Speciale » Basha
Sabile Basha: Përgjegjësia historike e Serbisë dhe mungesa e pendimit
E shtune, 22.02.2025, 01:59 PM
PËRGJEGJËSIA HISTORIKE E SERBISË DHE MUNGESA E PENDIMIT
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Kush
guxon të thotë se njeriu mbetet i pandryshuar, se mendja e tij nuk evoluon dhe
se shpirti nuk lëkundet përmes erërave të kohës? Çdo epokë lind një njeri të
ri, të farkëtuar nga sprovat e përditshme, të ngjizur nga përvoja dhe të prirur
të gjejë horizonte të reja. Njerëzit ndryshojnë jo vetëm në vështrimin e tyre
ndaj botës, por edhe në mënyrën se si ndërtojnë urat që i lidhin me
njëri-tjetrin. Dhe kur njeriu evoluon, si mund të mos ndryshojnë edhe
politikat, ato struktura të mendimit kolektiv që përcaktojnë fatin e shoqërive
dhe të kombeve?
Në
rrjedhën e historisë, shtetet kanë qenë si lumenj të mëdhenj që e ndërrojnë
shtratin me kalimin e kohës. Dje mund të kenë rrjedhur të furishëm drejt një
drejtpërdrejtësie të ngurtë, por sot gjejnë degëzime të reja, shtegtim të butë,
kthesa që nuk ishin imagjinuar dikur. Qëndrimet politike që dikur ishin të
palëkundshme, tashmë lëkunden nën peshën e nevojës për të qenë pjesë e një bote
që nuk ndalet kurrë së ndryshuari. Aleancat shformohen dhe rimodelohen, kufijtë
e ideve shtrihen përtej hartave të vizatuara dikur me dorë të hekurt, dhe
vendimet dikur të pathyeshme bëhen të lëngshme, të gatshme të marrin formën e
nevojës së kohës.
Dhe
në këtë ndryshim, në këtë lëvizje të natyrshme që dikush mund ta quajë
përparim, ndërsa të tjerë thjesht përshtatje, gjendet diplomacia – arti i hollë
i fjalës dhe i gjestit, mekanizmi i heshtur që sjell ekuilibër midis fuqive, që
sheshon terrene të ashpra dhe hap rrugë të reja për dialog. Diplomacia është
drita që shndrit në kohë paqartësie, urtësia që përshkon krizat me durim dhe
elegancë, duke e kthyer ndryshimin në mundësi, duke e bërë evolucionin jo një
thjeshtësi të rastësishme, por një proces të menduar dhe të orkestruar me
kujdes.
Në
të vërtetë, nuk ka asgjë që mbetet e njëjtë në këtë botë. As njeriu, as idetë,
as politika. Çdo epokë sjell dritë të re mbi ato që dikur konsideroheshin të
gdhendura në gur. Në këtë vallëzim të përjetshëm të ndryshimit, diplomacia
mbetet korniza që mban të bashkuara copëzat e një bote gjithnjë e më të
ndërlikuar. Dhe kushdo që thotë se njeriu nuk evoluon, se politika mbetet e
ngurtë dhe se shtetet nuk ndryshojnë, nuk e ka dëgjuar ende jehonën e kohës që
flet në gjuhën e së ardhmes
Ka
raste kur politika nuk ecën përpara si një lumë që çan rrugën drejt detit të së
ardhmes, por kthehet mbrapsht, duke u endur nëpër shtigje të njohura, sikur
kërkon të gjejë siguri në të kaluarën, në vend që të shikojë përpara. Ka
momente kur politikanët, të ndikuar nga interesat e tyre të ngushta apo nga
frika e së panjohurës, bien në grackën e përsëritjes, duke rifryrë retorika të
vjetra, duke nxjerrë nga arkivat e harresës të njëjtat mendësi që dikur i
ndihmuan të ecin përpara, por që sot veç i kthejnë prapa.
E
kaluara, në vend që të shërbejë si mësim, bëhet vegël për manipulim.
Politikanët, të mbërthyer nga dëshira për pushtet apo nga frika e humbjes, nuk
kërkojnë horizonte të reja, por i kthehen metodave të njohura, të cilat dikur u
dhanë sukses, ndonëse të përkohshëm. Dhe kështu, në vend të një politike që
lind nga vizioni dhe e shtyn shoqërinë drejt përmirësimit, shohim një politikë
të lodhur që ushqehet nga nostalgjia e një epoke që nuk mund të rikthehet.
Disa
nga këta liderë nuk e kuptojnë se koha është një rrjedhë e pandalshme dhe se
ajo që dikur mund të ketë funksionuar, sot është veçse një hije e së shkuarës.
Ata shpresojnë të korrin të njëjtat rezultate me të njëjtat mjete, por harrojnë
se shoqëritë nuk janë më ato të djeshmet, se njerëzit kanë përjetuar ndryshime,
kanë thithur erën e lirisë, kanë parë më larg se kufijtë e imponuar nga
politika e vjetër. Nuk mund t’i mashtroni më njerëzit me të njëjtat histori të
rikthyera, nuk mund ta mbani të ardhmen peng duke u mbështetur në të kaluarën
që dikur ju dha fitore.
Dhe
kështu, bie një lloj çarje mes politikanëve dhe realitetit. Disa kërkojnë të
lëvizin përpara, të hapin shtigje të reja, të mendojnë për politika që u
shërbejnë brezave të ardhshëm, ndërsa të tjerë, të kapur pas iluzioneve të
suksesit të dikurshëm, përpiqen të rikthejnë skenat e vjetra, duke injoruar
faktin se audienca ka ndryshuar, se bota nuk i sheh më me të njëjtët sy.
Në
këtë vorbull të rikthimeve dhe përsëritjeve, diplomacia mbetet e vetmja forcë
që mund të ndalë përplasjet e pakuptimta mes qëndrimeve të kundërta. Por
diplomacia ka kufijtë e saj, sepse nuk mund të shpëtojë ata që nuk duan të
shpëtohen, as të ndihmojë ata që e konsiderojnë të shkuarën si një strehë më të
sigurt sesa e ardhmja. Dhe kështu, sa herë që politikanët bien në këtë kurth të
recidives politike, historia shkruan një kapitull të vjetër me fjalë të reja,
një kapitull që dikush do ta quajë strategji, dikush do ta quajë mashtrim, por
që në thelb mbetet një përpjekje për të gjetur jetë në atë që është shteruar
tashmë.
Por
koha nuk ka mëshirë për ata që nuk dinë të ecin me të. Ata që nuk kuptojnë se
nuk mund të qëndrojnë gjithmonë duke ushqyer iluzione nga e kaluara, një ditë
do të kuptojnë se bota ka ecur pa ta. Dhe në atë çast, do ta kuptojnë se
historia nuk e përsërit vetveten për ata që nuk kanë mësuar prej saj.
Në
një botë ku fjala e dhënë duhet të ketë peshën e një guri themeli, ku
marrëveshjet duhet të jenë ura mbi të cilat kalojnë kombet drejt paqes dhe
mirëkuptimit, ka ende nga ata që e shkelin me lehtësi të turpshme gjithçka që
premtojnë, duke e kthyer politikën në një teatër mashtrimesh, ku hipokrizia
është akti kryesor dhe gënjeshtra është regjia që udhëheq çdo lëvizje.
Një
nga shembujt më të freskët e më të turpshëm të kësaj loje të pamoralshme është
vetë kryetari serb, Vuçiq, një mjeshtër i deformimit të së vërtetës, një
arkitekt i manipulimeve që, pa fije turpi e pa ndjerë ndonjë tronditje në
ndërgjegjen e tij, e përdor fjalën jo për të ndërtuar urë, por për të thelluar
hendeqe. Ai premton, nënshkruan, bën marrëveshje, vendos afate, dhe më pas i
shkel ato me një lehtësi cinike, si të ishin vetëm rreshta të shkruar mbi rërë
që era e parë i zhduk pa gjurmë.
Në
sy të botës, para përfaqësuesve të shteteve të fuqishme, brenda sallave ku
historia kërkon të shkruhet me drejtësi, ai zgjedh të gënjejë, të mashtrojë pa
u skuqur, duke ngritur akuza të pabaza, duke përmbysur realitetin e Kosovës dhe
popullit të saj të vuajtur, që ka kaluar dhimbje e padrejtësi të panumërta. Në
një mënyrë të paprecedentë, ai merr guximin të shfaqet si viktimë, të fajësojë
atë që për dekada ka qenë viktima e vërtetë, të shfaqet si një palë e shtypur
kur në të vërtetë, duart e tij mbajnë peshën e një historie të ngarkuar me
dhunë, terror dhe padrejtësi.
Por,
sa mund të zgjasë një e vërtetë e rreme? Sa mund të qëndrojë në këmbë një
ndërtesë e ndërtuar mbi gënjeshtra? Historia mund të vonojë, por nuk harron.
Dhe popujt që kanë vuajtur, nuk mund të fshihen nga e vërteta e tyre, as nga
kujtesa që i ndjek në çdo hap. Për aq kohë sa ekziston një popull që e njeh të
vërtetën e vet, për aq kohë sa një komb i mbijetuar nuk pranon të heshtë, për
aq kohë sa Kosova e di se kush është, asnjë fjalë e rreme, asnjë akuzë e pabazë
nuk mund ta errësojë realitetin e saj.
Vuçiqi
dhe të ngjashmit e tij mund të manipulojnë momentin, të shtrembërojnë të
tashmen, të vonojnë të ardhmen, por ata nuk mund ta ndalojnë atë. Sepse e
vërteta, ashtu si dielli që e çan mjegullën, ka fuqinë të dalë mbi çdo
errësirë. Dhe kur kjo ndodh, ata që sot gënjejnë pa fije turpi, një ditë do të
mbeten vetëm si hije të vetvetes në historinë e harresës.
Ka
njerëz që duket se lindin me prirjen për të manipuluar, për të luajtur me
fjalët si me gurë shahu, duke vendosur lëvizje që synojnë të fshehin të
vërtetën në një mjegull të dendur mashtrimi. Ka të tjerë që, ndoshta, nuk janë
mjeshtër të manipulimit, por thjesht marioneta në duart e një fuqie më të
madhe, të shtyrë nga interesa që nuk janë të tyret, të shitur pas një loje ku
ata vetë nuk janë më shumë se figura të përdorshme. Dhe mes këtyre dy poleve të
errëta—mes mashtruesve të vetëdijshëm dhe të manipuluarve pa vetëdije—qëndron
realiteti i pamohueshëm: Kosova, e fortë, e palëkundur, e lirë.
A
ka rëndësi nëse një politikan si Vuçiq gënjen me vetëdije apo sepse dikush
tjetër i tërheq fijet nga pas skenës? A ka vlerë të pyesim nëse ai është
thjesht një aktor i paaftë apo një regjisori i pamëshirshëm i gënjeshtrave të
tij? Jo, sepse në fund të fundit, loja e tij është e dënuar të dështojë. Ai
mund të shtrembërojë fjalët, të ndryshojë narrativat, të mashtrojë diplomatë e
forume ndërkombëtare, por Kosova nuk përcaktohet nga fjalët e tij, nuk lëkundet
nga asnjë akuzë e fabrikuar.
Sepse
Kosova është këtu. Ka qenë dhe do të jetë. Një tokë e gjallë që i ka mbijetuar
stuhive, një shtet i rrënjosur në gjakun dhe përkushtimin e atyre që
sakrifikuan gjithçka për lirinë. Ajo nuk është një ide që mund të deformohet nga
fjalët e një mashtruesi politik, nuk është një koncept që mund të rishkruhet
nga ata që shpresojnë se historia do të harrojë. Kosova është realiteti i
patjetërsueshëm, është krenaria që nuk zbehet, është demokracia që rritet çdo
ditë mbi themelet e guximit dhe të drejtësisë.
Vuçiqi
dhe ata si ai mund të luajnë me fjalët, mund të gënjejnë, mund të sajojnë
histori të reja, por nuk mund ta ndryshojnë të vërtetën. Kosova është këtu dhe
mbetet, një shtet me dinjitet, një komb që e di se ku qëndron dhe ku po shkon.
Dhe në fund, gënjeshtrat do të rrëzohen nën peshën e fakteve, manipulimi do të
venitet përballë rezistencës së popullit të saj, dhe historia do të ecë
përpara, duke lënë pas ata që jetojnë në iluzionin e mashtrimit të përjetshëm.
Është
e pamundur të mos e shohësh atë që ndodh përpara syve tanë. Është e pamundur të
mos e dallosh lojën e vjetër, të ricikluar me fytyra të reja, por me të njëjtën
thelb të errët. Dhe më e tmerrshmja nga të gjitha është kur ai—Vuçiqi—del para
gazetarëve dhe vesh maskën e pafajësisë, duke luajtur rolin e viktimës me një
mjeshtëri të ftohtë, sikur historia të mos e kishte regjistruar tashmë të
vërtetën e hidhur.
Me
një fytyrë të ngrirë, një zë që përpiqet të tingëllojë i përvuajtur, ai
mundohet t’i bindë të tjerët se është ai i shtypuri, ai që bart mbi supe një
barrë të pamerituar. Por fjalët e tij nuk janë të reja. Ato janë fjalë që i
kemi dëgjuar më parë, në epoka të errëta, kur liderët serbë të së shkuarës
luanin të njëjtën lojë djallëzore—një lojë ku viktima e vërtetë fshihej pas
mjegullës së propagandës, ndërsa agresori e paraqiste veten si i dëmtuari.
Dhe
ndërsa ai flet, ndërsa i jep jetë këtij teatri të hipokrizisë, kujtesa e
ngjarjeve të shkuara më godet si një erë e ftohtë që zgjon shpirtin. Nuk mund
të mos mendoj për atë kohë kur liderët serbë, me një mjeshtëri të
paimagjinueshme, përdornin çdo mjet për të manipuluar botën, për të përdredhur
të vërtetën, për të bërë që gjaku i derdhur të dukej si ujë i pafajësisë së
tyre. Ishte një strategji që luante me jetët e njerëzve, që i shndërronte
tragjeditë në mjete politike, që ndërtonte mite mbi gërmadhat e dhimbjes së të
tjerëve.
Dhe
sot, historia përsëritet, jo sepse është një forcë e verbër, por sepse ata që e
shkaktuan nuk kanë mësuar asgjë. Vuçiqi e ndjek atë rrugë, duke përdorur të
njëjtat skena, të njëjtat fjalë të rreme, të njëjtat teknika të errëta për të
mbuluar të shkuarën dhe për të ngatërruar të tashmen.
Por
e vërteta nuk mund të mbetet gjithmonë e shtypur. Një ditë, maskat do të bien
dhe historia do të flasë me zërin e saj të pashmangshëm. Një ditë, askush nuk
do të mashtrohet më nga ky teatër i rremë, dhe bota do të shohë se kush ishte
vërtet viktima dhe kush mbeti përherë manipuluesi i pamëshirshëm i dhimbjes së
të tjerëve.
Ishte
një kohë kur frika u kthye në mjetin më të fuqishëm të manipulimit, një kohë
kur çdo rrugë, çdo shesh, çdo fjalë e thënë me zë të lartë mund të shndërrohej
në një rrezik të pamatshëm. Në vitet e errëta të fundit të shekullit XX, kur
Serbia e kërkonte veten në pasqyrën e historisë së saj dhe nuk gjente asgjë
përveç hijes së nacionalizmit të egër, u shpikën dhe u vunë në zbatim mekanizma
të sofistikuar të presionit, duke ndërtuar një klimë ku frika u bë më e
fuqishme se çdo ligj, më e rëndë se çdo dënim.
Ishte
një epokë ku realiteti nuk krijohej nga ngjarjet, por nga narrativat e
fabrikuara, ku e vërteta nuk kishte më vlerë përballë fuqisë së gënjeshtrës.
Serbët, qytetarë të një regjimi që ushqehej me paranojë, u bënë jo vetëm
spektatorë, por edhe viktima të një skenari të mirëorkestruar, ku frika u
instalua thellë në ndërgjegjen kolektive. Ishte një epokë ku të dalurit në
rrugë nuk ishte më një gjest i zakonshëm, por një akt i ngarkuar me peshën e
pasigurisë, një epokë ku qeveria e tyre, në përpjekje për të ndërtuar një armik
të jashtëm, nuk ngurroi të frikësojë edhe vetë popullin e saj.
E
keni harruar ndoshta Rastin Martinoviq, që ishte një episod që ngjante më shumë
me një përrallë të errët të krijuar për të ushqyer ndjenjën e persekutimit sesa
me një realitet të ndodhur. Një ngjarje që, nëse nuk do të kishte pasur qëllime
politike, mund të kishte qenë objekt i satirës, por që u përdor me mjeshtëri si
simbol i një viktimizimi të fabrikuar, një kartë e lojës së propagandës që
kërkonte me ngulm të ndërtonte një mit të ri të persekutimit serb.
Por
ky nuk ishte rasti i vetëm. Historia e këtyre viteve është e mbushur me episode
të ngjashme, ku narrativat e gënjeshtrës u bënë më të rëndësishme se faktet, ku
qeveria serbe nuk u kursye në shpikjen e tragjedive të sajuara për të mbështetur
politikën e saj ekspansioniste. Ishte një strategji e njohur: sa herë që
regjimi ndjente dobësi, e ushqente popullin e tij me frikë, e mbështillte
realitetin me tymin e gënjeshtrës, duke krijuar një ndjenjë rreziku të
vazhdueshëm që shërbente për të justifikuar çdo akt dhune ndaj të tjerëve.
Dhe
kështu, frika nuk mbeti thjesht një emocion, por u kthye në një sistem, në një
strukturë politike, në një mjet për të kontrolluar mendjet dhe për të orientuar
urrejtjen drejt atyre që kërkonin liri. Një frikë që jo vetëm i ktheu serbët në
viktima të propagandës së vet, por që, më e rrezikshmja nga të gjitha, i
përgatiti për të qenë ekzekutorë të dhunës që do të pasonte. Sepse çdo
gënjeshtër e përsëritur mjaftueshëm gjatë, çdo mit i ndërtuar me kujdes, përfundon
duke u shndërruar në realitet për ata që nuk dinë të shohin përtej mjegullës së
mashtrimit.
Por
historia, sado të përpiqet dikush ta shkruajë ndryshe, në fund gjithmonë gjen
rrugën e saj të vërtetë. Dhe një ditë, të gjithë ata që u bënë viktima të gënjeshtrës
do ta kuptojnë se frika me të cilën u ushqyen, nuk ishte asgjë më shumë se një
iluzion i krijuar për të errësuar të vërtetën.
Nuk
e di nëse bota u besoi atëherë, kur u përpoqën të shisnin gënjeshtra të
mbështjella me tymin e viktimizimit, kur inskenuan tragjedi të rreme për të
justifikuar dhunën e tyre, kur rolet u përmbysën dhe kriminelët u paraqitën si
viktima. Ndoshta dikur kishte veshë që i dëgjonin, sy që nuk donin ta shihnin
të vërtetën, por më duket se sot, përralla e vjetër e bariut që bërtiste për
ujkun ka marrë fund. Sepse një herë mund të mashtrosh, ndoshta edhe dy herë,
por kur gënjeshtra bëhet e tejdukshme, kur maska bie dhe fytyra e vërtetë
zbulohet, askush nuk beson më.
E
megjithatë, në pjesën veriore të Kosovës, në ato fshatra ku ende fryjnë erërat
e së kaluarës, bandat serbe vazhdojnë të përpiqen të mbjellin frikë. Ata, që
nuk dinë të jetojnë pa terrorin si mjet sundimi, përdorin metoda të njohura, të
vjetra sa vetë koha e tyre e humbur. Djegin veturat e atyre që guxojnë të
regjistrojnë identitetin e tyre në institucionet e Kosovës, duke dashur të
japin mesazhin se një njeri i lirë nuk mund të jetë i sigurt. Pastaj fillojnë
me dhunë më të hapur—rrahje, kërcënime, maltretime—në një përpjekje të
dëshpëruar për të mbajtur të lidhur me zinxhirët e frikës ata që kanë vendosur
të jenë të lirë.
Por
më duket se edhe ata, ata që dikur jetonin nën hijen e kërcënimeve, tani kanë
kuptuar të vërtetën e thjeshtë: i vetmi vend i sigurt për ta, i vetmi vend ku
mund të jetojnë me dinjitet, nuk është Serbia që i përdor si gurë në lojën e
saj të paskrupullt, por Kosova, shteti ku ata mund të ecin me kokën lart, ku
mund të jenë qytetarë dhe jo vegla të një regjimi që nuk ka asnjë kujdes për
fatin e tyre.
Sepse
frika është si një natë e errët, që zgjat vetëm derisa lind dielli. Dhe në
Kosovë, ky diell ka lindur tashmë. Ata që përpiqen ta mbajnë terrin e vjetër,
ata që ende përdorin kërcënimin si armë të fundit të humbur, nuk e kuptojnë se
koha e tyre ka ikur, se përrallat e tyre nuk dëgjohen më, se më në fund, ata që
dikur jetonin me frikë, tani kanë kuptuar se nuk kanë më arsye të kenë frikë.
Kosova
është këtu, është e lirë, dhe asnjë bandë nuk mund ta ndalë dritën e saj.
Zoti
Vuçiq, më vjen keq, por duket se loja juaj nuk po bind më askënd. Askush nuk e
beson më viktimizimin tuaj të stisur, atë petk të vjetër që përpiqeni ta vishni
sa herë që historia ju del përballë me pasqyrën e së vërtetës. Mund të flisni
me zë të dridhur, mund të përdorni fjalë që kërkojnë mëshirë, por bota e ka
parë tashmë se cili është roli juaj në këtë tragjedi të shkruar me gjak. Nuk ka
më spektatorë të mashtruar, nuk ka më veshë që t’ju dëgjojnë pa e njohur të
vërtetën.
Ndonjëherë
pyes veten—mos vallë vuani nga një lloj amnezie e papritur? A ka ndodhur vërtet
që ju, zoti Vuçiq, të keni harruar historinë që vetë e keni shkruar me duart e
politikës suaj? A e keni harruar se qindra e mijëra shqiptarë ende mungojnë, se
dhimbja e tyre nuk është shuar, se varret e tyre ende janë të pashënuara në
tokën që ata nuk e zgjodhën si vend pushimi, por që u shndërrua në një shtrat
të dhunshëm heshtjeje? A e keni harruar, apo thjesht zgjidhni të mos e kujtoni?
Por
mos u mundoni të pretendoni se nuk e dini. Jo, ju e dini. Ju e dini ku janë
varrosur ata që u zhdukën, e dini kush i dha urdhrat, e dini kush i kreu
krimet. Dhe nëse do të kishte një grimcë ndershmërie në fjalët tuaja, nëse do
të kishte një hije të pendesës, atëherë do të kishit folur, do të kishit
treguar, do të kishit ndihmuar të ktheheshin eshtrat e tyre atje ku u
përkasin—në tokën e Kosovës, në prehjen që u është mohuar për dekada.
Nuk
po ju kërkon askush të jeni në errësirë për atë që ndodhi. Ju e dini, historia
e di, bota e di. Që nga viti 1945 e deri në luftën e fundit, më 1999, shteti
juaj nuk e ndali kurrë dhunën ndaj popullit shqiptar. Dhe nëse sot, në
shekullin XXI, ende luani rolin e viktimës, ndërsa në themelet e politikës suaj
rëndojnë masakrat, spastrimi etnik dhe gjaku i të pafajshmëve, atëherë mos
prisni që bota t’ju dëgjojë. Sepse e vërteta, sado ta mbuloni me gënjeshtra,
mbetet aty, si një gur i rëndë që nuk mund të zhvendoset.
Dhe
ata që ende presin eshtrat e të dashurve të tyre, ata që ende jetojnë me
dhimbjen e humbjes, nuk mund të harrojnë, nuk mund të pranojnë një paqe të
bazuar mbi harresën. Historia nuk është një përrallë që mund të rishkruhet
sipas nevojave të momentit. Ajo është aty, e pashmangshme, dhe një ditë, zoti
Vuçiq, ajo do të kërkojë përgjigje. Dhe atëherë, asnjë maskë, asnjë fjalë e
stisur, nuk do t’ju mbrojë nga e vërteta që e keni mohuar për kaq gjatë.
T’ju
kujtoj, zotëri, atë që historia nuk mund ta harrojë? A t’ju tregoj diçka që e
dini më mirë se të gjithë ne, por që e mbuloni me heshtje e gënjeshtra? Dhuna
ndaj shqiptarëve nuk ishte një aksident i rastësishëm, as një devijim nga
politika e shtetit tuaj. Jo, ajo ishte vetë politika. Ishte ligji i pashkruar,
por i zbatuar me përpikëri, ishte rregulli i heshtur, por i ndjerë në çdo rrugë
të errët, në çdo derë të shqyer me forcë, në çdo britmë që nuk u dëgjua kurrë
nga ata që duhej të dëgjonin.
Terrori
që u ushtrua mbi shqiptarët nuk ishte një devijim i pakontrolluar, por një
mekanizëm i menduar, i krijuar dhe i vënë në funksion me një përpikëri të
pamëshirshëm. Nuk ishte një çrregullim i sistemit – ishte vetë sistemi. Ishte
një makineri lubish, e pajisur me propagandë dhe urdhra të qarta, që nuk njihte
mëshirë, që nuk njihte ligj tjetër përveç atij të forcës. Dhe ju, zoti Vuçiq, e
dini këtë më mirë se kushdo tjetër. E dini sepse ishit pjesë e tij, sepse
ndërtuat mbi të, sepse e mbrojtët dhe e justifikuat kur bota e pa me sytë e saj
atë që për dekada ishit përpjekur ta mbulonit me mjegullën e mashtrimit.
Dhuna
nuk ishte një rrufe në qiell të pastër. Nuk ishte një shpërthim i çastit. Ajo
ishte e futur në sistem, e shkruar në dosje, e vulosur në dokumente, e ekzekutuar
me disiplinë ushtarake. Ishte e përhapur si një sëmundje që prek çdo qelizë të
një organizmi, ishte bërë pjesë e një regjimi që nuk mund të ekzistonte pa të.
Dhe ju e dini, sepse ishit aty kur kjo ndodhte, ishit aty kur dhuna u bë e
ligjshme, kur shteti juaj e bëri shtypjen një detyrë, kur urrejtja u shndërrua
në një normë të pranueshme.
Por
çdo sistem që ndërtohet mbi terror dhe dhunë ka një fund. Dhe ai fund vjen
atëherë kur njerëzit nuk kanë më frikë, kur e vërteta bëhet më e fuqishme se
propaganda, kur ata që dikur u shtypën, më në fund qëndrojnë të palëkundur në
tokën e tyre. Sot, Kosova është këtu, e lirë, dhe asnjë sistem dhune nuk mund
ta ndryshojë këtë fakt. Historia nuk mund të fshihet, nuk mund të rishkruhet me
justifikime boshe. Sepse për aq kohë sa ekziston kujtesa e viktimave, për aq
kohë sa dhimbja e tyre është ende e gjallë, për aq kohë sa të zhdukurit ende
kërkojnë drejtësi—ajo që ka ndodhur nuk do të shuhet kurrë.
Dhe
një ditë, zoti Vuçiq, historia do të vendosë emrat në vendet që u përkasin. Ata
që e zbatuan këtë sistem do të mbeten në hijen e turpit të tyre. Ata që
vuajtën, do të ecin me kokën lart. Sepse e vërteta, sado e vonuar, sado e
shtypur, gjithmonë gjen rrugën për të dalë në dritë.
Nëse
historia është një lumë i rrëmbyeshëm, atëherë fjalët e saj nuk mund të zhduken
as nga heshtja, as nga mohimi, e aq më pak nga përpjekjet për ta deformuar të
vërtetën. Dhe në këtë rrjedhë të pamëshirshme të kujtesës, fjalët e Ivo
Andriqit vazhdojnë të bien si kambana të errëta, duke dëshmuar një mentalitet
që i dha formë tragjedisë së një populli të tërë. “Sa më shumë shqiptarë të
ndiqen nga vatrat e tyre, aq më patriot do të llogaritet ai që e kryen këtë
krim.” Një fjali që përvëlon, një fjali që zbërthen thelbin e asaj që ndodhi,
një fjali që nuk mund të mohohet, sepse gjurmët e saj janë të shkruara me
gjakun e atyre që u masakruan, që u dëbuan, që u mohuan në vetë shtëpitë e
tyre.
Dhe
pikërisht këtu lind kontrasti më i madh, ai kontrasti që më habit e më trondit,
kur ju, zoti Vuçiq, dilni para botës dhe përdorni një vokabular që nuk ka asnjë
lidhje me realitetin e veprimeve tuaja. Flisni për demokraci, për paqe, për
stabilitet, por fjalët tuaja janë veç maska të një hipokrizie që nuk mund të
mbulojë atë që është tashmë e qartë për këdo që di të shohë. Ju mund të shiteni
si demokrat, mund të flisni për të ardhmen, por ç ‘vlerë kanë këto fjalë kur në
çdo fjali tuajën mungon më kryesorja—pendesa?
Një
demokrat i vërtetë nuk hesht për të kaluarën, nuk mundohet ta fshehë atë nën
retorikën boshe të një politike që nuk pranon të përballet me të shkuarën e
vet. Një demokrat i vërtetë nuk do të kishte frikë të përmendte emrat e atyre
që u shuan padrejtësisht, nuk do të dridhej nga e vërteta e Reçakut, nuk do të
shmangte dhimbjen e familjes Jashari, nuk do të heshtte për Ahmetajt, për
Berishët, për Gjakovën, për çdo vend ku historia e popullit shqiptar u shkrua
me gjak.
Nëse
dëshironi të flisni për demokraci, atëherë bëjeni me vepra, jo me fjalë. Nëse
dëshironi të jeni demokrat, atëherë pranoni krimet që janë kryer nën flamurin e
politikës suaj dhe mos u fshihni pas narrativave të stisura të viktimizimit.
Dhe mbi të gjitha, nëse e ndjeni vërtet përgjegjësinë e historisë, dilni hapur
dhe kërkoni falje. Një falje që nuk mund të kthejë pas jetët e humbura, por që
mund të hapë një faqe të re, një falje që nuk do ta ndryshojë të kaluarën, por
që do të dëshmojë se ju, më në fund, e keni kuptuar peshën e saj.
Por,
a do ta bëni këtë? Apo do të vazhdoni të mbeteni i njëjti njeri që kërkon të
mbulojë tragjeditë me fjalë të zbrazëta? Historia po pret përgjigjen tuaj. Dhe
një ditë, qoftë me pranimin tuaj apo pa të, ajo do ta japë vetë verdiktin e
saj.
Koha
nuk pret askënd, zoti Vuçiq. Ajo nuk qëndron në vend për të pritur nostalgjitë
e një politike të dështuar, as nuk lëkundet nga përpjekjet e dëshpëruara për ta
kthyer prapa. Ora e historisë ecën, me ritmin e së vërtetës, dhe Kosova është
në lëvizje të pandalshme drejt të ardhmes së saj. Nuk janë më duart e huaja që
e mbajnë fatin e saj, nuk janë më retorikat e lodhura ato që përcaktojnë të
qenit apo jo të një kombi. Fati i Kosovës është tashmë në duart e popullit të
saj, i shkruar në sakrificën e atyre që ranë për liri, i vulosur në aspiratat e
një gjenerate që nuk di të jetojë ndryshe, veçse si e lirë.
Ju
mund të vazhdoni ta luani lojën e vjetër të manipulimit, mund të përpiqeni ta
mbushni botën me gënjeshtra të vjetruara, por çdo fjalë e juaja bie mbi tokë të
shterpët, nuk mbin, nuk merr rrënjë. Sepse Kosova nuk është një trill politik,
nuk është një eksperiment i përkohshëm, as një ëndërr që mund të shuhet nga
fjalët boshe të diplomacisë suaj. Kosova është një realitet, një shtet i njohur
nga bota demokratike, një shtet që lindi nga lufta e saj për të drejtën
themelore të qenies.
Ju
mund të ankoheni për këtë realitet, mund të përpiqeni ta sfidoni atë në
sallonet e diplomacisë ndërkombëtare, mund të vazhdoni të ushqeni iluzione të
vjetra, por koha nuk do të kthehet mbrapsht për askënd. As për ju, as për ata
që ende jetojnë me ëndrrën se Kosova mund të mohohet. Sepse ajo tashmë e ka
kaluar atë prag ku e ardhmja mund të vihet në dyshim. Nuk është më një çështje
diskutimi, nuk është më një skenë për manovrat tuaja.
Në
këtë garë me kohën, ju mund të zgjidhni të mbeteni në vend, të mbaheni pas
narrativave të kalbura që askush nuk i beson më, ose mund të pranoni atë që
është tashmë e pashmangshme: se Kosova është dhe do të jetë. Jo sepse e vendosën
të tjerët, por sepse populli i saj vendosi ta marrë fatin në duart e veta dhe
nuk ka fuqi në këtë botë që mund t’ia mohojë këtë të drejtë.
Ora
po ecën, zoti Vuçiq. Dhe ajo nuk ecën drejt së shkuarës, por drejt së ardhmes
që Kosova ka ndërtuar me gjakun, sakrificën dhe krenarinë e saj të patundur.