E merkure, 30.04.2025, 02:08 PM (GMT+1)

Kulturë

Driton Gashi: 'Atdheu është si ëndrra!'

E merkure, 26.03.2025, 07:50 PM


"Atdheu është si ëndrra!"

Recension i librit për të rinj

"Letra lejlekut"

të autorit Gani Bytyçi

Nga Driton Gashi

Qysh në Egjiptin e vjetër dhe në Greqinë antike, lejleku ka gëzuar një respekt të veçantë: si lajmëtar i stinës së pranverës, si një zog që sjell lumturi e fëmijë dhe si mbrojtës familjar. Romakët dhe grekët lejlekun e shihnin si krijesë hyjnore, gjë që përmendet edhe në Bibël. Andaj, ata që guxonin ta vrisnin lejlekun, dënoheshin me vdekje.

Libri i ri i shkrimtarit, gazetarit e piktorit tonë të nderuar, Gani Bytyçi, i titulluar "Letra lejlekut", e bën për vete lexuesin që në shikim të parë. Duke filluar nga përgatitja estetike, me një ilustrim të bukur në ballinë dhe me disajnin e zgjedhur për mrekulli, ky roman për të rinj, po pse jo edhe për të rritur e për të gjitha moshat tjera, i rrezaton emocionet pafund dhe mesazhet e fuqishme që ka brenda ende pa i shfletuar faqet e para.

Autori u dedikon këtë libër "të gjithë fëmijëve të botës, që janë viktima të konflikteve, të dhunës e të luftërave", çfarë do të thotë se tematika që shtjellohet ka një relevancë globale, universale dhe se të drejtat e fëmijëve për të qenë të mbrojtur e të sigurtë, për përkujdesje prindërore, për ngrohtësi e dashuri familjare e për të pasur një fëmijëri të lumtur, duhet të vihen në fokus të të gjitha shoqërive pa dallim. Në këtë kontekst, mendja më shkoi menjëherë te shkrimtari i librave për fëmijë, mjeku dhe pedagogu polak Janusz Korczak (1879-1942), i cili fëmijët i ka konsideruar si individë dhe pjesëtarë të barabartë me të rriturit. Ai ka theksuar në librat e tij të shumtë (p.sh. më i njohuri "Si t'i duam fëmijët") dhe në konceptet pedagogjike se fëmijët nuk duhet obliguar t'i përmbushin pritshmëritë që kanë të tjerët për ta, por ata kanë të drejtë të mbajnë fshehtësitë dhe ëndrrat e tyre. Ky njeri aq i veçantë ishte me origjinë hebreje, i cili në kohën e pushtimit të Polonisë nga Gjermania naziste, themeloi një jetimore në geton famëkeqe të Varshavës dhe u përkujdes për fëmijët e lënë pasdore deri në frymën e fundit. Edhe pse nazistët e lejuan të arratisej, ai nuk i la fëmijët vetëm dhe i shoqëroi në kampin e përqendrimit Treblinka, ku më pas u vranë të gjithë.

Që në faqet e para lexuesi konfrontohet me botën emocionale të një vajzeje shqiptare, e cila e ndjen në brendësi se në vendin e saj, Kosovën, diçka nuk është duke shkuar mirë. Nga sjellja e çuditshme e të rriturve, nga shqetësimet e shumta, fytyrat e tyre të ngrisura dhe të trishta, personazhi kryesor i veprës, Lulja, e kupton që diçka e jashtëzakonshme është duke ndodhur në jetën e saj fëmijërore. Diçka e rrezikshme, e frikshme, brengosëse. Kulmi i kësaj gjendjeje alarmante u arrit për vogëlushen kur një lejlek, i cili kishte bërë një çerdhe në kopshtin e saj dhe me të cilin ajo kishte një lidhje të fortë emocionale, nuk erdhi më. Këtu fillon një thyerje shpirtërore e Lules, e përshkruar me aq finesë e dhembshuri nga autori:

"Doja të doja nëse ti ndodheshe në çerdhen tënde atje majë lisit. Kur nuk të shihja aty, mërzitesha shumë. Pikëllohesha dhe çdo ditë më shtohej padurimi për ty. Një mbrëmje nuk mund të përmbahesha dot. Kam qarë gjithë mallëngjim." (faqe 21)

Duke u nisur nga simbolika që përçon lejleku, e përshkruar më lart, vogëlushja beson në fuqinë mbrojtëse të tij, si në një engjull. Ndjenja e pasigurisë shtohet dhe më shumë, kur e tërë familja duhet të ikin e të lënë shtëpinë, pa e ditur se ku do arrijnë e a do kenë siguri gjatë rrugës. Poashtu duke lënë babain e burrat tjerë të shtëpisë në zjarrin e luftës e të shkatërrimit. "Njerëzit keqbërës me uniforma të zeza" (faqe 23), të cilët vrasin zogj e fëmijë, i detyrojnë të gjithë njerëzit e fshatit e gjithë atdheut të Lules të largohen sa më parë nga shtëpitë e tyre.

Si të veprojë një fëmijë në këtë gjendje?

Si ta shpreh frikën, dhembjen e mallin për shtëpinë e lënë pas, babain, axhët, shoqet e shokët?

Si ta përballojë një situatë traumatike, një luftë për ekzistencë e për mbijetesë?

Të gjitha këto çështje aq të vështira e të paimagjinueshme për shpirtin fragjil fëmijëror, Lulja vendos t'ja besojë shokut të saj më të ngushtë, lejlekut. Në nëntëmbëdhjetë letrat drejtuar lejlekut, ajo shpreh tërë pafajësinë e saj fëmijërore, mllefin, paqartësinë dhe pakuptueshmërinë për luftën, mallin e madh për babain, të cilin nuk do ta takonte më kurrë, përjetimet e reja si refugjate në Shqipëri dhe më vonë në Zvicër, dashurinë e madhe ndaj gjyshes dhe vdekjes së saj në mërgim, zgjuarsinë e saj të rrallë për t'i përceptuar e përshkruar gjërat me shumë korrektësi, nevojën për dashuri e ngrohtësi që mund ta japë vetëm vendlindja e shumë e shumë aspekte tjera.

Lexuesit gjatë leximit do i rrënqethet lëkura, besa dhe ca pika loti patjetër që do i rrokullisen faqeve, ngase intensiteti i madh i emocioneve të përçuara nuk e lë askend indiferent. Në këtë rrëfim ndoshta e kuptojmë më së miri se ç'pasoja mund të ketë lufta për të gjithë njerëzit, e në veçanti për fëmijët e pafajshëm. Andaj, mesazhet aq të fuqishme për paqe, dashuri njerëzore e solidaritet të ndërsjellë, fshihen në çdo faqe e në çdo rresht të kësaj sage për luftën e Kosovës.

Autori Gani Bytyçi prek zemrat e lexuesit me përshkrimin aq të ndjerë të kthimit të Lules, tashmë e rritur, nga Zvicra në atdheun e saj dhe ballafaqimit me realitetin e Kosovës së pasluftës. Takimi i rastësishëm me kushëririn e saj në varrezat e fshatit paraqet një shpërthim emocional në fund të librit, ku e gjithë tragjedia e kombit tonë përjetohet edhe njëherë, por edhe krenaria për heronjtë e luftës dhe rezistencën tonë kombëtare. Bytyqi i jep hapësirë edhe ndjenjës së madhe të atdhedashurisë së mërgimtarëve, në veçanti emocioneve që kanë ata kur janë duke u nisur për vendlindje e duke u kthyer prapë në vendet ku kanë mërguar. E gjitha kjo nga perspektiva e Lules.

"Letra lejlekut" është një dhuratë e çmuar letrare, një kontribut artistik për kujtesën tonë kolektive dhe një apel i fuqishëm për më shumë paqe e dashuri ndërnjerëzore. Fatkeqësisht, gjendja e sigurisë në botë nuk është fare e mirë, kur i shohim fëmijët e uritur, të zhveshur e të vrarë gjithandej në zonat e luftës. Uroj që këto porosi aq domethënëse të autorit të arrijnë në vendin e duhur dhe në veshët e duhur. Libri përmban potencial të madh artistik, me një gjuhë të bukur e të rrjedhshme, me një simbolikë të jashtëzakonshme narrative, të gjitha këto aspekte që një temë aq të komplikuar si luftën e Kosovës e transferojnë te lexuesi i ri me një mjeshtëri të rrallë. Jam më se i bindur se ky libër do dilte bukur edhe në gjuhë tjera, nëse këtë punë e marrin përsipër përkthyes profesionistë e me përvojë të gjatë letrare. Atëherë edhe lexuesit ndërkombëtarë do të mësonin më shumë për fatin e kombit tonë, do të na kuptonin më mirë plagët tona ende të pashëruara dhe do fitonin më shumë njohuri e empati ndaj fëmijëve që rriten në luftë.

Bytyçi, Gani: "Letra lejlekut"

Faik Konica, Prishtinë 2024

ISBN 978-9951-31-041-3



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx