Kulturë
Sadik Reçi: Mësuam të bëhemi mësues
E marte, 01.04.2025, 06:55 PM
Arsimi është fortesa e lirisë, arma e demokracisë, shpresa e lirisë, mburoja e djelmërisë dhe gëzimi i shekullit. Me fat janë kombet që e presin. - Henry Van Duke.
MËSUAM
TË BËHEMI MËSUES
Kujtime
dhe përjetime
Nga
Sadik Reçi
Shkollën e Mesme Pedagogjike “17 Nëntori”, Tiranë,
ish Instituti femëror “Nëna Mbretëreshë”, lartësohet përgjatë “Rrugës së
Elbasanit”, përballë ndërtesës së Akademisë së shkencave. Veprimtaria e saj
ndër vite, në kohë qetësie dhe trazirash politike e ushtarake, sjell e
trashëgon kujtime dhe përjetime ndër vite, te ish nxënësit për shumë breza. Në
gjykimin dhe njohjen time, të njëjtat ndjesi ndjejnë për shkollat e tyre edhe
nxënësit e shkollave pedagogjike të shpërndara në mbarë vendin, si “Normalja”
e Elbasanit, dhe të tjerat, në Shkodër,
Berat, Vlorë, Fier, Gjirokastër, Korçë, etj, etj.
Eh... sa breza mësuesish u përgatitën në këto shkolla
mësuesie dhe u shpërndanë në të gjithë vendin si “Misionarë të dijes dhe
edukimit”, duke punuar me përkushtim dhe idealizëm.
Nuk po them gjë të re në jetën dhe veprimtarinë e
shkollave pedagogjike, por këtu merrnim të gjithë elementët e mësimit dhe edukatës
së punës për t’u bërë mësues. Jo thjesht teorike e praktike, por të qëndrueshme,
pasi kërkohej që rregulli e disiplina të njihej e të zbatohej nga ne. Dhe,
kontrollohej për të qenë të bindur në përditësinë e veprimeve tona.
Ne ishim të vegjël dhe përpiqeshim t’i zbatojmë të
gjitha kërkesat. Vonë kur u rritëm e kuptuam se sa të dobishme ishin, jo
thjesht si mësime për profesionin, për të mësuar vocërrakët në fshat dhe qytet,
shtrirë më tej në të katër anët e vendit, por më së shumti edhe për vete, për
t’i zbatuar në jetën tonë të përditshme.
Nuk e kam gabim të bëj një pyetje për kolegët mësues
të të gjitha kohëve: - Kur njeriu mësohet të njohë rregullat dhe të veprojë
duke u mbështetur në rregulla e ligje, në vogëli apo kur të jetë i rritur.....?
Nuk pres përgjigje pasi e di mirëfilli përfundimin
logjik të mendimit, kështu e di edhe përgjigjen, pasi urtësia popullore ka një
fjalë të urtë: “Kali mësohet të vrapojë me revan, sa është mëz i ri, pasi po
u rrit nuk mësohet kurrë”. Ndërsa filozofi i lashtësisë Sokrati, na thotë:
“Të edukosh, do të thotë të ndezësh një flakë e jo të mbushësh një enë”.
Këtu vinin brezat 14-15 vjeçar, ashtu su unë, në
moshë shumë të njomë fëminore dhe merrnin dije shkencore, letrare, gjuhësore,
historike, njëkohësisht edhe shprehitë e sjelljes në punët vetjake dhe në grup.
Orari i veprimeve, disiplina e vendosur, e kërkuar dhe zbatuar nga të gjithë,
ishte hapi i parë që kuptoje se jeton në jetë kolektive, mes shokësh e shoqesh.
Ndarja e punës dhe llogaritja e kohës, ishte sekreti që duhet të mësonte
gjithkush nga ne nxënësit e vegjël. Disiplina dhe rregulli mbizotëronte kudo
dhe mësuesin e shikonim si perëndi e zbritur në tokë për të na mësuar ne.
Kërkesa për rregull u bë pjesë e pandarë e vetëdijes
sonë gjatë gjithë veprimtarive, një lloj mirëkuptimi dhe bashkëpunimi i heshtur
mësues-nxënës. As sot, pas kaq vjetësh mësues, nuk di si t’i ndaj detyrat dhe
të drejtat e nxënësve, ato janë bashkë, madje duhet të peshojnë më shumë
detyrat, pastaj të kërkojmë të drejtat, duke përfshirë edhe ato të mësuesve
tanë, të cilat ishin në një peshore të baraspeshuar.
Le të më kritikojnë kolegët, kur shprehem se në
ditët e sotme nëpër shkolla, më shumë dhe me zë të lartë kërkohen të drejtat e
nxënësve, duke lënë pas dore detyrat. Një temë e rrahur disa herë nëpër
artikujt që botoheshin dikur në gazetën tonë “Mësuesi”. E përfytyroni një çast
të vetëm: A thua se mësuesi pret te dera e klasës me shkop në dorë, të
ndëshkojë nxënësit e tij....... Sikur ai dhe vetëm ai, është personi më kryesor
që i shkel të drejtat e nxënësve........! O zot..... Ç’po ndodh kështu.....!?
Edhe pas kaq vjetësh, si në sy e kam pamjen: “Te
porta e shkollës qëndronte roja, Xha Hasani, një burrë i shkurtër dhe i prerë
në fjalë, që të detyronte ta dëgjoje dhe mos kundërshtoje”. Sot e kuptojmë
sa i rëndësishëm ishte ai post për ecurinë dhe zhvillimin normal të mësimit dhe
veprimtarive gjatë gjithë kohës që ne ishim në mësim. Që aty fillonte rregulli.
Xha Hasani nuk lejonte askënd të futej dhe të dilte pa lejë në shkollë. Sa mirë
bënte!
Mjedisi në oborr dhe nëpër klasa, të detyronte të
respektoje punën e përbashkët dhe të të tjerëve, si në mbajtjen dhe kujdesin
ndaj luleve, ashtu edhe të bibliotekës, laboratorëve, orendive shkollore, etj.
Si sot më kujtohen bangot prej dërrase, jo vetëm të pastra
e të rehatshme, me një lloj pjerrësie që shikimi dhe veprimet tona për këndim e
shkrim, të mos na lodhnin, madje na detyronin që të rrinim drejt, pa qenë
nevoja të përkuleshim, apo të shtrembëroheshim mbi librin apo fletoren.
Në klasa dhe korridore mbizotëronte qetësia, veç në
pushimet mes orëve dhe pushimi i madh, shkolla gumëzhinte si koshere bletësh,
nga zërat gazmor të nxënësve, si cicërima zogjsh të lirë e të shpenguar.
Nuk mund të kuptohet ecuria normale e një shkolle pa
disiplinë, jo vetëm në klasë, por edhe në oborr, në terrenin sportiv, në mencë,
në konvikt, në klasë dhe në orët e studimit, etj, etj. Askush nuk mund ta
mohojë se shkolla është një institucion pune, madje edhe mësimi është një punë
e vështirë, që kërkon mençuri, durim, vullnet e përqendrim të vetëdijshëm.
Kërkesa që, jo të gjithë kanë dëshirën dhe synimin t’i përmbushin. E thënë pak
më ndryshe: - Të gjithë do të bëheshin dijetare, shkencëtarë, profesorë e
doktor shkencash, gjë që nuk ndodh në asnjë shkollë dhe në asnjë vend të botës.
Që mos e cungoj mendimin, më duhet të shprehem pak letrarisht: - Lëndina është
e bukur kur ka shumë lule dhe dielli i ngroh të gjitha njësoj, por secila ka
ngjyrë dhe aromë të veçantë. Këta janë talentet, që zgjidhen e ushqehen nga
mendja dhe dora e mësuesit.
I adhuronim mësuesit tanë. E mbi të gjitha, fjala e tyre
për ne ishte ligj. I shikonim në dritë të syrit, si të pikuar nga qielli, të
bindur se ata kishin ardhur apostafat për të na mësuar dhe edukuar që të bëhemi
të zotët e vetes dhe përvojën tua përcjellim brezave. Sjellja dhe serioziteti i
tyre na bënte që t’i adhurojmë në heshtje. Disa prej tyre i kishim si model për
t’i ndjekur në jetë. Besoj se nuk ka gjë më të bukur, kur nxënësi krijon
idhullin e tij, duke marrë si shembull mësuesin e tij. Në këtë udhë mendimi, i
jap të drejtë dijetarit, Guy Kawasaki, i cili shprehet: “Nëse do krijoni
monumente për njerëzit e rëndësishëm, krijoni për mësuesit. Ata janë heronjtë e
shoqërisë sonë”.
Nuk them se ne nuk bënim çapkënllëqe të moshës,
kështu që nuk mungonte edhe qortimi kur ishte e nevojshme, si formë pune nga
mësuesit tanë, përherë për të ndrequr gjërat. E veçanta e saj ishte, sidomos ngulitja
në vetëdijen tonë, për t’u bërë më të mirë, pasi e mira kudo dhe kurdoherë
pëlqehet dhe miratohet, duke i hapur shtigjet drejt suksesit në ngjitjen e
shkallëve të dijes dhe kulturës, në marrëdhëniet shoqërore, miqësore, pse jo edhe
zyrtare e shtetërore.
Kudo edukatë pune dhe estetikë në veshje dhe në
rregullin e përgjithshëm. Mbetet e paharruar puna e mësuesve tanë, plot
këmbëngulje, që tema të kuptohej që në klasë, duke na lehtësuar punën në studim
dhe përgatitjen e detyrave, si pjesë e rëndësishme e mësimit. Sa njerëzorë dhe
profesionalisht silleshin me ne, kur duke na shikuar në sy, na pyesnin: - “E
kuptuat mësimin?”, dhe ne në kor përgjigjeshim: - “Poooo!”. Ata duke qeshur na
thoshin: - Ju shoh në sy, jo aq mirë......! E shpjegojmë edhe një herë.....!
Ishte kjo mënyrë sjelljeje që na shtynte të dëgjojmë
me vëmendje shpjegimin, dhe në kohën e studimit të përqendrohemi më mirë në
kërkesat shkencore, letrare dhe gjuhësore. Çuditërisht metodat e mësuesve tanë,
u bënë udhërrëfyes në punën tonë si mësues. Këtu mos harrojmë përvojën e “klasave
ushtrimore”, ku mësuesit ishin vërtet mjeshtër të mësimdhënies. Atëherë nuk i
gjykonim shumë, ndarjen e punëve, por kur u rritëm, kuptuam sa bukur ishin
ndërthurur detyrat dhe synimet: “Atë që mësojmë në klasë, duhet të dimë tua
përcjellim nxënësve kur të dalim në jetë”.
Nuk po them gjë të panjohur në fushën e mësuesisë,
por mësimi dhe veçanërisht studimi, është një punë e “rëndë” dhe e rëndësishme
për nxënësin, Pikërisht këtu qëndron edhe sekreti i përkushtimit dhe metodave të
mësuesve tanë të ditur, që problemin e vështirë ta bëjë të lehtë për tu kuptuar
e zbatuar në detyrat tona.
Sot, pas kaq vitesh them: - Ishte forma më e bukur,
më e lehtë, më e zgjedhur dhe më e pëlqyeshme, do ta quaja “Art në
mësimdhënie”, për ta përqafuar e përvetësuar idenë dhe mendimin hap pas hapi. Ishte
një lloj frymëzim i heshtur, që na shtynte të guxojmë e të kapërcejmë
vështirësitë. Dhe, më tej të synojmë përsosmërinë në profesionin dhe misionin
tonë, si mësues. Sa gjë e bukur të jesh “Misionar”, në shërbim të mëmëdheut dhe
kombit......! “Arsimi e mbron lirinë më mirë se një ushtri”. - Do
të thoshte Parashqevi Qirjazi, në vitet kur luftohej për liri dhe shkollë
shqipe.
A nuk e kini vënë re kolegë të nderuar, se shumë
herë porositë: “Duhet të bëni”, nuk ngjisin në vetëdijen e nxënësit,
pavarësisht përsëritjes që kthehet në bezdi: “Duhet të bëni.....”. Këtu gjen
vend metoda: “Ejani ta bëjmë bashkë”, dhe suksesi është i mirëpritur.
