Kulturë
Dorian Koçi: Detaria në Ulqin
E diele, 02.02.2025, 06:50 PM
Detaria
në Ulqin
Nga
Dorian Koçi
Një
nga tablotë e ralla që ka si subjekt anijet e ulqinakëve që në shekujt
XVI-XVIII i binin kryq e tërthor Mesdheut. Pjesa më veriore e aeralit etnik
shqiptar që pas pushtimit të tij nga otomanët në 1571, hyn në disa zhvillime të
vrullshme detare. Për aq sa dëshmon historiani anglez Noel Malcom në librin e
vet “Agjentët Perandorakë”, Ulqini ishte një qytet etnikisht shqiptar, me
popullsi që i përkiste besimit katolik. Dy nga familjet më të mëdha fisnike të
kohës , Brutti dhe Bruni do të luanin një rol të madh në historinë e rajonit
dhe të Evropës. Rënia e Ulqinit në duart e osmanëve, ndryshoi strukturën
urbane, sociale por edhe ushtrimin e ndryshëm të zejtarive. Ulqini gradualisht
fillon dhe merr pamjen e një qyteti oriental, me ndërtime të objekteve të kultit
islam, krojeve si vend relaksimi dhe meditimi por edhe me ndalimin e prodhimit
të verës dhe vazhdimin e prodhimit të vajit të ullirit. Ai vazhdon të mbetet
një derë komunikimi midis Lindjes dhe Perëndimit, përderisa mendohet se
Sabaedin Zeevi, i ashtëquajturi Messia hebre , brakstis Beratin dhe shkon dhe
vendoset në Ulqin.
Një
nga zejet më të përhapura në Ulqin bëhet si në asnjë qytet tjetër shqiptar të
bregdetit, ndërtimi i anijeve dhe lundrimi. Venedikasit në luftërat dhe paqen e
nënshkruar me osmanët bënin çmos që deti Adriatik të mbetej një liqen
venedikas, pa lejuar ndërtimin e porteve osmane në brigjet e Adriatikut lindor.
Kjo luftë e hapur midis tyre kishte dëmtuar dhe lundrimin në brigjet shqiptare,
të cilat nga një element mbizotërues dikur me popullsinë ilire, ishin kthyer
tani në një popullsi që nuk e mbarështonte ndërtimin e anijeve dhe në
përgjithësi kulturën e detit. Ulqini, bënte një përjashtim në këtë drejtim dhe
llojet e ndryshme të anijeve që prodhonte si dhe flota që mbante e kishin shndrruar
në një qytet të rëndësishëm për Perandorinë Osmane, pasi flota e tij përdorej
në ballafaqimet dhe betejat detare të saj me Perëndimin.
Piratët
Ulqinakë duke luftuar kundër anijeve Britanike dhe Franceze në Patras(Greqi) në
5 Nëntor 1772. original title: Vue de L'Action pres de Patrasso, ou L'Escadre
des Dulcignottes fut battue et brulee le 5 9bre 1772.