën e eprorëve të tyre, ishin mirë të përgatitura për të kryer një masakër barbare mbi ne të burgosurit shqiptarë që ndodheshim në qelitë e burgut të Dubravës.

Më njëzet e dy maj të vitit 1999, mbi ne të burgosurit shqiptarë të rreshtuar në oborrin e burgut, nga objekti i karakollit dhe vende të tjera të burgut ku ishin të pozicionuara forcat serbe, filloi të vjellët zjarri mbi ne. Në këto momente të vështira, në vend mbetën të vdekur njëqind e gjashtëdhjetë dhe mbi dyqind të plagosur.

Pjesa tjetër që i shpëtoi kësaj masakre barbare, për të shpëtuar shpirtin dhe trupin, ikën dhe u strehuan në bodrumin e kuzhinës dhe në vende të tjera. Një pjesë e të plagosurve arriti të hynte nëpër tunele dhe kanalizime, por nga forcat policore dhe paramilitare u vranë dhe u masakruan në mënyrën më barbare me bomba dore dhe armë të tjera. Gjithashtu, në dhomat e ambulancës shëndetësore të burgut, ku ndodheshin të plagosur, të gjithë u vranë me revole nga afërsia, në kokë.

Po ashtu, më njëzet e tre maj, në orët e para të mëngjesit, bandat e informuara me maska në kokë, si bishat e egra të uritura për gjak shqiptari, në dhomat për ngrohje të ujit dhe në dhomat e ambulancës, me bomba dore dhe revole për së afërmi, në mënyrën më barbare, vranë dhe masakruan tridhjetë të burgosur shqiptarë.

Ishin këto momente të vështira për ne që i shpëtuam masakrës së mëparshme. Kur unë, bashkë me një grup të madh shokësh, ishim të fshehur në bodrumin e kuzhinës, pas një kohe të shkurtër na hetuan kriminelët, të cilët na u drejtuan me thirrje që të dilnim jashtë. Në thirrjen e parë, nga frika se do të na kositnin të gjithëve si barin para kosës, nuk iu përgjigjëm thirrjeve të tyre. Nuk vonoi shumë dhe kriminelët, nga dritaret e birucave të burgut, filluan të hidhnin brenda bomba dore, të cilat, nga frika e eksplodimit, na detyruan ta shpëtonim shpirtin duke dalë jashtë.

Pas gjashtëmbëdhjetë ditësh vuajtjeje që as guri nuk mund t’u përballonte, më nëntë qershor të vitit 1999, në orët e vona të mbrëmjes, na lidhën në pranga si kafshë, nga pesëdhjetë veta, dhe na grumbulluan nëpër dhomat e burgut. Të gjithë njëzëri menduam se do të na vrisnin, por fati deshi dhe i shpëtuam më të keqes. Më dhjetë qershor, në orët e para të mëngjesit, me autobusë na nisën në drejtim të kazamateve serbe anë e kënd Serbisë.

Më dy nëntor të vitit 1999, nga burgu famëkeq i Mitrovicës së Sremit, një grup shokësh të burgosur shqiptarë na dërguan në burgun famëkeq të Leskovcit. Përsëri, më njëzet e pesë maj të vitit 2000, na kthyen për së dyti në burgun famëkeq të Mitrovicës së Sremit, ku, së bashku me të burgosurit tjerë shqiptarë, përjetuam edhe një nokdaun të rëndë – na rrëfeu në vazhdim të bisedës sonë i burgosuri Kamer Buqolli – rebelimin e të burgosurve serbë.

Por, falë ndihmës së Zotit dhe fatit, edhe kësaj radhe i shpëtuam më të keqes.

Këto dhe shumë odise të tjera janë traumat dhe skenat trishtuese që i përjetoi Kamer Buqolli me shumë të burgosur shqiptarë të tjerë nga anët e ndryshme të Kosovës, në burgjet serbe – të cilat nuk do të harrohen kurrë.

Tmerret që i përjetuam nuk do t’i harrojmë kurrë…

Nga mesi i vitit 1998, në rrugëtim e sipër për në Rozhajë, në mes fshatit Radavc dhe Grykës së Zhlebit, në vendin e quajtur Savinovodë, forcat policore dhe paramilitare serbe, gjatë zhvendosjes së shqiptarëve në drejtim të Malit të Zi, na ndaluan, na burgosën dhe, nëpërmjet torturave më të egra, kaluam nëpër burgjet serbe në Pejë, Nish, Lypjan, Dubravë të Istogut, Lypjan dhe Nish për të dytën herë, ku unë si i burgosur politik mësova një gjë: se njeriu është më i fortë se guri dhe, pa thënë, i Madhi Zot, shpirti nuk po dilte.

Mustafë Alimusaj nga fshati Strellc i Epërm i komunës së Deçanit, i burgosur politik, në një bisedë të gjatë dhe interesante për gazetën “Bota sot”, rrëfen për torturat dhe shumë barbaritë e tjera që i përjetoi vetë dhe të tjerët nëpër kazamatet serbe nga forcat policore, paramilitare dhe kriminale ordinerë serbe. Ai në fillim na rrëfeu se, në udhëtim e sipër me familjen për t’u zhvendosur në Rozhajë, në vendin e quajtur Savinovodë, rejon që shtrihet në mes fshatit Radavc dhe Grykës së Zhlepit, për fat të keq për mua dhe shumë shqiptarë na ndaluan forcat policore dhe paramilitare serbe, të cilat nën kërcënimin e tytave të automatikëve, të cilët na i vunë në të gjitha pjesët e trupit, na lidhën në pranga dhe, duke na maltretuar fizikisht dhe psikikisht, na dërguan në stacionin e policisë në qytetin e Pejës, dhe nga aty në organet shtetërore, ku me tortura shtazarake gjatë gjithë natës deri të nesërmen na dërguan në burgun famëkeq të Pejës. Në qelitë trishtuese dhe të përgjakura me gjakun e të burgosurve shqiptarë, në momentet më të vështira, gardianët shqiptarë ishin heronjtë e gjallë për të gjithë ne të burgosurit shqiptarë. Ata në momentet më kritike dhe të duhura treguan kujdes të jashtëzakonshëm, ku në momentet më kritike na njoftuan për të gjitha gjërat që ndodhnin në Rrafshin e Dukagjinit dhe Kosovë në një anë, kurse në anën tjetër na mbanin shpirtin gjallë me moral duke na thënë: “Mos u ligështoni, se shpejt do të fitojmë lirinë, e cila është shumë afër.” Këtu për kontributin e madh duhet veçuar gardianët shqiptarë: Naser Morinën, Ferid Muharremin, Isak Kapuçin, Ramadan Kelmendin, Sadik Tahirajn, Nelën e të tjerë...

Në burgun e Pejës – na rrëfeu më tej Mustafë Alimusaj – kam qëndruar dy javë. Më pas na bashkuan në një dhomë burgu me të burgosurit Sokol Sylaj, Astrit Morina, Valon Jetishi nga komuna e Gjakovës, Xhavit Gashi nga Suhareka, Shaban Mehmetaj nga komuna e Pejës dhe shumë të tjerë. Gjatë dy muajve që qëndruam aty, inspektorët shtetëror, në orët e vona të natës, na merrnin nga birucat e burgut dhe na dërgonin në zyrat e tyre. Aty, një nga një, na merrnin në pyetje dhe na maltretonin rëndë fizikisht dhe psikikisht. Në të gjitha birucat dhe korridoret e këtij burgu famëkeq çdo ditë e natë dëgjonim nga rrahjet e rënda me shufra gome, me shkelma, me grushta dhe mjete të tjera, britma të të burgosurve shqiptarë që shponin tokën dhe qiellin...

Pas dy muajsh qëndrimi në burgun e Pejës, në orët e para të mëngjesit na rreshtuan në oborrin e burgut. Vonuan shumë dhe, nëpërmjet njëzet automjeteve të ashtuquajtura “marica”, në të cilat na futën nga gjashtë të burgosur, nëpërmjet rrugës Radavc – Gryka e Zhlepit – Rozhajë na drejtuan në drejtim të Malit të Zi dhe Serbisë. Me arritjen në qytetin e Kralevës, kolonën tonë – na rrëfeu më tej i burgosuri politik Mustafë Alimusaj – e ndalën në qendër të qytetit të Kralevës. Brenda një kohe të shkurtër u grumbullua një numër i madh qytetarësh, të cilët, si bishat, pasi morën vesh se ne ishim të burgosur shqiptarë, filluan të na shajnë nënat shqiptare. Në këto momente kritike, falë intervenimeve të shpejta të forcave policore, të burgosurit shqiptarë nga Kosova i shpëtuan më të keqes. Pas Kralevës na dërguan në birucat e burgut famëkeq në Nish, të lidhur në pranga, ku me ardhjen atje na pritën mbi dyzetë gardianë, të cilët, si bishat e egra, filluan të na zhveshin lakuriq dhe me shufra të gjata gome barbarisht na rrahën deri në alivanosje. Pas maltretimeve të rënda fizike dhe psikike, të cilat zgjatën afër një ore, piskamat dhe vajet e shqiptarëve të pafajshëm të gjitha moshave shtrinim tokën dhe qiellin. Pas kësaj barbarie të pa parë, antinjerëzore, na dërguan nëpër birucat e burgut trishtues, ku na lanë pa bukë, pa ujë, pa gjumë për njëzet e katër orë, dhe tridhjetë ditë në vetmi pa shkëmbyer mendime me askënd?! Në birucat e burgut famëkeq në Nish, ku ishim ne shqiptarët, sillnin njerëz të sëmurë psikikë, kriminelë ordinerë serbë të sëmurë dhe të tjerë, të cilët luanin me dinjitetin tonë.

Pa thënë i Madhi Zot, shpirti nuk po dilte…

Ne, të burgosurit shqiptarë në burgun famëkeq në Nish, na grumbulluan në katin e epërm të izolimit, ku çdo ditë dhe natë, nga tri herë, me shufra gome, me grusht, me shkelma e mjete të tjera të rënda, barbarisht na rrafshin dhe maltretonin fizikisht dhe psikikisht. Na zvogëluan ushqimin, gjë që dukshëm ndikoi në rënien e peshës trupore të secilit prej nesh, të burgosurve. Pas një jave, të gjithë ne të burgosurit që ishim të akuzuar dhe dënuar për terrorizëm, që ishim në Kapedam të Nishit, pa vonë na rreshtuan në të dy anët e korridorit të gjatë, ku në mënyrë më barbare filluan të na rrahin.

Kjo barbari e pa parë nga të burgosurit shqiptarë zgjati plot një muaj. Në një mëngjes, pasi na urdhëruan të bëheshim gati për zhvendosje në një burg tjetër, na rreshtuan në oborrin e burgut famëkeq në Nish. Në mesin tonë ishte i burgosuri Xhemail Alimani nga Maqedonia, të cilin para syve të gjithë neve, si bishat, e nxorrën nga rreshti dhe e rrahën deri në alivanosje. Të njëjtën barbari e vazhduan edhe ndaj të gjithë neve të tjerëve. Pas kësaj barbarie, na obliguan të hymë nëpër autobusë, na vunë prangat dhe me zinxhirë secilin prej nesh e lidhën për karriget e autobusëve veç e veç, dhe na urdhëruan që të ulim kokën me kusht që të mos shikonim anash. Gjatë rrugës mësuam se ishim duke shkuar në drejtim të Kosovës.

Me të arritur në afërsi të fshatit Orllan, në komunën e Podujevës, një aeroplan i NATO-s filloi të sillet rreth kolonës sonë të autobusëve. Nga paniku, kriminelët serbë ndalën autobusët dhe u larguan vozitësit dhe forcat policore që ishin në përcjelljen tonë, kurse ne të burgosurit mbetëm në autobusë të lidhur me zinxhirë për ulëse. Në ato momente kritike, dyert e autobusëve mbetën të hapura, ndërsa ne, të lidhur me pranga, nuk mundëm të lëviznim nga ulëset në autobus. Papritmas na u afruan grupe paramilitare të Sheshelit dhe Arkanit, të cilët ishin në aksion në territorin e komunës së Podujevës dhe, si bishat, filluan të na shajnë nënën shqiptare, Zotin dhe secilin prej nesh. Me thika në dorë na ofruan me qëllim që të na masakrojnë, por për fatin tonë, me ardhjen serishme të aeroplanëve të NATO-s, nga frika, paramilitarët serbë ikën dhe u strehuan në male aty afër. Pas largimit të aeroplanëve të NATO-s, përsëri forcat paramilitare serbe, me thika në dorë, erdhën serish te autobusët tanë me qëllim që të na masakrojnë, por forcat policore që ishin në përcjelljen tonë nga Nish-i në drejtim të Kosovës nuk i lejuan. Në ato momente, një kriminel paramilitar serb, i etur për gjak shqiptari, me një shpejtësi të madhe u përvodh dhe hyri në njërin prej autobusëve dhe e plagosi me armë zjarri të burgosurin shqiptar Filip Pjetrin. Edhe në autobus-in e dytë u ther me thikë i burgosuri gjashtëdhjetë e pesë vjeçar Zejnullah Shala nga Mitrovica.

Nga fshati Orllan të Podujevës, ne të burgosurit — na tha në vazhdim të rrëfimit të tij i burgosuri Mustafë Alimusaj — natën e parë qëndruam në birucat e burgut famëkeq të Lypjanit, kurse në të nesërmen na dorëzuan në burgun e Dubravës së Istogut, ku ne të burgosurit shqiptarë patëm rastin të takohemi me Ukshin Hotin. Më 9 maj, në birucat e burgut famëkeq të Dubravës së Istogut, në orët e para të mëngjesit nga Gjakova arritën njëqind e dyzet e pesë të burgosur të moshave dhe profesioneve të ndryshme. Grumbullimi i mbi një mijë të burgosurve shqiptarë në burgun famëkeq të Dubravës u pa qartë se qeveria serbe, me në krye kriminelin e Ballkanit Millosheviqin dhe klyshetë e tij, mirë kishin përgatitur një platformë dhe strategji për vrasjen, masakrimin, maltretimin dhe zhdukjen pa gjurmë të shqiptarëve nga anët e ndryshme të Kosovës, por me ndihmën e Zotit, shumë prej nesh, edhe përkundër barbarive të papara, i shpëtuan me të keqen... Këtë e ilustrojnë shumë shembuj, ku nga arritja nga burgjet e Serbisë në burgun e Dubravës në mënyrë më barbare filluan të na vrasin dhe të na masakrojnë. Kriminelët ordinerë serbë me maska në sy, të cilëve vetëm vrimat e syve u shiheshin, me zëra të ngritur na pyetnin: “Çka hamamin keni ju shqiptarët që po frikoheni kaq shumë?”

Këta në çdo hap dhe çdo minutë, orë, na fynin, na shanin nënën shqiptare dhe mbi trupin e secilit prej nesh nuk linin gjë pa bërë. Në çdo hap, duke na përcjellë në birucat e burgjeve në Kosovë e Serbi, na rrafshin me shufra gome, me shkelma, me grusht, ushqim të dobët e barbarí të tjera...

Në burgun e Dubravës u krye masakra më e madhe antishqiptare?!

Në fund të aksionit, xhelatët serbë u nisën në drejtim të lokaleve të restorantit, kuzhinës së burgut dhe spitalit, ku filluan të shtinë, dhe në të njëjtën kohë i urdhëruan burgosurit që brenda pesë minutave të gjithë të dalin jashtë me duar të lidhura rreth kokës dhe, kur të dalin në oborrin e burgut, të rreshtohen nga katër.

Të rinjtë pejan Maki Begolli dhe Arsim Kullashi, të burgosur politik, gjatë bisedës që zhvilluam me ta lidhur me torturat që i përjetuan para dymbëdhjetë vjetëve nëpër burgjet serbe, mësuam se duke u kthyer nga stërvitja e njësive speciale të UÇK-së në Gllogjan për të vizituar familjen në Pejë, bashkë me shokun tim të jetës, Arsim Kullashin, me të arritur në qytetin e Pejës, u hetuam nga një shqipfolës i regjimit serb, me ndihmën e të cilit punëtorët e sigurimit shtetëror të Serbisë na pranguan dhe na dërguan në stacionin e policisë në Pejë, ku na mbajtën dy orë. Madje, të lidhur në pranga na dërguan në ndërtesën e sigurimit shtetëror në katin e tretë, ku na morën në pyetje. Pas keqtrajtimeve shtazarake që na i bënë katër ditë e net radhazi, na dërguan në burgun famëkeq të qarkut në Pejë dhe nga aty gjykata nuk e mori parasysh mbrojtjen tonë dhe na dënoi me nga dy vjet heqje lirie nën akuzën për veprimtari armiqësore drejtuar kundër RSFJ dhe Serbisë, bazuar në nenin 136, alineja një, për terrorizëm në bazë të nenit 125.

