| E merkure, 26.03.2025, 07:50 PM |
"Atdheu
është si ëndrra!"
Recension
i librit për të rinj
"Letra
lejlekut"
të
autorit Gani Bytyçi
Nga
Driton Gashi
Qysh në Egjiptin e vjetër dhe në
Greqinë antike, lejleku ka gëzuar një respekt të veçantë: si lajmëtar i stinës
së pranverës, si një zog që sjell lumturi e fëmijë dhe si mbrojtës familjar.
Romakët dhe grekët lejlekun e shihnin si krijesë hyjnore, gjë që përmendet edhe
në Bibël. Andaj, ata që guxonin ta vrisnin lejlekun, dënoheshin me vdekje.
Libri i ri i shkrimtarit, gazetarit e
piktorit tonë të nderuar, Gani Bytyçi, i titulluar "Letra lejlekut",
e bën për vete lexuesin që në shikim të parë. Duke filluar nga përgatitja
estetike, me një ilustrim të bukur në ballinë dhe me disajnin e zgjedhur për
mrekulli, ky roman për të rinj, po pse jo edhe për të rritur e për të gjitha
moshat tjera, i rrezaton emocionet pafund dhe mesazhet e fuqishme që ka brenda
ende pa i shfletuar faqet e para.
Autori u dedikon këtë libër "të
gjithë fëmijëve të botës, që janë viktima të konflikteve, të dhunës e të
luftërave", çfarë do të thotë se tematika që shtjellohet ka një
relevancë globale, universale dhe se të drejtat e fëmijëve për të qenë të
mbrojtur e të sigurtë, për përkujdesje prindërore, për ngrohtësi e dashuri
familjare e për të pasur një fëmijëri të lumtur, duhet të vihen në fokus të të
gjitha shoqërive pa dallim. Në këtë kontekst, mendja më shkoi menjëherë te
shkrimtari i librave për fëmijë, mjeku dhe pedagogu polak Janusz Korczak
(1879-1942), i cili fëmijët i ka konsideruar si individë dhe pjesëtarë të
barabartë me të rriturit. Ai ka theksuar në librat e tij të shumtë (p.sh. më i
njohuri "Si t'i duam fëmijët") dhe në konceptet pedagogjike se
fëmijët nuk duhet obliguar t'i përmbushin pritshmëritë që kanë të tjerët për
ta, por ata kanë të drejtë të mbajnë fshehtësitë dhe ëndrrat e tyre. Ky njeri
aq i veçantë ishte me origjinë hebreje, i cili në kohën e pushtimit të Polonisë
nga Gjermania naziste, themeloi një jetimore në geton famëkeqe të Varshavës dhe
u përkujdes për fëmijët e lënë pasdore deri në frymën e fundit. Edhe pse
nazistët e lejuan të arratisej, ai nuk i la fëmijët vetëm dhe i shoqëroi në
kampin e përqendrimit Treblinka, ku më pas u vranë të gjithë.
Që në faqet e para lexuesi konfrontohet
me botën emocionale të një vajzeje shqiptare, e cila e ndjen në brendësi se në
vendin e saj, Kosovën, diçka nuk është duke shkuar mirë. Nga sjellja e
çuditshme e të rriturve, nga shqetësimet e shumta, fytyrat e tyre të ngrisura
dhe të trishta, personazhi kryesor i veprës, Lulja, e kupton që diçka e
jashtëzakonshme është duke ndodhur në jetën e saj fëmijërore. Diçka e
rrezikshme, e frikshme, brengosëse. Kulmi i kësaj gjendjeje alarmante u arrit
për vogëlushen kur një lejlek, i cili kishte bërë një çerdhe në kopshtin e saj
dhe me të cilin ajo kishte një lidhje të fortë emocionale, nuk erdhi më. Këtu
fillon një thyerje shpirtërore e Lules, e përshkruar me aq finesë e dhembshuri
nga autori:
"Doja të doja nëse ti ndodheshe në
çerdhen tënde atje majë lisit. Kur nuk të shihja aty, mërzitesha shumë.
Pikëllohesha dhe çdo ditë më shtohej padurimi për ty. Një mbrëmje nuk mund të
përmbahesha dot. Kam qarë gjithë mallëngjim." (faqe 21)
Duke u nisur nga simbolika që përçon
lejleku, e përshkruar më lart, vogëlushja beson në fuqinë mbrojtëse të tij, si
në një engjull. Ndjenja e pasigurisë shtohet dhe më shumë, kur e tërë familja
duhet të ikin e të lënë shtëpinë, pa e ditur se ku do arrijnë e a do kenë
siguri gjatë rrugës. Poashtu duke lënë babain e burrat tjerë të shtëpisë në
zjarrin e luftës e të shkatërrimit. "Njerëzit keqbërës me uniforma
të zeza" (faqe 23), të cilët vrasin zogj e fëmijë, i detyrojnë të
gjithë njerëzit e fshatit e gjithë atdheut të Lules të largohen sa më parë nga
shtëpitë e tyre.
Si të veprojë një fëmijë në këtë
gjendje?
Si ta shpreh frikën, dhembjen e mallin
për shtëpinë e lënë pas, babain, axhët, shoqet e shokët?
Si ta përballojë një situatë
traumatike, një luftë për ekzistencë e për mbijetesë?
Të gjitha këto çështje aq të vështira e
të paimagjinueshme për shpirtin fragjil fëmijëror, Lulja vendos t'ja besojë
shokut të saj më të ngushtë, lejlekut. Në nëntëmbëdhjetë letrat drejtuar
lejlekut, ajo shpreh tërë pafajësinë e saj fëmijërore, mllefin, paqartësinë dhe
pakuptueshmërinë për luftën, mallin e madh për babain, të cilin nuk do ta
takonte më kurrë, përjetimet e reja si refugjate në Shqipëri dhe më vonë në
Zvicër, dashurinë e madhe ndaj gjyshes dhe vdekjes së saj në mërgim, zgjuarsinë
e saj të rrallë për t'i përceptuar e përshkruar gjërat me shumë korrektësi,
nevojën për dashuri e ngrohtësi që mund ta japë vetëm vendlindja e shumë e
shumë aspekte tjera.
Lexuesit gjatë leximit do i rrënqethet
lëkura, besa dhe ca pika loti patjetër që do i rrokullisen faqeve, ngase
intensiteti i madh i emocioneve të përçuara nuk e lë askend indiferent. Në këtë
rrëfim ndoshta e kuptojmë më së miri se ç'pasoja mund të ketë lufta për të
gjithë njerëzit, e në veçanti për fëmijët e pafajshëm. Andaj, mesazhet aq të
fuqishme për paqe, dashuri njerëzore e solidaritet të ndërsjellë, fshihen në
çdo faqe e në çdo rresht të kësaj sage për luftën e Kosovës.
Autori Gani Bytyçi prek zemrat e
lexuesit me përshkrimin aq të ndjerë të kthimit të Lules, tashmë e rritur, nga
Zvicra në atdheun e saj dhe ballafaqimit me realitetin e Kosovës së pasluftës.
Takimi i rastësishëm me kushëririn e saj në varrezat e fshatit paraqet një
shpërthim emocional në fund të librit, ku e gjithë tragjedia e kombit tonë
përjetohet edhe njëherë, por edhe krenaria për heronjtë e luftës dhe
rezistencën tonë kombëtare. Bytyqi i jep hapësirë edhe ndjenjës së madhe të
atdhedashurisë së mërgimtarëve, në veçanti emocioneve që kanë ata kur janë duke
u nisur për vendlindje e duke u kthyer prapë në vendet ku kanë mërguar. E
gjitha kjo nga perspektiva e Lules.
"Letra lejlekut" është një
dhuratë e çmuar letrare, një kontribut artistik për kujtesën tonë kolektive dhe
një apel i fuqishëm për më shumë paqe e dashuri ndërnjerëzore. Fatkeqësisht,
gjendja e sigurisë në botë nuk është fare e mirë, kur i shohim fëmijët e
uritur, të zhveshur e të vrarë gjithandej në zonat e luftës. Uroj që këto
porosi aq domethënëse të autorit të arrijnë në vendin e duhur dhe në veshët e
duhur. Libri përmban potencial të madh artistik, me një gjuhë të bukur e të
rrjedhshme, me një simbolikë të jashtëzakonshme narrative, të gjitha këto
aspekte që një temë aq të komplikuar si luftën e Kosovës e transferojnë te
lexuesi i ri me një mjeshtëri të rrallë. Jam më se i bindur se ky libër do
dilte bukur edhe në gjuhë tjera, nëse këtë punë e marrin përsipër përkthyes
profesionistë e me përvojë të gjatë letrare. Atëherë edhe lexuesit
ndërkombëtarë do të mësonin më shumë për fatin e kombit tonë, do të na kuptonin
më mirë plagët tona ende të pashëruara dhe do fitonin më shumë njohuri e empati
ndaj fëmijëve që rriten në luftë.
Bytyçi, Gani: "Letra
lejlekut"
Faik Konica, Prishtinë 2024
ISBN 978-9951-31-041-3