E premte, 21.03.2025, 05:34 PM (GMT)

Editorial

Gjon Keka: Rikthimi te rrënjët dhe sfidat që duhet t’i ketë parasysh secili i rikthyer deri më sot

E marte, 11.03.2025, 07:05 PM


Rikthimi tek rrënjët dhe sfidat që duhet t’i ketë parasysh secili i rikthyer deri më sot

Nga Gjon Keka

Kur para 24 vitesh u pata rikthyer te rrënjët e mia dardano-arbërore, rrënjët e Gjergj Kastriotit, mbetjet osmane dhe renegatët filluan kërcënimet, ndërsa rrethi prej nga vija unë, pra fshati ku pata lindur e u rrita, disa nga fshati im filluan si gojëkeqinj duke shpifur e njollosur personalitetin tim dhe të familjes sime. Të ndjerin babain tim, fjalët e atyre gojëkeqinjve e patën rënduar mjaft sa ishte gjallë, por ai e dinte se kush jam unë dhe cila ishte rruga ime e pakthyeshme.

Gojëkeqinjët nuk patën lënë gjë pa shpifur. Ata thonin: "Ai është kthyer për para, atij ia kanë blerë një banesë, ai është kthyer për femër" etj., etj. Në fakt, asnjëra nga këto nuk ishte e vërtetë, krejt ishin shpifje të tyre, gënjeshtra që ata i kishin përgatitur nga mendjet e tyre djallëzore. Me ato shpifje dhe gënjeshtra, ata kishin për qëllim të më ndalonin në rrugën time, në rrugën që e kisha zgjedhur si një njeri i lirë që zgjedh të besojë ose të mos besojë, të besojë aty ku ai e ndien se është besimi i zemrës së tij dhe rrënjëve të tij.

Megjithatë, edhe pas shumë sfidave që pata në rrugëtimin tim të rikthimit te rrënjët para 24 vitesh, unë nuk u ndala, as nuk u gjunjëzova përballë shpifjeve, gënjeshtrave dhe kërcënimeve, por eca me ballin kastriotian përpara, duke ditur sigurt se po ecja në rrugën time, në rrugën që e kanë trasuar Gjergj Kastrioti, Pjetër Bogdani, Nënë Tereza dhe shumë personalitete të tjera të kombit tonë. Rruga që zgjodha nuk ishte e lehtë, ashtu siç nuk e ka pasur përgjatë historisë aspak të lehtë kombi ynë, përballë shumë stuhive dhe rreziqeve që i kanoseshin si gjuhës ashtu edhe identitetit tonë kombëtar dardano-arbëror.

Tani, që nga rikthimi në rrënjët e mia, rrënjët e Gjergj Kastriotit, sot e ndiej veten të rrënjosur thellë dhe me fryte që do t'i shërbejnë pemës së madhe kombëtare të Gjergj Kastriotit dhe historisë së rikthimit të kombit tonë te rrënjët e tij historike, kombëtare dhe europiane.

Kur dëgjoj sot se si nxjerrin individë pa identitet dhe të parënjosur e pa djep historik, se si shpifin ndaj të rikthyerve të rinj të kësaj kohe, duke gënjyer dhe pa asnjë bazë e dëshmi, ma kujton kohën e fillimit tim kur u pata rikthyer. Por, të gjithë atyre që janë rikthyer vërtet te rrënjët dhe pa asnjë interes, u them ashtu siç thuhet në Bibël te Mateu 5:11-12:

"Lum ju kur do t'ju shajnë dhe do t'ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë të gjitha të zezat kundër jush, për shkakun tim. Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej, sepse kështu i kanë përndjekur profetët që qenë para jush."

Prandaj, edhe një herë, qëndroni të palëkundur kundër këtyre gojëkeqinjve e shpifjeve të tyre dhe ngrini lart emrin e Gjergj Kastriotit, ruajtësit dhe mbrojtësit të identitetit dhe të emrit tonë dardano-arbëror dhe civilizimit të përbashkët të familjes europiane.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx