Kulturë
Kadri Tarelli: Intervistë me Lutfi Isufaj, Dr. Shkencash në mbrojtje të bimëve
E diele, 02.02.2025, 06:54 PM
A KA PUSHIME DIMËRORE PËR BUJQIT DHE BUJQËSINË.....?
Intervistë
me Lutfi Isufaj, Dr. Shkencash në mbrojtje të bimëve
Nga
Kadri Tarelli
I
nderuar Dr. Lutfi Isufaj, që shkurt ju thërrasim profesori, sepse visheni bukur
dhe mbani një çantë, ngjyrë bezhë, njëlloj
si profesorët e Kembrixhit në Mbretërinë e bashkuar.
-
Ju ftova për kafe, për të zhvilluar një intervistë të shkurtër, lidhur me punët
dhe shërbimet që kryhen pemëtari, vreshta dhe ullishta, në këtë mes dimri 2025.
Pasi në mendimin e përgjithshëm, dimri mendohet si periudhë pushimi për bujqit
dhe bujqësinë në fshat, që sot i kanë gjetur një emër modern, “ferma” dhe
“fermerë”.
Shkaku
është fare i thjeshtë, madje mund të qeshësh, por mora shkas nga një bisedë
kafeje, me një grup shokësh pensionistë të zanateve të ndryshëm, si mësues,
ushtarakë, ekonomistë, artistë, mes nesh edhe agronomë.
Para
pak ditësh ju pamë nga xhamat e kafes, që po nxitonit, sikur po ju ikte treni.
(Një shprehje e vjetër, e mbetur nga treni që s’priste minutin në zbatimin e
orarit të nisjes, ndërsa për mbërritjen e dinte vetë kur vinte në stacion).
Fillim
bisede:
–
Nuk e prisja këtë hyrje bisede kaq të bukur, ledhatuese dhe argëtuese, - e
filloi bisedën Prof. Lutfiu. – Po qesh me vete, pasi këtë shprehje “Dimri
periudhë pushimi për bujqit”, u bë një jetë që e dëgjoj, por tani nuk e besoj,
sepse siç më kini parë, edhe unë që jam në pension, pushoj vetëm në ditët me
shi, se kur ka diell..... ëhë...... jam në parcela me fermerët. Më njoftojnë
dhe vijnë më marrin me makinë dhe kjo më lumturon, pasi jam në natyrë,
njëkohësisht shikoj një kthesë rrënjësore në mentalitetin e bujkut tonë, lidhur
me interesin ndaj tokës dhe prodhimit, përfshirë pemët frutore, vreshtat dhe
ullishtat. Nuk e them për t’i bërë qefin vetes, por interesi edhe për të
dëgjuar fjalën dhe mendimin e specialistit është rritur ndjeshëm.
Pyetje:
–
Cila është arsyeja...? Po shtoj një pyetje në radhën e atyre që kisha menduar....!
Përgjigje:
–
Nuk e di sa kinin shëtitur nëpër kodrat e Shijakut, Maminasit, Manzës, dhe
Ishmit, këtu në rrethin e Durrësit? Nuk di a ju ka rënë rasti të udhëtoni në
kodrat e Belshit apo Dumresë....? Do vini re, se tashmë vendin drurëve frutorë,
vreshta dhe ullishta, të vogla e të veçuara e kanë zënë plantacionet, që
kërkojnë shërbim dhe mendim specialisti. – Më tej prof. Lutfiu vazhdon:
Me
kënaqësi vë re se edhe te fermerët është pjekur mendimi, se shumë nga dëmtuesit
dhe sëmundjet që aktivizohen ndjeshëm në pranverë dhe verë, e dëmtojnë ndjeshëm
prodhimin dhe cilësinë. Nuk po them gjë të re, nga ana shkencore, se me kohë
janë publikuar shkrime në gazeta dhe buletine shkencore, por gjatë periudhës së
dimrit rezerva biologjike e dëmtuesve qëndron e strukur apo e heshtur në formë
vezësh, larvash, krisalinës së insektit, në
tokë, në trungjet e pemëve, në zgavrat e lëkurës, etj, etj. Kështu e
rëndësishme është të kuptohet, se punimet dimërore e pakësojnë ndjeshëm
veprimtarinë dëmtuese në prodhim, mund të them në të gjitha llojet e kulturave
bujqësore, në veçanti të frutave, vreshtave dhe ullishtave.
Pyetje:
-
Vë re se shpesh e përdorni fjalën dëmtohet ndjeshëm prodhimi. A mund të
përdorni matematikën, që flet me gjuhën e shifrave, sa humbasim apo fitojmë nga
kjo punë dimërore?
Përgjigje:
-
Është i njohur rezultati. Jo më pak se 30 apo 40%. Nuk është pak, jo vetëm kur
e mendon. Përfytyro që nga 100 kv ullinj apo rrush, të humbasësh 30 apo 40 kv.
Cili nga ne do ta pranonte për të justifikuar dembelizmin, mosdijen, apo
pakujdesinë?
Pyetje:
-
Si specialist i vjetër me përvojë të gjatë në mbrojtje të bimëve, çfarë mendoni
se arrihet me kryerjen e trajtimeve dimërore...? Në veçanti ç’ janë trajtimet e
dru frutorëve, si një nga degët e bujqësisë?
Përgjigje:
-
E theksova pak më lart: synohet prodhimi dhe cilësia e tij, si një tregues i
rëndësishëm, kur mendojmë tregun vendas me turizmin e shtuar dhe eksportin që
ka kërkesa të larta deri te sasia e pesticideve dhe kimikateve të përdorura.
Laboratori nuk të mban me hatër. Ndërsa për punimet ato dihen jo vetëm nga
specialistët, por edhe nga fermerët. Rendësi ka kujdesi dhe cilësia e punës, jo
vetëm të punimit të tokës rreth kurorës, por edhe largimi dhe eliminimi i
degëve të thata, degët e krasitura, grumbujt e barishteve, që shpesh i lemë në
anë të parcelave, etj, etj. Një kujdes i shtuar duhet në përdorimin e
spërkatjeve dhe recetat e kimikateve.
Mbase
është vendi të theksohet për një bashkëpunim me të specializuar me farmacitë
bujqësore, që tregtojnë helme dhe kimikate për zhdukjen e dëmtuesve gjatë
spërkatjeve, duke ditur jo vetëm leverdinë, por edhe rrezikun e mosdijes apo
pakujdesisë. Specialistët janë këshilluesit më të mirë dhe më të besueshëm.
Pyetje:
-
Me që jemi në periudhë dimri: Ku dhe kur duhet të kryhen punimet për të
mbrojtur shëndetin dhe prodhimin e drurëve frutor? Po e bëj më konkrete
pyetjen: Cilat janë ditët më të mira gjatë dimrit, për të kryer trajtimet
dimërore?
Përgjigje:
-
Pyetje me vend, me vlerë për çdo kuvend: Ditë më të mira janë ato me diell, pra
ditë pa reshje dhe lagështirë moti, që fatmirësisht klima e vendit tonë i ka të
mjaftueshme, për të mos thënë me bollëk, sidomos në zonën bregdetare, ku janë
përqendruar edhe sipërfaqet më të mëdha me pemë, vreshta dhe ullishta.
Pyetje:
-
Ju e njihni mirë organizimin e veprimtarisë bujqësore, tashmë edhe në kushtet e
pronës private të tokës në fshat. Ndaj po pyes: A ka specialistë nëpër qendra
dhe fshatra që japin ndihmesë, si këshillues, në kryerjen me sukses të punimeve
bujqësore, në veçanti të shërbimeve dimërore në pemëtari.....? Në vazhdim të
pyetjes: Cila është porosia për specialistët e rinj, si doktorë të mbrojtjes së
bimëve?
Përgjigje:
-
Përgjigjen po e filloj nga fundi.
Doktorët
apo mjekët e mbrojtjes së bimëve, pra specialistët e rinj, duhet të jenë të
papërtuar për ta parë problemin në vend dhe të japë udhëzim për mbrojtjen dhe
trajtimin e bimëve. Duhet të dëgjohet më shumë zëri i tyre, jo vetë te
fermerët, por edhe në zyrat e shtetit, pasi prodhimi bujqësor është problem
kombëtar dhe pasuri kombëtare. Telefoni është vetëm për njoftim. Është njësoj
sikur t’i thash mjekut më thuaj nga se vuaj, pa të vizituar...!
Pyetje:
-
S’ besoj se jam jashtë teme, kur ju pyes: A ndjeni dhimbje shpirtërore, kur
kujtoni Institutin e Mbrojtjes së bimëve, ku kini punuar për një periudhë të
gjatë.... Nuk e imagjinoj dot pse u mbyllën? Ç’ fituam dhe çfarë humbëm dhe po
humbasim.....?
Përgjigje:
-
Për këtë duhen pyetur politikanët dhe shtetarët që morën vendim për t’i
mbyllur. Me sa di unë, që jam goxha i shëtitur, nuk ka shtet në botë që mos
ketë Institut të mbrojtjes së bimëve. A mund të mendohet një vend pa spitale
dhe mjekë, përfshi edhe laboratorët e studimit dhe kërkimit.
Instituti
në vetvete, grumbullonte specialistët më të mirë, grumbullonte përvojë dhe
shpërndante dije e përvojë, si nga vendi ashtu edhe nga bota.
Besoj
nuk është pak, kur mendojmë pasojat.
Kadri
Tarelli
Janar
2025.