Kujtojmë me shumë nderim mësuesit tanë, si: Besim
Turdiu, Llambrini Kallamata, Lili Tirana, profesor Bardhylin, profesorin e
edukimit fizik, trajnerin e madh Kreshnik Tartari, e plot të tjerë që
ngrohtësisht na vini dorën mbi supe, kur nuk ndjeheshim mirë, duke na pyetur
butësisht: - Çfarë ke.....? Nuk ndjehesh mirë....!? Kjo sjellje sa njerëzore aq
edhe “prindërore”, na bënte që problemi ynë të kalohej shpejt.
I gjithë ky shkrim i imi, ndjehet si një rikujtim i
ndjesive më të bukura, të kaluara e të përjetuara në vitet e shkollës “Pedagogjike”,
ku mësuam dhe u bëmë mësues, duke shërbyer e derdhur pa kursim “idealizmin tonë
rinor”, në katër anët e vendit. U përballëm me vështirësitë e kohës dhe nuk u
ligështuam, as u thyem, as u tërhoqëm. Nuk mburremi dhe nuk ka pse të kërkojmë
grada e ofiqe. Detyrën o e pranon dhe e çon deri në fund, ose tërhiqesh.
Zgjidhje tjetër nuk ka.
Ne e vlerësonim punën tonë si të “Shenjtë”, pasi u
shërbente nxënësve tanë dhe kështu duhet vlerësuar edhe nga mësuesit e rinj, që
kanë marrë përsipër të jenë “Misionarë” të dijes.
Dikush, ashtu si unë vazhduam Universitetin, duke u
ngritur në shkallën e dijes dhe
kulturës, për ta vënë në shërbim të mësimit dhe edukimit të brezave, por
“metodistë” na bëri shkolla pedagogjike.
Nuk marr përsipër të mësoj njeri, në veçanti
specialistët në fushën e arsimit, por një pyetje më shpon në vetëdijen time: -
Pse u mbyllën shkollat pedagogjike, si vatra, ku mësuesi duke u rritur bëhej
mësues...!? “Aq më shumë, kur fëmijët në ciklin e ulët nuk kërkojnë dijetarë,
profesorë e doktorë shkencash, por mësues metodist, që t’i mësojë shkrim e
këndim, të dëgjojë e të flasë, të mësoj dhe të zbatojë rregullat më fillestare
të mirësjelljes, që do ta shoqërojnë gjatë gjithë jetës”. Kështu shkruan kolegu
i hershëm Kadri Tarelli në shkrimin: PSE U MBYLL SHKOLLA “NORMALE” E ELBASANIT?
Pse po shkulen simbolet e arsimit….!? Gazeta “Destinacion. Tiranë. 26, të
shkurtit, 2025. Gazeta “Dielli”. SHBA. 27. 02. 2025.
Pyetjet vijnë varg: Kaq shumë i rëndonin shtetit dhe
shoqërisë... shkollat e mësuesisë!? Është pyetja që nuk ka përgjigje dhe nuk
pret përgjigje..... Pse...!? Askush nuk beson se shteti e mbushi buxhetin duke
kursyer ca para, por dëmi që pësoi arsimi shqiptar është i pa riparueshëm. Frutat
do t’i mbledhim kur të piqen pas njëzet vjetësh. Kush e paguan faturën....? Kush
duhet të përgjigjet....?
Sot, kohët kanë sjellë ndryshime në ndërtesa dhe pajisje, sidomos
teknologjia dhe interneti, por mësimdhënia mbetet po ajo, si mijëra vite më
parë. Mësuesi bëhet dhe mbetet mësues. Pa mendjen dhe dorën e tij, rrallë kush
bëhet i ditur dhe i ndritur.
Ja si e vlerësojnë figurën e mësuesit, dy nga të diturit e botës dhe të
kombit:
Viktor Hygo: “Dy janë nëpunësit kryesor të kombit; nëna dhe mësuesi”.
Ndërsa filozofi ynë i ndritur Sami Frashëri, na porosit: “Mendja e një
kombi është arsimi”.
Urime dhe suksese kolegëve mësues, që përballen me
të rejat, vështirësitë dhe të papriturat e kohës.....! Meritoni nderimet dhe
kujdesin më të madh, sepse i shërbeni mbarë shoqërisë dhe kombit.
Mësuesia është më shumë mision se profesion.
Meritojeni....!
Sadik Reçi
Ish mësues e drejtues
shkolle. Sot pensionist.
Mars 2025.
Instituti femnuer Nana Mbretneshë