Kulturë
Gani Pllana: Kumt zezone
E shtune, 18.01.2025, 07:38 PM
Gani S. Pllana
KUMT’ ZEZONE
Ikje, shpërngulje, përditë.
Përshëndetje, ndarje,
Vaj e lot nga të gjithë,
Mbushen autobusët,...ku,ku!?
Lehja e qenve, pa zotët e shtëpive,
Japin lajm morti.
Perdet e lëshuara,
Portat e mbyllura,
Kumt’ zezone
E zemra të ngrira.
Shpërngulje përditë...
Nga të katër anët e vendit,
Përshëndetje, ndarje, eksod,
Vaj e lot, shtangie e smog.
Mbrëmjeve, nga çdo qytet e fshat,
Mbushen autobusët,...për ku?
Meridianëve marrin rrugë pa kthim,
Zezonë në Kosovë
Dhe ndonjë kujtim.
NJË PLANIMETRI MORBIDE
Ikje, shtendosje,
Kujë, vaje e lot,
I tmerrshëm-eksod...!
Projekte për shpërngulje
Dhe dita bëhet natë,
Me paramendim;
Kufijtë janë të hapur
Për në “Perëndim”!
Rrugicave të maleve,
Nëna me foshnje në gji,
Pleq, plaka e fëmijë.
Vatra kujën ngritur,
S’kishte njeri në shtëpi.
Ky plan djallëzor,
Fatum i rëndë për ne,
Kosova nënë theror,
Po zbrazet në katror!?
Mungojnë shpresa dhe besimi,
Buka e kripa – furnizimi,
Ndaj i gjeni të gjithë,
Pleq e të rinj,
Staneve të huaja-lukuni...!
Për një jetë më të mirë,
Diku tjetër, në vende të huaja,
Duke kërkuar edhe mëshirë!
Kjo moto, tingull i sëmundjes në vesh,
Tronditje në shtëpi, shesh-përshesh.
Në lindje, ku lind dielli,
Në perëndim vajton Tafili!
Nga jugu i pa borë
Ikën nusja me kurorë!
Në veri, ku frynë veriu,
Me buzëqeshje të vrarë,
Në djep qanë fëmiu.
Në fshatra e qytete,
Në ara e në fusha,
Në lugina, male e gërmusha,
Lajmi putë kupën e qiellit.
A mos është ditëpara e prillit,
Po realizohet ëndrra e Qubrillit?!