Kulturë
Lekë Mrijaj: Biografia e Gjergj Kastriotit sipas librit të At Paulin Margjokaj
E shtune, 18.01.2025, 07:55 PM
Biografia e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në 557-vjetorin e kalimit në amshim, sipas librit "HISTORIJA E POPULLIT SHQIPTAR" i AT PAULIN MARGJOKAJ, O.F.M.
Shkruan:
Lekë Mrijaj
Në
faqet e librit "Historia e Popullit Shqiptar", i At Paulin Margjokaj
(libër i cili ka pa dritën në vitin 2023 dhe është sponsorizuar nga studiuesi i
mirënjohur, Tomë Mrijaj nga Nju Jorku), sjell një përshkrim të gjallë dhe
madhështor të jetës dhe veprës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Në kapitullin
përkatës në gegnishte (f. 180-191), autori ndriçon dimensionet e shumanshme të
kësaj figure të jashtëzakonshme: kombëtare, kulturore dhe universale. Gjergj Kastrioti, i njohur si Skënderbeu,
mbetet simboli më i ndritur i rezistencës shqiptare dhe një monument i gjallë i
shpirtit liridashës të kombit tonë. Me urtësinë strategjike dhe guximin e tij
të pashoq, Skënderbeu jo vetëm që bashkoi principatat shqiptare, por u bë një
digë e pakalueshme për fuqinë osmane. Ai mbrojti jo vetëm tokat shqiptare, por
edhe vetë qytetërimin evropian nga pushtimi dhe rreziku i asgjësimit. Qëndresa
heroike e Skënderbeut mishëroi shpirtin e shqiptarëve, të cilët ndër shekuj
kanë dëshmuar gatishmërinë për t'u sakrifikuar për idealet më të larta. Vepra e
tij nuk është thjesht një ngjarje historike; ajo është një frymëzim i
përhershëm për të ruajtur dhe forcuar lirinë dhe dinjitetin kombëtar.
Në
557-vjetorin e amshimit të tij, trashëgimia e Skënderbeut na kujton rëndësinë e
unitetit kombëtar dhe mesazhin e pavdekshëm se guximi, besimi dhe përkushtimi
janë çelësi për mbrojtjen e vlerave më të larta të kombit shqiptar. Ai mbetet
jo vetëm udhëheqësi ynë më madhështor, por edhe një simbol universal i
qëndresës dhe krenarisë njerëzore.
Gjergj
Kastrioti-Skënderbeu është dhe do të mbetet përgjithmonë frymëzues e fanar
ndriçues për çdo shqiptar që beson te liria, drejtësia dhe fuqia e bashkimit.
Lavdi veprës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
____________________________________
Biografia e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut sipas librit "HISTORIJA E POPULLIT SHQIPTAR" i ÁT PAULIN MARGJOKAJ, O.F.M.
Gjergji
âsht lindë në Krujë, porse datën e saktë të lindjes së tij âsht e pamundun me e
përcaktue, ajo luhatet ndërmjet vjetve 1403 dhe 1414. Gjithashtu âsht e
panjoftun, se kur kje i detyruem Gjergji me e braktisë vendlindjen e me e
vazhdue kështu jetën e vet në Turqi. Shumë auktorë pretendojnë se duhet të jetë
kenë n’atë kohë 7 vjeç. E sigurtë âsht qi ai atje u edukue si muhamedan.
Gjergji ishte i pajisun në nji masë shumë të naltë kjoftë me cilësi
intelektuale, kjoftë me cilësi fizike dhe shumë shpejt u bâ i preferuem i
oborrit turk. I ngarkuem prej sulltanit ai bani shumë luftna kundër anmiqve të
Perandorisë Turke. Ngaqi Gjergji në ushtrinë turke bani vepra heroike kaq të
mëdhaja, prej turqve atij iu dha emni Iskender në kujtim të Aleksandrit të
Madh, dhe titulli dinjitar Bey (ose Beg). Prej këtyne dy emnave Iskender (shqip
Skander ose Skender) dhe Beg u krijue te shqiptarët emni Skenderbeg, me anë të
të cilit ai u fut në histori.
Skënderbeu
hyn në skenën e historisë evropiane nëpërmjet Betejës së Nishit (me 3 nëntor
1443). Papë Eugeni IV, tashmâ me 1 janar të atij viti, me anë të nji enciklike
kishte shpallë kryqëzatën kundër turqve dhe u kishte bâ thirrje shteteve
evropiane dhe klerit i kishe vû detyrë qi me pague nji të dhjetën për té.
Thirrjes së Papës iu përgjigjen Hungaria, Polonia dhe Serbia. Zbatimi i
kryqëzatës iu ngarkue hungarezëve, drejtimin e të cilës e mori përsipër mbreti
hungarez Ladislaus. Krishtenimi në atë kohë kishte gjetë tek personi i Huniadit
nji udhëheqës të randësishëm. Me 12.000kalorës ai sulmoi Bullgarinë dhe pushtoi
qytetin e Nishit, i cili u bâ masandej baza e operacioneve të tij. Fillimisht
Murati II dërgoi kundër fuqisë ushtarake të të krishtenve vetëm 20.000
luftëtarë nën drejtimin e Kara Beut (Pashës së Rumelisë) dhe të Skënderbeut,
për t’u shfaqë masandej edhe vetë në krye të nji ushtrie edhe mâ të madh.
Dy
ushtritë po qendronin në dy anët e nji lumi dytësor të Danubit, i cili quhej
Morava, kur Huniadi në të zbardhun të ditës së 3 nanduerit 1443 kapërceu lumin
dhe me vrull të madh u vërsul mbí radhët turke, të cilat të zâna në befasi prej
kalorsisë hungarezetransilvaneze ia besuen pshtimin ikjes me të shpejtë.
Historiani italian Alessandro Serra në nji artikull të Osservatore Romano (data
e këtij publikimi më mungon) përfaqëson pikëpamjen, qi Skënderbeu ka pasë edhe
mâ përpara lidhje të fshehta me
Huniadin.
Historiografi
i parë i Skënderbeut prifti Marin Barleti prej Shkodret, përsa i përket kësaj
pike, vëren krejt shkurt: “Në heshtje të zemrës së tij, ai po lypte rasen qi me
e braktisë Muratin dhe me u kthye në vendlindje”. Planin e arratisjes së tij
Skënderbeu me siguri e kishte mendue mirë mâ përpara dhe e kishte vû në dijeni
edhe Huniadin për ketë gja, sepse përndryshe nuk mund të skjarohet, se si
Skënderbeu me e realizue planin e tij të arratisjes në atë rrëmujë beteje, pa u
trazue prej trupave të Huniadit.
Skënderbeu
mblodhi 300 prej njerëzve mâ të besueshëm, vendas të tij, të cilët shërbenin në
ushtrinë osmane dhe i bindi ata, me shkue bashkë me té n’atdhé. N’arrati e
sipër Skënderbeu hasi në sekretarin e sulltanit, të cilin e detyroi me i
përpilue shkresën e rreme, nëpërmjet të cilës Skënderbeu emnohej komandant i
Krujës.
Meqëllim
qi kjo punë t’mos shkonte tepër shpejt në veshët e sulltanit, Skënderbeu e vrau
sekretarin dhe u nis menjiherë mâ pas me 300 arbën në drejtim të Krujës, ku ai
nëpërmjet fermanit të fallsifikuem u la me hy menjiherë. Kur Skënderbeu ishte
në qytetin at’nor, la me hy aty edhe arbën të tjerë prej zonave përreth, të
cilët ishin bashkue me të gjatë rrugës
dhe qi qendruen hëpërhë të fshehun nëpër pyjet përreth. Masandej ai u vërsul
mbí trupat turke mbrenda kështjellës dhe i vrau. Mëngjesin e ditës tjetër ai i
bâni thirrje popullsisë për lirí dhe deklaroi haptas kthimin e tij në besimin e
krishtenë. Qysh prej asaj dite Skënderbeu u bâ luftuesi i pathyeshëm kundër
ushtrive turqe.
Skënderbeu
filloi menjiherë me organizimin e mprojtjes së vendit, sepse ai e dinte, qi
zoti i tij i deriatëhershëm, Murati II, nuk do t’ia falte kurrë ket ikje prej
tij dhe do t’hakmerrej. Kjo âsht arsyeja, pse Skënderbeu nuk mundej me iu
përgjigjë dishirit të Papës në vjetin 1444, me iu bashkue Lidhjes së Krishtenë,
e cila kishte nisë me u përgatitë. Dhe në fakt sulltani, përpara se me shkue kundër
Lidhjes së Krishtenë, e pau mâ të arsyeshme me eliminue fortesën arbënore, të
cilën Skënderbeu kishte nisë ndërkaq me e krijue. Ky kishte thirrë të gjithë
princat arbnorë për nji Kuvend në Lezhë. Aty erdhën princat e mâposhtëm: Gjergj
Arianiti, zot i Kaninës, Andrea Topia, zot i krahinës ndërmjet Krujës dhe
Durrësit, Teodor Muzaka, princ i Beratit me princa të tjerë të Myzeqesë, Pál
Balsha, Princ i Arbnit, Pál dhe Nikollë Dukagjini, princa të Pultit të Sipërm,
krahina e t’cilëve shtrihej prej Drinit deri në Serbi, Lekë Zaharia (Zakaria),
Princ i Dêjës, Pjetës Spani, Princ i Pultit të Poshtëm, Lekë Dushmani, Princ i
Zadrimës, Stefan Cërnojeviqi, Princ i Zetës dhe princa e zotën të tjerë të
shumtë gegë e toskë. Skënderbeu ia doli me i bashkue arbnit në luftë kundër
turqve.
Edhe
sikur Skënderbeu t’mos bante mâ asgjâ tjetër në jetën e vet, kjo do t’mjaftonte
për me vertetue artin e tij si burrë shteti. Ai pikërisht ia doli edhe pse për
nji kohë të shkurtë, qi arbnit t’i bindeshin për zbatimin e nji plani për
bashkim. Poeti mâ i madh shqiptar mâ vonë do t’vërente nji herë që, “âsht mâ e
lehtë me mbushë nji thes me pleshta, sesa me i bâ shqiptarët s’bashkut për nji
ide”. Ky kuvênd vendosi për luftën e përbashkët kundër turqve dhe e zgjodhi Skënderbeun si prijësin epror
të ushtrisë arbnore. Murati dërgoi në
Arbëni nji ushtri prej 25.000 ushtarësh nën drejtimin e Ali Pashës. Me 29
qershor 1444 kjo ushtri u mund në Torvioll dhe kjo ishte fitorja e parë e
Skënderbeut në truellin arbnor. Mbas kësaj fitoreje Papa i dërgoi Skënderbeut
letra dhe porosi për me e bindë atë me u bashkue me Huniadin dhe me Vladislavin
e Hungarisë në luftë kundër turqve. Edhe Vladislavi i ishte drejtue Skënderbeut
për ndihmë. Në të njajtën kohë Papa synonte me fitue edhe forca të tjera për
luftën kundër gjysëhanës. Por Venediku, Gjenova dhe princi i Karamanisë (në
Azinë e Vogël) nuk iu bindën thirrjes së Papës.
Prej
disfatës së Torviollit Murati kishte nxanë mësim. Ai kishte arsye me iu frigue
nji përballjeje të dyfishtë HuniadiSkënderbeu. Për ketë shkak ai iu lut
Vladislavit për nji armëpushim, të cilin Vladislavi e pranoi dhe nënshkroi me
12 korrik 1444 në Szeghedin, megjithë kundërshtinë e Kardinalit Cezarini. Por
kjo perjudhë kohore e çmueshme nuk u shfrytëzue prej fuqive të krishtena me
qëllim qi me bâ përgaditjet e nevojshme për luftën e ardhshme, përkundrazi, siç
kishte ndodhë edhe herë të tjera, ata u përfshinë nëpër grindje qi nuk çoshin
askund me njanitjetrin, derisa edhe vetë Vladislavi, i shtymë prej Cezarinit, e
prishi armëpushimin. Kjo pati për pasojë disfatën e tmerrshme të t’krishtenëve
në Varna, me 10 tetor 1444, dhe me vdekjen e Mbretit Vladislav dhe të
Kardinalit Cezarini përpjekjet e Papës patën nji fund të pashpresë.
Megjithatë,
nji vjet mâ vonë (me 10 nanduer 1445) Skënderbeu i theu turqit në Mokër
(Mocrea) për herë të dytë dhe Papa dërgoi shumë të deleguem në Arbëni me urimet
e tij dhe me premtimet për ndihmë të sigurtë nga ana e Kishës Katolike dhe
për krijimin e nji lidhjeje të re të
princave të krishtenë. Qysh prej atëherë marrëdhaniet ndërmjet Skënderbeut dhe
Papatit kjenë normale dhe pa ndërpremje dhe u banë gjithnji e mâ të përzemërta,
sa mâ tepër qi rritej fama e Skënderbeut nëpërmjet fitoreve të tij të shumta.
Me të dërguemit e Papës në fillim të janarit 1446 mbërritën në Arbëni edhe
ambasadorët e Alfonsit të Napolit dhe kur zbarkuen në Durrës gjendeshin aty
edhe Kryeipeshkvijtë e Tivarit dhe të Durrësit me prelatë të tjerë. Dy grupet e
të dërguemve arritën në Krujë të shoqnuem prej nji eskorte kalorësish dhe u pritën
solemnisht prej Skënderbeut dhe kur morën rrugën e kthimit, u përcollën të
mbushun me dhurata. Vizita e këtyne të deleguemve dhe miqësia e këtyne zotnive
u vlerësue prej arbënve si nji fitore e arritje e madhe. Por menjiherë mâ vonë,
në shkurt të po t’atij viti Papa Eugeni IV vdes.
Papë
Nikolla V e vazhdoi mâ tej politikën e pararendësit të tij. Me 27 shtator 1447
nji ushtri turke nën Mustafa Pashën u përpoq sërish për me marrë Krujën. Por
ajo u thye dhe Pasha e pshtoi jetën e vet vetëm tue marrë arratinë. Mbas kësaj
fitoreje Papa e shpalli Skënderbeun “Luftëtar pararojë i Krishtenimit” dhe tek
fuqitë e krishtena e propozoi atë për prijës të ardhshëm të Ligës së Re
antiturke. Skënderbeu ishte i vetëdijshëm qi ai edhe nëse i thyente t’gjitha
sulmet e sulltanit nëpër kështjellat e tij shkambore, prapëseprapë me kalimin e
kohës, nuk kishte me kenë në gjendje me rezistue pa ndihmën ushtarake nga ana e
fuqive të krishtena.
Kur
Skënderbeu në mars të vjetit 1449 mori vesh qi Murati ishte nisë vetë prej
Adrianopoje në krye të nji ushtrie të madhe – siç pretendohet, 120.000 trupa –
ai iu drejtue prap për ndihmë forcave të krishtena. Porse përveç ndihmave në
pare nga ana e Papës dhe ndihmave në ushqime nga ana e Venedikut, nuk luejti
vendit asnji shtet tjetër. Në Arbëni Skënderbeu kësaj here nuk i kishte punët
mirë. Kështjella e madhe e Sfetigradit në Jugra në dorën e turqve dhe të
njajtin fat pati edhe qyteti i Beratit në fillim të vjetit 1450. Përveç kësaj,
Arianiti qi krahas Skënderbeut ishte mâ trimi ndër dinastët arbnorë, u tërhjek
prej luftës dhe u vû nën mprojtjen e Venedikut, i cili në atë politikën e tij
dritëshkurtën po i yshtte vazhdimisht dinastët arbnorë kundër Skënderbeut. 1 Mâ
sipër na përmendëm qi venedikasit me 14 maj 1448 për vrasjen e Skënderbeut
kishin vû në dispozicion nji provizion prej 10 dukatësh qi do i paguhej
vrasësit gjatë gjithë jetës. 1 Për Venedikun në plan të parë qendronin
gjithmonë interesat tregtare me Orientin. Miqësia e Skënderbeut me Alfonsin e
Napolit nuk i përshtatej politikës së Venedikut, i cili nuk donte me e pa
Adriatikun në dorën e nji fuqie tjetër detare. Po për këtë shkak, Venediku
shihte me të njajtin mosbesim edhe rritjen e pushtetit të Skënderbeut, si
rrjedhojë lindën prá intriga nga ana e Venedikut në mesin e princave arbnor
kundër Skënderbeut.
Gjatë
kësaj situate të pafavorshme, tue kalue nëpër Luginën e Drinit u shfaqen para
mureve të Krujës Murati II dhe biri i tij Mehmeti. Skënderbeu u bani sërish
thirrje fuqive të krishtena. Raguza dhuron pare, Papa vetë pa pare, âsht i
detyruem me dhanë indulgjencë për ata persona, të cilët do i ndihmonin me pare
ose personalisht Skënderbeut, “këtij luftëtari të patrembun për nderin dhe për
forcimin e fesë” (“intrepidus pugil pro honore et augmento fidei”). Por Kruja u
pshtue edhe nji herë prej trimnisë së arbënve. U hap lajmi qi Huniadi po bante
gati nji ushtri të madhe kundër turqve. Mbas 5 muejsh sulltani e ndërpreu
rrethimin dhe u kthye në Adrianopojë (shtator 1450).
Në
tetor 1450, në nji vend të lodhun prej luftës së fundit, Skënderbeu e shef
vedin të detyruem, me ia ofrue sundimin mbí Krujën venedikasve. Porse Republika
nuk don me u prishë për hatër të Skënderbeut me Muratin, “mikun e saj tepër të
veçantë” (“singularissimmus amicus”) dhe nuk don me i pa interesat e saj tregtare
në Orient të vume në rrezik, si rrjedhojë nuk e pranon ofertën e Skënderbeut.
Mbas këtij refuzimi nga ana e Venedikut, Skënderbeu provon të njajtën gjâ edhe
tek Alfonsi i Napolit. Ai kjei lodhun edhe prej grindjeve të mbrendshme dhe
prej veprimeve tradhtare të njerzve të tij, të cilët siç e thamë, nxiteshin
prej Venedikut. Në nji marrveshtje të nënshkrueme me 26 mars 1451 në Gaeta të
dërguemit e Skënderbeut në emnin e zotit të tyne i ofronin Mbretit të Napolit
Krujën dhe posedime dhe blemje të tjera, qi ai mund t’i bante në të ardhmen.
Si
kushte, Skënderbeu vendosi vetëm nji, qi Alfosni t’i dërgonte atij njerëz dhe
mjete në Arbëni, me qëllim qi ai ta vazhdonte me sukses luftën kundër turqve.
Kjo marrveshtje ndërmjet dy miqsh, nuk
don të thotë, siç vëren Kotulo, qi Skënderbeu hiqte dorë prej zotnimit të
mbretënisë së tij të vogël. Ai vetëm donte me e drejtue politikën e shtetit të
tij, simbas politikës së mprojtësit të tij dhe me veprue në mënyrë të njisueme
kundër turqve. Siç nuk mund të pritej ndryshe, kjo marrveshtje nuk u pa me sy
të mirë prej venedikasve. Në maj të vjetit 1451 vijnë në Arbëni kontingjentet e
para të trupave prej Mbretnisë së Napolit.
Nji
ushtri turke nën komandën e Dalip Pashës marshon në 1452 për në Arbëni. Ndërkaq
qi Skënderbeu po bante përgaditje, për me e godit këtë ushtri në Mordicë
(Mordizza) dhe në Luginën e Meçadit, nji kryengritje nga ana e princave
Dukagjini, vasalë të Venedikut kërcënon me shkatërrue gjithshka. Papa detyrohet
me ndërhy tek Dukagjinët dhe ia arrin me paqtue me Skënderbeun këta princa të
trazuem.
Në
prill 1453 Mehmeti II dërgon në Arbëni nji ushtri nën komandën e Ibrahim Beut.
Sulltani nuk don me guxue për me ba nji sulm mbí Konstantinopojën, para se me
sigurue shpinën e tij përballë arbnorëve dhe napolitanëve. Skënderbeu tashmâ e
kishte marrë vesh prej agjenturës, se prej Adrianopojës ishte nisë nji ushtri e
madhe, por vetëm pak mâ vonë ai e mori vesh, qi kjo ushtri ishte drejtue kah
Konstandinopoja. Tue kujte qi kjo ushtri ishte caktue për Arbëninë, vendosi me
i dalë përpara, para se ajo të vendosej në formacion luftimi. Në afërsi të
Shkupit Skënderbeu hasi në ushtrinë e Ibrahim Beut, e cila u shkatërrue
krejtësisht prej arbënve dhe gjatë kësaj beteje gjeti vdekjen edhe vetë Ibrahim
Beu, ashtu si Dalibi mâ përpara. Lajmi për ket fitore të Skënderbeut e mbushi
t’gjithë Evropën edhe nji herë me gëzim. Heroi arbnor ngrihet aq shumë në
qiell, saqë “virtytit dhe ndërshmënisë së tij nuk mundesh me i shtue asgjâ mâ”
(nihil ad eius virtutem et probitatem addi potest) - kështu shkruen Senati
Raguzan. Por krishtenimi u gëzue për nji kohë të shkurtë prej kësaj fitoreje,
sepse mâ pas, me 29 maj 1453 Konstandinopoja ra në duert e turkut. Tmerrin e
përhapun prej këtij lajmi të trishtë e mbuluen shumë shpejt grindjet e vjetra
shpirtvogla të fuqive të krishtena.
Papë
Nikolla u drejtoi popujve të krishtenë prap nji bulë, por më kot. Për ta
Konstandinopoja ishte ende tepër larg. Mehmetit II fitimtar nuk mund t’i
delshin përballë të vetëm Huniadi dhe Skënderbeu, do t’ishte kenë i
nevojshëmbashkëpunimi i të gjitha forcave të krishtena. Por njena prej tyne,
Republika e Venedikut u dakordsue prap edhe me pushtuesin e fuqishëm të
Konstandinopojës. Vetëm interesat e saj tregtare t’ishin të sigurueme, për
gjanat e tjera Venediku nuk interesohej fort. Tregtari shef ktu si zakonisht
vetëm përfitimin e tij direkt dhe biznesin e mirë. Ajo qi vjen tash, janë vetëm hapat e fundit
drejt nji fundi të idhët edhe për Skënderbeun dhe për Arbëninë, edhe pse
fitohen edhe disa beteja të tjera. Në vjetin 1455 vdes Papa Nikolla V, i cili
kishte bâ kaq shumë për Skënderbeun. Mbas fitores së fundit të arritun në
Beograd me 14 qershor 1456 vdes Huniadi, heroi mâ i randësishëm i Krishtenimit
në atë kohë, krahas Skënderbeut. Më 23 tetor po t’atij vjeti vdes edhe Johannes
Kapistrano, i cili kishte kontribue mâ së shumti për fitoren e Beogradit. Dy
vjet mâ vonë u nda nga jeta edhe Alfonsi i Aragonës, miku mâ i mirë i
Skënderbeut. Pasardhësi i tij Ferdinandi ose Ferrante âsht tepër i dobët dhe i
nevojitet mbështetja e Skënderbeut kundër pretendentave anzhuin për fronin.
Vjeti
1459 e pruni Skënderbeun në vështirsi shumë të mëdhaja diplomatike. Ai kishte
thye tri ushtri turke njena mbas tjetrës, kishte lidhë marrëdhanie të ngushta
me mbretin hungarez, i cili kishte dërgue tek ai nji ambasador. Por sulltani
dinak i kishte ofrue Skënderbeut paqë. A duhej me e pranue ai këtë paqë apo jo?
Papë Piu âsht kundër nji paqe me turqit, gjithmonë me armë të ngrituna kundër
sulltanit, nëse nuk don me përfundue i mposhtun prej tij! Papa merr përsipër
qetësimin e grindjeve ndërmjet Venedikut dhe Skënderbeut. Venediku dishron prej
Skënderbeut dorëzimin e kështjellës së Satit, të cilën ai ua kishte marrë mâ
parë turqve. Skëndërbeu, për të cilin anmiqësia e Venedikut në atë moment mund
t’ishte shumë e damshme, u tërhjek. Ofertën e paqës nga ana e Sulltanit
Skënderbeu e refuzon. Por meqë ai nuk shpreson për ndonji ndihmë nga Prendimi,
i lutet sulltanit me bâ nji armëpushim.
