Kulturë
Sadik Bejko: Tema e vdekjes në një poezi të Vilson Blloshmit
E shtune, 22.03.2025, 07:52 PM
Vilson Blloshmi ka lindur më 18 mars 1948, si sot 77 vjet më parë.
U
dënua me vdekje me pushkatim bashkë me Genc Lekën. U ekzekutuan më 17 korrik
1977.
Tashmë
emri i tij të kujton ata qindra njerëz që vuajtën dhe u ekzekutuan pa faj nga
diktatura komuniste.
Më
poshtë po ripostoj një shkrim mbi një nga poezitë me temën e vdekjes të këtij
poeti.
TEMA
E VDEKJES NË NJË POEZI TË VILSON BLLOSHMIT
Nga
Sadik Bejko
Ndonjëherë
njerëzit bëhen orakuj të vetes, parashikues të zymtë të së pritmes së tyre.
Shohin ëndrra, u shfaqen shenja, dëgjojnë zëra që u bëhen si lajmëtarë të
ngjarjeve të bukura apo të hidhura që do t’u ndodhin. Thonë se me këtë dhunti
të parashikimit të së ardhmes më së shumti janë të pajisur poetët.
Poezia
e Vilson Blloshmit “Dhe shpirti i të vdekurve…” hyn ndër ato poezi që quhen
profetike. Në vargjet e poezisë shpirti i të vdekurve me pishtar në dorë rend
drejt tij, i prek shpirtin, lotët. Ky vegim infernal mund të merret dhe si një
parlajmërim fatal për fundin e tij me ekzekutim gjashtë vjet më pas.
Poezia
nuk ka titull. Atë po e quajmë “Dhe shpirti i të vdekurve…” meqë vargu i parë
fillon me këto fjalë.
Nga
radha, sipas kohës kur u shkrua, ajo renditet poezia e dytë e Vilson Blloshmit,
shkruar kur poeti ishte 21 vjeç. Atëherë ai punonte si druvar në sharrat e
Stravajt.
Vilson
Blloshmi nuk ka lënë ndonjë listë me titujt e poezive që kishte shkruar. Ai i
donte, i dinte përmendësh poezitë e tij, por nuk kujdesej njëlloj për të
gjitha. Pasi i shkruante, disa prej tyre i linte të hedhura në letër vetëm me
dorën e parë: disa të tjera vijnë të ripunuara mjeshtërisht. Poezitë i gjejmë
të shkruara me stilolaps nëpër copa letrash, ndonjëherë në dy motërzime. Nuk u
ka dhënë të gjithave një variant përfundimtar.
Poezia
“Dhe shpirti i të vdekurve…” nuk ka as dorëshkrim. Atë e kemi nga një fotografi
që i është bërë dorëshkrimit origjinal, të shkruar mbi mbulesën e pasme të një
reviste “Nëntori”. Revista “Nëntori” atëherë ishte organi i Lidhjes së
Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë.
Fotografia
e dorëshkrimit sjell shtatë vargjet e poezisë. Poshtë tyre shënohen data dhe
ora kur u shkruan, “30 qershor 1971, ora 4 katër e mëngjesit”. Ndën këto vjen
një tekst me 7-8 fjalë në frëngjisht, më në fund, dhe nënshkrimi i autorit:
V.B.
Pse
nuk e gjejmë dorëshkrimin?
Në
prill të vitit 1976, kur nisën arrestimet e vëllezërve Blloshmi, revista ku u
shkrua poezia, bashkë me shumë libra të tjerë u groposën nën tokë në kopshtin e
kullës së Blloshmëve në fshatin Bërzeshtë. Pas vitit 1991 librat dhe revista u
“çvarrosën”. Ajo revistë dhe disa nga librat ishin dëmtuar rëndë, qenë mykur
dhe kalbur. Një gisht gjerësi nga ana e djathtë e letrës (kapakut të pasmë të
revistës “Nëntori”) ku qe shkruar poezia, ishte e kalbur, ndaj fjalët e fundit
të vargjeve të poezisë si dhe fjalët në fund të reshtave të tekstit frëngjisht
nuk mund të lexohen.
Po
e zbardhim të gjithë tekstin e dorëshkrimit nga fotografia. Fjalët që nuk
lexohen i kemi vënë në kllapa me tri pika midis, ndonjëherë dhe pikëpyetje për
fjalët e paqarta.
(Shih
fragment fotoje 1)
***
Dhe
shpirti i të vdekurve në dorë me një pish(tar…)
Vrapon,
del i dalldisur nga humbja e ndien (v…)
Hapësirës
në çdo vend.
Përzien
krahë, flatra me shpirtin tim takon (…)
Mbi
detin e qetësisë, mbi dallgë kalon (…)
Takojnë
një pikë nga lotët që rrodhën uj(…)
Dhe
dhimbja ndrin argjend.
30
qershor 1971
Ora
katër e mëngj(esit)
Poezia
është shkruar me nerv. Me shpejtësinë e improvizimit. Vilson Blloshmi kishte
shkrim të bukur, por lodhja, ora katër e mëngjesit…vrulli i frymëzimit e bëjnë
shkrimin gati të palexueshëm.
Teksti
në frëngjisht vjen i shkruar më me shpejtësi. Pa shkronjë të madhe në fillim të
fjalisë, me gabime drejtshkrimi, me korrigjime… ky tekst i ndërprerë dhe nga
dëmtimet prej kalbëzimit për mua mbetet i paqartë.
“qund
me souvient en somment (?)
le
minuet pour piano…
orkestre
de Budapest (jo e qartë fjala Budapest)
que
je ecoute une jour ande(?)….”
(Shih
fragment fotoje 2)
Këtu
afërsisht bëhet fjalë për një pjesë muzikore, një minuet në piano, luajtur nga
orkesta e Budapestit (?) të cilën një ditë ai e ka dëgjuar…(?).
2.
Kjo
poezi, dhe pse si tekst vjen e dëmtuar, ka vlera të dëshmuara artistike për të
cilat do shkruaj më poshtë.
Së
pari, ajo ka rëndësi dhe për të na treguar se si shkruante e punonte Vilson
Blloshmi.
Si
shkruante poeti?
Për
këtë dëshmojnë letrat dërguar së kushërirës, Lumturi Blloshmit, atëherë
studente për pikturë në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë.
Ja
një fragment nga letra e datës 6.11.1972. Letër e shkruar frëngjisht. “Je
voudrais ècrire encore mais je n’ècris plus. Maitenant des Farouches penses
tranversent mon cerveai. Je me suis las. Mon corps veut dormir, mais mon esprit
veut sèenvoler. Ainsi que l’un tire dela et l’autre dela. Il est trop tard”…. .
“Do
të shkruaja më shumë, por nuk po shkruaj më. Mendime të ashpra kalojnë në
mendjen time. … Trupi im do të flejë po shpirti im do të fluturojë. Kështu që
njëri më tërheq këndej. tjetri andej. Është shumë vonë”.
Vetminë
e netëve pa gjumë ai e shoqëronte me muzikë. Në letrat për të kushërirën,
Lumen, shkruan se po dëgjonte në radio këtë apo atë pjesë nga repertori i
muzikës klasike… Moxart, Bethoven…. Ditën punonte në sharra, në miniera, netëve
lexonte, shkruante. Ishte i pagjumë, shpesh i gdhinte netët. Këtë e dëshmon
vargu i një poezie: “Dhe shpesh bashkoj unë mbrëmjen me mëngjezë…”.
Natën
e 30 qershorit 1971 ai e ka gdhirë. Është ora katër e mëngjesit. Poeti vë
firmën në fund të një poezie me imazhin e vdekjes që po e ndjek.
Një
i ri 21 vjeç trajton temën e vdekjes në poezi. Kjo nuk ndodh rëndom. Atëherë
poezitë me këtë temë quheshin pesimiste, dekadente. Redaktorët t’i hiqnin nga
librat, nuk t’i botonin në gazeta. Ishte koha e heroizmit propagadistik. Në
gazeta botoheshin himne për heronjtë e punës që, dhe kur vdisnin, e kishin
mposhtur (siç!) vdekjen.
Vilson
Blloshmi ka disa poezi me temën e vdekjes: “Një makth i llahtarshmi”, “Kur u
ktheva sërishmi”, “Dhe mua më duhet të vrapoj”. Janë poezi-makthe, të cilat
vetëm sa i ka zbrazur në letër. Nuk u është kthyer për ripunim.
3.
Më
poshtë po sjellim një lexim të mundshëm të kësaj poezie.
Shpirti
i të vdekurve nëpër natë me pishtar në dorë vrapon ngado hapësirës. Ky është
një imazh dantesk, i pashoq në letërsinë shqipe.
Është
imazhi themelor i poezisë, i dhënë që në vargun e parë. Mbi këtë imazh
shkallë-shkallë ndërtohet e gjithë poezia
Imazhi
i dytë: (Shpirti i të vdekurve me pishtar në dorë) vrapon, del i dalldisur nga
humbja.
Imazhi
i tretë: (Shpirti i të vdekurve me pishtar në dorë) Hapësirës në çdo vend.
Imazhi
i katërt: (Shpirti i të vdekurve me pishtar në dorë) përzien krahë, flatra, me
shpirtin tim takohet.
Imazhi
i pestë: (Shpirti i të vdekurve me pishtar në dorë) mdi detin e qetësisë, mbi
dallgë kalon
Imazhi
i gjashtë: (Shpirti i të vdekurve me pishtar në dorë) takojnë një pikë nga
lotët që i rrodhën
Imazhi
i shtatë: Dhe dhimbja ndrin e argjendtë
Nuk
e dimë pse shpiri i të vdekurve del i dalldisur nga humbja dhe vrapon me
pishtar në dorë anë e mbanë hapësirës...
Mbase
shpirti i të vdekurve, pasi i ka humbur zotërimet e veta, befas zgjohet dhe
synon t’i ripushtojë ato… hapësirat në çdo vend. Imazhi në vijim modelohet dhe
zgjerohet deri në përmasat e një vizion universal. Ai rreh krahët, flatrat,
takon diku shpirtin e poetit (rastësisht vallë ?), kalon mbi detin e qetësisë,
mbi dallgët oqeanike. Tashmë ka triumfuar në terr, ujë e ngado. Pasi ka triumfuar
mbi humbjen, mbi qetësinë, mbi netët oqeanike, mbi dallgët, mbi hapësirat e
dheut, ai i prek poetit shpirtin dhe lotët. Trupin e shpirtin e poetit i paska
rrëmbyer demoni i territ, i vdekjes.
Tabloja
poetike vizaton një shpirt të errësirës, mbizotërues universal, të kudondodhur,
vigjëlues ndaj gjithë hapësirave, një fillesë demoniake të paepur, nëpër terr
me pishtar në dorë. Vegim i pashembullt.
4
"Dhe
dhimbja ndrin argjend".
Vargu
i fundit "Dhe dhimbja ndrin argjend" atë gjithëçkajën skëterrore më
lart e argjendon. Në bef, infernalja vetëm me tri fjalë zmbapset, vjen drita,
mëngjesi. Ndodh e pandodhshmja.
Ç’
të ketë ngjarë? Si ka mundësi?
Ndritja
argjendore është e kundërta e vdekjes, e së përzishmes, e klimës ku zotëronte demoni i vdekjes. Argjendorja ia
mbyll perden vdekjes së dalldisur që rendte tej e tej hapësirat me pishtar në
dorë...
Në
letrën frëngjisht dërguar Lumturi Blloshmit më datën 6. 07.1972, të cituar më
lart, flitet për një ndarje të shpirtit nga trupi. “Shpirti fluturon, trupi do
të flejë. Njëri më tërheq këndej, tjetri andej”.
Në
këtë poezi demoni i vdekjes me pishtar në dorë në endjet e tij “hapësirave në
çdo vend” fillimisht merr në flatrat e tij shpirtin e poetit. Pastaj zbret te
trupi i tij, i prek rrjedhën e lotëve. Nuk kemi klithma, keqardhje, ah e uh...
nuk dëgjohen prej njeriut, përkundrazi: dhimbja kyçet, dorëzimi te vdekja
nënkuptohet, denoni i pandalshëm përballet stoikisht.
Në
vargun e fundit vjen përmbysja e territ, madje, tani dhe dhimbja argjëndohet.
Ligji
i natyrës nuk ka ndalim.... në kodrat përqark ka rënë drita, zbardhëllimi.
Në
vargun "dhembja ndrin argjend" vdekja jo vetëm është pranuar, por
është tejkaluar. Më së fundi,... paqëtim, shpëtim... Deri këtu vjen terri, jo
më tej.
Si
pranohet ky transformim, ky shkëmbim, ky argjendim, kjo dritë mbi terrin.. kjo
e kundërta e ferrit?
Një
qetim stoik… një dorëzim te fati? Apo dorëzimi te përsëritja ciklike e natyrës,
tek ajo që nata kthehet në mëngjes, në dritë.
Kjo
i ndodhte një poeti pa përvojë, një të riu 21 vjeçar.
Pas
pagjumësisë së ankthshme të natës 30 qeshor 1971 makthet dhe terret brenda tij
janë shterrur, janë platitur....nga lart po binte drita e agimit dhe po i
argjendonte krejt brigjet përballë Bërzeshtës. Ra nata.
Një
ditë e re po lindte.
Botime nga autori: