Kulturë
Albert Habazaj: Amaneti i ''Kullës'' së Malësisë nga Amerika në Vlorë
E shtune, 01.02.2025, 06:55 PM
AMANETI I “KULLËS” SË MALËSISË NGA AMERIKA NË VLORË
Një
panoramë mbi strukturën dhe mesazhet e librit “Porosia e kullës” e Dr. Pashko
Rr. Camaj
Nga
Albert HABAZAJ - Përgjegjës i
Sektorit të Bibilotekës dhe Botimeve
Libri “Porosia e Kullës” = “Dreaming
from the trunk of an American car” është udhëtimi jetësor i shkrimtarit,
atdhetarit, Doktorit të Shkencave Mjekësore, me banim në New York Pashko Camaj
- shqiptar i Malit të Zi, veprimtar i shquar i Federatës Panshqiptare të
Amerikës “Vatra”, që aktualisht shërben si Sekretar i saj.
Ky libër, që vjen si letërsi në formën
e kujtimeve, është botim i "Onufrit" prestigjioz me botues
Kadarejanin Bujar Hudhri.
Është shqipëruar nga intelektuali
Nikollë Camaj, nënkryetar i Parlamentit të Malit të Zi, të cilin e kemi sot
midis nesh, jo thjesht se është vëllai 4 vjet më i madh i autorit, porse qe
dëshira për të ardhur në Vlorë, pikërisht sot, më 26 janar, ditën e ndritmërisë
së përjetshme të Themeluesit të Shtetit Shqiptar, edhe për homazhet e
106-vjetorin të Ismail Qemal Historisë.
Arkitekti dhe karikaturisti i madh
Arben Meksi është "mbles" i këtij takimi të veçantë letraro-artistik
dhe kulturor.
Po zhvillojmë këtë veprimtari simbolike
me domethënie të qartë, në mjediset e Bibliotekës, falë mundësisë që na krijoi
Rektorja e Universitetit, prof.dr. Aurela Saliaj, e cila e vlerësoi rëndësinë e
këtij takimi, edhe me pjesëmarrjen e saj.
Më duket, se këtë kuvend kulturor po e vështrojnë
nga yjet dhe po bekojnë nga balli i kësaj bilbiloteke, tok me Plakun e Bardhë të
Flamurit - Shenjtorin e kombit tonë, Ismail Qemal Vlorën, edhe dy Themelues e certifikues
të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra” eruditët liberatorë Fan. S. Noli
e Faik Konica, të cilët, qysh para 116 vjetësh, nisën të shpërndajnë ndër
shqiptarë rrezet e diellit vatran anembanë botës, kudo ndodheshin bijat e bijtë
e SHQIPES. (nëpërmjet gazetës “Dielli”, organ zyrtar i “Vatrës”, e cila nisi
botimin në SHBA më 15 Shkurt 1909).
Është një veprimtari unikale kjo e
sotmja, jo vetëm se libri mbart vlera njohëse dhe edukative për studentët tanë,
jo vetëm për Universitetin tonë, por
patjetër dhe për Vlorën, për mbarë rininë e sotme andej dhe këtej Shqipërisë së
Parë. Është një libër dinjiteti vetiak, jo vetëm për shqiptarin që ndihet i
huaj në vend të huaj, por edhe kur ndihet i tillë në vend të tij. Është një
manual karriere në furtunë e mbi dallgë.
Kemi në dorë një libër të vërtetë,
letërsi autobiografike me motive emigranti, veshur me petk antropologjik,
shkruar me gjuhë të pastër, të pasur, të rrjedhshme, kemi profilin e
shkrimtarit bashkëkohor, që strukturën e këtij libri me kujtime, që lëndën e
gjen tek kulla si simbolikë e shqiptarit në rrjedhat e kohës, tek malli për zjarrin
e të parëve, tymin, zjarrin, amanetin e kullës për të vijuar Udhëtimin dinjitoz
të jetës, siç e meriton njeriu.
“Porosia
e kullës” vjen në 223 faqe (pa përfshirë shënimet e përkthyesit në gjuhën
amtare dhe parathënien e Besnik Mustafajt, njërit nga autorët më përfaqësues të
letërsisë moderne shqipe) Libri është ndërtuar me dy pjesë, që mbushen nga 18
kre, ku pjesa e parë ka 11 kre, pjesa e dytë 7 kre..
E kam natyrë që parathënien, ose
tekstin shtesë e lexoj mbasi përfundoj librin dhe, sinqerisht, unë jam në një
mendje me shkrimtarin e njohur Besnik
Mustafaj, që shkruan se “Porosia e Kullës” është Amaneti i kullës, që e mban lëndën
shkrimore në situatë, në dramacitet, me të priturat e jetës dhe me të
papriturat e saj.
Libri nis me përshkrimin e mërgimit të
dy personave - personazhe: motër e vëlla në bagazhin e një makine të vogël
amerikane, frikën e tutjen, me nevojën e besimin, me shpresën e tkurrjen, me
mosnjohjen dhe gjuhën e shenjave e gjesteve, me mëdyshjet e dyshimet e këtij
fenomeni universal, që u përsëritka kohërash. Ky rrëfim nis pothuaj 40 vjet më
parë. Personazhi kryesor i librit është vetë autori. Në moshën 20-vjeçare, iku
nga Malësia e Malësisë së Madhe, ky djalosh me ëndrra i Shqipërisë së Veriut...
Në moshën 61 vjeçare, vjen në Vlorë, që të kuvendojmë si vllazën të një gjaku për
Amanetin e Kullës dhe për të marrë bekim nga qyteti i Flamurit, se Doktor Camaj
ka bërë gjënë e duhur, të guximshme, aq të dhembshme, sa të lirë aq të lartë,
sepse i nderuar mik i vlertë, përderisa ty, ende sot e kësaj dite të gërryen
vetëdijen dyshimi me pyetjen e madhe: dilemën jetësore: “a i kam tradhtuar
paraardhësit e mi duke lënë të vetmen atë botë që ata njihnin për kaq shumë
breza”, këtë pyetje retorike ekzistenciale që na godet si dilema shekspiriane
te “Hamleti”: “Të rrosh apo mos të rrosh?!” - do të thotë se ti nuk e ke
harruar vatrën e të parëve, sepse ti herët e dallove të mirën nga e keqja dhe
pate dëshirën madhe për ta bërë babain të lumtur dhe krenar për ty. Këtë e pate
dhe e ke qëllim kryesor gjatë gjithë jetës. Ti nuk e ke harruar vatrën e të parëve
të tu, ndezur tash e 16 breza e kjo flet shumë. Ti i ke pjesë organike të
qenies tënde traditat më të mira, doket, zakonet, virtytet morale, historinë,
etnokulturën tonë dhe kjo do të thotë, more zotëri, se ti je një atdhetar
qytetar, që di të bësh emrin tënd dhe nderin tonë në botën e madhe. Me
identitetin tënd, ngritur në lartësinë e qytetarit të botës, doktor je një
simbol nderi. Kulla është rrënjosur në qenien tënde, por dëgjove zemrën... Ne
mund të japim përgjigje pyetjes tënde, se vërtet kemi shumë përbashkësi, por
kemi dhe përveçime, por sipas këndvështrimit tonë fasadesk, ndoshta nuk do të
ishim të drejtë në përgjigje, sepse në rast të tillë duhet të futemi në lëkurën
tënde, në lokalitetin tënd e në ato rrethana që të gjykojmë si duhet cila është
më e mira dhe sa vlen. Kështu mendoj unë, ndoshta ha diskutim. Në libër marrim
informacione nga etnologjia, folklori dhe antropologjia kulturore dhe sociale,
njohim kodin e nderit, ritet si pjesë e ritualit të dasmës në Malësi, Kanunin e
Lekë Dukagjinit, etnologjinë religjonale, atë të banesës, etnologjinë e
peshkimit, florën, faunën, mënyrën e jetesës, edukatën morale, që përshkruan
autori, që është një nevojë e domosdoshme njohjeje nga brezi i ri, sepse deri
tek grupmosha jonë, e kuptojmë ç’ka shkruan dr. Pashko, por këta të
rinjtë...aha. Dhe, drejtpërdrejtë, s’kanë shumë faj...