Gjatë
kësaj kohe (tetor 1460) Skënderbeu mujti me i dërgue mikut të tij, mbretit
Ferrante nji trupë ndihmëse. Në vjetin 1461 ai kaloi vetë Adriatikun dhe me anë
të ndihmës së tij froni i Ferrantes u sigurue. Nga ana tjetër sulltani mujti me
çue deri në fund pushtimin e Serbisë dhe të Bosnjës (1459).
Në
vjetin 1462 Skënderbeu u kthye prej Italisë dhe qendroi në Raguzë, e menjiherë
mâ pas ai mbërriti në Arbëni. Nji ushtri e madhe ishte vû në marshim kundër
Arbënisë. Në t’vërtetë ishin dy ushtri, të cilat Skënderbeu i mujti, para se
ato t’bashkoheshin me njena-tjetrën. Menjiherë mâ pas ai theu edhe nji ushtri
të tretë. Tashmâ ishte vetëm Skënderbeu, i cili guxonte me i dalë përballë
marshimit fitimtar të Mehmetit II. Por atij nuk po i ndihmonte kush. Venedikut,
i cili ishte i vetmi qi mund t’i jepte ndihmë, prap nuk mund t’i zehej besë.
Për ket arsye me 27 prill 1463 Skënderbeu i ofroi sulltanit paqë, të cilën
sulltani ia pranoi me kënaqsi. Kjo shkaktoi nji pakënaqsi te forcat e
krishtena, të cila 189 megjithatë kishin pak dishirë me ndihmue, kur u kërkohej
dishka e tillë. Nga paqja ndërmjet Skënderbeut dhe Sulltanit e tregonte vedin
veçanërisht të prekun Venediku, i cili bani gjithshka qi me e prishë ketë paqe,
dhe ia doli. Midis Skënderbeut dhe Republikës u bâ nji marrveshtje e fshehtë
dhe u morën masa për anmiqësina qi do t’filloshin menjiherë mâ pas.
Edhe
Papë Piu II, e këshilloi Skënderbeun me fillue luftën kundër sulltanit. Qysh se
ishte ngjitë në Fronin Papnor (1458-1464) ky humanist, kishte përqendrue t’gjithë
kujdesin e tij në mprojtjen e kulturës prendimore ndaj rrezikut turk. Në verën
e vjetit 1459 ky
Papë
i kishte thirrë princat e krishtenë në nji kongres në Mantova. Me anë të nji
fjalimi të shkëlqyeshëm ai kishte parashtrue nevojën e nji lufte të përbashkët
të prendimit të krishtenë kundër të pafeve.
Mbas
kapërcimit të shumë vështirësive së pari kje marrë vêndimi për nji luftë kundër
turqve, por pohimet në lidhje me té nuk u pasuen me vepra. Për me i shkundë
princat e krishtenë nga plogështia dhe mospërfillja e tyne dhe me qëllim qi me
sjellë entuziazëm për ketë punë të madhe, Papa vêndosi me u vû vetë në krye të
ushtrisë së kryqëzatës. Skënderbeu, i cili ishte zgjedhë prej Papës si
Kryeprijës i ushtrisë së aleancës, po priste me padurim mbërritjen e ushtrisë
së kryqëzatës, në krye të së cilës duhej të mbërrinte edhe Papa vetë në brigjet
e Arbënisë. Tashmâ Piu ishte nisë për në Ankonë, ku kje mbledhë edhe flota e
kryqëzatës, por aty (me 14 gusht 1464) Papa vdiq. Me vdekjen e Papës ndërmarrja
e kryqëzatës dështoi para se me nisë, sepse Piu II ishte kenë pikërisht shpirti
i saj dhe forca e saj shtytëse qi nuk lodhej kurrë.
Edhe
përgjatë tre viteve të mapasme Skënderbeu korri fitore të tjera kundër turqve,
por ai e ndjente vedin shumë të dobësuem, dhe as qi nuk e mendonte se mund t’i
jepte fund çashtjes me turqit pa ndihmë të jashtme. Si rrjedhojë ai vendosi me
bâ nji udhëtim në Romë, ku gjeti nji
pritje të shkëlqyeshme, por përveç shumave të pareve nuk mori asnji mbështetje
tjetër. Kësaj here mâ tepër ndihma Skënderbeu mori prej Venedikut, i cili duhet
të jetë kenë i hqetësuem për posedimet e veta në Arbëni, në kufi me trojet e
Skënderbeut. Porse turqit kjenë në gjendje me hjedhë kundër
Arbënisë
trupa të reja e të freskëta në xjerra prej rezervuarit të perandorisë së tyne
gjigande. Skënderbeu kje nisë për në Lezhë (posedim venedikas), për me u
këshillue me aleatët e tij në lidhje me nji plan të ri fushate ushtarake, dhe
aty ai vdiq me 17 janar 1468 (?). Megjithatë vjeti i vdekjes i Skënderbeut nuk
mund të përcaktohet me saktësi. Simbas shumë hisorianëve ai pat vdekë në vjetin
1467. Gjon Muzaka thotë qi Skënderbeu vdiq në vjetin 1466 në moshën 63 vjeçare.
Njizetë
e katër vjet me radhë Skënderbeu kje në gjendje me u mprojt ndaj sulmeve shumë
të fuqishme, të cilat i drejtuen mbí Arbëninë dy prej sulltanëve mâ energjikë
qi pat xjerrë ndonjiherë raca turke. I pari prej tyne Murati II (i vdekun në
vjetin 1451) kishte bâ nënshtrimin e provincave të jashtme të Perandorisë
Bizantine dhe në tetor të vjetit 1448 në zemër të Ballkanit pat thye në
mënyrë asgjâsuese ushtritë e krishtena
nën drejtimin e Huniadit, në Betejën e Dytë të Kosovës. Dita e 29 majit 1453
pat çue në vorr Bizantin krenar, dy vjet mbasi Mehmeti II kishte marrë
sundimin. Mbas kësaj dite vendimtare të historisë botnore Mehmeti II qi me të
drejtë quhet “Pushtuesi” sundoi për 28 vjet mbí fronin luksoz të
Konstandinopojës, i cili prej atij çasti u quejt Istambul (Stamboll) dhe qi u
bâ kryeqyteti i Perandorisë Turke qi shtrihej mbí nji sipërfaqe të madhe të
botës. Auktori italian Francesco Tajani shkruen: “Po t’mos kishte lindë
Skënderbeu, unë kisha martue Gjinin e Adriatikut me
Republikën
e Venedikut, kisha vû mbí krye të Papës çallmën dhe kisha ngrehë gjysëhanën mbí kupolën e Shën
Pjetrit”². Nâ nuk e dimë se kur e me çfarë rasti i ka shprehë Mehmeti II këto
fjalë. Sidokjoftë mund të pretendojmë qi nji sulltani të tillë të fuqishëm si
Mehmeti II duhet t’i ketë shkue menda me bâ ndonji sulm të madh kundër
Prendimit. Për ketë qëllim Arbënia do t’i kishte shërbye atij si nji trampolin,
siç e kanë përdorë atë aq shpesh kjoftë Lindja, kjoftë Prendimi në sulmet e
tyne të anasjellta. Por 15 vite luftrash të randa e me humbje të mëdha kundër
“këshjellës Arbnore” të Skënderbeut qi
mbeti i pathyeshëm deri në vdekje e paralizuen realizimin e këtij plani të
pamuejtun, të cilin Mehmeti II duket se e la m’anash në vjetët e mavonshëm të
sundimit të tij, si të parealizueshëm.
Në
ketë kuptim duhet të shihet e duhet të vlerësohet nalt lufta e guximshme për
lirí e Skënderbeut. Mbajtja dhe ruejtja e kreut të asaj ure qi quhet Arbëni për
nji kohë aq të gjatë në nji pikë kthese aq të rrezikshme të historisë evropiane
ka pasë nji randësi aq shumë të madhe për njerëzimin e atëhershëm, saqi na sot
nuk jena në gjendje me e përceptue. Dhe kur Papët i jepshin Skënderbeut tituj të tillë si
“Defensor fidei” (Mprojtës i Fesë) dhe “Athleta Christi” (Luftëtar i Krishtit),
ato sigurisht qi nuk ishin të menduem vetëm si tituj nderi, por dilshin prej
shqetësimit të Papëve të atëhershëm për situatën shumë serioze, në t’cilën
gjendej në fakt Prendimi i krishtenë.