E marte, 06.05.2025, 03:27 AM (GMT+1)

Speciale

Mark Palnikaj: Kultprotektorati për katolikët e Shqipërisë

E hene, 05.05.2025, 06:56 PM


KULTPROTEKTORATI PËR KATOLIKËT E SHQIPËRISË

Nga Mark Palnikaj

Protektorati i Kultit mbi popullsinë katolike të Shqipërisë, sidomos mbi popullsinë trevave veriore, ka filluar qysh në shekullin e XVI dhe ka patur ndikim shum të madh për vetë mbijetesën e kombit shqiptar dhe krijimin e shtetit të tij në kufijtë ndërkombëtar që janë sot.

Shumë studjues që janë marrë me historikun e krijimit të shtetit shqiptar mbas pushtimi katër shekullor nga Perandoria Osmane, janë të mendimit se një faktor përcaktues për formimin e këtij shteti ka luajtur prania e popullsisë katolike, kryesisht në Shqipërinë veriore. Midis shum studjuesve që janë marrë me problemin e mbijetesës së katolicizmit në Shqipëri dhe me mbrojtësit e kësaj popullsie janë edhe Zef Prela i cili ka shkruar një artikull në revistën Studime Historike, Nr. 3, viti 1965 dhe studjuesi Kurt Gostentschnigg i cili ka shkruar një artikull me temë “Protektorati i Kultit austro-hungarez mbi popullsinë katolike të Shqipërisë së Veriut“  në revistën  Phoenix 15-16 (2000/1-2). Për mbrojtjen e katolikëve të Shqipërisë nga Perandoria Austro Hungareze është shkruar edhe në një numër shum të madh punimesh ku, qëllimi ka qënë nxjerrja në pah i kontributit të këtij shteti.

Nga analiza që i kam bërë këtij problemi gjatë një studimi mbi dioqezën e Pultit, për mbijetesën e popullsisë së kësaj dioqeze si të krishterë katolik më rezulton se mbrojtja e të krishterëve në trevat Ballkanike nuk ka qënë problem vetëm i Perandorisë Austro Hungareze por edhe i Francës, Italisë, Rusisë, Prusisë etj.

Disa nga pikat kulmore të shfaqjes së kësaj mbrojtje ose protektorati, quajeni si të doni, kanë filluar të shfaqen menjëherë mbas pushtimit turk të Ballkanit në shekullin XV.

1448 – Turqit pushtuan Kosovën

1453 – Shteti turk pranon zyrtarisht Patriarkanën e Stambollit si subjekt fetar në Perandori. *  Gaspër Gjini, Ipeshkvia Shkup Prizren nëpër Shekuj, faqe 141

Këtë veprim nuk e bëri për Kishën Katolike të Romës. Kjo e vështirësonte funksionimin normal të veprimtarisë fetare për katolikët e ritit Romak.

1462 - Me datën 8 nëntor, kryeipeshkëvi i Durrësit dhe këshilltari i Skëndërbeut, Pal Ëngjëlli, në një sinod me pjesëmarrjen e disa meshtarëve nga e gjithëShqipëria, shkruajti një Qarkore që kishte fuqinë e një Kushtetute (Constitute) baritore që u drejtohej meshtarëve të fshehur nëpër male dhe shpella të Malësive, mbi aktivitetin baritor që nevojitej të ndërmerrnin, dhe mbi doktrinën e krishterë të sakramenteve bazë, themelore. *Letra e Pal Ëngjëllit, Arkivi i QSA, Tiranë

1479 – Turqit pushtuan Shkodrën

1480  -  5 tetor, gjenerali turk Ahmet Gjedik Pasha me ushtarët e tij masakroi 800 shqiptarë brenda një dite. *Zef Mirdita, Krishtenizimi ndër Shqiptarë, Drita Prizren –Zagreb 1998, f. 174

1485 – Pushtuesi turk i Shqipërisë bëri regjistrimin e parë të banorëve dhe bëri inventarizimin e pasurisë së zonave të pushtuara. Fshatarët e lirë, që i paguanin pushtuesit turk 50 akçe të argjendta në vit ishin edhe fiset shqiptare të Piprit, Hotit, Palabardhit, tokat e Pjetër Spanit (Petrispan-ili) dhe disa fshatra të Shestanit.*Selami Pulaha,”Defteri i Regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës i vitit 1485”, Tiranë 1974, f. 24.

1535 - Në emër të Kultprotektoratit në vitin 1535, kur franca sundohej nga Fransua i I (Francois Ier), ky shtet fitoi “të drejtën e mbrojtjes së kultit dhe të kishës së krishterë në vendet e Perandorisë Osmane” * Pellissie du Rausas, G., Le regime des capitulations dans l’Empire Ottoman, Vol. I, Paris 1910, faqe 6 dhe i ka përkitur vetëm Francës.

1615 – Ndikimi politik dhe ekonomik i Austro – Hungarisë mbi popullin shqiptar u vu në veprim me anë të Protektoratit të Kultit, protektorat të cilin Monarkia e arriti me Paqen e Sitvatorokut më 1615 dhe parashihte fillimisht mbrojtjen e klerit katolik në Perandorinë Osmane.

1698 - Në Paqen e Karlovacit bisedimet filluen në dhjetor 1698 dhe zgjatën 70 ditë. Marrëveshja u nënshkrua 26 janar 1699. Sipas kësaj marrveshje Sulltani u detyrue të ripohonte të drejtën për lirinë e kultit të nënshtetasve të tij katolikë. Vjena do të ndërhynte në favor të tyre nëse u shkeleshin të drejtat.

1718 – Në korrik të vitit 1718 u nënshkrue marrëveshja e Pasaroviç (Pozharevac). Austriakët sipas kësajë marrëveshje do të dërgonin konsuj në perandorinë Osmane të cilët përveç punëve të tjera, do të mbronin të drejtat e kultit të popullsive të krishtera.

1739 - Marrëveshja e Beogradit u nënshkrue me 18 shtator të vitit 1739. Sipas kësajë marrveshjeje, këto të drejta fituan me të vërtetë një zbatim, në të cilin Habsburgëve iu dha një leje e posaçme e trashëguar më parë prej Venedikut e që kishte të bënte me mbrojtjen e të gjithë katolikëve të Europës nën pushtimin turk.

1774 – Me 21 korrik 1774 u nënshkrue Marrëveshja e Kyçyk-Kajnarxhasë që ndodhej në një fshat të „Çezmës së Vogël“ pranë Silistrës në Bullgarinë e sotme. Kjo marrëveshje parashikonte mbrojtjen nga ana e Rusisë të të krishterëve të perandorisë Osmane.

1791 - Paqja e Sistovit u nënshkrua në gusht të vitit 1791 në këtë qytet që ndodhet në breg të Danubit në Bullgari. Kjo marrëveshje i lejonte Austro–Hungarisë të hapte një konsullatë në Shkodër dhe një nënkonsullatë në Durrës duke i rikonfirmuar marrëveshjet e më parëshme në mbrojtje të popullsive katolike në perandorinë Osmane.

1815 - Në Kongresin e Vjenës më 1815, Monarkisë Austriake iu dha e drejta të kishte nënkonsullata të tjera, si në Vlorë, Janinë dhe Prevezë.

Konsulli ishte përfaqësuesi i drejtpërdrejtë i politikës së Protektoratit të Kultit. Ndër detyrat e tij bënin pjesë veprime humaniste, ngritja e nivelit të formimit, mbështetja e zhvillimit kombëtar dhe ndarja e parave. Vetëm me diplomatë të tillë si August Král, Theodor Anton Ippen dhe Alfred Rappaport, të cilët e njihnin mirë Shqipërinë dhe ishin njëkohësisht miq të popullit shqiptar, u arrit të kryhej një punë e mirë fillestare në vendosjen e bazave të marrëdhënieve të mira mes Monarkise Danubiane dhe shqiptarëve.

1837 - Më 1837 edhe Selia e Shenjtë njohu më së fundi të drejtat e Monarkisë Dualiste mbi katolikët shqiptarë.

1855 - Një etapë e rëndësishme në zhvillimin e Protektoratit të Kultit shënohet në vitin 1855 kur u arrit Konkordati në mes të Vatikanit dhe Austrisë, i cili parashihte mbështetjen e një "Programi Veprimi" të Ballplatz-it nga ana e Vatikanit dhe posaçërisht veprimtarinë e Propagandës Fide.

1878 - Në Kongresin e Berlinit me 1878, gjithnjë në kuadrin e Kultprotektoratit, Austro-Hungaria ka zgjeruar të drejtat e saj në mbrojtje të katolikëve të Shqipërisë.

Edhe mbas vitit 1878, angazhimi i Austro Hungarisë për mbrojtjen e të drejtave të popullsisë katolike të veriut shqiptar ka vazhduar.

Analistët e sotëm, mbështetur mbi një numër shum të madh dokumetash arkivore të shkruar nga konsujt e ndryshëm që kan shërbyer në qytetet e ndryshme të Shqipërisë, kuptojnë se protektorati i kultit nuk është kufizuar vetëm në të drejtën për ushtrimin e lirë të fesë si të krishterë katolik por edhe për zhvillimin e kulturës dhe të vetëdijes kombëtare me qëllimin final, shkëputjen nga turqia dhe krijimin e shteteve kombëtare të disa shteteve të ballkanit.

Ndikimi politik dhe ekonomik i Austro–Hungarisë mbi popullin shqiptar gjatë pushtimit turk ka qënë i madh.

Mbas Paqes së Karlovacit, më 1699, u arrit zgjerimi i protektoratit mbi të gjithë të krishterët nën sundimin turk. Mbas Marrëveshjes së Beogradit, të vitit 1739, këto të drejta, tashmë të konfirmuara realisht edhe nga Sulltani, fituan të zbatoheshin me një farë realizmi, të paktën sa për sy e faqe.   Mbas paqes së Sistovit të vitit 1791, ndikimi i Perandorisë Danubiane u rrit ndjeshëm. Shteti Austro Hungarez u lejua të hapte konsullatë në Shkodër dhe një nënkonsullatë në Durrës. Më vonë, në Kongresin e Vjenës, Monarkisë Austriake iu dha e drejta të kishte nënkonsullata edhe në Vlorë, Janinë dhe Prevezë.

Nga 240 institucione katolike të Protektoratit të Kultit që ishin në Perandorinë Osmane, 220 prej tyre ndodheshin në Shqipëri. Ndikimi i Austro-Hungarisë në kuadër të protektoratit të kultit shtrihej në shtatë dioqezat katolike: Shkodër, Lezhë, Durrës, Prizren, Sapë, Pulti dhe Mirdita.   Konsulli ishte përfaqësuesi i drejtpërdrejtë i politikës së Protektoratit të Kultit. Ndër detyrat e tij, bënin pjesë veprime humaniste, ngritja e nivelit të formimit, mbështetja e zhvillimit kombëtar dhe ndihmat financiare. Në vitin 1914, konsujt u morën me normalizimin e tensioneve në mes të popullsive me besim fetar të ndryshëm si dhe me mobilizimin e fiseve të Veriut kundra Serbisë dhe Malit të Zi. Baroni Nopça, me katolikët e Mirditës, Lezhës, Pukës, Nikaj Mërturit, Shalës, Shoshit, Këlmendit por edhe me popullsitë e Gashit, Krasniqes, Hotit dhe Grudës ka zhvilluar veprimtari direkte në pajtimin dhe kordinimin e veprimeve për konsolidimin e shteti të sapokrijuar shqiptar. Ai ka bërë marrëveshje, ka organizuar takime krerësh dhe ka krijuar besëlidhje dhe aleanca midis fiseve, ka shpërndarë para dhe armë, me qëllim ruajtjen e identitetit të një shteti shqiptar. Në katër vite, nga viti 1914 deri në vitin 1918, me ndihmën finaciare dhe organizative të Austriakëve, në zonën nga lumi Shkumbin deri në Kosovë janë hapur 432 shkolla shqipe.

Françeskanët ishin mbështetja më e fuqishme e Protektoratit të Kultit. Vrasja e françeskanit Luigj Palaj në rrethinat e gjakovës nga forcat serbomalazeze shkaktoi një revoltë shum të madhe në katolikët shqiptar dhe një reagim shum të ashpër të qeverisë së Austrisë.

Trupi i klerikut u zhvarros dhe ju krye ekspsertiza mjekësore ligjore dhe u vërtetue me fakte vrasja në mënyrë makabre e tij për motive dhe interesa në shërbim të pushtuesve.

Detyra zyrtare e Protektoratit të Kultit qëndronte në ndërtimin dhe mbajtjen e kishave, në shkollimin e klerit dhe në mbrojtjen e kongregatave në Shqipëri. Mjafton të përmendim faktin e dhënë nga Arqipeshkvi i Durrësit, D'Ambrosio, i cili thotë se dioqeza e tij deri nga mesi i shekullit XIX kishte vetëm 13 kisha dhe 10 kapela, të cilat ishin drejt shkatërrimit të plotë. Ndërsa në fund të po këtij shekulli, me ndihmën materiale të Vjenës u ndërtuan tashmë 22 kisha, 2 oratorë dhe 23 kapela.

Në mënyrë jozyrte, kjo ndihmë u shfrytëzua nga Ministria e Jashtme e Austrisë për të ndikuar mbi popullsinë katolike të Shqipërisë së Veriut. Nga dokumentet arkivore të shtetit të Austrisë, merret vesh se politika e subvencionit, në pjesën më të madhe i shërbeu protektoratit të Kultit për përmbushjen e detyrave "zyrtare" dhe "jozyrtare". Dhe në detyrat “jozyrtare” janë përfshi ndikimi i Perandorisë së Austro – Hungarisë për krijimin e shtetit shqiptar.

Në pjesën jo zyrtare të veprimatrisë përfshihet veprimtaria e Johann Georg von Hahn-in, i cili ishte studjues i albanologjisë austro-hungareze edhe i albanologjisë gjermane. Po ashtu veprimtaria studimore e studjuesve Franz Miklosich, Slloven i Austrisë, Gustav Meyerit me kombësi Gjermani shteas Austriak, Wilhelm Meyer Lübkes, Maximilian Lambertzit, Ludwig von Thallóczyt, Josef Konstantin Jire?ekut, Franz Baron Nopcsas, Milan von Šufflait etj..

Këta studjues dhanë një kontribut madhor për nxjerrjen në dritë të historisë dhe kulturës së popullsisë shqiptare, tashmë të harruar në pushtimin pesëshekullor turk dhe për ngritjen e vetëdijes kombëtare të popullit shqiptar. Përveç një pune të madhe studimore për historinë, fiset, zakonet, veshjet, ata shërbyen si nxitje që edhe shum persona që kishin studjuar në shkollat e kësajë Perandorie, të kryejn punime brilante për historinë dhe kulturën shqiptare.

Të kësaj periudhe janë botimi i romanit të parë nga Dom Ndoc Nikaj, botimi i një historie të shqipërisë nga po ky autor, punimet e Fishtës, Mjedës, Gjeçovit, Abat Doçit dhe shum figura të tjera të ndritura.

Përfaqësuesit e Rilindjes Kombëtare Shqiptare që gjendeshin jashtë Shqipërisë u mbështetën financiarisht nga Vjena. Revista "Albania" në Bruksel, e botuar nga Faik Konica, u subvencionua për 11 vjet nga Austro-Hungaria.

Politika zyrtare e Vjenës ishte të  kishte në mbështetje të sajë njerëz besnikë nga radhët e parisë së fiseve të veriut. Nopça që ishte veprimtari kryesor në lidhjet me prijësit dhe me bajraktarët e veriut katolik por edhe të popullsisë muhamedane. Ai ja arriti në përgjithësi, me pak përjashtime që të mobilizojë parinë dhe popullsinë e kësaj zone në luftë kundra pushtuesve serbo malazez që mbas largimit të pushtuesve turq, ishin armiqtë më të betuar kundra krijimit të një shteti shqiptar në Ballkan.