Në fund të javës së parë të muajit dhjetor të vitit 1998, të rinjtë Maki Begolli dhe Arsim Kullashi nga burgu i Pejës i dërguan të prangosur, dy nga dy, të lidhur me zgjidhje, në burgun famëkeq në Dubravë të Istogut.

Me të hyrë në oborrin e burgut në Dubravë na priti zëvendës-komandanti i burgut Miki Vidiq, bashkë me një batalion gardianësh paramilitarë, të cilët rrinin të gatshëm për të aplikuar forcën fizike dhe psikike mbi ne të burgosurit. Aty na rreshtuan dy nga dy dhe, duke na dërguar në pavilionin “C”, na ndalën para dyerve të shkallëve të hyrjes së burgut dhe filluan të na thërrisnin me emër e mbiemër, një nga një. Në korridoret e pavilionit “C”, deri te dyert e birucave, ishin pozicionuar një numër gardianësh — shumica prej tyre kriminelë ordinere serbë, të zgjedhur pikë për pikë nga Serbia dhe Mali i Zi — me të cilët gjatë kalimit nëpër korridore, të gjithë ne të burgosur shqiptarë u ballafaquam me rrahje të forta, fyerje, si dhe alivanosje nga të rënët e forta...

Në pavilionin “C”, Arsimi me shokët Blerimin dhe Dardanin, të gjithë të rinj, gjatë tetëdhjetë e shtatë ditëve sa qëndruan në këtë burg famëkeq dëgjuam vetëm britma, kuka, piskama të cilat të shtirshin gjallë në tokë nga të rënët e forta të gardianëve kriminelë ordinerë serbë. Edhe ne shokët Makin, Arsimin, Blerimin, Dardanin e të tjerët, nga gardianët shpesh jemi nxjerrë nga birucat e burgut dhe jemi rrahur në mënyrën më shtazarake deri në alivanosje. Synimet e gardianëve kriminelë ordinerë serbë të ardhur nga burgjet e Serbisë dhe Malit të Zi ishin që gjatë maltretimeve të rënda fizike dhe psikike të burgosurve shqiptarë, të gjitha moshat, të shkatrroheshin organet gjenitale dhe të veshkave.

Gjatë shëtitjeve që i kemi bërë nëpër korridoret e burgut, ne si të burgosur kemi qenë të detyruar tërë kohës duart t’i mbajmë prapa kresë, kurse kokën poshtë; kurse ditëve të dielë ishim të detyruar të pastrohemi nën dushet me ujë të ftohtë.

Pas fillimit të bombardimeve të forcave ushtarake të NATO-së mbi pozicionet ushtarake, policore, paramilitare serbe dhe objektet me rëndësi strategjike, mbi ne të burgosurit filloi dhuna e pa parë, të cilën Maki, Arsimi, Blerimi, Dardani e të tjerët nuk do ta harrojnë kurrë...

Është interesant të përmendim se gjatë kësaj kohe filloi sjellja e furishme e burgosurve shqiptarë nga burgjet serbe të Serbisë në burgun famëkeq në Dubravë të Istogut. Gjithashtu, më 9 maj të vitit 1999, në orët e para të mëngjesit, nga Gjakova sollën një grup prej njëqind e katërdhjetë e pesë të burgosurve dhe i vendosën në pavilionin e pranimit.

Në kompleksin e burgut famëkeq të Dubravës, në momentet kur ne të burgosurit shqiptarë të gjitha moshave u përballëm me jetën apo vdekjen, solidariteti mes burgosurve shqiptarë për t’i shtrirë dorën njëri-tjetrit nuk mund të përshkruhet me laps as me gojë.

Pas pushimit me armë nga ana e forcave paramilitare të burgut, Maki Begolli me gjashtë shokë të burgut me shpejtësi të madhe vrapuan në drejtim të qendrës së sporteve të vogla të burgut, nga ku u tërhoqën të plagosurit. Gjatë këtij aksioni na qëlluan paramilitarët dhe filluan të shtinë mbi ne, ku për fat të keq nga radhët tona mbeti i vrarë vetëm Nazmi Shala. Në atë moment, ku mezi e shpëtuam kokën, arritëm që t’i tërheqim të gjithë të plagosurit rëndë dhe lehtë dhe t’i vendosim në lokalet e pavilionit “C” dhe spitalin e burgut.

