Kulturë
Albert Habazaj: 28 marsi, ditë dëshmie dhe kujtese në Vlorë dhe në Leçe
E premte, 28.03.2025, 07:56 PM
28 MARSI - DITË DËSHMIE DHE KUJTESE NË VLORË DHE NË LEÇE
Nga
Albert HABAZAJ
Qysh
kur është krijuar jeta në këtë planet, marsi ka qenë muaji i parë që çel
pranvera, shpërthejnë lulet, vijnë dallëndyshet e qesh bukur ballin jeta
njerëzore. Sikurse në çdo vend të botës, edhe në Shqipëri, edhe në Vlorë.
Kështu
nisi tek ne edhe marsi i vitit 1997. Me lule, me dallëndyshe, me frymën e ajrit
të freskët dhe aromën e jetës së lumtur. Por nuk e mbylli kështu siparin e
fatit. Ai 28 mars erdhi i zi. Vlora dhe Shqipëria veshën vellon e zisë. Ky
det thellë përtej Vlorës, si bajloz i zi
e me dallgë të egra si lubi di ç’engjëj mban poshtë thellësive mistike.
28
marsi është ditë dëshmie dhe kujtese në Vlorë dhe në Leçe, që do të përsëritet
çdo vit më 28 mars. Në kujtim të tragjedisë së përmbytjes së anijes shqiptare
“Katër i Radës” nga Vlora në Otranto më 28 mars 1997, në bordin e së cilës
ishin 142 njerëz, midis tyre gra dhe fëmijë nga mosha 3-69 vjeç [është shkruar
se ishin 120 shqiptarë, të paktën 84 humbën jetën (81), 27 vetë u zhdukën pa
lënë gjurmë, 34 mbijetuan] gjatë përplasjes me anijen detare italiane Sibilla -
Marina Ushtarake Italiane në Ngushticën e Otrantos, 35 milje (56 km) nga bregu
italian.
Ç’gonxhe
të freskëta e lule plot aromë! Dhe sa kopshte të shtëpive të tyre u thanë, për
të mos çelur!...
Sot
jemi më 28 mars 2025. Kanë kaluar 28 vjet, që deti i Shqipërisë dhe Italisë nuk
e rrëfen tragjedinë e kohëve moderne të përmasave biblike, tejbiblike. Në fakt,
janë dy shtetet tona që janë njëmendësuar për të mos e lënduar njëri-tjetrin.
Më duket se ata thonë: “Punë e madhe për jetët e njerëzve, që u zhdukën si të
ishin bukureza nate”!?...
Ç’hipokrizi
e paimagjinueshme nga mendja njerëzore! Hipokrizia ka dalë në log të burrave e
në ballë të kuvendit e bën krokodilin. Ajo ka veshur maskat e keqardhjes së
çastit, e lotit aktorial dhe pastaj, o njerëz të lënduar: “Puthuni me Milon”,
ku u kam parë... Po afrojnë zgjedhjet: “Do bëjmë këtë dhe atë”... Vetëm lugën
floririt s’na e thonë më, se u doli
kartë e djegur. I kanë kthyer sytë nga mërgata, ose diaspora, si i quajnë këta
horrat mërgatën e luleve shqiptare në Itali, Greqi e nëpër botë. Atje i mbajnë
shpresat për fitore. Po a keni vërejtur, o njerëz, që ndonjëra nga këto
dhjetëra forca politike të përmendë Tragjedinë e Otrantos dhe të ofrojë një
zgjidhje sadopak shëruese për familjarët, për qytetarët, për dinjitetin e nëpërkëmbur
të Shqipërisë, bijtë e së cilës i sakrifikuan deri në vdekje. Politika ka vënë
maskën e hipokrizisë. Çfarë them dhe unë!? Politika është vetë maska.
Familjarët
nuk mund ta harrojnë 28 Marsin e Zi. As qytetarët nuk duhet ta harrojnë 28
Marsin e Luleve në fund të detit. Është një kushtrim për vetëdijen njerëzore
këtej dhe matanë brigjeve adriatike. Ne i kemi përjetësuar dhe në këngë të
përvajshme, familjarët në elegji. Grupi i grave të Tërbaçit “10 Shqiponjat e
Tërbaçit” u këndon me dhembje nëne e motre një këngë të përvajshme që të
rrëqeth. Në fakt, është një tekst imi (Albert Habazaj), që kam thurur vite e
vite më parë, të cilin Shqiponjat labe të këngës e ligjëruan me ligje gjatë
veprimtarisë që u zhvillua të dielën e datës 28.03.2021, ora 18.00-20.00 në
Vlorë, pikërisht nga pikënisja e Katërit të Radës për në Itali më 28 mars 1997,
realizuar me kujdesin e Ema Birçaj, Lecce, Itali dhe Anisa Ceno, Kraal Hotel,
Vlorë...
Pezmatuar
nga trishtimi dhe mosbesimi shprehem me dhembjen e shpirtit: Kurrë mos u harrofshin
ata 142 pishtarë të fikur jete!
Ema
Birçaj! Motër! Sa të kemi frymë duhet të kërkojmë Monumentin e Dinjitetit të
Pafajshmërisë së pafaj, të atyre 142 jetëve që janë në përjetësinë e paharrimit
tonë!