Ç’frymëmarrje të freskët i jep librit
ajo panorama e urimit zakonor në Malësi! Shembulli i dr. Pashkos është fryt i
edukimit qytetar, akademik dhe human, me nënshtresime të patundshme atdhetare,
në fakt jo shumë të shfaqshme në tekst, por aqsa ngelen gjurmëlënëse në kujtesën tonë.
Autori është një përshkrues i mirë i
morfologjisë mjedisore, i tipareve fizike dhe karaktereve njerëzorë, që i
gdhend me një densitet psikologjik të lakmueshëm dhe nga shkrimtarë të mirëfilltë.
Morfologjia e lëndës që lidh vërtetësisht
dhe artistikisht grimcat e jetës, hollësi e skena migjeniane që më rrëmbushin
sytë nga trishtimi varfëror e lotët më
ndalojnë leximin për disa çaste dhe vijoj më tej.
Libri duket që është i shkruar nga një
njeri me kulturë, i ditur, që ka njohuri nga disa fusha të shkencës, edhe pse
modestisht, nuk dëshiron të zhytet thellësish. Libri më duket si një kalë amaneti, që vjen i ngarkuar me dy
hejbe kulturash të shkruara letrarishte: atë të Paqësorit, matanë Atlantikut
dhe këtë këtej Adriatikut. Autori nuk i hedh poshtë këto tonat, se ka zjarr
malli, por atë të Paqësorit e mban fort, se ka synime të larta.
Dua ta ngushtoj vështrimin tim në 3 cilësi
që na dhuron ky libër: “Kulla..” është libër i mirë, i bukur, i dobishëm; është
një libër, që duhet të lexohet nga çdo shqiptar, domosdoshmërisht nga ata
shqiptarë që nuk e kanë njohur mërgimin me atë rrugë gjithë të lotit të hidhur.
Ku i vërej unë këto 3 cilësi që shpreha dhe pse u dashka lexuar ky libër, kur
po gufosin botimet, si rrallë herë?!
Në Shqipëri dhe në trojet e Shqiptarisë
janë shkruar e botuar shumë libra
autobiografikë, me kujtime apo biografi të letrarizuara, por letërsi në
formën e kujtimeve me subjekt emigracionin është krijuar pak. Ndoshta letërsi e
mirë e kësaj natyre, e këtij lloji, me motive kurbeti, me tematikë emigrimin
numërohet me gishta.
Dhe shkrimtarët tanë të mërgatës janë të
vërtetë, nuk i bëjnë buzëkuq fytyrës letrare, nuk bëjnë patinime në ndërtesën e
tyre letrare, se vetëm ata dhe Zoti e dinë ç’kanë hequr për të arritur atje ku
janë. Nuk kanë komplekse ata, janë pa ngarkesa, sepse zemra e tyre i shpërfilli
mentalitetet e mykura dhe paragjykimet e lodhura, qyshkur morën Udhën e Mërgimit.
Të huaj në dhè të huaj...
Eh, more kurbet! Mbete riciklues për ne
për një të nesërme më të lehtë, për një të ardhme më të mirë. Gjithë bota në
lëvizje është xhanëm, por foleja po mbeti shkretë, vyshket, thahet, mpaket, thërmohet...
E, ne qeshim jetën tonë që të mos qajmë...
I nderuar dr. Pashko! Kujtojmë nga
libri, se qysh 8-vjeç, ti dëshiroje dhe ëndërroje që është mirë ta marrësh në
duart e tua fatin tënd...Ti ike rreth 20 vjeç nga Sukriqi, vendlindja jote,
pranë liqenit të Shkodrës. More gjithë pasurinë tënde me vete: ajo çanta e
vogël me disa gjëra të tuat personale dhe disa kujtime, albumin e vogël me
fotografi, kryesisht bardhezi... Bashkë me Dritën, motrën më të madhe se ti, që
siç ka emrin, ashtu u bë dhe për ty. Po nuk u ktheve më këtu për të jetuar e
punuar. E thure folenë larg, shumë larg, në Botën e Madhe. Ti i di hallet e
tua, sfidat, hutimet, dështimet, dëshpërimet, poshtërimet, se kurrkush nuk të
pret me lule, aq më tepër kur udhëton drejt ëndrrës së shumëkërkuar, si të jesh
një mall i zhvlerësuar... Por, ti i përballove me durim e vullnet, me zotësi e
këmbëngulje, me edukim e mësim, me seriozitet e dinjitet dhe i bëre emër vetes.
Nga një send në bagazhin e një veture amerikane, sot je atje - në supershtetin
e botës Doktor i Shkencave Mjekësore, një emër i përveçëm dhe bujar.
Doktor i dashur! Edhe unë e kam provuar
emigracionin, por jo larg. Ja, këtje përtej, në gadishullin Apenin dhe e njoh
mirë Italinë, duke i shprehur mirënjohjen për 5 vjet që jetova, punova dhe
veprova atje. Por, ndryshe nga ju, Doktor, unë mërgova vonë, në moshën 37-
vjeçare dhe u ktheva herët, një çerek shekulli më parë. Jo, se ta dini...këta
shqiptarët e vendit, që s’e kanë provuar migrimin dhe emigrimin - tashmë,
domethënë, ne, shqiptarët e këtushëm, se qysh ju shohim juve...si të çuditshëm,
gati si ufo, qysh në mënyrën e komunikimit, të veprimeve, tek ato që çfarë thoni
e shkruani, sepse jeni më të sinqertë seç duhet, se ashtu jeni edukuar e gatuar
me atë brumë, me atë kulturë, sipas standardeve të jetesës andej ...
Ju vini të malluar. Unë e kam provuar
dhe i njoh të dy botët, të dy mentalitetet. Ne, këtej, në jo pak raste, bëjmë
sikur... Ne, shqiptarëve, nuk na bën mirë mungesa e idealizmit, ndaj s’ecim qartë.
Sikurse të gjithë ata shqiptarë që kanë
njohur emigracionin, edhe unë, të mirëkuptojmë, të vlerësojmë, të shprehim
mirënjohjen, sepse te “Porosia e kullës”, në një formë a në një tjetër,
përshtat sipas rastit - kohën, hapësirën, personazhet, jam dhe unë, jemi dhe
ne. Ti je një nga ne, që ike, por nuk i harron rrënjët. Babai yt, dritë i bëftë
shpirti atje ku prehet është heroi yt. Për çdo bir babai i tij është hero. Sot,
fatkeqësisht, ndjenjat egërsisht të shkreta, hasmëria e hakmarrja, si plagë të
vjetra kullojnë gjak ende, se kanë zënë rrënjë tek psikologjia e shqiptarit në
çdo prag. Pikërisht, në situata të tilla tragjike, Rrok Pjetri i Malit të Hotit
ngrihet një Anton Çetë i heshtur e i panjohur shqiptar. Anton Çet’ e kaluar për
ne... Ai është Rrok Pjetri i Malësisë së Madhe... Babai i doktorit u qëllua, se
u fut të shmangte dy vdekje, për të shpëtuar dy jetë burrash të egër siç ishte
Gjek Gjoni i malit të Trieshit dhe Rrok Gjoka i malit të Hotit... Ç’përshkrim
mjeshtëror, që na mbush me ndjesi ekstreme, ç’etnolgji zakonore barbare shkruar
me art, ç’kanun malesh në veprim, i shtjelluar drithërueshëm e me vërtetësi ajo
ngjarje tronditëse e vitit 1972. Ç’humanizëm altruist surreal tej përmasave të
mendimit njerëzor, ku luhet jeta dhe vdekja, gjakderdhja e hakmarrja, gjykimi
dhe paragjykimi, verbimi dhe drita, falja, mirënjohja, vëllazëria. Vërtet hero
Rrok Pjetri.
Edhe një imtësi do ta nxjerr nga libri,
se më shpon si turjelë: skena e pijacës gjatë tregtimit të prodhimeve të stinës,
me gjestin barbarisht i tmerrshëm të
serbit Milorad ndaj Shekit të pafajshëm, gjuha
e tij nënçmuese për shqiptarët,
tërbimi i urrejtjes së trashë, e tronditën aq shumë Pashkon e ri, saqë e shtynë
djaloshin të largohej përgjithmonë nga vendlindja
E, more Doktor! Unë u ktheva shpejt në
“kullë”. Ti je atje, të jetosh si njeri. Ti je atje që t’i thuash asaj bote, që
edhe shqiptarët mësojnë, mësojnë dhe të tjerët, i shërojnë ata, madje dinë edhe
t’i udhëheqin mirë me vizion të qartë përpara.
Në fakt, gjithë Shqipëria është një
mërgatë lulesh, nuk më pëlqen të përdor termin “diasporë”. Është mërgatë
lulesh, sepse s’ekziston familje shqiptare, që nuk ka një emigrant të paktën...
Ky libër i vërtet deri në drithërimë
është shkruar bukur, sepse ka rrëfim të çiltër të ngjarjeve, të shkuar me gjuhë
të pastër, të pasur, të rrjedhshme, të kulluar, pa rënë në kurthet e
terminologjisë gazetareske. Është një rrëfim i lirë, i vërtetë i një shqiptaro-amerikani, që banon e punon në
një shtet të fortë me ligje. Thyerja në kohë e rrëfimit e bën më emocional, tërheqës,
dhe me fuqi imazhi që të rrëmben e si pa kuptuar bëhesh, pa qenë, personazh i
librit dhe ti. Pikërisht, kjo kronikë letrare e jetës familjare me emrat e tyre
realë, ndërsa e personave të tjerë me emra të trilluar, ka ardhur e thyer në
kohë dhe jo në mënyrë drejtvizore të njëtrajtshme është një gjetje me vend e
autorit, që i jep dinamikë, gjallëri, kërshëri, freski dhe lexim të mbarë,
aspak të mërzitshëm tekstit. Thyerjet në kohë dhe hapësirë, lëvizjet e rrëfimit
nga udhëtimi kronologjik në Amerikë me retrospektivën mallëngjyese të
vendlindjes e bën më të vëmendshëm e të dashur narrativën, si një shportë e
bukur kujtimesh...
Mendoj se tek një autor nuk mund të kërkojmë
apo gjejmë gjithologun. Ku e kam fjalën?
Dr. Pashko, nga natyra humanist, është studiues, shkencëtar në fushën e
mjekësisë. Por dituria klasifikohet në 10 klasa. Në njërën është zotërues
autori ynë dhe, siç e shkruan në f. 209 të librit “ka një fushë të kufizuar
kërkimi”. Më se normale. Ndërsa rrëfimi rrjedh burimor. Vjen natyrshëm. Nuk është
libër historik, por letërsi kujtimesh. Historinë e të parëve nuk e harron, e
kujton, e përmend (brenda formatit përkatës) dhe e nderon.
Rrëfimi është i besueshëm dhe autori
është besnik i synimit dhe idealit të tij.
Nuk është se djaloshi Pashko i viteve
1985, më i vogli i bacës Rrok, shkeli mbi nderin e dinjitetin e të parëve, por
donte që Udhëtimin ta vijonte në këmbë, jo zvarrë. Gozhdë 12 - çe më ka depërtuar në tru skena e studentit Camaj
(pa prapashtesën oviq në fund, pra jo Camajoviq) me profesorin Çaviq për
oksipitalin (os occipitale) “Unë i njoh mirë ata njerëz. Ata nuk mësojnë. Ne
duhet t’i dërgojmë të gjithë mbrapa në Shqipëri”...
Mirë gënjimet e zhgënjimet, po mjerë
fyerjet e poshtërimet! Ç’trim stoik ky bir Malsie! Shembull.
Ky libër duhet lexuar me vëmendje nga të
gjithë. Sa shumë mëson nga jeta, aq më tepër kur një e tillë është tronditje që
dhemb. Jo vetëm nga jeta në emigracion, por aty gjen reminishenca nga kodi
zakonor, folklor dhe etnologji të pasur. Vëreni këtë fenomen: dje vajza në
Malësi (jo vetëm ç’ka përshkruan autori, por edhe ndër malet tona në Labëri, të
paktën) vasha 20 vjeçe quhej e ”plakur”; sot na shfaqet një modë, që s’ka
problem edhe 40 vjeçe është normale të jeshë vajzë e pamartuar, se kështu e
paska bota...
Doktor! E dimë që gjithë bota është ë
lëvizje. Njerëzit, popujt, migrojnë, emigrojnë. Sikurse ne, njësoj apo para
nesh. Dilema ekzistenciale “të rri apo të iki” është e rëndë. Bashkë me thellësinë
e pikëllimit, përjetojmë tendencën shqetësuese të largimit të të rinjve nga
vendlindja, patjetër dhe sidomos nga malësitë.
Unë, Doktor i dashur, jam një nga të
ikurit e rikthyer. Sot, a duhet dëgjuar zemra? A duhet ndjekur mendja? Libri i
rrok këto tema të mëdha, që përmbysin tradita dhe praktika jetësore. Dr. Pashku
është nga të ikurit që ka rreth 40 vjet që mban në peshoren e dinjitetit lirinë
dhe shkëlqimin e Amerikës me dashurinë e dheut të të parëve, të gjysh-stërgjyshërve
dhe sigurinë e identitetit që të jep gjaku.
O miq të mirë! Po ky libër na mëson, na
mëkon me harmonizimin e shëndetshëm të edukimit atdhetar dhe edukimit qytetar.
Është një libër morali, pa rënë në moralizime, pa pasur assesi synim të na bëjë
moral. Këtë duhet të kuptojmë, se po shkallafytemi fluturimesh turbullisht të
papërcaktuara dhe të pasynueshme. Ngaqë sëmundja e moralit ndër ne shkakton
simptoma të dukshme të infeksionit degjenerues, libra të tillë të rrallë si
“Kulla” i japin jetë e shëndet Udhëtimit tonë në këmbë.
“Kulla” e Camajt, shkruar me shkronja
malli, mbushur me nektarin e mërgatës së luleve është jo vetëm kulla e
emigrantit, ajo simbolika e vatrës së Shqiptarisë, është fryma, tymi, zjarri i
ndezur, është identiteti ynë.
Një ndër mesazhet humane që na dhuron
bujarisht Doktor Pashko me këtë libër është: “Nuk kam kohë të mbaj mllef asnjëherë,
as me vëllanë, as me qenin, s kam gjëra që duhet të bëj”. Me gurët që të kanë qëlluar,
jo thjesht në kuptimin figurativ, ti ngrite shkallët e karrierës tënde, të jetës
si njeri me dinjitet, edhe për vete,
edhe për familjen, vëllazërinë e fisin, edhe për Malësinë.
...Kur unë e përfundova librin së
lexuar, i ngarkuar me shumë mbresa e mendime i thashë gruas: “Vlen ta lexosh
“Kullën”, se aty njeh jetën e emigrantit shqiptar, mëson sadopak dhe nga 5
vjetët e mi në mërgim”. Dhe ajo po e lexon me interes dhe vëmendje.
Për ç’ke bërë e arritur dhe për ç’ka po na dhuron këtu, me zemër e mendje, po të shprehem me vlerësim: Të lumtë Çoço! Faleminderit Doktor!