Falë ndihmës së Zotit dhe fatit, i shpëtuam më të keqes...

Më 23 maj, forcat paramilitare serbe, bashkërisht me të burgosurit serbë të armatosur deri në dhëmbë, hynë nga dera kryesore brenda lokaleve të burgut dhe në mënyrë të pamëshirshme shtinë mbi të burgosurit e pafajshëm shqiptarë me pushkë automatike, bomba, thika, shufra të hekurta, duke lënë shumë të vrarë dhe të plagosur. Në fund të aksionit, xhelatët serbë u nisën në drejtim të lokaleve të restorantit, kuzhinës së burgut dhe spitalit, ku filluan të shtinë, dhe në të njëjtën kohë i urdhëruan që brenda pesë minutave gjithë të burgosurit të dilnin jashtë me duar të lidhura rreth kokës dhe në oborr të rreshtoheshin nga katër. Ne që i shpëtuam masakrës barbare dhe u kacafytëm me jetën apo vdekjen në këto momente kritike, gardianët dhe paramilitarët serbë me maska në kokë, të cilët ishin të pozicionuar për veprim, pa vonuar shumë na urdhëruan të rreshtohemi për katër.

Pas furnizimit me ushqim, bashkë me të plagosurit, me autobusë dhe përcjelljen e forcave të sigurimit shtetëror, në krye me Bata Bullatoviqin, kur arritëm në afërsi të Istogut, na ndalën autobusët dhe një nga një na rrahën deri në alivanosje. Me arritjen në burgun famëkeq të Lypjanit, na rrethuan forcat e mëdha të kriminelëve serbë të armatosur deri në dhëmbë, të cilët na urdhëruan të rreshtohemi dhe gjatë hyrjes në pavilione na maltretuan rëndë, kurse dhjetë të burgosur i urdhëruan të bartin të plagosurit dhe t’i vendosin në një paviljon të veçantë.

Në burgun e Lipjanit, nga tridhjetë veta, na grumbulluan nëpër birucat e burgut. Brenda njëzet e katër orëve na jepnin nga treqind gram bukë dhe ushqim të dobët, gjë që ndikoi të humbim gjysmën e peshës tonë trupore. Të plagosurit u dërguan për shërim në Spitalin e Përgjithshëm në Prishtinë, ku shumica prej tyre e gjetën vdekjen. Njëri prej tyre ishte edhe Mujë Tafilaj nga fshati Siqevë i komunës së Klinës. Më 10 qershor na shpërndanë nëpër burgjet serbe në Serbi, ku përjetuam ditët më të vështira të jetës. Aty mësuam një gjë: se njeriu ishte më i fortë se guri dhe, pa thënë, i Madhi Zot shpirti nuk po dilte...

Në burgjet e Gjakovës, Pejës, Dubravës së Istogut, Gjilanit, Lypjanit, Nishit, Pozharevcit, Leskovcit, Beogradit, Mitrovicës së Sremit, në dymbëdhjetëvjetorin e masakrave dhe barbarive të papara mbi qindra shqiptarë të moshave dhe gjinive të ndryshme, bashkëbiseduesit me të cilët bisedova këto ditë, me tronditje të mëdha shpirtërore, përkujtojnë torturat shtazarake që u bënë mbi trupin e tyre për dyzet e tetë orë nga inspektorët e pa mëshirshëm të sigurimit shtetëror. Metodat më çnjerëzore ishin ato të aplikimit të rrymës gjatë torturave fizike dhe psikike, të cilat tek shumica e të burgosurve të pafajshëm shqiptarë u përdorën me qindra herë, dhe nga të cilat ka pasur edhe të vdekur.

Të gjithë bashkëbiseduesit e mijë në rrëfimet e tyre në përkujtimin e dymbëdhjetëvjetorit të masakrave barbare nëpër burgjet serbe në Kosovë dhe Serbi, të gjithë njëzëri janë të mendimit që fati dhe ndihma e Zotit, edhe përkundër metodave shtazarake që u kryen mbi ta, i shpëtuan më të keqes dhe u kthyen në gjirin e familjes dhe trojeve të tyre stërgjyshore. Më këtë rast të gjithë na thanë: “E shfrytëzojmë rastin që nëpërmjet gazetës tuaj dhe tonës, 'Bota Sot', familjeve të cilat në këto barbarë i humbën të dashurit e tyre, t’u shprehim ngushëllime në këtë përvjetor...”

Pra, gëzohem që i shpëtuam më të keqes dhe sot po e shijojmë lirinë, por kërkesa jonë dhe e të gjithë ne të burgosurve është që qytetarët e Kosovës, pa marrë parasysh cilës partia i përkasin, më në fund duhet të mbushin mend, të jemi unikë, të punojmë më shumë për shtetin për të cilin stërgjyshërit tanë në luftën e fundit dhe ato të njëqind e tridhjetë e dy vjet më parë derdhën aq shumë gjak. Të burgosurit e pafajshëm shqiptarë, të cilët u vranë mizorisht nëpër burgjet serbe në Kosovë dhe Serbi, me plagë në trup dhe gjysmë fuqie, para se të japin shpirt u ngritën në gjunjë me duar lart duke shikuar kriminelët serbë dhe brohoritur: “Poshtë çetnik-komunistët, poshtë kriminelët, poshtë barbarët, Rroftë liria, Rroftë Kosova...”

Para se të ndahemi nga bashkëbiseduesit tanë, na u lutën që të apelojmë te Bashkësia Ndërkombëtare dhe strukturat e organeve më të larta të Kosovës që t’i respektojnë të drejtat e invalidëve të luftës, familjeve të tyre si dhe të burgosurve që dhanë jetën për çlirimin e trojeve tona stërgjyshore. Rezistenca e shqiptarëve ka qenë dhe do të mbetet e shenjtë dhe gjithmonë do të jetë një ndër faqet më të ndritshme të historisë së kombit tonë – na thanë në fund të bisedës bashkëbiseduesit tanë, të cilët para dymbëdhjetë vjetësh nëpër burgjet serbe në Kosovë dhe Serbi përjetuan golgotën më të rëndë në jetën e tyre, të cilën as nëpër filma western nuk e kanë parë dhe të njëjtën kurrë nuk do ta largojnë nga zemra dhe shpirti i tyre këto tortura të papara antinjerëzore...



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Sabile Basha: Një thirrje e hapur për deputetët e Parlamentit të Kosovës Lutfi Alia: Meditime – Jonufër, korrik 1966 Sabile Basha: Mbi jetën me maska - midis frikës, përshtatjes dhe hipokrizisë Sabile Basha: Dimensioni historik dhe kulturor i këngëve të hakmarrjes në librin e Adem Zejnullahut Paulin Z. Zefi: Portreti artistik autentik dhe fizionomia e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut Sabile Basha: Kur nata bëhej burg Vilhelme Vrana Haxhiraj: Skënder Vrana u ekzekutua më Mat’hauzen, më 9 Maj 1945 Sabile Basha: Kufiri serb që s’mundi t’i ndalojë violinat e nxënësce shqiptarë Mark Palnikaj: Kultprotektorati për katolikët e Shqipërisë Themi J. Tushe: Beteja e Pirgut të Myzeqesë e vitit 1457 Sabile Basha: Vetëdija kombëtare në nderim të figurave historike Sylejman Salihu: Konvertimi i popullatës pejane nga malazezët Jahja Drançolli: Instrumenti dentar që pa dritën në librin e shtypur në vitin 1525 nga humanisti arbëror Nikollë Leonik Tomeu Themi J. Tushe: Ish-ministri i Drejtësisë në qeverinë e Ismail Qemalit, Petro Poga, ka dënuar ashpër mashtrimet e hajdutëve... Sabile Basha: Ata që i mbajnë gjallë plagët e lirisë Themi J. Tushe: Rrugëtimi i gjatë i Ismail Qemalit nëpër Myzeqe dhe Mitingu i Fierit më 25 nëntor 1912 Qazim Namani & Emin Sallahu: Konfliktet ndër kufitare në mes të Shqipërisë dhe Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene në vitin 1921 Sabile Basha: Vazhdimësia e Ilegales Shqiptare nga viti 1945 dhe Demonstratat Studentore të vitit 1981 (2) Sabile Basha: Vazhdimësia e Ilegales Shqiptare nga viti 1945 dhe Demonstratat Studentore të vitit 1981 (1) Jusuf Buxhovi: Lavdia dhe tragjika e akterëve të Pavarësisë së Shqipërisë

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx