Editorial
Arbën Xhaferi: Etika e qënies
E shtune, 29.03.2025, 07:59 PM
ETIKA
E QËNIES
NGA
ARBËN XHAFERI
Popujt e lashtë ballkanikë veçmas ilirët, të lodhur nga luftërat me
Perandorinë Romake, ishin të pafuqishëm që t'u bëjnë ballë invaduesve që vinin
nga katër anët e botës, sidomos nga lindja, hunët, avarët, gotët, sllavët dhe
së fundi turqit. Kronistët thonë se në atë kohë ilirët ishin aq të qytetëruar
sa që kishin harruar edhe përdorimin e armëve. Invaduesit vinin valë-valë,
plaçkitnin, vritnin, vandalizonin trashëgiminë kulturore të vendasve. E vetmja
mbrojtje për ta ishte evakuimi në male. Konfiguracioni i tokës u mundësonte
atyre evakuim të shpejtë dhe të sigurtë. Disa analistë thonë se populli që sot
identifikohet me emrin shqiptar, në dallim nga popujt e tjerë të antikitetit,
shpëtuan nga zhdukja falë evakuimit të shpejtë. Që nga kjo kohë ata deshën apo
nuk deshën u bënë vëzhgues të proceseve të shumta që zhvilloheshin në vendet që
i braktisën ata. Ata shihnin se si shthurej bota e tyre, se si përvetësoheshin
të mirat e tyre materiale dhe shpirtërore, se si gurët e kështjellave, të
shtëpive të tyre të shkatërruara vendoseshin në themelet e ngrehinave të reja,
ata shihnin të pafuqishëm se si ndërtoheshin realitete, sisteme të reja. Ata
vëzhgonin dhe ishin të pafuqishëm dhe të mllefosur. Këtë mllef ata e shndërruan
në urrejtje ndaj vrasësve, në përbuzje ndaj plaçkitësve, në neveri ndaj
vandalistëve.
Të
qenit vëzhgues krijoi kushte për ndërrim të roleve: nga gjahu, preja u bënë
gjahtarë. Që nga kjo kohë shqiptarëve u është ngjitur etiketa e cubit, kaçakut,
atij që pret, që vëzhgon dhe sulmon pa pritur. Kështu i cilësojnë shqiptarët
ata që i pushtuan trojet e tyre, sllavët a turqit, që në gërmadhat e qyteteve
të tyre, kështjellave të tyre vendosën fillimisht fshatrat e tyre e pastaj
ndërtuan qytetet duke pandehur se këto vende gjithmonë u kanë takuar atyre. Nga
ky këndshikim, perceptim i gabuar i qenies shqiptare është ndërtuar një
interpretim kuazishkencor i proceseve historike, traditës kulturore fetare etj.
që është bërë burimi i lajthitjeve që përhapen me injorancë të pakuptimtë. Një
lajthitje të këtillë arogante, të paturpshme e shprehu ish-kryetari i Ohrit kur
shpjegonte kryeministrit bavarez se popullata e Ohrit përbëhet nga banorë
autoktonë, sllavët dhe turqit dhe ardhacakët, shqiptarët!!!
Pozita
e vëzhguesit kishte rëndësi strategjike jo vetëm nga aspekti ushtarak, por edhe
psikologjik ngaqë ngërthente në vete elementin e distancës ndaj sistemeve të
reja që ngriheshin në habitusin e tyre. Aftësia e distancimit nga e reja, nga e
huaja nxiste nervozizëm dhe mllef tek ardhacakët. Njëherësh këtu duhet kërkuar
urrejtjen iracionale të tyre ndaj shqiptarëve. Sllavët ishin të mllefosur pse
shqiptarët e "prapambetur" nuk i pranonin vlerat e tyre. Këtë habi
madje shfaqnin edhe ata intelektualë sllavë që në kontekstin ksenofobik të
krijuar në Jugosllavi, trajtoheshin si albanofilë, si bie fjala kroati Branko
Horvat. Ai në një rast shprehu befasi përse shqiptarët nuk paskan pranuar
alfabetin latin të fqinjëve të tyre sllavë, por kanë pranuar disa zgjidhje të
huazuara nga anglezët, apo të shpikura nga ata vetë! Edhe ata që ishin më të
prirur që objektivisht ta trajtojnë sfidën shqiptare nuk kishin mirëkuptim për
këtë distancë mitike, për këtë refuzim të vlerave sllave. Këtë mllef në forma
të ndryshme kanë shfaqur edhe turqit. Ata na quanin "kaba arnaut" (shqiptar
të vrazhdë, të papërpunueshëm), ndërkaq serbët na stolisnin me epitete të
ndryshme " nepopravlivi" (të pandreqshëm), "nepokorlivi"(të
papërkulshëm). Marrë në tërësi shqiptarët në këtë periudhë të gjatë të robërisë
asnjëherë nuk u shndërruan në rajë (popullatë e përkulur) ashtu si trajtoheshin
sllavët gjatë periudhës otomane.
Këtë
tipar të vëzhgimit, të distancimit, shqiptarët tregonin jo vetëm ndaj të
huajve, por edhe ndaj vetë shqiptarëve që aratiseshin në sistemet e huaja. Ndaj
tyre merrnin masa të padurueshme të veçimit, të leçitjes në trajta të ndryshme.
Okupuesit
të bindur se ky tipar i shqiptarëve është i pandryshueshëm, të bezdisur nga
vëzhgimi i vazhdueshëm, nga distancimi i tyre, nga joluajaliteti, nga
"syri i keq" i rezervuar, shpeshherë merrnin masa ndëshkuese mbi baza
të prezumcionit, të fajësisë së nënkuptuar, të padiskutueshme. Kjo trajtesë
mori përmasa përbindëshe në periudhën e instalimit të shtetit të sllavëve të
jugut që u quajt Jugosllavi. Të gjitha elaboratet që janë punuar në këto
periudha kanë pasur për argument qendror, prezumcionin e fajit gjenetik,
konstatimin se ata janë element i papërpunueshëm, i pabindur dhe si të tillë do
të jenë gjithmonë rrezik potencial për rendin e ri që ata ndërtonin në
habitusin e tyre. I fundi nga ata pinjollë të invaduesve të lashtë që deshi të
shpëtojë veten dhe popullin e tij nga ky vëzhgim distancues, nga ky element i
huaj që nuk komponohej në sistemin e ri, ishte Millosheviqi. Ai të gjitha
ekspeditat e mëparshme kundër shqiptarëve i quajti të buta, joefikase që nuk
arrinin të vrisnin bindjen e tyre që ta ruajnë veçorinë, ose si thuajnë vetë serbët
"ta vrisnin Zotin në ta" ("da ubiju boga."). Kjo frazë
serbe nënkupton se veçoria e këtillë kokëforte që nuk ndryshon është diçka
substanciale, e dhuruar nga Zoti, prandaj veçorinë e krahasonin me të.
Millosheviqi njëmend mori një fushatë të egër që në vete përmbante tre opsione:
disiplinimin, shpërnguljen ose shfarosjen e tyre.
Disiplinimi
filloi me presion ideologjik që kishte për qëllim diferencimin, ndarjen e
shapit prej sheqerit. Në këtë kohë u prodhua nocioni neveritës i shqiptarit të
ndershëm, të integruar në sistemin e ri, madje më të ri, në atë të
Millosheviqit dhe shqiptarë të tillë shfaqeshin ndonëse në numër shumë të
vogël. Ata shqyheshin nga dilema: ta pranojnë ofertën joshëse të regjimit dhe
të jenë objekt i vëzhgimit tallës, leçitës i pjesëtarëve të padorëzuar të
kombit, apo të refuzojnë dhe të jenë objekt i disiplinimit si i tërë populli që
tashmë nga regjimi trajohej si turmë. Kjo dilemë krijonte variacione të
ndryshme duke filluar nga ata që pa dilema refuzonin transformimet e tilla e
deri te ata që pa dilema pranonin rolet e reja. Në mes të këtyre dy skajeve
gjendeshin oportunistët që bashkëpunonin ose rezistonin, por jo deri në fund. Kjo
kategori racionalizonte idenë e bojkotit difuz, të pahetueshëm të projekteve të
sistemit dhe e kritikonte idenë e konfrontimit direkt. Motoja e kësaj faze
politike ishte durimi, pritja që "zullumi të këputet prej së trashi".
Regjimi
i Millosheviqit megjithatë nuk arriti që të bëjë diferencimin mes shqiptarëve
të përpunueshëm, të mirë, luajalë dhe atyre të këqinj dhe të pabindur, prandaj
kaloi në fazën e dytë, atë të shpërnguljes. Këtë, sipas recetave të vjetra
synonte të arrijë duke krijuar rrethana të pamundshme për jetë normale dhe të
sigurtë. U përjashtuan nga puna të gjithë ata që nuk nënshkruanin dokumentin
për luajalitet ndaj rendit të ri, u morën masa të ndryshme të stimulimit të
shpërnguljes dhe vargani i autobusëve, aeroplanëve i bartnin shqiptarët në
vendet e sigurta. Kur edhe ky opsion nuk dha sukses të pritur meqë të
shpërngulurit u bënë burim financiar për mbijetesën e të mbeturve në atdhe,
regjimi kaloi në variante jokonvencionalë të shfarrosjes fizike, të
paimagjinueshëm për kontekstin qytetërues evropian. Meqë ky opsion duhej
realizuar shpejt, në mënyrë efikase dhe të pamëshirshme për këtë punë u
angazhuan kriminelët gjakpirës që përvojat e tyre në hapësirat e tjera
jugosllave duhej në mënyrë sa më të ngjeshur ta zbatonin në Kosovë. Ky ishte këndshikimi
dhe projekti serb për vendosje të rendit të ri, por si zakonisht edhe
shqiptarët "e papërpunueshëm", "të papërkulshëm",
distancues i kishin edhe kësaj radhe vëzhguesit e tyre, atë kategori të
njerëzve që analizonin veprimet serbe nga këndi i interesit shqiptar. Njëri nga
ata që ishte kalitur në traditën epike, në traditën që prodhon, krijon
imperativin kategorik moral, që në mënyrë të padiskutueshme detyron veprimin
kundër atyre që e rrezikojnë qenien, identitetin, veçorinë, substancën, Zotin ,
që donte ta vrasë ky apo ai pinjoll i invaduesve lindorë, ishte Adem Jashari.
Ai në fillim, me ndruajtje që shprehte mirësjellje ndaj prijësve të kombit e
vëzhgonte situatën, priste se çka do të sjellë retorika e re, qetësuese,
gudulisëse. Rezervat, distancën e mbante për vete dhe për rrethin e tij të
ngushtë. Nuk eksponohej, nuk imponohej. Tashti dikush e kujton atë se si dikur
dhe diku e ka parë në mesin e gazetarëve të shumtë duke ndjekur ndonjërën nga
konferencat e panumërta të shtypit. Dikush nga zyrtarët e dikurshëm të
Shqipërisë apo të Kosovës sot krenohen që e paskan nderuar atë me pranim pesë
minutash për bisedime për shqetësimet e tij të thella për proceset që
zhvilloheshin në Kosovë dhe hapësirat tjera. Është fakt se në atë kohë ai,
energjia e tij, morali i tij, gatishmëria e tij, vlerësimi i tij i situatës nuk
u hetua. Ne ishim të verbër për të parë këtë vlerë. Ne, të tmerruar nga frika
që sistematikisht mbillej dhe shtohej nga sistemi represiv i Millosheviqit,
silleshin si ai i mbyturi të cilit uji i ka ardhur deri te goja dhe nuk merrte
guximin të lëvizë fare për ta pranuar dorën e shpëtimit. Në atë kohë ne nuk e
njohëm atë, misionin e tij ngaqë frikësoheshin nga kalvari që shpinte drejt
shpëtimit. Ne nuk e njohëm atë, mu si Ahasferi Jezuin kur refuzoi t'i ofrojë
prehje, kështu që Zoti, për këtë gjymti shpirtërore e dënoi atë që të bredhë,
sorollatet nëpër botë duke kërkuar dhe mos e gjetur kurrë kuptimin e jetës.
Pas
arritjes së Marrëveshjes së Dejtonit, shqiptarët më në fund kuptuan se Kosova
mbeti jashtë optikës, interesimit, axhendës së faktorëve vendosës. Por jo vetëm
kaq. Kosova ishte e mbërthyer, e pacifikuar nga forcat militare dhe
paramilitare serbe. Ata kishin arritur qëllimin. Plaçkitnin, torturonin,
dhunonin, vritnin, bënin ç't'u tekej, si kurrë më parë. Kishin depërtuar edhe
në botën e ëndrrave tona. Befasia nga mungesa e rezistencën ua shtonte tërbimin
dhe imagjinatën kriminale. Ata ishin të mbushur me mburje, ne të zbrazur nga
vetëbesimi, si hije të gjalla. Edhe shpresat ishin të fikura. Zymtësinë e
padurueshme e theksonte edhe më shumë muzika e instrumenteve frymore serbe, një
përzierje e ritmeve ushtarake dhe të ciganëve bredhacakë. Madje në qendër të
Prishtinës ndihej aroma e specialiteteve fshatareske serbe, "leskovaçka
muçkalica" që shërbente si mëlmesë për ta bërë më të shijshme gjellën që e
kishin gatuar me shekuj. Ata me kapadaillëk të papenguar e festonin, e
demonstronin "superioritetin" e tyre. Ndërkaq ne vetëm i regjistronin
të bëmat e tyre. Në atë kohë, kur ata pandehnin se më në fund arritën ta
vrisnin Zotin në ne, në popull flitej se disa drenicakë kanë sosur ta kthejnë
pushkën. Disa të tjerë nga frika ose përgjegjësia që të mos përhapet ky opsion,
apo nga frika që propaganda serbe të mos shfrytëzojë këtë si pretekst për represion
më të egër, këtë dukuri të re e cilësuan si sajesë të UDB-së. Në këtë periudhë
rastisi që një gazetar kosovar, Aqif Mulliqi, kërkoi nga unë një intervistë dhe
një prononcim për këtë dukuri. Pyetjen e parë që ia bëra ishte: a janë ata të
vërtetë, a i ke parë t'i vetë, a ke folur me ta, e janë seriozë etj. Ai shkurt
ma ktheu: burra janë. Kjo përgjigje e tij nuk m'u duk aspak folklorike, por
kishte në vete një domethënie të thellë, një shpresë se Zoti në ne ende s'ishte
vrarë. Nga kjo kohë më lidh një miqësi, një simpati për kumtuesin e lajmit, nga
kjo kohë m'u krijua një bindje e pathyeshme për vlerën e re që solli theomahu
më i ri shqiptar, Adem Jashari. Në Greqinë Antike theomahos quheshin heronjtë
që sfidonin zotërat apo prishnin rendin e paracaktuar. Theomahu mitik ishte
Prometheu, ndërkaq ai historik ishte Sokrati. Theomahët gjithmonë kanë qenë të
ndëshkuar për guximin, arrogancën, me të cilën kanë sfiduar pushtetin,
autoritetin e zotërve apo rendin që ata patën vendosur. Prometheu u gozhdua për
shkak se Zeusi donte t'i shfaroste njerëzit për shkak të xhelozisë ndaj
tipareve të tyre. Siç dihet Prometheu e vodhi zjarrin nga perënditë dhe ua fali
njerëzve për t'i shpëtuar ata nga zhdukja. Adem Jashari na e ktheu vetëbesimin,
domethënien fjalëve tona, këngëve tona, krenarinë që pandehnin se e kishin. Me
aktin e tij flijues, me sfidimin e tij ai vuri në sprovë të vërtetë
kapadaillëkun serb, vetëmburrjen e tyre dhe burrërinë tonë. Dhe punët nuk dolën
ashtu si ishin mësuar serbët.
Për
të qenë theomah duhet të jesh i gatshëm ta paguash çmimin. Çmimi është jeta e
sfiduesit, pësimi i tij. Adem Jashari, nuk ishte theomah i thjeshtë, ngaqë ai
nuk e sakrifikoi vetëm veten, por tërë familjen e tij. E tërë familja e tij
ishte e përbërë nga theomahë. Ai ishte i vetëdijshëm se kulla e tij s'do t'i
bënte ballë kazermës serbe, ai dinte se armët e tija nuk mund t'i
kundërviheshin arsenalit serb. Ai dinte se do të vdiste dhe megjithatë, si
theomah i vërtetë, si Prometheu s'pushonte së sfiduari. Dhe ndodhi gjëma,
sakrifikimi i një familjeje të tërë, sakrifikim për dinjitet, për krenari
kombëtare. Ai e kapërceu Rubikonin e frikës, e shpërtheu himeren serbe. Ai dhe
familja e tij e paguan taksën më të shtrenjtë për domethënien e nocionit
shqiptar. Koncepti i tij për shqiptarin nuk përputhej me surogatin komik që
kishin arritur ta farkonin serbët.
Flijimi
i tij i dha një ngjyrë, një vlerë të re politikës shqiptare. I tërë populli
shqiptar pas kësaj refuzoi të bëjë çfarëdo pakti me Millosheviqin dhe pranoi të
jetë pjesë e një kalvari kolektiv. Po të arrinte regjimi i Millosheviqit të
bënte për vete vetëm 5% të popullatës shqiptare (100.000 banorë), të sajonte
një regjim kukull si gjithëkund në botë, nuk do të kishte NATO në këto
hapësira, as procese demokratizuese në këtë pjesë të Ballkanit. Flaka në kullat
e Jasharajve, vdekja e një familje të tërë në esencë dogji shtyllat e një rendi
të ri, të egër jodemokratik sllav në këto hapësira dhe hapi shtegun për një
proces që do të sjellë vlera të njëmenda njerëzore, politike, ekonomike në këto
hapësira. Tash e tutje të gjithë ata që do të vijnë pas tij do të micërojnë nga
sakrifica e tij dhe të theomahëve të tjerë shqiptarë.
Për
të qenë sfidues i një formati të këtillë mitik si Adem Jashari, duhet të kesh,
siç do të thoshte Erich Fromm, etikën e qenies.
Adem
Jashari e kishte qenien etike.
Shekulli, 28/11/2004