Kerko: a
Nikoleta Kovaçi: Në Spaç, në vendbanimin e harruar të shpirtrave të Lirisë!
E enjte, 22.05.2025, 07:01 PM
Në Spaç, në vendbanimin
e harruar të shpirtrave të Lirisë!
Nga
Nikoleta Kovaçi
“Diktaturat
sjellin shtypjen, robërinë, mizorinë: më i neveritshëm është fakti që ato
sjellin idiotësinë”. Ka një jetë që kjo thënie e Borges rri me mua; që kur e
hasa Borgesin në përpjekjet e mia të hershme t`i shmangesha pikërisht
idiotësisë. Nuk ia dija burimin asaj që më rrethonte (e më rrethon)! Mbartja e
konceptit ‘mizori’ që të vjen nga koha e fëmijërisë gjithnjë të sjell ndërmend
data e fakte, kohë dhe përpjekje, imazhe dhe emra mizorësh! Gjithnjë, me
vetëdije, jam shmangur nga kjo lloj kujtese! Jo nga frika, apo ndjeshmëria e tepërt
që mbart qenia njerëzore, por ndoshta për të mos pajisur veten me një fuqi
mallkuese si e vetmja armë për të sulmuar mizoritë që na erdhën nga ajo kohë…
***
…Rruga
për në Spaç ka dy kohë brenda një dy-minutëshi; nga rruga e Kombit, si një
ecejake që të çon deri tek askundi jonë dhe kapërcimi poshtë një ure, ku një
tabelë të ç`orienton dhe të kujton se po shkon drejt greminës…asaj tonës! Po,
teksa makina zbret në një rrafsh të mbushur me gurë, ku të krijohet ideja e
ndërtimit të një vendvarrimi, një njeri, në cepin e jashtëm të këmbës së urës,
fërkonte njërin sy! Ndoshta nga pluhuri, ndoshta ngaqë mund të ishte zgjuar
herët, ose, ajo më e keqja në fund; ai personi aty ishte një imitim gjithçkaje
për të cilën ishim nisur nga Tirana! Këtë të fundit s`guxoja t`ja thoja vetes.
Ashtu siç nuk kam guxuar ndër vite! Vijuam rrugën! Shkretëtirë domethënëse! Më
vështronte vajtueshëm e si ta them; skuqesha nga turpi teksa mendoja se më
gjykonte keq! S`kisha shkelur asnjëherë në ato anë, unë, njeriu që kisha ngujuar
veten me qindra e mijëra herë në ato lugina e kampe (siç thuajse jam edhe sot)!
Bëra sikur nuk e kuptova drejt veten dhe shpatet e maleve, atyre dëshmitareve
të heshtura të një përgjakjeje të pamundurish nga mizorët idiotë (që ka plotë
të tillë edhe sot…)! Një përrua, me ujë që më ngjante sikur ishin lot gjaku,
rrekej të ndante kohë e jetë, sikur donte të mos linte asgjë nga e këtejshmja
të hynte në atë kthinë vdekjeje! E këtejshmja është mallkimi i gjithë harrimit
të madh, në zemrën e të cilit po shkoja edhe unë; njeriu që kurrë smund të
bëhet pjesë e të këtejshmes së mizorëve!
***
Përroi,
ai ujë i stërmunduar që dilte nga brinjët e shpateve që ia numëroja të gjitha,
edhe ato të thyerat…skuqej bashkë me mua. Se di se kush kishte më shumë turp
nga shoshoji! Sapo e kapërcyem mu duke sikur nëpër sheshpushimet e vogla mes
gurësh ishin duke lundruar eshtrat e njerëzve; të atyre që nisën të shkruanin
historinë; atë të Lirisë! Ngjitja drejt një kthine të panjohur më rrëqethte;
asnjëherë nuk e dija se çfarë më rezervohej më tej! Bashkëudhëtarët ishin
njohës të mirë të terrenit; njëri edhe i asaj hapësire qiellore sa të kthyerit
e vështimit lart… Ata vetëm numëronin djemtë e lënë nëpër skutat e asaj rruge
që të ngjallte frikë dhe panik; sikur të paralajmëronte se atje, në
sheshpushimin e madh të vdekjes do të gjendej edhe harrimi, e bashkë me të edhe
“patericat” e ndihmësave të përkujdesjes ndaj harrimit. Njëri nga
bashkëudhëtarët pyet shkujdesshëm; i shtatti apo i tetti?! Se dija për çka mund
të flitej për numra aty; ku gjithçka kishte formën e zerimit absolut. “Më duket
shtatë – tha djali, ai më i riu në moshë! Ja paska bluzë tjetër me atë që lamë
te kthesa poshtë!” Po flisnin për djem të Gardës; ishin hedhur në rrugë si
hije! Duhej të kujdeseshin për një eskportë makinash të fuqishme dhe të
shtrenjta që do kalonin andej bashkë me VIP-at e politikës; po po, ata që nuk
lënë rast pa u shtirur duke nëpërkëmbur çdo vlerë njerëzore dhe hyjnore në emër
të pushteteve! Unë sërish s`kuptoja e ndaj, gjithnjë vështrimi më shkonte te
shpati përtej; i egër, i tharë, kërcënues, uritës…
-Këtu
duhet të ndaloheni, nuk mund të vazhdoni më tej!-Një zë i hollë polici, që
s`mund të bindte askënd tregonte se përtej atij caku nuk shkohej me makinë. Aty
ishin ndalur edhe fuoristradat luksoze! Më erdhi një përshtjellim! Si vura dot
emër! Policë të shumtë, gardistë, roje sigurie pa lidhje dhe oficerë të
shërbimeve sekrete. Sigurisht, një sy i strëvitur profesionisti i njeh lehtë
sjelljet e tyre të sajuara, ndonëse ata nuk kishin asnjë lidhje me atë histori.
Ndoshta, as baballarët e tyre, ndoshta as ndonjë sekretar partie i dalë nga
fisi; prokuror, polic apo gjykatës! Sido vendndodhja e tyre ishte përtej
detyrës. E lashë të lirë subkoshiencën. E kapa veten mat duke i thënë po vetes:
Është zakoni; vrasësi gjithnjë kthehet në vendin e ngjarjes!
***
…Një
tabelë false paralajmëronte hyrjen në kamp! Mu duk si Kishë martirësh! Nisa të
bëja Kryq, shenjën tonë të faljes; atë të njehsimit me hyjnoren, por dora më
mbeti para syve! U hutova! Në sheshin poshtë, atje te kampi i vdekjes për liri
dhe i lirisë që solli vdekja, kishin ardhur njerëz të pushtetit! Ata do të
ngjiteshin në podium të mbanin fjalën mbi vrasësit e asaj revolte zemërimi mbi
mizorinë e pafre të një pushteti, fijet e të cilit gjendeshin të kollarisur
sërish në atë shesh. Sytë mu mbushën plotë. I përpiva lotët deri në thellësi,
aq sa mu duk se u mbyta! Kërkoja me sy të shihja Pal Zefin; Zot sa pak më
ngjanin me të…më shumë më dukeshin se ishin vrasësit e tij se sa kujtuesit e
tij. Ngrita sytë; mu duk sikur isha duke kërkuar sërish Palin, por harrova; po
i kërkoja falje Zotit për atë përdhosje që i bëhej atij Tempulli! Mes dilemash,
mallkimesh, kujtimes, refuzimesh, ikjesh, mbijetesash të përgjakshme më zgjon
zëri i veçantë i një burri; “Mbamë bir, se s`më mban këmba!” Një djalë, i
mirëkujdesur për trupin e tij, i shtrin dorën! Dukej se ishte i largët në moshë
me burrin e stërlodhur!
“E
kujt je moj bijë”?! Zot, sa afri kishte në atë thirrje! Dukej që ai burrë
kishte etje për një zë të njohur, një trashëgimtar miku a shoku që kishte
mundur të dilte gjallë nga ajo ngrehina e mizorëve. U shtanga! S`po dija si t`i
përgjigjesha! I thashë; Jam nga Puka! Mu kthye: Kë ke patur këtu?!- Prapë spo
dija t`i përgjigjesha; Ai që do ishte aty u vra në pabesi nga mizorët që më pas
u ngritën në piedestal; pasuesi ishte degdisur nëpër rrugëtime të mjergullta…,
ndërsa personifikuesi i asaj që më njehsonte më atë njeri, hmmm, kishte rrojtur
mes nëntokës dhe mbitokës si “kërcënim unik” për një krahinë të tërë! Ndoshta deri
në komitetet vrastare që kërcënuan edhe pas `90-s! Djali i ri u largua nga
burri; po fotografonte gjithçka me etjen e një njeriu dixhital, ndërsa burri
vijoi: “Ka ardhur të shikojë vendqëndrimin e gjyshit! Ky s`ka qenë asnjëherë
këtu. Donte të gjente dhomën ku kam fjetur unë për 9 vite në këtë kamp. Këtu
erdha në `72-in. Në 73-in ndodhi ajo që ndodhi! Gjithçka e nisi Pali. Ishte një
djalë trim e me kurajë të pashoqe. Më pas i dolën në krah edhe burra të tjerë.
(Hahah qeshi, megjithë shpirt). Mu kujtua Ndrec Flamuri, ai që ngriti flamurin.
(Emrin e Ndrecës burri e shqiptonte më fort se emrin e Ismail Qemalit)! Por na
mundën. Ja shikoje; që nga ajo kodra atje e deri te kthesa ku janë makinat
kishte tre rrethime me zjarr. Ushtria kishte ndezur zjarre të shumta të
krijonin frikë dhe panik për të burgosurit që kishin marrë kampin. Na mundën.
Ishin shumë! Na mundën e bashkë me ne mundën lirinë! Ishin gjakësorë moj bijë”.
Burri që fliste ishte nga Gjirokastra, ndërsa menjëherë iu bashkua një i njohur
nga Qafë-Zotaj e një tjetër po nga Durrësi! Po flisnin mes tyre për dy persona;
një djalë nga Gramshi e një tjetër nga Malësia e Madhe. “Ai nga Gramshi u hodh
nga ajo maja atje. Na thanë se e varrosën, atje përtej përruan. Po ashtu edhe
një burrë shkodran; e vranë këtu në kamp, pas revoltës, sigurisht. Edhe atë e
varrosën në atë anë të përroit. Aty në fakt kurrë nuk janë gjendur eshtra. Ata
ishin të paskrupullt; në fakt gjithnjë i zhduknin shenjat!” –I mbani mend, si
quheshin?!-Çfarë rëndësie ka; ne të gjithë kishim të njëjtin emër, të njëjtin
fat, të njëjtin varr! Atje në atë përrua mund të isha edhe unë, edhe ky, edhe
ata burra mund të ishin këtu me ty! Fundja, ne kurrë s`patëm emër…! As pas
mbijetesës! E shikon kush po flet sot në emrin tonë; në emrin e të pushkatuarve,
të vdekurve në minierë e nga torturat, të vdekurve në hetuesi e të zhdukurve pa
gjurmë! Eh sa ka nën këtë rrënojë?!”
***
Absurdi
më kapi për fyti. Më shtrëngonte! E vërtetë; aty mbanin fjalime, mbase
frymëzuese, përfaqëuesit politik që shahen me listë shtëpie çdo të enjte në
Parlament, duke mos kursyer as gratë, motrat e nënat e njëri-tjetrit por që aty
ishin bashkë, madje po bashkë kishin bërë edhe rrugën nga Tirana. Aty kishte
edhe përfaqëues të Europës, që asnjëherë s`ishin parë skenash të tilla; aty
kishte edhe ish-të burgosur të atij kampi që hiqeshin zvarrë, të keqveshur e
keqtrajtuar sërish, që liheshin jashtë protokolleve të një kryebashkiaku që në
fakt mua më shumë më ngjan me një mirërritës kanabisi se sa me një funksionar
lokal i asaj zone që ishte në krye të punëve në një vend shpirtrash! Kisha
frikë t`ia dorëzoja veten mendimit mbi gjithë atë absurd që luhej atë ditë në
atë vend, ndaj i kërkova mikut tim të më shoqëronte fjetoreve, andej nga ku
kishin shpërthyer thirrjet e para të vërteta, e mbase të vetmet prej 45 vitesh:
“E duam Shqipërinë si gjithë Europa”! Aty sërish kërkova Palin, Skënderin,
Dervishin dhe Hajriun! Hmm, në mure gjendeshin shumë piktura, e gjithnjë
mendoja se do gjendej Mersini, matiani që pikturoi atë shqiponjë në një faqe
jorgani të mikut të tij që më pas Ndreca e vuri në një shkop dhe e ngriti mbi
atë ngrehinë vrastare. Përherë të parë falangat e pushtetit shikonin një flamur
pa yll! Ishte makthi që vrau 4 burra dhe ridënoi mbi 70 të tjerë! Pushtetet në
duar idiotësh kthehen në mizori! Kudo e hasje atë konstatim, ndërsa pak metra
më tutje, vendi dukej sërish i pushtuar. Një moment vendosa të dal nga ai
shpagim! Para syve më shfaqet një mik, pjesë e së tërës po jo si e tëra… E
prezantova me bashkëudhëtarin tim: “Ky asht me ata të makinave të shtrejnta, po
asht si na! E njeh dhimbjen e këtij vendi sa na, po ka mbetur rastësisht në
rrethin e jashtëm të këtyre, se tek i brendshmit, sigurisht se s`ka shanse të
afrohet! Atje janë zënë vendet shumë kohë ma përpara se të ndodhte kjo
revolta!”
Nikoleta Kovaçi, 2018