Speciale » Basha
Sabile Basha & Tefik Basha: Disa nga figurat e njohura arvanitase
E diele, 09.03.2025, 06:58 PM
BREDHJE NË KUJTIMET E UDHËTIMEVE: KU, KUR, KAH...
DISA
NGA FIGURAT E NJOHURA ARVANITASE
(Pjesa
e shtatë)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi- Basha &
Prof. Dr. Tefik Basha
Nëpër faqet e historisë së arvanitasve, shfaqen emra
të artë që ndriçuan si yje të pashuar mbi qiellin e përgjakur të betejave dhe
triumfeve. Këto figura të shquara nuk ishin thjesht njerëz të zakonshëm, por
shpirtrat që mbartën në zemrat e tyre forcën dhe krenarinë e një populli të
lashtë. Si gurë themeli, ata u ngjitën mbi rrethanat, duke përjetësuar jo vetëm
emrat e tyre, por edhe lavdinë e arvanitasve në rrjedhat
e kohës.
Me trimëri dhe mençuri, ata u bënë mbrojtës të tokave
dhe të identitetit të tyre, si flakë të ndezura në errësirë. Çdo hap që hodhën
në jetën e tyre, çdo vendim i guximshëm që morën, ishte një pasqyrim i shpirtit
të pathyeshëm arvanitas, që as koha nuk mund ta shuante. Emrat e tyre janë
vargjet e pavdekshme të një kënge që nuk ndalet kurrë, duke thirrur për nder,
për kujtesë dhe për të treguar se, edhe nëse shekujt kalojnë, këto figura do të
qëndrojnë përjetësisht si simbole të fuqisë, besnikërisë dhe guximit.
Ata janë stërvitësit e lirisë dhe qëndresës, duke lënë
një trashëgimi që shtrihet përtej brezave, një urë lidhëse mes të shkuarës dhe
të ardhmes, që do të përcillet në zemrat e arvanitasve sa herë që historia të
kujtohet.
Le të kujtojmë figurat e pavdekshme që kanë lënë
gjurmë në qiellin e historisë së arbëreshëve, emra që nuk zbehen kurrë dhe
flakë që ende ndriçojnë rrugën e kujtesës.
Marko Boçari, heroi i betejave, një luan që luftoi për liri dhe
përgjakte fusha të pashkelura me guximin e tij, si një simbol i vendosur i
shpirtit të lirë. Ai ishte vetë fryma e luftës për drejtësi, një ikonë që ende
rreh në zemrat e brezave që e nderojnë.
Dhimitër Plaputa, një emër që gdhendet në gurin e historisë,
kontribuues i paepur në rrugën e lavdisë së arbëreshëve, një njeri që ngriti
një urë mes të shkuarës dhe së ardhmes.
Kiço Xhavella, një figurë që ndikoi thellë në kulturën dhe shoqërinë
arbëreshe, duke e formësuar atë me mençuri dhe vizion të qartë, si një
udhëheqës që i dha frymë komunitetit.
Andrea Miauli, i ndritur në histori, një emër që valëvitet si
flamuri i guximit dhe vendosmërisë, duke qëndruar si një shembull për të gjithë
ata që ndjekin rrugën e tij.
Dhaskarina Pinoçi, e njohur si Bubulina, gruaja që
ngrihej si një mal i patrembur, duke udhëhequr me guxim dhe forcë, duke
shndritur në betejat ku gratë dhe burrat qëndronin krah për krah në emër të
lirisë.
Jorgo Kundurioti, një tjetër emër i madh që zbukuron historinë, i
nderuar për kontributet e tij të palodhshme, një frymë e pashtershme që ende
frymëzon.
Nikolla Kryezioti, një roje i kulturës arbëreshe, që e ngriti atë në
lartësi të reja, duke luajtur një rol të pazëvendësueshëm në zhvillimin e saj,
një pasqyrë e shpirtit krijues.
Haxhijani Meksi, një figurë e rëndësishme në historinë e arbëreshëve,
qëndronte si një shtyllë e fortë që mbante peshën e kujtesës së komunitetit.
Në këtë galeri të ndritur emrash dhe kontributesh,
roli i grave shkëlqen me forcën e diellit, duke dëshmuar për guximin e tyre të
pashoq dhe për ndikimin e palodhur që kanë pasur në formësimin e identitetit
dhe historisë së këtij komuniteti të lashtë. Gratë arbëreshe, si Bubulina, janë
shenjtoret e një epoke të përjetshme, ku forca dhe urtësia bashkohen për të
ndërtuar themelet e një trashëgimie të pavdekshme.
Gruaja pa emër...
Në vendet ku çdo hap është një mister dhe çdo peizazh
një zbulim, koha rrjedh si një lumë që s’të pret, duke të çuar në një udhëtim
që s’e ke parashikuar. Kështu ishte dhe në Pargë, ku pushimet tona u ndjenë si
një ëndërr që kalon shumë shpejt. Dita nisi herët, kur ajri ishte ende i
freskët dhe deti përshëndeste lehtë bregun. E nisëm me një shëtitje të qetë
buzë detit, dhe megjithëse ora ishte e hershme, dielli ngjitej në qiell duke
përhapur ngrohtësinë e tij në çdo cep të horizontit. Qetësia e mëngjesit ishte
e përkryer dhe çdokush mund të ndiente se dita kishte premtuar më të mirën.
Pas shëtitjes së këndshme, ndaluam për të shijuar
mëngjesin. Gjithçka dukej e qetë dhe e thjeshtë, si një prelud për atë që do të
vinte më pas. E ndjenim se ishim në vendin e duhur, në kohën e duhur, por
gjithçka ndjehej si një rrymë e papërmbajtshme që na tërhiqte drejt aventurave
të reja.
Teksa po ecja nëpër rërë, sytë më ranë mbi një grua, e
ulur në skaj të një moli, me kokën ulur dhe zërin e saj të përqendruar në një
bisedë telefonike. Pothuajse pa dashur, ne e ngadalësuam hapin për të mos e
shqetësuar dhe fjalët e saj në shqip tingëlluan qartë në ajrin e freskët të
mëngjesit. Një ndjesi njohjeje dhe afërsie na përshkoi zemrat. Ishte diçka e
papritur, por e ngrohtë, një moment i vogël që na kujtoi se ndonëse ishim larg
shtëpisë, gjuha dhe njerëzit tanë ishin gjithnjë të pranishëm kudo që shkonim.
Kur kaluam pranë saj, ajo na përshëndeti me një
“Mirëmëngjesi” të sinqertë, që u ndje si një valë përzemërsie mes nesh. Ajo u
ndal për një moment dhe, si me një ndjenjë arsyetimi të brendshëm, na pyeti se
nga vinim, duke u shpjeguar se nuk e kishte kuptuar që ishim shqiptarë. Me një
buzëqeshje të butë, i thamë se nuk kishte asnjë nevojë për arsyetim – çdo njeri
ka të drejtën të flasë gjuhën e vet. Ishte një çast i vogël, por plot kuptim,
një kujtim që u ngulit në mendjet tona si një fllad i butë deti, që të prek
lehtë dhe të mbush me një ndjesi të pazëvendësueshme të përkatësisë
Ajo, me një pamje të rënduar nga mërzia dhe
shqetësimi, na tregoi historinë e saj, një histori e mbushur me zhgënjim dhe
shpresa të shuara. Kishte ardhur nga një fshat i vogël i Korçës, duke ndjekur
një ëndërr që, për momentin, po i rrëshqiste nga duart. Shpresa e saj për të
gjetur një jetë më të mirë në Pargë po zbehej dita-ditës. Puna që kishte gjetur
nuk ishte ajo që kishte ëndërruar – e lodhshme dhe pa shpërblim të vërtetë.
Dikush i kishte thënë se në Pargë kishte shumë mundësi, por tani ndjente veten
të humbur, si një zog që kërkon fole në një qytet të huaj. E vetmja gjë që e
mbante gjallë ishte shpresa se një ditë do të mund të sillte edhe familjen e
saj këtu, por sa më shumë që kalonte koha, aq më e largët dukej kjo shpresë.
Ndërsa rrëfente, sytë e saj të bukur u mbushën me lot
të heshtur. Pa fjalë, fshiu me kujdes lotët me mëngën e fustanit të saj, si të
përpiqej t’i largonte bashkë me dhimbjet që mbante në zemër. U ndal për një
moment, duke kuptuar se kishte ndarë shumë nga brengat e saj me ne, të huajt që
sapo kishte takuar. Ndoshta ajo heshtje ishte një mbrojtje, por në thelb ishte
nevoja për t’u dëgjuar, për të ndarë peshën që mbante brenda saj.
Në fund, me një buzëqeshje të lodhur por të sinqertë,
ajo na ofroi që të na bënte disa fotografi me telefonin tonë, dhe ne pranuam me
kënaqësi, si një gjest miqësie që thyen distancat mes të huajve. Ishte një grua
simpatike, rreth të 40-ave, me një bukuri të thjeshtë dhe një fytyrë që
reflektonte historinë e saj—plot vuajtje, por edhe forcë dhe qëndrueshmëri.
Pasi përfunduam, ajo na falënderoi me një zë të butë, duke thënë se u ndjente mirë
që kishte folur me ne, sikur ai moment i vogël të kishte lehtësuar pak peshën e
ditëve të saj të vështira.
Pas këtij takimi të thellë, ku emocionet e ndjeshme u
endën mes nesh, ne i uruam asaj shëndet dhe fat të pandarë, duke i dhënë
shpresë se do të gjente punën që kishte kërkuar dhe do të bashkohej sërish me
familjen e saj. Ishte një lamtumirë e ngrohtë, e mbushur me dëshira të mira që
do të shoqëronin hapat e saj në këtë rrugë të paqartë.
Pas kësaj ngjarjeje të paharrueshme, ne u kthyer në
hotel, ku valixhet tona pritnin, të mbushura me kujtime dhe ndjenja. I vendosëm
me kujdes në makinë, si të ishim duke ruajtur thesare të çmuara, dhe më pas u
nisëm drejt Igumenicës, me shpresën se do të arrinim në destinacionin tonë të
ardhshëm për më pak se një orë. U ndjemë si shpirtra që fluturonin, me shpresën
për aventura të reja që na prisnin përpara, duke lënë pas gruan e panjohur, por
duke mbajtur në zemër energjinë e fjalëve të saj.
Rruga për Gumenicë
Ne u larguam nga qyteti, duke iu besuar udhëzimeve të
navigatorit, dhe morëm rrugën në të djathtë, duke lënë pas Pargën, atë qytet të
ëndrrave që na kishte mahnitur. U drejtuam për në Igumenicë, rruga na ftonte të
kalonim mes kodrinave, të mbuluara me kurora të gjelbëruara, male dhe ullinj të
vjetër, të cilët flisnin për shekujt e kaluar, si dëshmitarë të historisë.
Kur arritëm në pikën më të lartë, ndalëm për të
përqafuar pamjen e mrekullueshme që kishte mbetur e ngjitur në zemrat tona. I
thashë Tefikut, “Ne do të kthehemi përsëri këtu,” si një premtim që thurte
lidhjet tona me këtë vend. Më pas, vazhduam përmes një rruge që ngjante me një
rrip lëkure, duke përjetuar çdo kthesë me kujdes, derisa shenja për Igumenicën
u shfaq para nesh si një dritë në horizont.
Arta, Paramithia, dhe shumë vende të tjera, që dikur i
kisha lexuar dhe dëgjuar, tani shndërroheshin në destinacione që do të pasonin
rrugën tonë, duke e mbushur atë me premtime dhe aventura që na prisnin përpara.
Në atë moment, çdo kthesë e rrugës ishte një hap më afër një bote të re, e cila
na priste me krahë të hapur.
Rruga e gjatë, e mbushur me pritje, u shndërrua në një udhëtim më të lehtë, dhe pas pak më pak se një ore, qyteti i Igumenicës u shfaq si një perlë e fshehur në prehrin e detit Egje. Kur mbërritëm, dukej sikur qyteti sapo ishte zgjuar nga një gjumë i thellë. Në hyrje, zhurma dhe ngarkesa e trafikut ishin të madhe, por ne arritëm në kohë për tragetin e orës 10:30 të mëngjesit.
Duke shfletuar në googel, zbuluam se Igumenica, një
qytet I freskët dhe rinor, shndrinte në veriperëndimin e Greqisë si një perlë
bregdetare në përqafimin e detit Jon. Ajo përbën zemrën pulsante të qarkut të
Çamërisë dhe është porti i dytë më i madh i Greqisë perëndimore. Në ditët e
hershme, Gumenica ishte një fshat modest peshkimi, ku jeta rridhte qetësisht
dhe thjesht, si një këngë e vjetër e detit.
Gjatë periudhës osmane, ky qytet u shndërrua në një
komunitet të vogël, tërheqës, një copëz e mozaikut të gjallë të Perandorisë.
Viti 1913 shënoi një ndryshim të thellë, kur Gumenica u pushtua nga Greqia,
duke hapur një kapitull të ri në historinë e saj. Më pas, në vitin 1938,
krijimi i qarkut Thesprotia e shpalli këtë qytet kryeqytetin e rajonit, duke i
dhënë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e saj.
Gumenica shtrihet në një pozitë të favorshme, me kufij
që shtrihen nga Shulashi në veri, Reçati në verilindje, Dhërmica në lindje,
Grava në jug dhe deti Jon në perëndim. Me një distancë prej 480 km nga Athina
dhe 460 km nga Selaniku, ajo është e lidhur ngushtë me pjesën tjetër të Greqisë
dhe më tej përmes portit të saj. Një autostradë e re, Egnatia Odos (A2), e lidh
Gumenicën me Turqinë, duke e bërë atë një nyje të rëndësishme në rrjetin e
transportit ndërkombëtar, si një urë mes kulturave dhe historive që lidhen
përmes valëve të detit.
Navigatori, si një udhëheqës besnik, na çoi përmes
rrugëve anësore, por në një moment na krijoi një shqetësim, siç duket se kishte
humbur rrugën. Megjithatë, ai na ndaloi përpara vendit ku mund të merrnim
biletat për traget. Pas një ndalese të shkurtër dhe ndihmës nga një zyrtar i
kujdesshëm, morëm biletat tona për 75 euro – 45 për veturën dhe 15 për secilin
nga ne.
Koha ishte e shkurtër për të eksploruar qytetin që na
rrethonte, por mjaftueshëm për të vëzhguar bukurinë e tij, të ndërtuar me
ngjyrat e detit dhe me historinë që fliste përmes çdo ndërtese. Një njeri na
thirri për të futur veturën në barkun e anijes, dhe pas kësaj, ne u vendosëm në
restorantin e saj, në katin e dytë, gati për aventurën që na priste në ujërat e
thella të Egjeut.
Më vonë, anija, e mbështetur nga një luhatje e butë, u
nisë në det, duke u rrokullisur lehtazi mbi valët që shfaqeshin si perla në
sipërfaqen e saj. Udhëtarët, të mbushur me gëzim, shkonin nga një cep në
tjetrin, duke kapur me kamerat e tyre pamjet e qytetit që po e linin pas.
Ndërkohë, ngrohtësia e anijes bëhej e padurueshme, prandaj gjetëm një vend në
hije për të ndjekur shkrirjen e Gumenicës në horizont, derisa qyteti u tkurr
dhe përfundimisht u zhduk nga sytë tanë.
Duke u thelluar në det, një panoramë mahnitëse u shfaq
përpara nesh, me anije që ndanim
horizontin në drejtimet e tyre të ndryshme, si të ishin piktura të ngjitura në
qiell. Bisedonim me Tefikun dhe zbulonim se Shqipëria ndodhej vetëm 5 kilometra
larg Korfuzit, një afërsi që na befasoi dhe na mbushi me krenari për vendin
tonë të bekuar. Plani ynë ishte i qartë: pas kthimit nga Korfuzi, do të kalonim
në Sarandë dhe do të qëndronim edhe për dy apo tri ditë të tjera në Shqipëri.
Ndërsa shijonim kafen-një frape të ftohtë dhe ujë
akull, të sjellë nga vajza që punonte në restorant, Korfuzi na u shfaq në
gjithë madhështinë e tij. Pasagjerët ishin të ngazëllyer, lëviznin nga një vend
në tjetrin në traget, duke kërkuar vendin më të mirë për të admiruar këtë
ishull të bukur. Kur anija lëshoi sirenën, një tingull që paralajmëronte
afërsinë me Korfuzin, e pashë orën – ishte 11:30. Ne ishim në kohën e saktë,
ashtu si na kishin premtuar, gati për të përjetuar magjinë e këtij vendi.
(vijon)