Speciale » Basha
Sabile Basha: Pavarësia e Kosovës - Një rrugëtim i dhimbshëm, një fitore e përjetshme
E hene, 17.02.2025, 07:00 PM
Heronjtë
e Kombit: Xhevë Krasniqi – Lladrovci (1955-1998) dhe Fehmi Lladrovci
(1956-1998)
PAVARËSIA
E KOSOVËS- NJË RRUGËTIM I DHIMBSHËM, NJË FITORE E PËRJETSHME
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Ëndrra
ime më e madhe, dëshira që ma ka shoqëruar çdo frymëmarrje, meraku që më ka
rënduar shpirtin për dekada me radhë, ka qenë – të shoh Kosovën time të lirë,
të pavarur, një shtet më vete, ku dielli i lirisë të mos fshihet më pas hijeve
të errëta të pushtuesve.
Dikur,
kjo ishte vetëm një shpresë e pashuar, një lutje e heshtur, një vizion që
jetonte në mendjet dhe zemrat e atyre që nuk pranonin të dorëzoheshin. E kam
parë këtë ëndërr në sytë e të moshuarve, të cilët e pritën për dekada me
besimin se një ditë do të vijë. E kam ndier në zërat e nënave, që pëshpëritnin
emrat e bijve të tyre të rënë për këtë tokë. E kam dëgjuar në rrëfimet e atyre
që nuk reshtën së luftuari, që ecën mbi gjemba për të sjellë këtë ditë.
Dhe
ja, ajo ditë erdhi. Sot, Kosova nuk është më një hije në hartë, nuk është më
një plagë që vajton heshtur. Sot, ajo është një realitet, një flamur që
valëvitet krenar, një tokë që mbështet veten mbi themelet e gjakut dhe guximit
të atyre që nuk hoqën dorë. Sot, mbi këtë
nuk ka më zinxhirë, nuk ka më kërcënime, nuk ka më hije robërie – vetëm
dielli i një lirie të fituar me mund, me sakrificë dhe me dashuri të pamatshme
për këtë atdhe.
Dhe
unë, që dikur e ëndërroja këtë çast, sot e jetoj atë me krenari, me mirënjohje,
me përkushtim. Sepse kjo liri nuk është thjesht një fitore e së shkuarës –
është një përgjegjësi për të tashmen dhe një amanet për të ardhmen. E shoh
Kosovën time të pavarur, dhe më në fund, ndjej se ëndrra ime më e madhe nuk
është më një ëndërr – është drita që ndriçon këtë vend, përjetësisht i lirë!
Dhe,
sot, jam këtu, në këtë moment që më duket si një mrekulli e papritur, një
dhuratë që nuk e dija se do ta kisha ndonjëherë. E ndiej dritën e kësaj dite
mbi lëkurën time, frymën e kësaj ore që më përqafon butësisht. Në çdo tingull,
në çdo aromë të ajrit, në çdo frymë që mbush kraharorin tim, ndjej pulsimin e
jetës që ende më pranon në prehrin e saj.
Dikur
ndoshta mendonim se do të ishim larg, se nuk do ta shijonim këtë çast, këtë
ditë që na fton të zgjohemi me mirënjohje. Por ja ku jemi, dëshmitar të një të
tashmeje që na përket, udhëtar që ende
ecim mbi rrugët e kësaj bote, duke numëruar rrahjet e zemrës si trokitje të një
dhurate të madhe dhe të bekuar.
Sa
krenar ndihemi, sa të bekuar ndjehemi që jemi pjesë të kësaj dite, të këtij
çasti që nuk është thjesht një datë në kalendar, por një kujtesë e një ëndrre
të bërë realitet, një frymëmarrje e lirë në historinë e një kombi që ka lindur
nga dhembja, është rritur në përpjekje dhe ka lulëzuar në sakrificë.
Sot,
më 17 shkurt, zemrat tona rrehin me ritmin e një kombi që ka përballuar furtuna
e errësira, por që kurrë nuk ka lëshuar rrënjët e tij nga toka e vet. Ky është
një moment ku krenaria nuk është vetëm ndjenjë, por është frymë, është gjak që
qarkullon në venat e çdo shqiptari që e ka pritur këtë ditë me mall, me
shpresë, me lutje. Sot, çdo rreze dielli duket se ndriçon ndryshe, sikur e di
që kjo është dita jonë, dita kur ne kujtojmë ata që nuk e panë këtë agim, por
që u bënë drita e rrugës sonë.
Privilegji
i të qenit pjesë e kësaj dite është më shumë sesa një përjetim personal – është
një ndjenjë që na lidh me të kaluarën, me rrënjët, me ata që sakrifikuan që ne
sot të mund të themi me zë të lartë: Kosova është e lirë! Pavarësia nuk është
thjesht një status politik; është një fitore e shpirtit, një betim për të mos
harruar, një përgjegjësi për ta ndërtuar të ardhmen me dashuri, me dinjitet, me
përkushtim.
Në
këtë ditë të shenjtë për kombin tonë ndiej se çdo frymëmarrje ka peshën e
historisë, çdo hap mbi këtë tokë është një dëshmi e një sakrifice që nuk duhet
harruar. Dhe ndërsa flamujt valëviten me krenari, ndërsa këngët e lirisë
mbushin rrugët, e di se kjo ditë nuk është thjesht një festë – është një amanet
për brezat që do të vijnë, një premtim se Kosova do të vazhdojë të ecë përpara,
me ballin lart, me shpirtin e pavarësisë të skalitur në zemrën e çdo biri e
bije të saj.
Sot,
më 17 shkurt, ne festojmë, jo vetëm si qytetarë, por si bijtë e kësaj toke,
si dëshmitarët e një mrekullie të
shkruar me gjak e qëndresë. Dhe për këtë, jemi krenar. Për këtë, ndjehemi të
bekuar.
E
ndjejmë, e shohim, e prekim me shpirt gëzimin që vlon në zemrat e njerëzve të
mi, në çdo rrugë ku valon flamuri, në çdo fjalë që buron nga shpirti i lirë i
një populli që ka përjetuar dhimbje, por sot feston me krenari. Si mund të
qëndrojmë indiferent para kësaj madhështie, para këtij momenti që nuk është
vetëm një festë, por një dëshmi e përjetshme e sakrificës, e guximit dhe e
dashurisë së pakushtëzuar për lirinë?
Kjo
ditë nuk është thjesht një datë në kalendar, por një amanet i pashlyeshëm, një
kujtim i të gjithë atyre që besuan në dritën edhe kur nata ishte e gjatë, në
shpresën edhe kur rruga ishte e mbuluar me pluhur dhe gjak. Bijtë dhe bijat më
të devotshëm të këtij kombi nuk u kursyen, nuk u trembën, nuk u ndalën. Ata
ndërtuan këtë ditë me shpirtin e tyre, me besimin e palëkundur se edhe popujt e
vegjël meritojnë madhështi, se edhe zemrat e vogla mund të bartin brenda tyre
fuqinë e një epoke të re.
Si
mund të mos ndiejmë dridhjen e gëzimit në ajrin e kësaj dite? Si mund të mos
ndiejmë që çdo shqiptar që e jeton këtë çast me krenari, me lot gëzimi, me
kujtesën e gjallë për ata që nuk janë më, por që mbetën të përjetshëm në gurët
e themeleve të lirisë sonë? Kjo nuk është thjesht një fitore – është një këngë
që buron nga shekujt, një rrëfim që do t’u përcillet brezave si dëshmi e
pavdekshme e qëndresës.
E
ndjejmë lumturinë e popullit tonë si një lumë të madh që rrjedh pa u ndalur, që
ushqen tokën, që i jep jetë çdo ëndrre të re. Dhe në këtë ditë, në këtë moment,
në këtë përjetim të shenjtë, nuk ka vend për indiferencë. Ka vetëm falënderim,
vetëm dashuri, vetëm një përkulje të heshtur para madhështisë që e sollën ata
që e deshën këtë tokë më shumë se vetveten. Dhe për këtë, sot jemi më shumë se
kurrë të bashkuar – në kujtim, në falënderim, në dashuri për Kosovën tonë të
lirë!
E
di, e ndjej thellë në shpirt se sa e sa sy janë mbyllur përgjithmonë me mallin
e një dite që nuk patën fatin ta shohin. Sa zemra rrahën për këtë çast, por nuk
e përjetuan; sa ëndrra u ndërtuan për këtë ditë, por mbetën pezull mes jetës
dhe amshimit. Ata, që dikur ecën në këto rrugë, që ëndërruan këtë liri me
gjithë qenien e tyre, sot nuk janë këtu për të brohoritur, por zëri i tyre
jehon në çdo buzëqeshje, në çdo flamur që valëvitet, në çdo hap që populli im
hedh me krenari.
Në
këtë ditë gëzimi, nuk mundemi të mos kujtojmë ata që ikën me Kosovën në zemër,
por pa e parë Kosovën e lirë. Sa sytë u lodhën duke kërkuar dritën e një agimi
që nuk mbërriti në kohë për ta! Sa duar u shtrinë drejt një qielli të mbuluar
me re, duke kërkuar një premtim që vonoi të përmbushej! Dhe sa zëra u fikën me
fjalën e fundit: A do të vijë ajo ditë? A do ta shoh Kosovën e lirë?
Erdhi
kjo ditë, më në fund erdhi kjo ditë, por ama, ata nuk janë. E ndjejmë mungesën
e tyre si një fllad të lehtë që kalon mes nesh, si një pëshpëritje që përzihet
me këngët e festës. Ata janë këtu, jo me trupin e tyre, por me shpirtin që nuk
u shua kurrë. Ata jetojnë në gurët e rrugëve që ndërtuan, në flamurin që dikur
e ëndërruan të lirë, në zemrat e atyre që e trashëguan amanetin e tyre dhe nuk
e lanë të venitej.
Dhe
në këtë ditë, ndërsa festojmë, ndërsa shohim fytyra të ndriçuara nga krenaria,
ndiejmë edhe lotët e heshtur të kujtimit. Sepse kjo ditë nuk është vetëm e
jona, është edhe e tyre – e atyre që e pritën, por nuk e panë, e atyre që e
deshën, por nuk e shijuan. Për ta, për ëndrrën e tyre, për dashurinë e tyre të
pakushtëzuar për këtë tokë, ne festojmë sot. Dhe çdo buzëqeshje, çdo valëvitje
e flamurit, çdo fjalë urimi është një përshëndetje për ta, në botën ku janë
tani, me Kosovën e lirë në zemër përgjithmonë.
Babai
im iku me një mall të pashuar, me një ëndërr të pambaruar, me një shpresë që e
mbajti gjallë deri në frymën e fundit: ta shihte Kosovën të bashkuar me
Shqipërinë, siç e kishte ëndërruar gjithë jetën. E di që ai e pa atë bashkim me
sytë e shpirtit, se për të, kufijtë nuk ishin kurrë të vërtetë, veç vijëzime të
imponuara mbi hartë, që nuk mund ta ndanin zemrën e një kombi. Ai iku me këtë
mall, por la pas një rrugë të shtruar me shpresë, me përpjekje dhe me dashuri
për vendin e tij.
Por
jeta, me gjithë madhështinë dhe peshën e saj, ka ligjet e veta të pashkruara.
Dikush hap rrugën me mund, me sakrificë, me djersë e gjak, ndërsa miliona të
tjerë kalojnë më pas, të lirë, pa frikë, pa drojë. Disa shkrijnë jetën e tyre
për një ideal që nuk e përjetojnë kurrë me sy, por e shohin të lulëzojë në të
ardhmen e brezave që vijnë. Dhe babai im ishte një nga ata që hodhi themelet,
që e mbajti gjallë flakën e shpresës, që e deshi këtë tokë aq shumë saqë e la
shpirtin e tij të tretet brenda saj.
E
di, e ndjej thellë në brendësi se kudo që ndodhet sot ai, është krenar. Ai e
sheh Kosovën që rritet, që ecën përpara, që shkruan historinë e saj me dritë
dhe dinjitet. E di që buzëqesh diku në amshim, i lumtur që ajo për të cilën ai
u lut dhe u përpoq, sot është realitet. Dhe pse nuk e preku me duar, pse nuk e
përjetoi me sytë e tij, ai jeton në këtë ditë, në këtë Kosovë të lirë, në çdo
zemër që ende e ruan ëndrrën e tij.
Sepse
ëndrrat e mëdha nuk vdesin kurrë. Ato vazhdojnë të jetojnë nëpër rrugët që
dikur ishin të bllokuara dhe sot janë të hapura, nëpër flamujt që dikur u
fshehën dhe sot valëviten krenarë. Ai është këtu, në çdo rrahje të kësaj toke,
në çdo frymë që merr ky popull. Dhe unë e di që sot, në këtë moment, ai është i
lumtur. Sepse Kosova po ecën përpara, dhe dashuria e tij për të nuk ishte e
kotë.
Sa
e sa baballarë lanë pragun e shtëpisë me një përqafim të fundit, sa e sa
vëllezër e motra u nisën drejt luftës me shpirtin plot vendosmëri, sikur po
shkonin në një dasmë, në një festë të madhe të lirisë. Ata nuk e panë vdekjen
si fund, por si një kalim të domosdoshëm drejt një agimi të ri. Sepse për ta, e
ardhmja nuk ishte thjesht një shpresë, por një premtim që patjetër duhej të
vinte, një diell që, sado të vonohej, duhej të lindte mbi qiellin e Kosovës.
Ata
nuk u nisën me frikë, por me besim, me zemrën e mbushur me dashuri për tokën e
tyre, për gjuhën e tyre, për flamurin që ende nuk valëvitej lirshëm. Sepse e
dinin që liria nuk dhurohet, por fitohet me guxim, me përkushtim, me gjak dhe
me shpirt. E dinin se çdo hap që hidhnin drejt malit, drejt betejës, ishte një
hap më afër një Kosove të lirë, një atdheu që nuk do të ishte më rob i heshtjes
dhe nënshtrimit.
Sa
e sa luftëtarë e panë lirinë në sytë e njëri-tjetrit, e ndjenë atë në thirrjet
e tyre, në besimin e pathyeshëm se fitorja nuk ishte thjesht një mundësi, por
një detyrim ndaj historisë, ndaj brezave që vinin pas tyre. Ata e bënë luftën
me shpirtin e një martiri dhe me gëzimin e një njeriu që e di se po i hap rrugë
një të ardhmeje më të ndritur.
Dhe
vërtet, ajo ditë erdhi. Erdhi me mundin, me dhembjen, me sakrificën e tyre. Ata
që u nisën sikur po shkonin në dasmë, lanë pas një popull që sot ecën i lirë,
që sot këndon këngët e lirisë pa frikë, që sot përkulet para tyre me
mirënjohje. Sepse ata e dinin atë që ne sot e dimë me siguri: Kosova nuk mund
të mbetej pa diell. Dhe ai diell sot ndriçon falë atyre që shkuan drejt betejës
me zemrën e mbushur me dritën e lirisë.
Dhe
ajo ditë, e pritur si një premtim i gdhendur në gurin e kohës, më në fund
erdhi. Prishtina, zemra e Kosovës, sot gumëzhin nga zëri i një populli që
feston, që frymon lirisht, që ecën mbi rrugët e historisë së vet me ballin
lart. Në mes të qytetit, në sheshin ku dikur jehonte dhimbja, sot parakalon
ushtria e Kosovës, sot kënga e lirisë përzihet me rrahjet e zemrave që dikur
pritën, qëndruan, luftuan.
Sa
i lumtur është një popull kur mbi kokat e tij nuk qëndron më kërbaçi i armikut,
nuk ushton më kërcënimi i plumbit, nuk rëndon më hija e robërisë! Sot ajri
është i pastër, i mbushur me jehonën e brohoritjeve, me ngjyrën e shpresës, me
dritën e atyre që besuan se kjo ditë duhej të vinte, duhej të bëhej realitet.
Sot, askush nuk fshihet, askush nuk hesht, askush nuk ka frikë të thërrasë:
Kosova është e lirë!
Dhe
mbi të gjithë, mbi sheshin që dikur mbante hapat e lodhur të një populli të
shtypur, sot valëviten dy flamuj – flamuri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
simboli i sakrificës, gjaku dhe betimit të pathyeshëm, dhe flamuri i Kosovës së
pavarur, shenja e fituar me mund, me gjak dhe me amanet. Ata valëviten lart,
duke sfiduar kohën, duke dëshmuar se sakrifica nuk ishte e kotë, se ëndrra nuk
u shua në gjysmë, por u bë realitet.
Dhe
unë qëndroj aty, në mes të këtij deti njerëzish, dhe e ndiej – këtë gëzim që
nuk është vetëm një festë, por një përmbushje, një çlirim shpirtëror, një
kapitull i ri në librin e historisë sonë. Kosova sot është e lirë, dhe kjo ditë
nuk është thjesht një ditë. Është një dëshmi se e drejta triumfon, se gjaku i
derdhur nuk harrohet, se çdo popull meriton diellin e vet. Dhe sot, mbi
Prishtinë, mbi zemrat tona, mbi të gjithë ne, ai diell ndriçon më i ndritshëm
se kurrë.
"Ne
jemi të lirë!" – më vjen të thërras me gjithë fuqinë e shpirtit, ta lëshoj
këtë klithmë gëzimi në qiellin e hapur të Kosovës, ta përhap si një jehonë të
papërmbajtshme nëpër rrugët që dikur mbartnin hapat e frikës, si një testament
të shkruar me gjakun e atyre që besuan në këtë ditë. Dua që zëri im të përzihet
me frymëmarrjen e një populli që sot, më në fund, merr frymë pa frikë, që ecën
pa zinxhirë, që sheh të ardhmen pa hijen e robërisë mbi supe.
E
ndiej në zemrat e tyre, e shoh në sytë e fëmijëve që rriten në liri, në
buzëqeshjen e të moshuarve që dikur e mendonin këtë çast si një ëndërr të
largët. Shqiptarët sot e ndiejnë këtë liri jo vetëm si një dhuratë, por si një
fitore të përbashkët, një triumf të sakrificës dhe të besimit. Ata e dinë se
kjo ditë nuk do të vinte vetë, se ajo u ndërtua mbi supet e bijve dhe bijave të
këtij vendi, mbi guximin e djemve që e deshën Kosovën më shumë se jetën e tyre,
mbi shpirtin e atyre që nuk u dorëzuan kurrë.
Dhe
po, ne jemi falënderues. Ne i kujtojmë ata që na ndihmuan, ata që e panë
drejtësinë dhe i qëndruan pranë një populli që po luftonte për të drejtën e tij
për të ekzistuar. Fuqitë e mëdha të botës, të cilat u bënë zëri ynë kur zëri
ynë përpiqej të depërtonte përtej dhimbjes, meritojnë falënderimin tonë. Por mbi
të gjitha, mirënjohja më e madhe i takon atyre që ranë në emër të kësaj dite,
atyre që dhanë çdo gjë, pa kërkuar asgjë në këmbim, veçse një Kosovë të lirë.
Sot,
ndërsa shoh flamujt që valëviten në erë, ndërsa dëgjoj zërat që brohorasin me
krenari, e di se kjo liri nuk është vetëm një fjalë – është një betim për të
mos harruar, një amanet për të ecur përpara me dinjitet. Dhe unë, bashkë me
popullin tim, nuk mund të bëj gjë tjetër veçse të thërras me zë të lartë, me
zemër plot emocion- “Ne jemi të lirë!”
Ushtria
Çlirimtare e Kosovës – e madhërishmja, e shtrenjta, e trimëresha jonë – është
më shumë se një emër, më shumë se një ushtri. Ajo është zëri i guximit që u
ngrit nga heshtja, është zemra që rrahu me forcën e një kombi që nuk mund të
pranonte më skllavërinë. Po të mos ishte ajo, po të mos ishin ata djem e vajza
që u nisën drejt betejës me zemrën plot besim dhe sytë të mbushur me dritën e
shpresës, ne ende do të ishim rob të një historie të padrejtë. Ende do të
jetonim të përkulur, të heshtur, të mbetur në hijen e një pritjeje të pafund.
Por
ajo u ngrit si një dallgë e fuqishme, si një flakë që nuk mund të shuhej, si
një premtim që nuk mund të thyhej. Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ishte
thjesht një forcë ushtarake – ajo ishte betimi i një populli që kishte duruar
mjaft, që nuk mund të vegjetonte më, që nuk mund të mbetej i burgosur brenda
kufijve të frikës dhe nënshtrimit. Ata që morën armët nuk luftuan vetëm për
vete, por për fëmijët që do të vinin, për të moshuarit që kishin mbajtur barrën
e shekujve, për çdo gur dhe për çdo pëllëmbë toke që e thërrisnin Kosovën nënë.
Dhe
ja ku jemi sot, falë tyre, falë sakrificës së tyre, falë dashurisë së tyre të
pamatshme për këtë tokë. Nuk jemi më të heshtur, nuk jemi më të përkulur, nuk
jemi më të padukshëm në hartën e botës. Sot ecim krenarë mbi këtë tokë të lirë,
sot flasim shqip pa frikë, sot shkruajmë historinë tonë me duart tona.
Sepse
ata guxuan, sepse ata u ngritën, sepse ata nuk pranuan të jetojnë të
gjunjëzuar. Dhe për këtë, ne nuk do të harrojmë kurrë. Për këtë, emri i
Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të mbetet i shenjtë në zemrën e çdo shqiptari
që e di çmimin e lirisë.
Çfarë
është Ushtria Çlirimtare e Kosovës? Tre shkronja që nuk janë thjesht një emër,
por një histori e shkruar me gjak dhe guxim. Kur i shqiptoj këto germa, një
drithërimë më përshkon trupin, një ndjenjë e thellë më pushton shpirtin, sepse
ato nuk janë vetëm fjalë – ato janë jehona e sakrificës, britma e një populli
që refuzoi të nënshtrohej, zëri i trimërisë që u ngrit mbi frikën dhe errësirën.
Të
thuash UÇK do të thotë të kujtosh ditët e zymta të pushtimit dhe netët e gjata
të qëndresës. Do të thotë të shohësh djem dhe vajza që lanë shtëpitë e tyre, që
u nisën drejt maleve me vetëm një qëllim – ta thyenin zinxhirin shekullor të
robërisë. Ata sfiduan jo vetëm një armik që kishte pushtuar tokën e tyre, por
edhe dhunën, terrorin dhe gjenocidin e një shteti barbar, i cili mendoi se mund
të shuante një komb të tërë me plumba dhe zjarr.
Por
historia nuk i njeh të fortët nga fuqia e armëve, por nga forca e shpirtit. Dhe
Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte mishërimi i kësaj force. Ishte betimi se kjo
tokë nuk do të dorëzohej kurrë, se askush nuk do të na mohonte të drejtën për
të ekzistuar, për të jetuar të lirë, për të shkruar fatin tonë me duart tona.
Ajo u ngrit nga zemrat e atyre që kishin humbur gjithçka, por nuk humbën kurrë
besimin se liria do të vinte.
Dhe
sot, kur e kujtoj atë kohë, kur shoh flamurin e lirisë të valëvitet mbi këtë
tokë, më pushton krenaria. Krenaria që i përkas këtij kombi trim dhe heroik, që
nuk u përkul para asnjë pushtuesi, që nuk u tremb nga asnjë forcë, që nuk e
ndali hapin drejt lirisë. Sepse UÇK-ja nuk ishte vetëm një ushtri – ajo ishte
zemra e Kosovës që rrahu më fort se kurrë, për ta sjellë këtë ditë, këtë dritë,
këtë agim që dikur ishte vetëm një ëndërr e largët.
Dhe
për këtë, sa herë i shqiptoj këto tre shkronja, ndiej jo vetëm drithërimë, por
edhe një borxh të pashlyeshëm ndaj atyre që e bënë të mundur këtë liri. Një
borxh që ne duhet ta mbajmë gjallë, duke mos e harruar kurrë se sa u desh për
të arritur këtu, dhe duke e dashur këtë tokë me po atë zjarr me të cilin u
mbrojt.
Ushtria
Çlirimtare e Kosovës nuk është thjesht një emër, një formacion ushtarak apo një
moment i historisë sonë – ajo është vetë zemra e Kosovës, fryma e popullit të
saj, zëri i trimërisë shqiptare që u ngrit kundër padrejtësisë. Ajo nuk ishte
vetëm një ushtri e armatosur me pushkë, por një betim i gjallë, një popull i
tërë që u ngrit mbi frikën dhe u shndërrua në një flakë të pashuar lirie.
Sepse
UÇK-ja nuk ishte vetëm ata që mbajtën uniformën dhe morën armët, por edhe ata
që i ushqyen, që i mbështetën, që u hapën dyert dhe u dhanë shpresë. Ishte nëna
që dërgonte djalin në luftë me një lutje dhe një buzëqeshje të fshehur pas
lotëve. Ishte fëmija që u rrit duke dëgjuar përrallat e lirisë dhe ëndërroi një
Kosovë ku nuk do të kishte më frikë. Ishte plaku që e kishte pritur këtë ditë
për dekada dhe nuk donte të mbyllte sytë pa parë agimin e saj. Ishte secili
shqiptar që e ndjeu mbi supet e tij peshën e robërisë dhe refuzoi të jetonte
nën të.
UÇK-ja
ishte populli vetë – populli që nuk pranoi të mbetej në heshtje, që nuk iu
dorëzua kurrë terrorit, që nuk e la të shuhej ëndrrën e vet për të qenë i lirë.
Ajo ishte trimëria e gjallë që nuk u dorëzua, guximi që sfidoi një fuqi të
pamëshirshme, sakrifica që nuk kërkoi shpërblim, por vetëm një të ardhme më të
drejtë për brezat që do të vinin pas.
Dhe
sot, kur shoh flamurin e Kosovës të valëvitet mbi këtë tokë të larë me gjakun e
tyre, e di se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është thjesht një kapitull i
historisë – ajo është vetë historia jonë, e skalitur në çdo gur të kësaj toke,
në çdo frymë të kësaj lirie. Ajo është vetë populli i Kosovës, i gjallë, i
pavdekshëm, krenar dhe i pathyeshëm.
Sot,
zemra e Kosovës rreh më fort, më krenare, më e mbushur me dritën e një dite që
dikur ishte vetëm një ëndërr e pashuar në zemrat e brezave të tërë. Sot
festojmë 17 vjetorin e pavarësisë, një ditë që nuk është thjesht një datë
kalendarike, por një përmbushje e një amaneti të lashtë, një dëshmi e qëndresës
dhe sakrificës së një populli që kurrë nuk u përkul, kurrë nuk e harroi se
liria është më e shtrenjtë se vetë jeta.
Jam
e vetëdijshme se Kosova, kjo tokë e mbushur me histori dhe gjak të derdhur për
liri, do të jetë një shtet që bota do ta lakmojë. Jo vetëm për bukurinë e saj,
jo vetëm për tokën e saj të bekuar, por për popullin e saj, për guximin e tij,
për shpirtin e tij të pathyeshëm. Kosova nuk është thjesht një shtet në hartën
e botës, ajo është një testament i sakrificës, një dëshmi e qartë se edhe
kombet e vogëla kanë të drejtën të ecin krenarë në rrugën e tyre, të shkruajnë
fatin e tyre me duart e tyre.
O
shqiptar, sot kemi festë! Sot është dita kur të gjitha dhimbjet e së kaluarës
shndërrohen në forcë, kur të gjitha lotët e dikurshëm bëhen dritë në sytë tanë.
Sot nuk jemi vetëm qytetarë të një shteti, por jemi dëshmitarë të një mrekullie
të fituar me mund, me sakrificë, me dashuri të pashoqe për këtë tokë. Kjo është
dita më e madhe që ka njohur ky popull, një ditë që nuk do të zbehet kurrë në
kujtesën tonë, një ditë që do të kumbojë brez pas brezi, si një këngë e
pavdekshme e lirisë sonë.
Le
ta festojmë këtë ditë me krenari, me mirënjohje, me përkushtim për të ardhmen
që na pret. Sepse Kosova nuk është vetëm një vend – ajo është një ideal, një
ëndërr e bërë realitet, një flamur që valëvitet jo vetëm në qiell, por në çdo
zemër shqiptare që rreh për të. Dhe sot, më shumë se kurrë, ne jemi të lirë!
Por
në asnjë çast, në asnjë festë, në asnjë brohoritje gëzimi, nuk duhet ta harrojmë
të kaluarën – atë rrugëtim të mundimshëm që na solli deri këtu, atë dhimbje që
u gdhend në shpirtin tonë, atë sakrificë që u derdh mbi këtë tokë si një betim
i përjetshëm. Sepse liria nuk erdhi vetvetiu, ajo nuk ishte një dhuratë e
rastësishme e kohës, por një fitore e paguar me mund, me gjak, me lot të
heshtur dhe lutje të pathëna.
Vetëm
duke kujtuar ata që ranë për këtë dhe, ne mund ta shijojmë me dinjitet këtë të
ardhme të ndritur që kemi përpara. Ata nuk luftuan për veten e tyre, por për
ne, për fëmijët që do të vinin, për të nesërmen që sot po e jetojmë. Çdo gur i
kësaj toke mban gjurmët e tyre, çdo frymë e lirisë është një amanet i tyre, çdo
flamur që valëvitet sot është kujtim i asaj force të pathyeshme që nuk lejoi që
Kosova të mbetej në terr.
Ne
nuk mund ta ndajmë gëzimin nga kujtimi, sepse lumturia jonë është trashëgimia e
tyre, dhe borxhi ynë i pashlyeshëm është të mos harrojmë kurrë. Të kujtojmë çdo
emër, çdo hap të atyre që nuk u kthyen më, çdo betejë të luftuar jo vetëm me
armë, por me shpirt, me qëndresë, me dashuri të pakushtëzuar për këtë vend.
Vetëm kështu ne do të jemi të denjë për këtë liri, vetëm kështu gëzimi ynë nuk
do të jetë i zbrazët, por do të ketë rrënjë, kuptim, peshë.
Le
të festojmë, por me zemrat e mbushura me mirënjohje. Le ta ndërtojmë të
ardhmen, por duke ecur mbi themelet e historisë sonë. Sepse vetëm ata që nuk
harrojnë, janë të denjë të ecin përpara me nder, me krenari, me dritën e së
nesërmes që shkëlqen falë atyre që u flijuan për këtë ditë.
E
gëzofsh përjetësisht pavarësinë tënde, Kosova ime e shtrenjtë, ti që u lind nga
sakrifica, u rrite me qëndresë dhe u ngrite mbi dhembjen për t’u bërë e lirë.
Sot dhe çdo ditë që do të vijë, le të mbash mbi supe krenarinë e brezave që
ëndërruan këtë çast, që derdhën gjakun e tyre për të parë këtë flamur të
valëvitet në qiellin e hapur të atdheut.
Ti,
Kosovë, je dëshmia e një force të pashoqe, e një shpirti të pathyeshëm, e një
dashurie të pamatshme për këtë tokë. Ti je ëndrra e gjallë e atyre që dhanë
gjithçka për të të parë të lirë, je amaneti i tyre që ne sot e mbajmë me nder
dhe përgjegjësi. Në çdo pëllëmbë të tokës tënde është shkruar historia e një
populli që nuk u dorëzua, që luftoi për t’u njohur, për të ecur krenar në mesin
e kombeve të botës.
E
gëzofsh këtë liri, Kosovë! E gëzofsh çdo ditë që lind mbi ty, çdo hap që hedh
drejt një të ardhmeje të ndritur, çdo zemër që rreh për ty me dashuri dhe
përkushtim. Dhe ne, bijtë e bijat e tua, do të të mbrojmë me dinjitet, do të të
ndërtojmë me mençuri dhe do të të duam me po atë flakë që të solli deri këtu.
Le
të jehojë sot e përjetë në malet, në fushat, në qytetet e tua: E gëzofsh
pavarësinë tënde, Kosovë ime e shtrenjtë!
17 shkurt 2025
Prishtinë