Mendime
Albert Zholi: Ilia Larti - Pse është shumë i theksuar bullizmi në shkollat shqiptare?!
E enjte, 06.02.2025, 07:53 PM
-Pse
është shumë i theksuar bullizmi në shkollat shqiptare?!
-Për
probleme si bullizimi fajtor janë sistemi arsimor, shteti, shoqëria, por edhe
familja.
-Në
shkollat shqiptare duhet të ketë më shumë aktivitete letraro-arstike, libra,
laboratorë dhe kujdes.
Intervistoi:
Albert Z. ZHOLI
Bullizmi
është një dhunë psikologjike ose fizike, e cila ndodh masivisht në të gjitha
shtetet e botës, duke filluar me fëmijët që në bankat e para të shkollës.
Dhuna në mjediset e shkollës (në të gjitha
format e saj) është një shkelje e të drejtave të fëmijëve dhe adoleshentëve për
arsim, shëndet dhe mirëqenie. Asnjë shtet nuk mund të arrijë një edukim
cilësorë gjithëpërfshirës dhe të barabartë, nëse nxënësit përjetojnë dhunë apo
bullizëm në shkollë...Bullizmin e hasim në 3 lloje të abuzimit: Emocional,
Verbal dhe Fizik. Është një femomen që mund të ndodhë në shkollë, në punë, në
shtëpi, në internet dhe kudo tjetër.
-Profesor flitet shpesh për bullizëm, por edhe për dhunë.
Ku ndryshon bullizmi nga dhuna?
Dhuna sipas Organizatës Botërore
të Shëndetësisë është përdorimi i qëllimshëm i forcës ose
fuqisë fizike i përdorur kundër vetes, personave të tjerë ose kundër një
grupi apo komuniteti, dhe që rezulton ose ka ngjasim të madh me lëndimin,
vdekjen, dëmin psikologjik, moszhvillimin ose deprivimin.
Bullizmi është një formë e sjelljes agresive e
manifestuar nga përdorimi i forcës, apo detyrimit (shtrëngimit) për të ndikuar
të tjerët, veçanërisht kur kjo sjellje është zakon dhe përfshin mungesë
ekuilibri të pushtetit. Ai mund të përfshijë kanosje verbale, kërcënimin fizik
ose detyrimin dhe është i drejtuar në mënyrë të përsëritur ndaj të njëjtës
viktimë, duke u nisur ndoshta nga raca, gjinia, feja, aftësia, etj. "Mungesa
e ekulibrit të pushtetit" mund të përfshijë si pushtetin social dhe atë
fizik.
-Konkretisht çfarë do të thotë bullizëm?
Bullizëm (Bullying),
është një term psikologjik i kohëve të sotme që i shqipëruar do të thotë
"kërcënim" dhe
tregon fenomenin e sjelljeve të përsëritura, agresive, të dhunshme me karakter
psikologjik, fizik, që ju bëhet fëmijëve adoleshentëve të pambrojtur të
vetmuar, nga një individ ose grup individësh të tjerë edhe këta bashkëmoshatarë
ose më të mëdhenj, të cilët kërkojnë të diskriminojnë, keqtrajtojnë, të
abuzojnë me bashkënxënësit si ata nëpër shkollA dhe jashtë saj. Sipas përkufizimit të studiuesit australian
Ken Rigby "Bullizmi
është një dëshirë për të dëmtuar tjetrin, një veprim që lëndon një disbalancë
në forcë midis personave një përsëritje në mënyrë (tipike) një përdorim i
padrejtë i forcës një kënaqësi e dukshme e agresorit si dhe një ndjenjë e
përgjithshme e të qënit mbizotërues ndaj viktimës".
Bullizmi zakonish kryhet në një përqindje me të madhe nga djemtë që duan të
bëjnë të fortin ose të parin në shkolla, por po shikohet një rritje e
përqindjes dhe nga vajzat, të cilat dëshirojnë kundër dhe natyrë femërore, të
sillen si djemtë, të shajnë, të dhunojnë, të poshtërojnë viktimat e tyre. Bullizëm janë
sjelljet e përsëritura, të dëmshme e agresive ndërmjet personave që ndryshojnë
në nivelin e tyre të forcës dhe mund të jenë si fizike, ashtu edhe
psikologjike. Ato përfshijnë goditjet, rrahjet, ngacmimet verbale, gjestet
fyese, përjashtimin ose thjesht presionin për t'iu përshtatur atyre që dëshiron
apo thotë bullisti.
Të gjithë fëmijët adoleshentë edhe të rinj që janë viktimat e bullizmit
mbas një trysnije të përsëritur psikologjike dhe fizike shfaqin simptoma
anormale të shoqëruara me ndjenja frike dhe ankthi për pasigurinë e tyre në
ambjentet e shkollës. Kjo gjë
ju krijon atyre trishtim, mbyllje në vetvete, qëndrim në shtëpi të izoluar, mos
vajtje në shkollë, rënje nga mësimet etj. Gjithë kjo gjëndje shpirtërore
anormale shfaqet dhe me simptoma të tjera të jashtme si anoreksi, dhimbje koke,
dhimbje stomaku, të vjella, përgjumje ose gjumë të trazuar etj. Nëqoftëse kjo
gjëndje nuk menaxhohet mirë nga personi i viktimizuar, ndihmuar nga shkolla,
prindërit, shoqëria, atëhere gjëndja përkeqësohet kalon në dëshpërim, kthehet
në depresion dhë lë pasoja gjatë jetës dhe mund të marrë trajta të ndryshme
sëmundjesh psikologjike dhe fizike dhe mbi të gjitha këtyre siptomave, personi
i bullizuar tenton vetëvrasjen. Sipas mjekëve psikiatër bullizmi e shton 6 deri
në 9 herë idetë për suicid (vetëvrasje), ose nëqoftëse rrethanat do të vinë në
favorin e viktimës; ai mund të kthehet në një hakmarrës duke u bërë nga i
viktimizuar në viktimizues.
Përse një fëmijë priret të bëhet bullist?
Kjo është një pyetje e cila nuk mund të marrë një përgjigje të thjeshtë.
Njerëz të ndryshëm dhunojnë për arsye të ndryshme dhe disa dhunojnë më shumë se
të tjerët. Disa dhunojnë, sepse janë të pakënaqur me veten dhe
mendojnë se duke i bërë edhe të tjerët të ndihen keq, kjo do t'u sjellë
kënaqësi. Disa të tjerë dhunojnë, sepse kanë një nevojë të vazhdueshme për t'u
treguar të tjerëve se kush drejton. Të tjerë dhunojnë, sepse e kanë perceptuar
dhunën si të vetmen formë që siguron mbijetesën në mjedisin kaotik social ku jetojnë.
Shpesh, për fatin tone të keq, disa fëmijë dhunojnë, sepse familjet ku
jetojnë, janë tolerante ndaj dhunës ose më keq akoma, i gëzohen të qenit zot të
vetes (edhe pse e bëjnë në mënyra shpeshherë të stërholluara dhe duke u
përpjekur që të mos bien në sy të vetë fëmijës). Shkollat vlerësohen si mjedisi
ideal për bullizmin. Ato janë institucione hierarkike, si përsa i përket
statusit të stafit, ashtu edhe të nxënësve. Shkollat funksionojnë në bazë të
dinamikave dhe fuqive të ndryshme. Sipas Lines (2008), nxënësit i shquajnë
lojërat e forcës që zhvillohen midis anëtarëve të stafit në shkollë dhe i
brendësojnë ato në një masë të caktuar ose të paktën, i reflektojnë ato në
sjelljet e tyre ndërpersonale.
A mund të dallosh nëse një fëmijë është bullist? Sikur të ishte kaq e
lehtë! Duke qenë se arsyet apo rrethanat që provokojnë dhe mbajnë sjelljen
bulliste janë kaq të shumta sa ne i përmendëm (në fakt listimi i plotë i tyre
do të kërkonte një hapësirë shumë më të madhe), është e vështirë të konfirmosh
dyshimin nëse një fëmijë është bullist apo viktimë e bullizmit. Gjithsesi,
edhe fakti se tek ne kanë lindur dyshime për praninë e një skeme bullizmi, ky
është një ogur i mirë, pasi ne e njohim rëndësinë e sinjaleve që jep fëmija.
Përgjithësisht, fëmijët që tregojnë sjellje bulliste kanë një vlerësim
shumë të lartë për veten, ndryshe nga ç'mund të mendojnë disa njerëz. Mendimi i gabuar vjen pikërisht për shkak
të faktit se pjesa më e madhe e bullistëve janë nxënës me pak interes për
shkollën dhe me një performancë të ulët mësimore. Këta fëmijë dhe të rinj,
gjithashtu presin që gjithë të tjerët të përmbushin kërkesat e tyre dhe për më
tepër, t'i kenë frikë. Këta fëmijë, në përgjithësi nuk mendojnë se sa
keq u bën të tjerëve dhuna e ushtruar prej tyre ose edhe në rast se e mendojnë,
kjo gjë u jep kënaqësi. Sidoqoftë, sjelljet bulliste janë tregues
të faktit se ata që e ushtrojnë bullizmin nuk dinë të kontrollojnë dhe të
menaxhojnë sjelljet e tyre.
- A duhet të cilësohet se pse njerëzit
bëjnë bullizëm dhe
çfarë shkakton ai, duke ju referuar studimeve shkencore dhe atyre psikologjike?
Kërkimet e fundit shkencore kanë zbuluar se 1 deri 2 njerëz përjetojnë
bullizëm në jetën e tyre para moshës 20 vjeçare. Në shumicën e rasteve, personat
bullistë kërkojnë të fitojnë një ndjesi pushteti, qëllimi dhe kontrolli mbi
viktimat e tyre. Mënyra më e thjeshtë për ta bërë këtë është
përqëndrimi tek diçka unike e viktimës dhe krijimi i një pasigurie të re tek
viktima, me qëllimin për ta lënduar fizikisht ose emocionalisht. Ne, si njerëz,
përjetojmë bullizëm dhe si rezultat bëhemi kritikë të vetes. Ne duam të
kuptojmë arsyen pse jemi në shënjestrën e bulli-t, dhe fillojmë të fajësojmë
veten. Më pas fillojmë të ndryshojmë ose fshehim atë pjesë specifike të
karakterit që na e sulmojnë në mënyrë që t'i shpëtojmë bullizmit. Ne lyejmë
flokët, ndryshojmë veshjen, mbulojmë pjesë të trupit sikur të kemi diçka që na
turpëron para të tjerëve. Kur bullizmi fillon të ndikojë sjelljen tonë fizike
dhe mënyrën në të cilën e shohim vetveten, ndikohet gjithashtu shëndeti ynë sa
fizik dhe mendor.
- Po cilat janë arsyet kur
bullizmi fillon të ndikojë sjelljen tonë fizike dhe mënyrën në të cilën e
shohim vetveten?
Në anketën vjetore të vitit 2016 rreth bullizmit, shumica e bull-istëve
thanë që nuk shpenzojnë shumë kohë pranë prindërve të tyre. Gjithashtu shumë
prej tyre pranuan se në shtëpitë e tyre kishte shumë konflikt. Disa të tjerë
kanë përmendur arsye të tjera si vdekja e një anëtari të familjes, një kafshe
të dashur, shpërbërje të familjes dhe situata të tjera rënduese.
Qëndra e bamirësisë "Ditch the Label" anketoi 8,850 persona nga mosha 12 deri 29 vjeç. 14%
thanë se kanë bërë bullizëm. Rezultatet sugjerojnë se personat që kanë përjetuar
bullizëm kanë predispozicion të dyfishtë për t'u bërë bullistë edhe vetë.
-Si duhet të njihen format, metodat, që mund aplikojë shkolla për të parandaluar bullizmin?
Pse bulizmi, mbetet fenomen shqetësues nëpër shkolla?
Duke ju referuar një hulumtimi me pyetje të drejtë përdrejtë me disa nxënës
në 3 shkolla (të nivelit 9-të vjeçar), del se 83% e pjesëmarrësve pranojnë se
bullizmi është problematik dhe domozdoshmërisht duhet trajtuar dhe parandaluar
në shkollat tona.
Pyetësori pati për qëllim të mësojë rreth qëndrimit të nxënësve ndaj kësaj
dukurie. Sipas nxënësve, 83% e pjesëmarrësve në hulumtim vlerësojnë se bullizmi
është problematik.
"Nga
hulumtimet del se bullizmi fizik është më i pranishëm midis nxënësve se sa ai
psikologjik. Rezultatet e dala nga ky pyetësor del se: 79% e të
anketuarve vlerësojnë se më i pranishëm është bullizmi i ashtuquajtur i
padukshëm, ose bulizmi psiqik, edhe atë më shumë në relacionin midis vetë
nxënësve dhe më i rrallë mësimdhënës-nxënës.
Kjo sjell dhe të çon drejt përfundimit se: dhuna psiqike, verbale dhe sidomos
fiziko- verbale, paraqet një rrezik për ardhmërinë e nxënësve, të cilët më
vonë në jetë mund të përballen me pasoja serioze, sidomos në gjendjen
emocionale dhe shpirtërore.
- Të angazhuarit e shkollës për të parandaluar
bullizmin...
Identifikimi i shenjave të bullizmit me anën e anketimeve anonime të nxënësve.
Duhet bërë një vlerësim për të parë sa i përhapur është bullizmi në
shkollë, duke përdorur metoda të ndryshme të mbledhjes së informacionit si:
anketime të stafit, anketime anonime të nxënësve, për të lehtësuar grupet e
nxënësve e të prindërve në çështjet e bullizmit, duke analizuar tipologjinë e
disiplinës e të sjelljes mund të shohim nëse ka tendenca që të shfaqë shenja të
bullizmit, duke shtuar kontrollin e të rriturve në zona si: oborri etj.
Informacioni i mbledhur mund të përdoret lehtësisht për të identifikuar
tipologjinë e bullizmit (p.sh. kur dhe ku ndodh bullizmi më shpesh; cilët janë
nxënësit, që kryejnë këto sjellje ngacmuese dhe cilët janë të viktimizuarit,
etj.)
Është mirë që shkolla të jetë e një mendje për atë që quan
"bullizëm" dhe se kur duhet të ndërhyjë stafi për të ndërprerë një
ngacmim, që po ndodh. Përqindja e ngacmimeve në shkollë bie ndjeshëm kur stafi
është në gjendje të identifikojë shenjat e bullizmit dhe bie dakord të ndërhyje
kur vëren sjellje jo të sigurta, që të dëmtojnë dhe shfaqin mungesë të
respektit për tjetrin. Në klasa mund të bëjmë një listë "ndëshkimeve"
që mësuesit mund t'u japin nxënësve, të cilët ngacmojnë. Kjo listë duhet të
përfshijë "ndëshkime" të vogla, të cilat duhen të jepen për veprime
të vogla të bullizmit (ngacmime të lehta), dhe "ndëshkime" më të
rënda për rastet kur ngacmimet janë më të rënda e të vazhdueshme (si: dëmtimi
fizik, kërcënimi i viktimës prej një kohë të gjatë). Stafi i mësuesve duhet të
përvetësojë listën e "ndëshkimeve" në mënyrë që ta përdorë drejt kur
ndërhyn me nxënësit që janë ngacmues.
Vendos një standard për të folur me prindërit, fëmijët e të cilëve janë
ngacmues. Në mbledhjet me prindër, shkolla duhet të rekrutojë prindërit të
punojnë me ta për të ndaluar ngacmimin e nxënësve. Nëse prindi mohon praninë e
problemit, ose refuzon të bashkëpunojë për të ndërprerë sjelljet ngacmuese,
shkolla e vendos atë para faktit që do të vëzhgojë fëmijën nga afër dhe do të
ndërmarrë masa disiplinore sipas rastit, në rast përsëritje të sjelljes.
Viktimat: të parandalojmë që nxënësit të bëhen "shënjestra të
bullizmit".
· Ndërmerr hapa për sigurinë e
"viktimës".
· Ndihmo "viktimën" të vendosë
marrëdhënie pozitive me të tjerët.
Mësojini nxënësit që të jenë këmbëngulës
për të mos u përfshirë në sjellje bullizte:
1- Mos reago ndaj Fyerjeve, Përqeshjeve, Ngacmimeve mund t'i përgjigjeni
butë "këtë mendim ke ti, dakord". Mos i lejoni ngacmuesit t'ju shohin
të mërzitur.
2- Largohu nëse e sheh veten të nervozuar.
3- Thuaj "jo" me zë të plotë e të qartë nëse nuk dëshiron të bësh
diçka, që të kërkojnë. Rri drejt dhe shikoji në sy kur e thua.
4- Mos i lër të tjerët të të thonë që të bësh diçka për të cilën ti vetë
mund të pendohesh.
5- Mos ki frikë të tregosh rastet e ngacmimeve.
Ndërgjegjësoni spektatorët se sjellja e tyre mund të inkurajojë ose të
dekurajojë bullizmin.
Mësojuni aftësi, të cilat ata mund t'i përdorin kur janë prezentë në raste
bullizmi.
Ndërgjegjësoi se edhe ata kanë përgjegjësi në episode bullizmi.
Organizo aktivitete me qëllim që të inkurajohen këta fëmijë spektatorë të
zhvillojnë marrëdhënie pozitive me viktimat e mundshme.
Roli i Mësuesit në Parandalimin e veprimeve të dhunshme
Krijimi i një fryme pozitive në klasë, zvogëlon mundësinë e sjelljeve
antishoqërore dhe të dhunshme. Shkolla ka një rol shumë të rëndësishëm në
përballimin e problematikave dhe sfidave të sotme shoqërore. Shkolla duhet të
identifikojë, ndër të tjera, faktorët, që krijojnë kushtet që cënojnë vlerat
demokratike dhe sigurinë e fëmijëve. Shkolla duhet të vlerësojë diversitetin
kulturor, botëkuptimor, shoqëror, etnik etj., por duke u kujdesur që këto vlera,
të mos krijojnë kushte për dukuri ekstremiste. Nëse stafi arsimor dhe
mbështetës, gjatë procesit mësimor-edukativ, vëren ndonjërën, apo disa nga
shenjat e përmendura më poshtë, ai/ajo duhet të zbatojë procedurat e
ndërhyrjes. Veprimi i duhur dhe në kohë të duhur është më se i nevojshëm për
trajtimin e rasteve në mënyrë të dobishme, para se ato të përshkallëzohen drejt
ekstremizmit. Sa më i hershëm të jetë identifikimi i rasteve problematike, aq
më i lehtë do të jetë menaxhimi i tyre .