Speciale » Basha
Sabile Basha & Tefik Basha: Rruga për në Selanik
E shtune, 01.03.2025, 07:59 PM
BREDHJE NË KUJTIMET E UDHËTIMEVE: KU, KUR, KAH...
Prof. Dr. Sabile Keçmezi- Basha & Prof.
Dr. Tefik Basha
RRUGA PËR NË SELANIK
(Pjesa e
tretë)
Pas katër ditësh të mbushura me aktivitete dhe përvoja
të paharrueshme, ne e pritem një aventurë të re, të mbushur me sfida dhe
surpriza.
Agoni, i cili kishte planifikuar çdo detaj të
udhëtimit tonë me kujdes të veçantë, kishte menduar për çdo mundësi për të
siguruar që ky rrugëtim të ishte një kujtim i çmuar. Në përpjekjen për të
lehtësuar çdo lodhje gjatë udhëtimit, ai kishte rezervuar një natë në Selanik,
një qytet që do të shërbente si një pikë ndalese përpara nisjes sonë drejt
Çamërisë. Me përgatitjet e bëra, ai kishte siguruar që çdo hap i udhëtimit të
ishte i qetë dhe pa ndonjë shqetësim të vogël. Në përgatitjet tona për të
udhëtuar më tej, Tefiku dhe unë kishim shqyrtuar me kujdes destinacionet që do
të vizitonim: Qamëri, Janinë, Pargë, Artë, Prevezë, Igumenicë dhe Korfuz.
Na informuan se distanca nga hoteli ynë në Halkidiki
deri në Selanik ishte më pak se një orë e gjysmë me makinë. Për këtë arsye,
kishim planifikuar të niseshim pasdite, duke shfrytëzuar kohën për tu relaksuar
në plazh. Agoni, së bashku me Albinen dhe Benin, na shoqëruan deri në Selanik
dhe na vendosën në hotelin “Imperial”. Pas një darke të shijshme dhe të
ngrohtë, ata u kthyen në Halkidiki, duke na lënë të vetëm në Selanik për të
vazhduar aventurën tonë.
Selaniku
Selaniku, qyteti i dytë më i madh në Greqi dhe si një
nga qendrat më të rëndësishme ekonomike, industriale, tregtare dhe politike të
Greqisë, ai luan një rol të veçantë në zhvillimin e vendit. Qyteti shtrihet
përgjatë Gjirit të Selanikut, duke zgjatur për 17 kilometra dhe përbëhet nga 13
komuna. Përndryshe është i njohur edhe për monumentet dhe ndërtesat e tij
romake dhe otomane, duke e bërë atë një destinacion të rëndësishëm historik dhe
kulturor.
Sabile Keçmezi-Basha dhe Albina Balidemaj-Basha, Selanik, Selanik, qershor
2024
Për shqiptarët, Selaniku mbetet një vend i ngarkuar me
kujtime të hidhura, pasi shumë emigrantë shqiptarë, të përndjekur nga ushtritë
serbe gjatë shekujve XIX dhe XX, kaluan përmes këtij qyteti. Sipas regjistrimit
të popullsisë në vitin 2001, Selaniku kishte 363,987 banorë, ndërsa në vitin
2011, numri ra në 325,182. Nga viti 1943 deri në vitin 1944, rreth 50,000
hebrenj u dëbuan dhe u zhdukën në kampet naziste të përqendrimit, duke përbërë
rreth gjysmën e popullsisë së qytetit në atë kohë. Sot, Selaniku ka një
konsullatë shqiptare, dhe sipas të dhënave të vitit 2005, aty jetojnë rreth
100,000 shqiptarë, ndonëse nuk ka të dhëna të sakta për numrin e shqiptarëve të
vjetër që kanë jetuar aty për shekuj.
Selaniku është një qytet i rëndësishëm jo vetëm për
Greqinë, por edhe për Evropën Juglindore, për shkak të rolit të tij ekonomik,
industrial, tregtar dhe kulturor. Porti tregtar i qytetit është një ndër më të
rëndësishmit në Greqi dhe një pikë kyçe për shtetet e tjera në juglindje të
Evropës. Që nga periudha romake, Selaniku ka qenë një qendër e rëndësishme
ekonomike, me një industri të zhvilluar, përfshirë prodhimin e armëve.
Industria e qytetit përfshin gjithashtu prodhimin e qumështit, ushqimit dhe
tekstilit, ndërsa sektorët e shërbimeve dhe telekomunikacionit janë gjithashtu
të zhvilluar.
Sabile Keçmezi-Basha dhe Tefik Basha, Selanik, qershor 2024
Në aspektin kulturor dhe artistik, Selaniku është
qyteti më i zhvilluar në Greqinë Veriore. Ai strehon një sërë monumentesh të
kulturës, përfshirë Teatrin Nacional të Greqisë Veriore, Sallën e Koncerteve, Muzeun Arkeologjik, Muzeun e
Kulturës Bizantine, Muzeun Teknologjik dhe të Shkencës, si dhe Muzeun Olimpik.
Qyteti është gjithashtu i njohur për qendrat e tij tregtare, si Mediterranean
Cosmos, që është qendra më e madhe tregtare në Evropë në aspektin e argëtimit.
Tefik Basha, Albina Balidemaj- Basha, Ben Basha, Sabile Keçmezi-Basha dhe
Agon Basha-Halkidiki, qershor 2024
Selaniku, si një fushë e gjallë e yjeve të natës,
ofron një jetë të ndezur dhe dinamike, ku kafenetë dhe baret si ndriçues të
ngjyrave, shtrihen në çdo kënd. Qyteti strehon kazinonë më të madhe në Greqi,
një oazë luksi dhe argëtimi. Po kështu, Selaniku është një thesar arkeologjik,
ku monumentet e mbrojtura nga UNESCO shpalosin historinë me një elegancë të paqëndrueshme.
Banjat Otomane (Bey Hamam) shtrihen si një ëndërr nga e kaluara, Harku i
Triumfit (Kamara) ngrihet si një triumf i kohëve të shkuara, dhe Agorana e
vjetër romake, me teatrin e saj të vogël, flet për kohë të tjera.
Sporti është gjithashtu një pjesë e gjallë e këtij
qyteti, me tri stadiume të mëdha që ngjallin pasion dhe energji: Kaftanzoglio,
Toumba dhe Kleanthis Vikelidis. Skuadrat më të njohura të qytetit – Iraklis,
PAOK dhe Aris – garojnë në Super Ligën e Greqisë, duke e mbajtur flamurin e qytetit
- lartë. Në Selanik ndodhen gjithashtu objekte të shumta fetare, ku xhamitë dhe
kishat historike si Ajasofija, Xhamia Alaxha Imaret dhe Xhamia e Bajazitit,
ndajnë me të pranishmit një herësi të shenjtë dhe të lavdishme.
Pasi mbërritëm në hotelin “Imperial”, u përgatitëm për
një darkë të fundit me Agonin, përpara se ata të ktheheshin në Halkidiki për të
vazhduar pushimet e tyre. Pranë hotelit, qyteti ishte i mbushur me restorante
të njohura për kuzhinën e tyre të larmishme. Nuk u larguam shumë nga rruga
Ignatia dhe gjetëm një vend të këndshëm në një zonë të frekuentuar të qytetit.
Grekët, si kuzhinier të njohur për aftësinë e tyre për të bindur mysafirët në
shijen e tyre të jashtëzakonshme, filluan me një bokall uji, një traditë
mikpritjeje, dhe vazhduan me sallziket e tyre të mrekullueshme. Beni, gjithmonë
një sfidues i oreksit, u ndihmua të hapte zemrën për një festë të vërtetë.
Albina Balidemaj- Basha,Sabile Keçmezi-Basha dhe Beni i vogël, Selanik,
qershor 2024
Ndërsa bisedonim dhe qeshnim për gjëra të thjeshta,
një kamerierë qëndronte pranë, duke pritur për porositë tona. Në një moment, në
vend të një ndërveprimi të zakonshëm, ai na tha në shqip: "Vetëm flisni,
se ju kuptoj shumë mirë. Edhe unë shqiptar jam." Biseda u shndërrua në një
festë të papritur, ku të gjithë filluam të flasim njëkohësisht, të ndarë nga
lidhjet e përbashkëta. Dikush tha: "Epo shumë mirë," dikush tjetër
pyeti: "Nga të kemi?", dhe unë e pyeta: "Qe sa kohë jeton
këtu?" Kamarieri, duke buzëqeshur, premtoi të merrte porositë tona dhe më
pas t’i përgjigjej pyetjeve. Pas pak minutash, ai u kthye, duke sjellë gjithçka
që kishim kërkuar dhe duke mbushur tavolinën me një bujari të paçmuar, si një
festë e plotë dhe e ngrohtë.
Rolandi
Kamarieri që tashmë na ishte bërë shok i tavolinës, na
rrëfeu me një ndjenjë mallkimi se prindërit e tij ishin nga Gjirokastra, por
gjatë kohëve të pasigurta të tranzicionit, kishin emigruar në periferi të
Selanikut. Ai vetë kishte lindur në këtë tokë të huaj dhe kishte marrë emrin
nga gjyshi që kurrë nuk kishte pasur mundësinë ta njihte. Me një trishtim të
thellë, ai na tha se kurrë nuk e kishte vizituar Shqipërinë, një rrëfim që e
preku thellë zemrën e secilit prej nesh. "Si është e mundur," i
thashë, "që as ti, as prindërit e tu, nuk keni shkelur ndonjëherë në atë
tokë të lashtë?" Me një zë të ulët dhe të ngarkuar me emocion, Rolandi
ndau me ne amanetin e babait të tij të ndjerë, i cili kishte kërkuar që një
ditë ai të shkonte në vendin e lindjes së tij. Edhe pse Rolandi kurrë nuk
kishte qenë atje, babai i tij i kishte përshkruar Gjirokastrën me një dashuri
të thellë, saqë ai mund ta përshkruante çdo rrugë dhe çdo rrugicë të saj në
mendjen e tij. Fliste shqip me një bukuri të natyrshme, ndonëse herë pas here
gabonte, ndalonte për një moment dhe e korrigjonte veten.
Në bisedë e sipër, ai shprehu një moskuptim të thellë
për arsyet pse babai i tij kishte zgjedhur të mos kthehej në Shqipëri. Rolandi
na tregoi se babai i tij, kur ishte ende i ri, ishte arrestuar dhe burgosur në
Spaq, ku kishte kaluar tortura të tmerrshme deri në gjendje të alivanosur. Ai
nuk mund të kuptonte si kishte ndodhur gjithë ajo dhimbje dhe se si bota kishte
mundur të kthejë kurrizin ati populli fisnik. Rrëfimi i Rolandit na preku kaq
thellë, saqë oreksi ynë u shua.
Duke e parë ndikimin e fjalëve të tij mbi ne, ai
kërkoi ndjesë dhe nxitoi të sillte ushqimin që kishim porositur. Qëndroi pranë
nesh gjatë gjithë kohës, duke qenë gjithmonë i gatshëm për çdo ndihmë që mund
të na nevojitej. Herë pas here, ndalej dhe na rrëfente histori nga jeta e tij.
Na tregoi se në Selanik kishte shumë emigrantë shqiptarë, por jo të gjithë
kishin gëzuar fat. Babai i tij, megjithëse kishte qenë mësues në Shqipëri,
kishte qenë i detyruar të ruante dele në Greqi, një periudhë që e kishte shtyrë
Rolandin të mësonte dhe të luftonte me pasion për të arritur. Me një
buzëqeshje, ai na e tha se nuk ishte kamerierë i vërtetë, por vetëm ndihmonte
shokun e tij Stavrosin, pronarin grek të restorantit. Rolandi na njoftoi se
ishte jurist dhe punonte në një organizatë në Selanik.
Në përfundim të darkës, kur kërkuam faturën, Rolandi
na ndaloi. "Jo," tha ai, "do të merrni edhe akullore. Dua t’ju
qeras." Pasi na shërbeu ëmbëlsirën, shtoi me krenari: "Unë jam
Rolando, shqiptar nga Shqipëria," dhe të gjithë qeshëm kur Tefiku i ktheu:
"Shqiptar që nuk ke qenë kurrë në Shqipëri!" Rolandi, me një ndriçim
në sy, u betua se një ditë do të shkonte në Shqipëri, siç ia kishte lënë amanet
babai. Ai gjithashtu premtoi se do të vinte edhe në Kosovë, sepse, siç tha ai
me buzëqeshje, "Ne jemi vëllezër, apo jo?"
Ne u larguam duke i uruar Rolandit që të realizonte
amanetin e babait sa më parë. Pas largimit nga aty u përshëndetëm edhe me
Agonin e Albinën e Benin. Pas ikjes së tyre, ndjeva një dhimbje të fshehtë, një
boshllëk në zemër që mezi e mbajta përbrenda. Në atë hotel të madh, ndjeja
vetminë dhe mungesën e fëmijëve dhe nipit tim të vogël. Edhe Tefiku ndjente të
njëjtën gjë. E përcollëm me sy veturën e tyre deri sa humbi në horizont dhe
ndjeva pendim të pafund që nuk qëndruam më gjatë me ta në Halkidiki. Burri më
zgjoi nga mendimet duke më kujtuar se nesër na priste një rrugë e gjatë.
Autostrada Egnatia Odos
Të
nesërmen, kur u nisëm në udhëtim, u gjendëm përballë një mrekullie që na la pa
fjalë. Rruga, një autostradë e përkryer, na shfaqej si një vizion i panjohur
nga vendet ku kishim kaluar më parë. Ajo nuk ishte thjesht një shteg për
makinat, por një udhë që dukej sikur ngrihej mbi tokë, e projektuar për të çliruar
shpirtin e udhëtimit.
Vetura
jonë, në atë rrugë të ndritshme, nuk ecte më – ajo fluturonte, duke kapërcyer
hapësirat me një lehtësi që sfidonte gravitetin. Kilometrat zhdukeshin pas
nesh, sikur koha vetë t’i përpiu me oreks të pashuar. Çdo kthesë dhe drejtim i
saj ishte si një premtim për më shumë, një përvojë që rrëshqiste pa u ndier,
duke na çuar gjithnjë më tej, drejt horizontit të pafund të së panjohurës.
Ishte
një çast ku udhëtimi nuk ishte vetëm lëvizje, por një bashkim i mrekullueshëm
mes njeriut dhe rrugës, një harmoni që na bëri të ndiheshim të lirë dhe të
gjallë, sikur edhe ne vetë po fluturonim përkrah makinës sonë besnike.
Rruga
drejt Janinës, si një peizazh i përfytyruar mes ëndrrave të udhëtimit, na ofroi
më shumë sesa një itinerar – ishte vetë frymëmarrja e një udhe të ndritur.
Autostrada shtrihej si një kurorë e hijshme, e lehtë për t’u përshkruar dhe e
këndshme për sytë që gëlltisnin bukuritë e saj pa fund. Rrjedha e saj elegante
mbante hijeshi dhe luks, ndërsa tunelet, si galeri drite të gdhendura në mal,
shfaqeshin njëra pas tjetrës, të rregulluara me një përkujdesje që frymëzonte
siguri.
Kureshtja
ime, si një udhëtar që kërkon kuptimin pas çdo pike të rrugës, nuk më linte të
qetë. Sa tunele vallë kishte kjo mrekulli? Sa kishte kushtuar kjo kryevepër që
dukej si një dhuratë nga një epokë e ndritur? Dukej e re, si të kishte dalë nga
duart e mjeshtërve të Evropës moderne. Mendja ime u përpoq të gjente përgjigje
aty për aty, duke kërkuar në burimet e dijes që kisha me vete. Por Wikipedia nuk
më dha asgjë atë ditë – një boshllëk që mbeti pezull në shpirt.
Dhe
megjithatë, meraku më ndoqi deri sa u kthyem në shtëpi- në Kosovë. Ishte aty,
në qetësinë e një mbrëmjeje pas kthimit, kur më në fund zbulova të dhënat që më
mungonin. Shifrat dhe faktet qëndronin përpara meje, duke u bërë pjesë e një
mozaiku kujtimesh për një rrugëtim që nuk do të harrohet kurrë – një rrugë që
nuk ishte thjesht udhë, por një përjetim.
E
ndërtuar mbi dëshirën për të kapërcyer pengesat gjeografike dhe për të bashkuar
Epirin, Maqedoninë dhe Trakinë, kjo autostradë nuk është thjesht një udhë për
makinat. Ajo është një lidhje mes zemrave të rajoneve, një simbol i përpjekjes
për unitet, ku çdo kilometër rrëfen një histori dëshire, përkushtimi dhe
vizioni. Të përfshirë në rrjetin prioritar të projekteve trans-evropiane të
transportit, Egnatia mbart me vete jo vetëm udhëtarët e sotëm, por edhe
shpresat e tregjeve që presin të lidhen dhe industrializimin që lulëzon nga
Perëndimi në Lindje.
Autostrada
2, e njohur si Egnatia
Odos, është si një arterie madhështore që përshkon trupin e
Greqisë Veriore, duke lidhur brigjet e Perëndimit me horizontet e Lindjes. Me
një gjatësi të mrekullueshme prej 670 kilometrash dhe një gjerësi prej 25
metrash, kjo rrugë e gjatë është pjesë e itinerarit evropian 90, një fije
lidhëse mes kombeve dhe historive të ndryshme.
Rruga
nis në Igumenicë, një qytet-port në Greqinë Perëndimore, ku valët e detit
përqafojnë tokën dhe ku fillon udhëtimi që shtrihet deri në Aleksandropolis, në
kufi me Turqinë. Në këtë shteg të gjatë, autostrada gërshetohet me itinerare që
shkojnë drejt Bullgarisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë, duke hapur shtigje për
miqësi, tregti dhe kulturë.
Egnatia
Odos nuk është vetëm një rrugë moderne – është një udhëtim përmes kohës dhe
natyrës. Ajo përshkon rajone malore që të lënë pa frymë, ku natyra është
piktura më e përsosur. Rruga është e ndërtuar me një përkujdesje të
jashtëzakonshme, pajisur me teknologji moderne për mbikëqyrje dhe siguri, duke
garantuar që udhëtimi të jetë po aq i sigurt sa është i këndshëm.
Por,
më shumë se kaq, kjo autostradë është një trashëgimi e të kaluarës. Në
trajektoren e saj, ajo ndjek hapat e rrugës së lashtë Egnatia, një rrugë e
ndërtuar nga romakët në shekullin II p.e.s., që lidhte Bizantin me Apoloninë,
duke mbartur dikur karvanë dhe legjione, tregtarë dhe udhëtarë, në një epokë ku
rrugët ishin nyje të qytetërimeve.
Sot,
Egnatia Odos
është më shumë se një udhë moderne – ajo është një urë mes epokave, një
testament për bashkimin e së shkuarës me të ardhmen, ku çdo kilometër pëshpërit
histori dhe premtime për të nesërmen.
Egnatia Odos, një epikë moderne e ndërtimit, shpalos
mrekullitë e saja nëpërmjet 73 tuneleve rrugore binjake, të shtrira si damarë
të gdhendur në zemrën e maleve. Me një gjatësi të kombinuar prej 100
kilometrash, këto tunele janë pasazhe drite që lidhin horizonte dhe thyejnë
kufijtë mes natyrës dhe teknologjisë.
Ndërtimi
i kësaj autostrade madhështore ishte një përpjekje kolosale, një përkushtim që
kërkoi rreth 6 miliardë euro për t’u përmbushur. Vetëm tunelet, si kurorat e
saj më të çmuara, përthithën 1.8 miliardë euro, duke reflektuar jo vetëm
kostot, por edhe përkushtimin ndaj sigurisë dhe bukurisë së rrugës.
Në
shtatorin e vitit 2010, kabinat e para të pagesës, të quajtura Diodia, u
hapën në Polymylos. Sot, autostrada ka 13 pika pagese, secila prej tyre një
kujtesë për vlerën e këtij udhëtimi të jashtëzakonshëm. Tarifat variojnë nga 50
cent në 2.40 euro, dhe kostoja totale për të përshkuar këtë rrugë me makinë
është 19.20 euro – një çmim i vogël për një udhëtim nëpër histori dhe
modernitet.
Egnatia Odos është më shumë se një rrugë – është një vepër
arti e ndërtuar mbi themelet e përparimit dhe lidhjes, një testament i
kapacitetit njerëzor për të ndërtuar ura midis vendeve, kulturave dhe kohërave.
Me çdo tunel dhe çdo kabinë, ajo pëshpërit histori për mundin dhe vizionin që e
bëri të mundur, duke i dhuruar botës një rrugë që lidh më shumë se territore –
ajo lidh shpirtin e bashkëpunimit dhe të ardhmes.