Nuk u lanë jashtë vëmëndjes edhe udhëheqësit shpirtërorë si priftërinjtë, ipeshkvijtë, veçanërisht prelatët, të cilët në pjesën dërmuese ishin prej Dalmacisë, Istrias dhe Tirolit të Jugut.

Fretërit françeskanë, u dalluen si organizatorë dhe udhëheqës të masave popullore kundra pushtuesve serbomalazez duke kundërshtuar dhe denoncuar masakrat e tmershme që ata kryen mbi popullsinë e pafajshme të këtyre zonave. Në pjesën më të madhe, këta fretër, shkollat i kishin kryer në qytetet e shtetit të Austrisë si Vjenë, Graz, Linz, Innsbruck, Villach etj.

Vjena krijoi edhe fonde financiare dhe mundësi materiale me qellim që të gjithë klerikët që i kishin përfunduar studimet dhe noviciaten e tyre në Shkodër të mundeshin të studionin në Austri për teologji dhe filozofi. Shumica e këtyre klerikëve nuk studioi vetëm teologji dhe filozofi, por në Universitetet Perandorake ata studiuan edhe histori, arkeologji, matematikë, fizikë, kimi, farmaci dhe muzikë. Në sajë të këtij programi të Monarkisë Danubiane u formuan në atë kohë personalitetet më në zë nga Kisha, Politika, Shoqëria dhe Arsimi, të cilët do të luanin më pas një rol të rëndësishëm në historinë e kombit shqiptar.

Mbarimi i Luftës së Parë Botërore shënon edhe fundin e një bashkëpunimi treqindvjeçar midis Perandorisë Danubiane dhe popullsive katolike të veriut shqiptar. Me shkatërrimine Monarkisë së Danubit, dhe krijimin e shtetit të Austrisë merr zyrtarisht fund Protektorati i Kultit ndaj popullsive të krishtera.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Themi J. Tushe: Beteja e Pirgut të Myzeqesë e vitit 1457 Sabile Basha: Vetëdija kombëtare në nderim të figurave historike Sylejman Salihu: Konvertimi i popullatës pejane nga malazezët Jahja Drançolli: Instrumenti dentar që pa dritën në librin e shtypur në vitin 1525 nga humanisti arbëror Nikollë Leonik Tomeu Themi J. Tushe: Ish-ministri i Drejtësisë në qeverinë e Ismail Qemalit, Petro Poga, ka dënuar ashpër mashtrimet e hajdutëve... Sabile Basha: Ata që i mbajnë gjallë plagët e lirisë Themi J. Tushe: Rrugëtimi i gjatë i Ismail Qemalit nëpër Myzeqe dhe Mitingu i Fierit më 25 nëntor 1912 Qazim Namani & Emin Sallahu: Konfliktet ndër kufitare në mes të Shqipërisë dhe Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene në vitin 1921 Sabile Basha: Vazhdimësia e Ilegales Shqiptare nga viti 1945 dhe Demonstratat Studentore të vitit 1981 (2) Sabile Basha: Vazhdimësia e Ilegales Shqiptare nga viti 1945 dhe Demonstratat Studentore të vitit 1981 (1) Jusuf Buxhovi: Lavdia dhe tragjika e akterëve të Pavarësisë së Shqipërisë Sabile Basha & Tefik Basha: Galeria e Arteve – Tempulli i shprehjes dhe kujtesës artistike Sabile Basha: Mehmet Hajrizi – Atdhetari që nuk hesht Sabile Basha & Tefik Basha: Muzeu i Kosovës – Një thesar i trashëgimisë dhe kujtesës Sabile Basha & Tefik Basha: Gryka e Rugovës, epika e natyrës së gdhendur Sabile Basha: Kur qielli fliste shqip - 78 ditët që ndryshuan historinë Vilhelme Vrana Haxhiraj: E ardhmja e kombit vjen e sigurt kur pranohet e shkuara dhe e sotmja Jusuf Buxhovi: Rrënimi i autonomisë së Kosovës dhe fillimi i shkatërrimit të Jugosllavisë Sabile Basha: Takimi në Tivar Sabile Basha & Tefik Basha: Kosova – Shtet në zemër të Ballkanit

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx