Mendime
Albert Zholi: Lefter Marta - PS ka ndryshuar me të ashtuquajturën Rilindje
E marte, 04.02.2025, 06:11 PM
Flet një ndër themeluesit e PS në Athinë në vitin 1996, Lefter Marta: PS ka ndryshuar me të ashtuquajturën Rilindje, por për mua kjo rilindje nuk ka asgjë të përbashkët me socialistët e vërtetë
-Partia Socialiste e
Rilindjes i ka harruar të gjithë themeluesit e saj të viteve të para të
emigracionit në Athinë dhe Shqipëri
-Si organizuam mitingjet
e Nanos dhe Finos në vitin 1997 në Athinë sa mediat greke nuk e besonin.
-Të gjitha mediat greke
shkruanin "Fitorja e Nanos u vendos në Athinë".
- Fatos Nano ishte shumë
popullor të takonte, qante hallet, këta të sotmit as të hedhin sytë.
-Në PS në pozicione
drejtuese në qeveri dhe në bazë ka më shumë militantë të PD.
- Unë bëj pjesë në ata idealistët
e rrallë që PS nuk i do sot në radhët e saj pasi ne nuk njohim vjedhjen,
korrupsionin shitjen e interesave të atdheut.
-Organizimi PS në Athinë
dhe i shoqatës së parë "Vëllazërimi" erdhi pas vizitës së Dritëro
Agollit në Athinë në vitin 1996.
-Agolli dhe Mokiom Zeqo
na orientuan për organizimin e degës së PS në Athinë
- Kam 34 vjet me PS, por
të gjithë na kanë harruar
Intervistoi:
Albert Z. ZHOLI
Me Lefter Martën jam njohur në Athinë në vitin 1993. Qysh
atëhere kam mabjtur lidhje të vazhdueshme. Mund të them se Lefteri është një
patriot I flaktë dhe mjaft aktiv në PS. Bashkë me të ishim nismëtarët për
themelimin e Shoqatës "Vllazërimi" në Athinë dhe të degës së PS. Nuk
e harroj figurën e tij në protestat në Athinë në mbrojtje të të drejtave të
vëllezërvë kosovarë. Por patriotizmi tij ka kaluar në heshtje...
- Lefter ju jeni një ndër themeluesit e PS në
Athinë dhe ish-Sekretar i Shoqatës së parë Shqiptare në Athinë asaj
"Vëllazërimi". Kur u largove për në Athinë dhe pse?
- Unë jam larguar nga Shqipëria në vitin 1991 kur
pashë se në Shqipëri nuk kishte as demokraci, as punë, as siguri. Vitet 1991
deri në 1997 në Shqipëri ishte anarki. Ndaj vendosa të shkoj në Athinë pasi
dija pak gjuhën dhe shumë shokë të mi ishin aty. Munda të nxjerr një vizë dhe u
vendosa aty duke ushtruar profesionin e bojaxhiut për mëse 28 vjet.
-Ju
jeni me origjinë nga fshati i bukur i Qeparoit. Çfarë mund të thuash për
fshatin e origjinës?
Qeparoi është një ndër
fshatrat më të bukur të bregdetit shqiptar ku në çdo vend ka histori.
Kur hedh sytë të bie në sy
lugina e Qeparoit, plazhi, fusha e gjelbër dhe fshati i ri Qeparo fushë, më
lart Qeparoit, kalaja
e Karosit dhe në thellësi
fshati Kudhës. Emri i fshatit Qeparoi vjen
nga bima e qiparisit. Plazhi i Skalomes, i veçantë për rërën e hollë dhe detin e cekët
të shfaqet përpara.
Në gjirin e vogël gjendet
moli i lashtë, një bankinë prej blloqesh guri, shpella
e Frëngut dhe Hunda
e Madhe. Rruga nacionale përmes
ullishtave të çon në qendër të fshatit, përmbi të cilin ngrihet manastiri i Shën Mitrit i ndërtuar në 1881, Kisha e Shën Mitrit është e stilit bizantin e ndërtuar në vitin 1760 dhe ka vlera të
mëdha për ikonostaset e saj prej druri. Në Qafën e Lerës shpaloset një pamje:
deti i kaltër mes te cilit janë zhytur dy gadishuj, ai i Panormit mjaft i madh
dhe i Palermos më i vogël të cilët përfshijnë midis tyre një hapësirë deti dhe
xhepa të qetë natyrore për ankorimin e anijeve që në kohët e lashta. Mund të
flas shumë për këtë fshat me histori të madhe në historinë e Shqipërisë. Ne
jemi shqiptarë autoktobë që kemi lënë gjurmë në histori.
-Të
kthehemi në Athinë. Filloi organizimi i emigrantëve në Athinë. Po roli juaj cili
ka qenë?
-Unë jam i majtë dhe nuk
ndryshoj. Dhe pse PS ka ndryshuar me të ashtuquajturën Rilindje, por për mua
kjo rilindje nuk ka asgjë të përbashkët me socialistët e vërtetë dhe me
militantët e saj idealist. Unë bëj pjesë në ata idealistët e rrallë që PS nuk i
do sot në radhët e saj, pasi ne nuk njohim vjedhjen, korrupsionin shitjen e
interesave të atdheut.
Në vitin 1996 ne mundëm të organizonim ardhjen e Dritëro Agollit
në Athinë. Ideja e parë për një vizitë të mundshme, jo për turizëm, natyrisht por
për të pakësuar mallin e emigrantëve, na u dha në muajin qershor 1996. Qe
ndodhur këtu gazetari dhe juristi S. Braho dhe ne, një grup adhuruesish të
letërsisë biseduam me të për Dritëroin. Diçka na premtoi zoti Braho. Nuk
duheshin shumë çika për t'u ndezur eshka e mallit. Lajmet e para nga Shqipëria
ishin inkurajuese. Lajme nga "qiraxhinjtë e Grebenesë" që vinin duke
kaptuar malet. Zoti Dino Kubati shkrimtar e publicist arvanitas ishte
gjithashtu i interesuar shumë për vizitën e Agollit. Ai mori përsipër nxjerrjen
e vizave, ndërsa ne me disa shokë përgatitjet për sallën e lajmërimin e
emigrantëve... Nuk merrnim dot frymë nga telefonatat. Dhe ja, ai erdhi ashtu,
papritur siç mund të vijë një refugjat. Jo vetëm! Me tre të tjerë: E
shoqja Sadija dhe poeti tjetër Moikom Zeqo dhe Spartak Braho. Qe një alarm që
përshkroi gjithë "pjesën" shqiptare të Athinës. Poeti i madh kishte
bredhur mjaft nëpër Shqipëri dhe kishte pasur shumë miq. Miq që nga ndonjëherë
nuk i mbante mend, sepse u kishte bujtur vetëm një darkë në shtëpi. Por ata e
konsideronin këtë gjithë jetën një nder të madh dhe tani, të emigruar në
Greqi, natyrisht jo midis 3 milion shqiptarëve, por midis 300 000 emigrantëve,
ngjante se Shansi për t'u bujtur edhe një herë poeti në shtëpi ishte 10
herë më i madh. Në bisedat me Agollin ai solli dhe idenë e kirijimit të degës
së PS në Athinë dhe të një shoqate më të organizuar sipas rregullave të shtetit
grek. Pas ikjes së Agollit ne i patëm parasysh idetë e tij dhe filluam të
organizoheshim. Por në këtë kohë do vinte viti i mbrapshtë 1997. Kështu u
krijua Komiteti për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve të Greqisë
"VËLLAZËRIMI". Kryesinë e tij do ja besonim shkrimtarit dhe gazetarit
Albert ZHOLI dhe unë Sekretar. Por nuk isha vetëm. Myftar Kurti, Agron Lala,
Thoma Sava, Aleksandër Baka, Novruz Abilekaj, Isuf Danaj, Agim Zeneli, Theodhor
Logo, Vasil Logo, Kastriot Kaçupaj, Mihal Dusha, Ilia Averbah Tomor Topore, si
këshill drejtues por edhe aktivistët V. Danga, Ilia Lolo, Albert Rudaj, P.
Nuredini, Feti Skëndaj, Safet Aneli, Fatmir Meçe, L, Ziflo, Z. Zhupa, P.
Pëllumbi, V.Dai, N.Kokthi, V.Prifti, M.Jano, A. Gaziu, L. Bineri, A.Skëndaj, P.
Zani, B. Halili, D. Kodra po sakrifikonin shumë. Pas rrëzimit të skemave
piramidale të "Sudes", 'Popullit", "Xhaferrit", ranë
të gjitha firmat e tjera, të cilat qeveria e Berishës nuk donte t'i quante
piramidale për shkak të financimeve të mëdha që kishte marrë prej tyre,
siç do të dilte më pas, gjendja e emigrantëve arriti kulmin e
dëshpërimit. Shpallja e falimentimit të "Gjallicës", si një nga më të
fuqishmet firma pas "Vefës", shkaktoi indinjatë të jashtëzakonshme.
Shumë njerëz u nisën drejt Shqipërisë për të shpëtuar diçka nga katastrofa.
Sidomos ata të rretheve jugore e kryesisht vlonjate.
-Pra
ju ndiqnit të gjithë shqetësimet në atdhe?
-Sigurisht madje me më
shumë interes sepse kishim lekët tona në firmat piramidale. Ndërkohë Shqipëria
kishte hyrë në një periudhë tepër të turbullt. Nisën grevat e urisë së rinisë
studentore, sidomos greva e urisë në Universitetin "Ismail Qemali" të
Vlorës. I gjithë jugu ishte demonstrata. Ndërkohë ngjarjet në Shqipëri
kishin evoluar në mënyrë të shpejtë. Jo vetëm që ishte krijuar Qeveria e
Pajtimit Kombëtar me kryeministër socialistin Bashkim Fino (9 mars 1997) , por ky i
fundit kishte nisur një sërë përpjekjesh për të siguruar mbështetjen e
qeverisë së tij në vendet fqinje dhe në SHBA. Në këtë kuadër kryeministri erdhi
dhe në Athinë. Gjetëm mundësinë ta takonim dhe t'i kërkonim një takim me
emigrantët. Na u përgjigj me dashamirësi. Takimi u zhvillua në një nga sallat e
të famshmit POLITEHNIO,(Universitetit Politeknik), ku kishte nisur përmbysja e
diktaturës. Vend më simbolik nuk mundej të gjendej. Ishin të pranishëm mëse
1000 emigrantë. Bisedën tonë e filmonin 8 stacione televizive greke dhe të
huaja. Ishte i pari kryeministër që pranonte të bisedonte me ne si vëllai me
vëllanë. Në 20 qershor 1997 disa ditë para zgjedhjeve të 1997 Shoqata
|Vëllazërimi" dhe dega e PS në Athinë organizojmë mitingun e Fatos Nanos
në Athinë. Ishte një ditë e veçantë. Në sheshin "Konigos" në Athinë u
mblodhën rreth 70 mijë emigrantë.Mediat greke u befasuan. Madje të nesërmen të
gjitha gazetat e përditshme greke shkruanin se "Fitroja e PS u vendos në
Athinë". Ishte një ditë që nuk harrohet kurrë. Fatos Nano na dhe shumë
shpresë. Për dy ditë Athina gumëzhinte nga shqiptarët.
-Ende
nuk kishte filluar legalizimi real në Athinë çfarë përpjekjesh bëtë me
autoritetet greke në këtë situatë?
Ne në këtë kohë filluam të
veprojmë. Bëmë një peticion që jua dërguam të gjithë trupit diplomatik të
akredituar në Athinë dhe kryesisht qeverisë greke. Ja disa të drejta, të cilat
na janë mohuar për mëse gjashtë vjet:
1. T'i thuhet jo operacioneve të tipit
"Fshesa" dhe të ligjërohemi si emigrantë ekonomikë. Kjo të jetë e
vlefshme edhe për ata që vazhdojnë të vijnë.
2- Të lëshohen nga organet
shtetërore lejet e punës për çdo emigrant shqiptar, qoftë ai i punësuar, apo jo.
3- Të regjistrohen
emigrantët shqiptarë në institucionet e sigurimeve shoqërore, sikundër bëhet
kjo edhe për punëtorët grekë.
4- Të lejohen shoqata të
pavarura emigrantësh në Greqi.
5- Lejimin e kurseve
jashtëshkollor, të cilat të bëjnë të mundur mësimin e gjuhës shqipe nga fëmijët
e emigrantëve shqiptarë. Çdo rezultat pozitiv në këto drejtime varet vetëm e
vetëm nga ne! L. Marta, Th.Sava, M.Kurti, A.Baka, M.Dusha, K.Kaçupaj, por edhe
A.Rudaj bën shumë propogandë si kryesi por; Ministria e punës dhe e Mbrojtjes
sociale të Greqisë bëri disa konsulta. Diçka u muar parasysh nga sugjerimet
dhe kërkesat e emigrantëve. Por befas...pikërisht në kulmin e trazirave të
fillimvitit '97 në Shqipëri, një deklaratë e çuditshme, indinjuese, përjashton
vetëm emigrantët shqiptarë e ata të ardhur nga vendet e Ballkanit, nga
legalizimi. Ishte një shokim i vërtetë pas gjithë atyre premtimeve. Shqipëria
nuk mund të protestonte, sepse qe e përfshirë nga lufta e imponuar nga Sali
Berisha. Zgjedhjet e reja ishin në prag. Tri ditë para tyre grekët hodhën
"bombën" e parë...(Më 26 Qershor 1997). Dhe lufta, përpjekjet e
mijëra e mijëra shqiptarëve, mesa duket do të vazhdojnë! Por jo... Në shtator
një sihariq i madh. Qeveria greke miratoi një ligj për legalizimin. Brenda një
viti. Ndoshta po na buzëqesh fati...Por me ç'farë kushtesh ende nuk dihet e
saktë...
- Mund të na
përmendësh disa nga aktivitetet e tua të tjera në Athinë?
Organizuam dërgimin e
emigrantëve për votime në Qershor 1997. Ndërmjetësova pranë Karvanit Alilegjisë
për ndihmat greke në Shqipëri në gusht 1997 duke qenë pjesë e Sindikatave
Shqiptare me kryetar Kastriot Muço. Një pjesë të ndihmave i adresuam për në Vlorë.
Një ndihmë në këtë drejtim më dha euro deputeti grek, Aleko Alavano.
Ndërmjetësova për ndihmat në Peshkopi me ushqime dhe për spitalin e qytetit.
Ndëmjetësova për takimin e kryetarit të partisë "Syriza" Niko
Konstantopulos me Fatos Nanon. Përtej këtyre situatave më e vështirë ishte
kur organizuam demonstratat për Kosovën në mbrojtje të lirisë së popullit
Kosovar. Ju e dini që i gjithë opinioni grek ishte kundër Kosovës. Së bashku me
të paharruarin Aristidh Kola, Jorgo Mihas e Kosta Gazelin ish këshilltar i
Ambasadës Shqiptare në Athinë dolëm në televizionet greke për të drejtat e
Kosovës. Policia greke më arrestoi disa ditë në qershor të 1999 pse dilja në
televizor e merrja pjesë në mitingjet për Kosovën si organizator. Ndihmova dhe
në zgjedhjet për Bashkinë Himarë, ku dhashë kontributin tim modest për Vangjel
Tavon. Kam 34 vjet me PS, por të gjithë na kanë harruar. Jam 76 vjeç dhe akoma
s'kam marrë certifikatën e pronësisë për tokat.
Takimi me
Prof. Kristo Frashëri dhe Prof Arben Puto
- Ishte emocionues takimi
im me dy shkencëtarët tanë më të mëdhenj profesor Arben Puto dhe profesor
Kristo Frashëri. Këtë takim na e mundësoi gazetari i emigracionit Albert Zholi.
Të dy të mëdhenjtë e historisë, por edhe të Helsinkit shqiptar, kishin bujtur
në Athinë në mars të vitit 1996 për të marrë pjesë në Helsinkun Ballkanik.
Patëm nderin t'i shoqëronim disa herë. Skrupulozë deri në sëmundje, ata besonin
se nuk mund të flitej për histori të vjetër të Shqipërisë pa ditur zhvillimet
më të fundit të njerëzve të saj. Dhe donin të dinin gjithçka, për emigracionin
më të ri, për jetën, vështirësitë, perspektivën. Zoti Kristo Frashëri ndenji ca
ditë më shumë se kolegu i tij, sepse në Athinë kishte vajzën e tij dhe mbesat.
Por edhe për një punë tjetër: të rrëmonte nëpër biblioteka. Punonte gati-gati
10 orë në ditë. Dhe të mendosh që një 75 vjeçar atëhere duket se nuk mund të
shkëputet së fundi nga punët, për të shijuar vitet e fundit të jetës. Por jo:
si ajo fjala e urtë shqiptare, "mbollën të tjerë- hëngra unë, do të mbjell
unë - të hanë të tjerët". Profesori i moshuar synonte ende të lindte akoma
diçka në librat e tij të shkruara. Një ditë na tha: Dikush nuk ka folur mirë
për mua aty në Tiranë...Nuk përmendi as emër dhe as mbiemër. Nuk shau e as fyu
njeri. Por Alberti më tha të nesërmen se një gazetë pro-qeveritare (PD) e
kishte fyer për të kaluarën e tij komuniste. Modeli i fyerjeve ishte i njëjtë
me atë të mijëra njerëzve e intelektualëve që u bëheshin në Shqipëri. Qe ai
denigrim që i detyroi të largoheshin nga vendi. Mos donin të largonin dhe
profesor Kristo Frashërin? Mos donin të dëbonin njeriun që e respektonte gjithë
ballkaniada e historiografisë, apo ajo e të drejtave të njeriut? Po kush
do të mbetej paskëtaj?
Shteti na sorollat!
Nga ne kërkon votën dhe ja
japim .
Sa herë vijnë zgjedhjet na
premtojnë për pronat.