Kulturë
Lisandri Kola: 28 Janari, Dita e Visar Zhitit në Illinois
E diele, 02.02.2025, 06:55 PM
28 JANARI, DITA E VISAR ZHITIT NË ILLINOIS
Nga
Lisandri Kola
Data
28 janar, që shënon daljen nga burgjet enveriste të poetit Visar Zhitit në
1987, këtë vjet — 2025 në shtetin e Illinois-it zyrtarisht njihet si DITA E
VISAR ZHITIT. Shpalljen (Proklamimin) e ka ba Guvernatori i këtij shteti,
njiherësh doktor jurisprudence dhe me rrâjë prej hebrejsh ukrainas, z. JB
Pritzker. Ky lajm gazmon çdokênd që beson në lirinë, dhe në individët që
mposhtën opresionin diktatorial përmes poezisë e artit. Kjo shpallje duhet me
galdue çdokênd që e sheh letërsinë si vokacion, dhe beson në të. Guvernatori,
me këtë dekret ka shpallë botënisht se letërsia e shkrueme nën totalitarianizëm
dhe në burgje i përket advokimit të drejtave njerëzore, lirisë, kurajës dhe
shpresës se Ciklopët kanë me u mposhtë: tue trafikue fletore me poezi, si ato
11 botue pak vjet ma parë në version anastatik.
Në
librin tonë me Visarin (me intervista dhe përgjigje: ‘Pyetja nr. 19’) kam
shtrue nji pyetje të tillë në parathanie: “E çka do të ishte Spaçi apo Qafë
Bari sot pa poezitë e Zhitit? Çka do të ishin telat me gjemba pa xixëllojat që
kalojnë përmes?” për të cilën gëzohem që përgjigjen e morëm nga nji shtet
tjetër kur pritnim që Shqipnia dikur me reflektue për të shkuemën. Nji shtet si
ai i Illinois, që ka banor nji individ, rezident disavjeçar, poetin Zhiti kryen
nji akt që na nderon si komb, si diasporë, por mbi të gjitha nderon krejt ata
shkrimtarë, artistë që vuejtën nën burgjet enveriste dhe denoncuen ato krime.
Në këtë proces duhet me u falenderue dhe shoqatat jo-fitimprûse të Komunitetit
Shqiptaro-Amerikan në Illinois, AACI, dhe Care for Albania që e kanë orientue
nji gja të tillë që me marrë vlerë institucionale. Nji përshkrim ma të
hollësishëm të eventit organizues për këtë galdim e ka ba znj. Eda Zhiti, e
cila ka përkthye dhe Proklamimin, dhe asht botue tashma.
Kjo
ditë, besoj se duhet me qenë dhe reflektim për institucionet vendore në
Shqipni, jo me shpallë po me pranue, me reflektue mbi të shkuemën, e mos me i
lanë vendet e dëshmisë së kujtesës me u ba gërmadha, apo muze virtualë.
Institucionet duhet me investue ma shumë në përkthimin e veprave që trajtojnë
komunizmin shqiptar, kujtesën nën diktaturë. Mungesa e tyne, në rastin konkret
anglisht, e kufizon shumë punën në mësimdhanie dhe ma gjanë. Mjafton me pá
vendet fqije të Ballkanit, për me vërtetue sa mungesa kemi si letërsi
shqip(tar)e, e përkthyeme në gjuhë të hueja.
Kjo
ditë, po kështu besoj, duhet me ndikue dhe në perceptimin e organizatave të
tjera në diasporën amerikane të cilat shpesh janë të paafta me u identifikue
dhe krahasue me kombet e kulturat e tjera.
Dita
e Visar Zhitit, Dita e Lirisë, ma së parit duhet me nisë me gjetjen e lirisë në
vete të shqiptarëve: përndryshe do të vijojmë amnezinë e stërzgjatun.
Gëzuar
të gjithë atyne që besojnë se letërsia na ban të lirë!