Mendime
Florim Zeqa: Zgjedhjet test demokratik i shoqërisë!
E hene, 03.02.2025, 06:20 PM
Zgjedhjet test demokratik i shoqërisë!
Kosova
është njëra ndër vendet e para në rajonin e Ballkanit që ka zhvilluar zgjedhje
të lira dhe demokratike që nga viti i largët 1992 dhe atë nën rrethana të
okupimit klasik të Serbisë.
Shkruan: Florim Zeqa
Përvoja
e mirë e organizimit të zgjedhjeve ka vazhduar edhe pas përfundimit të luftës
që nga viti 2001 e këndej. Nga ajo kohë e deri më sot, edhe përkundër baticave
dhe zbaticave ka ardhur duke u zhvilluar demokracia dhe rritur cilësia
legjislative në Parlamentin e Kosovës.
Për dallim nga herat e kaluara, ku
legjislaturat njëra pas tjetrës i mbyllën para kohe dyert e Kuvendit,
Legjislatura e 8° është e para në historinë e pasluftës që i shkoi deri në fund
mandatit politik.
Pavarësisht pajtimeve dhe mospajtimeve,
ngrindjeve dhe kacafytjeve të deputetëve në Kuvend, kjo legjislaturë do të
mbahet në mend, më shumë sesa për punën e saj, për mungesat e shumta të
deputetëve në Kuvend (mbi 5 mijë).
Edhe përkundër regresit në politikën e
jashtme, qeveria në largim është e para e pas luftës që arriti të shtrijë
sovranitetin në veri të vendit duke mos pyetur ndërkombëtarët, për çka, këta të
fundit na futën nën sanksione të forta ekonomike dhe politike.
Zbërthimi i kësaj situate kërkon kohë dhe
trajtim të gjatë, për shkak se erdhi si produkt i shumë veprimeve të njëanshme
të kryeministrit aktual, i cili, edhe përkundër konseguencave për Kosovën, e
dëshmojë se shumë gjëra janë të mundura, por duhet guxim dhe vendosmëri në
veprime!
Ndryshimi i realitetit në veri do të jetë
sfidë e qeverisë së ardhshme.
Po e marrim në mënyrë hipotetike se
qeveria aktuale e vazhdon mandatin, do ta ketë të vështirë të vazhdojë 'Status
Quon' e sovranitetit në atë pajesë shkaku i presionit të madh që do të ketë nga
administrata e re e BE-së dhe ajo e SHBA-së në krye me presidentin Donalld
Trump për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit mes Kurtit dhe Vuçiçit për
themelimin e Asociacionit!
Po ashtu në mënyrë hipoptetike, në rast
se vjen në pushtet opozita, që në ditën e parë të qeverisjes do të përballet me
veriun e vendit në Dialogun e Brukselit.
Pra, pavarësisht se kush do të jetë në
qeverisjen e vendit pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, nuk do ta ketë aspak të lehtë
qeverisjen e vendit me probleme të vjetra dhe të pazgjidhura si ato të natyrës
politike me veriun e vendit, ashtu edhe me problemet socio-ekonomike të
qytetarëve, të ardhura si shkak i rritjes së madhe të inflacionit dhe rënjes së
fuqisë blerëse si pasojë e rënjes së numrit të popullatës në Kosovë si pasojë e
migrimeve të viteve të fundit.
Për këtë arsye dhe shumë të tjera si ato
të sipërcekurat në këtë shkrim, demokracia ka nevojë që herë pas here të
testojë funksionalitetin dhe efikasitetin e institucioneve të saj.
Zgjedhjet, si një prej instrumenteve më
të rëndësishme të demokracisë, shërbejnë si rrugë dhe urë lidhëse për
pjesëmarrje të qytetarëve dhe mërgimtarëve në procese politike, me zgjedhjen e
njerëzve që përfaqësojnë më së miri vlerat dhe interesat e tyre.
Votuesit me dorën e tyre në 'Kutitë e
Votimit' mund të përcaktojnë kahet e politikave zhvillimore të vendit, të cilat
nesër e përmirësojnë kualitetin e jetës së tyre. Për këtë arsye, zgjedhjet janë
test demokratik i shoqërisë, prandaj është fondamentale pjesëmarrja e
qytetarëve në zgjedhje.
Florim Zeqa, 2 Shkurt 2025