Speciale » Basha
Sabile Basha & Tefik Basha: Gadishulli i Halkidikit – Një poemë e natyrës dhe historisë
E enjte, 27.02.2025, 07:56 PM
BREDHJE NË KUJTIMET E UDHËTIMEVE: KU, KUR, KAH...
GADISHULLI
I HALKIDIKIT: NJË POEMË E NATYRËS DHE HISTORISË
(Pjesa
e dytë)
Nga Prof. Dr. Sabile
Keçmezi- Basha & Prof. Dr. Tefik Basha
Gadishulli i Halkidikit, një
mrekulli e natyrës në jug të Selanikut, është një vend që flet me një gjuhë të
veçantë të bukurisë. Me tre gadishuj të veçantë – Kassandra, Sithonia dhe Athos
– ai paraqet një pasuri të pazëvendësueshme të ujërave kristalorë dhe
peizazheve mahnitëse që shpërndajnë ngjyrat e smeraldit dhe blu.
Ky rajon, me bregdetet e tij të
mbushura me plazhe magjepsëse, ka fituar famë si një destinacion i dashur për
pushime verore. Vizitorët që kërkojnë relaksim pranë detit, ngasje historike,
kuzhinën tradicionale, ose emocionet e sporteve të ujit, do të gjejnë në
Halkidiki një strehë të përsosur për shpërndarjen e stresit dhe përjetimin e
bukurive natyrore.
Në këtë vend, ku pyjet mesdhetare
dhe gjiret e mbrojtura krijojnë një panoramë të mrekullueshme, Halkidiki shtrihet
në detin Egje dhe ndodhet në jug të Selanikut. Ndërmjet këtyre peizazheve,
ndodhen dy liqene të famshme – Volvi dhe Koronia – që kontribuojnë në bukurinë
dhe rëndësinë kulturore të këtij rajoni.
Në këtë rajon të mbushur me
trashëgimi historike, dy vendet më të rëndësishme arkeologjike janë Stageira
dhe Olynthus. Stageira, vendlindja e filozofit të madh Aristotel, dhe Olynthus,
me mozaikët e saj të ruajtur mirë, pasqyrojnë artin dhe kulturën e lashtë.
Maja më e lartë e Halkidikit arrin
2,033 metra mbi nivelin e detit dhe ndodhet në majën e Malit të Shenjtë. I
rrethuar nga deti Egje, ky rajon ofron një peizazh të jashtëzakonshëm detar dhe
ajër të pastër, duke krijuar një ambient të qetë dhe të shëndetshëm për ata që e
vizitojnë. Ujërat blu kristal të këtij rajoni janë një standard i lartë për
turistët që kërkojnë një përvojë të përsosur bregdetare dhe shpërthimin e
ngjyrave të natyrës.
Hoteli Aegean Melathronthalasso
Tefik Basha, Korfuz, qershor 2024
Në ritmin e një ndarjeje të ëndrrave, kishim vendosur që pushimet ti kalonim mu në këtë rajon të Halkidikit. Pas pushimit që bëmë në fshatin bregdetar, ndërsa mendimet e mia shkonin përtej fushave të pafundme të Greqisë, te deti i pastër dhe i ngrohtë si një përqafim i butë. Megjithatë mendja nuk më shqitej nga ikjet e shqiptarëve që kishin ngulitur këmbë në Greqi, duke krijuar një jetë të re e të veçantë. Dielli përvëlonte dhe lodhja na kishte mbërthyer, kur papritmas zëri i ëmbël i Benit më ndihmoi të rikthehesha në realitet. Me entuziazëm, ai shpalli: "Nushi, ja mbërritëm!"
Para nesh shfaqej një kodër e
mbushur me vila të mahnitshme, ku çdo cep ishte i zbukuruar me kopshtet e vogla
që uleshin në një spektakël ngjyrash. Pishinat e kaltërta, të dukshme si pjesë
private e çdo vile, dremisnin nën diellin e nxehtë, dhe ndonjëherë mund të
shihje turistë që freskoheshin në to. Ishte një pamje që të magjepste, një
krijim që të lë pa fjalë. Arkitekti që kishte konceptuar këtë vend kishte
krijuar një hapësirë të mrekullueshme, me një shije të hollë dhe një ndjeshmëri
të veçantë për bukurinë.
Beni, i mbushur me gëzim, donte të
na tregonte çdo kënd të resortit. Ndërsa
Tefiku dhe Agoni merreshin me formalitetet e regjistrimit, ai më mori për dore
dhe më çoi të shihja plazhin, detin dhe pishinat e shumta. Kur u kthyem, ata na
prisnin për të na dhënë çelësat e dhomave. Vendi ishte një mrekulli; shtëpitë,
të gjitha me dy kate, ofronin një privatësi të thellë. Para secilës shtëpi,
pishinat e mbushura me ujë deti pluskonin nën diell, ndërsa aksesorët për
relaksim në pishinë – shtretër, karrige dhe peshqirë – ishin të disponueshëm në
çdo moment.
Gjelbërimi dhe lulet e bukura ishin
kudo. Rrugicat e shtruara me kalldrëm ishin të gjalla nga kamionetat e vogla që
transportonin njerëzit nga dhomat në restorante ose në plazh. Veturat i parkuam
në një parking të mbuluar, që ruante hije gjatë gjithë ditës.
Me valixhet në duar, ndaluam një nga
ato kamionetat që na çoi në dhomat tona. Na vendosën në katin e dytë të një
vile, nga ku shihnim një pamje magjepsëse të detit, dhe nën shtëpi ishte
pishina më e bukur që kisha parë ndonjëherë. Agoni kishte rezervuar një dhomë
në katin e parë për Benin, dhe pishina ishte aq afër sa dukej si një zgjatim
natyral i dhomës.
Aegean Melathron është një hotel
luksoz me pesë yje, pjesë e Grupit të Hoteleve Aegean Star. Rrethuar nga një
pyll që shtrihet deri në plazhin privat të Gjirit të Toronit, ky hotel ofronte
një qasje në nëntë pishina. Dhomat moderne dhe luksoze kishin ballkone ose
oborre të mobiluara, që ofronin pamje nga kopshtet dhe pishinat e mirëmbajtura,
ose nga deti Egje. Këtu, relaksimi ishte i garantuar.
Beni ishte në një gjendje gëzimi të
pafund, duke mos ndalur së foluri për gjithçka që shihte dhe që e mahniste. Ai
vraponte nga dhoma në dhomë, duke na shtyrë të eksploronim çdo cep të resorit
me të njëjtin entuziazëm.
Tefik Basha, Albina Balidemaj-Basha, Agon Basha dhe Sabile Keçmezi-Basha, Hoteli Aegean Melathronthalasso,
qershor 2024
Rruga e gjatë dhe vapa përvëluese na
kishin lodhur, kështu që vendosëm të pushojmë pak para se të vazhdonim
eksplorimin. Në orën 19:00 fillonte shërbimi i darkës në restorant, dhe ne
duhej të ishim atje. Darka ishte një festë e pasur me ushqime të ndryshme, dhe
megjithëse asnjëri prej nesh nuk ishte një gurman i veçantë, gjetëm gjëra të
thjeshta që i konsumonim edhe në shtëpi. Supa ishte e preferuara jonë, dhe e
përfunduam darkën me nga një flegër bostan të freskët.
Por dita nuk mund të përfundonte pa
një shëtitje në plazh, që ishte shumë
afër. Deti ishte i qetë, pa valë dhe i ngrohtë, ndërsa rëra e bardhë dhe e imët
shtonte ndjesinë e relaksit. Çadrat e plazhit ishin të mëdha, mjaftueshëm për
të strehuar katër ose pesë persona. Buzë plazhit kishte restorante të shumta që
ofronin shërbime të ndryshme, përfshirë kafe greke dhe akulloren time të
preferuar, karamele. Çadrat veçantë kërkonin pagesë, por përfshinin shërbim
falas të ujit dhe kafesë.
Nata e parë në këtë resorët kaloi
shpejt. Në mëngjes, sipas Benit, duhej së pari të laheshim në pishinë e pastaj
të hanim mëngjesin. Ashtu edhe bëmë. Pas mëngjesit, unë mezi prisja të shkonim
në det. Edhe pse nuk jam ndonjë adhuruese e madhe e detit, këtë herë ai më
provokonte me qetësinë dhe ngrohtësinë e tij të paqme.
Evelina
Në hotel, vaktet ishin shërbime
suedeze, me një bollëk të llojllojshëm ushqimesh. Përpiqesha ta bindja Benin të
hante diçka, por ai bënte naze, duke zgjedhur palëpetët, para supës e patateve
të skuqura, ndërsa unë vrapoja pas tij, duke e lutur që të zgjedhte diçka nga
gjithë ai bollëk në menynë e darkës. Ankohesha me Albinën se ai nuk mori asgjë
për të ngrënë, kur befas më afrohet një vajzë e bukur dhe më thotë në shqip:
“Zonjë, nuk ka problem, ne i përgatisim palëpetë bukuroshit.” Sytë më mbetën të
hapur dhe isha e habitur tej mase: “Shqiptare je?” e pyeta me gëzim. “Jo vetëm
unë, por edhe drejtori i restorantit, ai është nga Tropoja,” më tha ajo, dhe
ndjeva një gëzim të ngrohtë që kapërceu bisedën tonë të thjeshtë.
Në këtë udhëtim, takuam shumë
shqiptarë, kryesisht emigrantë të viteve ’90, të cilët tani, me fëmijët e tyre
të lindur në Greqi, kishin krijuar jetën e tyre të re. Këta të rinj ishin të
shkolluar dhe mbanin pozita të respektuara, siç ishte edhe Evelina. Një vajzë e
re, e topolake dhe e hareshme, që na priti me buzëqeshjen e saj të përjetshme
sapo hymë në hotel. Ajo ishte shefe e sallës, dhe që nga dita e parë u bë
ndihmësja jonë për çdo nevojë, veçanërisht me Benin nazeli.
Një ditë, gjatë një bisede të
ngrohtë, Evelina na tregoi për jetën e saj. Ajo kishte lindur në Greqi, kur
prindërit e saj ishin larguar nga Shqipëria në kohën e rënies së komunizmit.
Fliste me mall për vendin e origjinës, dhe një mbrëmje më tha me emocion: “Sa
gëzohem që do të takohemi përsëri nesër! Më pëlqen të flas shqip, sepse
rrallëherë kam mysafirë shqiptarë.” Në Greqi kishte shumë emigrantë shqiptarë,
por, për habi të saj, ata nuk flisnin shqip me njëri-tjetrin. “Në shtëpi flas
me nënën, vëllain e motrën,” tha ajo, “por dalëngadalë edhe gjuha harrohet. Ka
fjalë që nuk i kuptoj kur flisni ju.” Megjithatë, ajo dëshironte të sfidonte
veten dhe të ruante gjuhën e saj, dhe fliste aq ëmbël.
“Babai im,” më tha ajo, “ka shumë
vite që është vendosur këtu në një fshat të afërt, por asnjëherë nuk ka folur greqisht
në shtëpi. Kur na dëgjonte që flisnim greqisht, na qortonte. ‘Në rrugë dhe në
punë po, por në shtëpi jo,’ thoshte gjithmonë. ‘Kjo është shtëpi shqiptari, dhe
gjuha shqipe nuk duhet të harrohet kurrë.’”
Kështu, në këtë vend të largët, mes
ushqimit dhe bisedave të përzemërta, një gjuhë e lashtë përpiqej të ruante
rrënjët e saj, duke mbajtur gjallë një trashëgimi që fshihej thellë në zemrat e
atyre që e lanë pas atdheun, por nuk e lanë pas shpirtin e tij.
Ditët kalonin dhe, me Evelinën,
vajzën e bukur nga Shqipëria, qëndronim gjatë, edhe pasi ajo e mbaronte orarin
e punës. Ajo ishte e hapur, e çiltër dhe fliste lirshëm për jetën dhe punën e
saj. Një ditë më tregoi se si, kur ishte e vogël, shpesh e shihte babain e saj
duke qarë fshehtas nga të gjithë. Sidomos kur ai fliste në telefon me mamanë e
tij nga Shqipëria. Mërzia e kaplonte shpesh, lotët i rridhnin pa u ndalur, dhe
me një zë të dridhur thoshte: “Nënë, nuk bën telefoni, të thërras më vonë.”
Vetëm pasi qetësohej nga vaji, e telefononte sërish, dhe biseda zgjaste gjatë…
gjatë. Në shtëpinë tonë festohej sa herë që babai merrte lajme nga Shqipëria, i
përqafonte të gjithë dhe ndante me ta të rejat që sillte.
Sabile Keçmezi-Basha, Albina Balidemaj-Basha, Tefik Basha, Ben Basha dhe
Agon Basha, Selanik, qershor 2024
Babai e donte shumë mamanë e tij,
dhe nga dashuria e tij, edhe na ishim mësuar ta donin gjyshen fort. Ai
gjithmonë kishte frikë se mos dëgjonte ndonjë lajm të hidhur, sepse e dinte se
gjyshja ishte në moshë të shtyrë. Kur e pyeta Evelinën për babain e saj, ajo u
ndal pak dhe më tregoi më shumë: “Zoti
deshi, dhe para tri vitesh babai vendosi të shkonte në Shqipëri. Donte të
vizitonte nënën e tij, fshatin e lindjes, malet dhe kodrat e Shqipërisë, por
çuditërisht babai nuk e përmendte shumë babain e tij. Na kishte treguar më parë
se i ati kishte qenë i ashpër, por e kuptonte, sepse jeta e vështirë e kishte
bërë të tillë.”
Pas disa ditësh, babai i saj u kthye
nga Shqipëria i ndryshuar, por për të mirë. Ai ishte më i lumtur, më i qeshur,
dhe ndonjëherë, duke punuar, fërshëllente apo këndonte ndonjë këngë të panjohur
për ta. Nëna e dëgjonte duke treguar për njerëzit që kishte takuar në fshat:
“Ai filani kishte vdekur, ai komshiu kishte ikur në Itali. Fatbardha, e njeh?
Djalin e saj e kam pasur shok, tani ka shtatë fëmijë, të gjithë si molla, të
shëndetshëm. Shqipëria kishte ndryshuar shumë, për mirë. Një ditë do të shkojmë
të gjithë atje, ta shohim nënën dhe vendin tonë të bukur.”
Por tmerri erdhi papritur. Një ditë,
babai mori një telegram nga halla e tij në Shqipëri: “Vëlla, ngushëllime, nëna
mbrëmë iku, me emrin tënd në gojë...” Ai e lexoi telegramin dhjetëra herë, pa
mundur ta besonte. Ishte sikur zemra i thoshte jo, ndërsa letra i thoshte po.
Ne e përqafuam dhe e ngushëlluam, duke i folur për gjyshen me fjalët më të
mira, por mërzia si rrjetë merimange i kishte mbuluar fytyrën. Lotët nuk ishin
më të fshehtë, por të dukshëm, si kujtimet e një njeriu që kishte humbur një
pjesë të shpirtit të tij.
Pas lajmit tragjik, babai u thye
plotësisht, si një pemë e rrëzuar nga era e fatkeqësisë. Fillimisht, lodhja i
afrohej ngadalë, sikur të ishte një hije që nuk largohej kurrë. Nuk hante më
ushqimin që mamaja i përgatiste me dashuri, dhe filloi të humbiste përkohësisht
në labirintet e mendjes së tij. Herë pas here, ne na shihte si të huaj, sikur
nuk ishim më fëmijët e tij. E thërriste mamanë me emrin e nënës së tij, dhe
bisedonte me të për kohën e fëmijërisë, për vitet e humbura që nuk do të
ktheheshin më. Mamaja ime e dashur e kuptonte vuajtjen e tij të thellë dhe
përpiqej ta mbronte nga errësira e kujtimeve që e përpinin.
Ai kërkonte shtëpinë e vjetër, atë
që ishte larg nesh, në Shqipëri, dhe e luste nënën që të mos qëndronte me
fëmijët e huaj, sikur të mos na njihte. Për ne, kjo ishte një dhimbje e
papërshkrueshme, ta shihje njeriun që dikur ishte shtylla e shtëpisë, tani i
humbur në braktisjen e kujtimeve të largëta. Por ne qëndronim aty, përkrah tij,
duke shpresuar për një mrekulli.
Një ditë, mamaja vendosi që të
shkonin në Shqipëri, duke shpresuar se ndoshta ajo tokë e dashur do të shëronte
plagët e tij. Dhe në fillim, vërtet u duk se ai po kthehej në vete. Kishte
diçka ndryshe, një dritë e lehtë në sytë e tij, sikur toka e nënës i jepte
forcë. Mamaja na tregonte se si ai po përmirësohej, dhe ne filluam të
shpresonim sërish.
Por, një mëngjes të hershëm, mamaja
kuptoi se ai nuk ishte në shtëpi. Alarmoi të afërmit dhe filluan ta kërkonin
nëpër vendet që ai vizitonte shpesh, ato vende që i mbanin gjallë kujtimet e
tij. E kërkuan gjithandej, dhe në fund, një fshatar e gjeti të shtrirë mbi
varrin e nënës së tij. Ai kishte fjetur përgjithmonë, në gjirin e saj, sikur
zemra e tij kishte gjetur paqen e fundit aty ku gjithmonë kishte dashur të
ishte.
Evelina më tregoi këtë histori me
një frymë, lotët i rridhnin faqeve, dhe sytë e saj fshiheshin pas syzave që i
mbulonin dhimbjen. Një thirrje e largoi nga unë, dhe ajo u kthye për të
vazhduar punën në restorantin e hotelit. Unë mbeta e ngrirë, e shtangur, duke e
përjetuar çdo fjalë të saj. Historia e saj më sillte në mendje pyetjet e mia
për fuqinë e zemrës njerëzore, për sa shumë dhimbje mund të mbajë dhe të durojë
ajo. Zot, o zot, sa peshë mbajnë këto zemra të gjora që rrahim nëpër jetë...
Me Evelinën u pamë edhe ditëve të
tjera, por koha dukej sikur na rrëshqiste ndër duar, pa na lejuar të qëndronim
më gjatë. Në mëngjes ajo vinte, na përshëndeste me një buzëqeshje të lehtë, e
pastaj largohej me hap të shpejtë drejt punëve të saj, të cilat e prisnin
gjithmonë. Kishte një vrull jete në lëvizjet e saj, sikur çdo detyrë që bënte
ishte një valë e re që duhej të përballonte.
Kur i tregova atë natën e fundit se
të nesërmen do të largoheshim, fytyra e saj u zbeh paksa, dhe në sytë e saj të
qeshur u shfaq një hije trishtimi. Nuk i vinte lehtë që po largoheshim, që nuk
do të kalonim më ditë të tjera atje, në atë vend që për një kohë të shkurtër na
ishte bërë si shtëpi e përbashkët. E ndjeva dhe unë atë keqardhje të heshtur,
por i premtova se do të kthehesha, ndoshta vitin tjetër, ose qoftë për ndonjë
fundjavë të papritur.
Agon Basha, Ben Basha, Tefik Basha, Albina Balidemaj- Basha dhe Sabile
Keçmezi-Basha, Hoteli Aegean Melathronthalasso, qershor 2024
U përshëndetëm ngrohtësisht, duke
ndërruar numrat e telefonit si një premtim i heshtur për të mbajtur lidhjen tonë të gjallë në distancë. Në
ato momente, fjalët u ndjenë të vogla, por urimet e mia për shëndet dhe lumturi
për të mbetën si një gjurmë e gjatë në kujtesë. Dhe ashtu, me zemrat e mbushura
me ndjenja të përziera, i thamë lamtumirë njëra-tjetrës, duke shpresuar që
rrugët tona të kryqëzoheshin sërish, një ditë, diku në rrugët e jetës.
(vijon)