Kulturë
Albert Habazaj: Preç Zogaj, mirënjohje nga Vlora!
E diele, 12.01.2025, 06:55 PM
PREÇ ZOGAJ, MIRËNJOHJE NGA VLORA!
Nga
Albert HABAZAJ - Përgjegjës i
Bibliotekës shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali”,
Vlorë
Një ngjarje e shënuar letraro-kulturore
e hijeshoi Vlorën - Qytetin e Diellit dhe Detit ditën e premte të 10 Janarit
2025, kur në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë erdhi kryemiku i asaj
paraditeje poeti i njohur shqiptar Preç Zogaj. Ai e kishte nisur nga
Gjirokastra Udhëtimin Poetik të Shenjtëruar me librin më të ri me poezi të
zgjedhura “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”,
për të marrë bekim në Qytetin e Flamurit. Dhe Vlora e mirëpriti me bujari, siç
di të presë mëmëzonja e Pavarësisë. Ai erdhi dhe u përcoll siç i takon, si mik
i lartë, burrë me vlera, njeri i mirë dhe zotni i ditur e me zemër të madhe, sepse
Vlora e ka njohur, e ka dashur, e njeh dhe e do për virtytet e tij dhe ndihmesën
e rëndësishme që i ka dhënë letërsisë shqipe, prozës dhe poezisë, publicistikës
dhe gazetarisë, kulturës kombëtare dukshëm, si dhe politikës e shtetit
shqiptar. Preç Zogaj erdhi në Vlorë i shoqëruar nga zotërinj të nderuar dhe miq
të mirë të shkrimit të mendimit dhe ndjenjës si: poeti dhe studiuesi dr.
Aleksandër Çipa, kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, nga studiuesi i njohur
i letërsisë, ish-pedagog i “Universitetit “Eqerem Çabej” Gjirokastrë, prof. Gëzim
Basha, Pedagog i Letërsisë Moderne në Universitetin Wisconsin, SHBA, si dhe nga
dr. Henri Çili - një figurë e njohur
në sferën akademike dhe publike në Shqipëri, me një karrierë të mirënjohur si
themelues dhe drejtues i Universitetit Europian të Tiranës dhe botues i këtij vëllimi
poetik të jetës së autorit Zogaj. Ai u prit siç pritet miku fisnik nga vetë
Rektorja e Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë, prof.dr. Aurela Saliaj,
nga Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane, prof.dr. Ronad Zisi, ish - Rektor
i Universitetit tonë, studiues i njohur i Letërsisë shqipe, nga pedagogë e mësues,
studentë e nxënës të shkollave të mesme të qytetit, poetë, shkrimtarë dhe
artistë, Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” Vlorë, gazetarë, intelektualë
dhe dashamirës të poezisë së tij.
Veprimtaria, që u
zhvillua në
sallën “Ali Asllani” të Universitetit pati pjesëmarrje të madhe,
seriozitet, vëmendje dhe interes të dukshëm, që u vërejt në diskutimet,
pyetjet, përgjigjet dhe mesazhet që u përcollën, në
vlerësimet për “Pasqyrën e mëkatit” si vëllimin poetik të jetës letrare
40-vjeçare të lezhjanit tonë 67-vjeçar, ndjenjathellit e mendimurtit të
përmasave kombëtare Preç Zogaj.
E zonja e shtëpisë, Rektorja e Universitetit
“Ismail Qemali”, prof. dr. Aurela Saliaj e përzëgoi autorin për vlerat që i lë
letërsisë shqipe dhe vlerësoi dëshirën e tij për ta sjellë më pranë të rinjve,
pse jo për t’i nxitur që edhe ata të lexojnë dhe shkruajnë poezi. Pas
paraqitjes së jetëshkrimit letrar të autorit Zogaj që bëri znj. Deliana Proj, njohjen
me veprën letrare dhe autoritetin krijues të poetit e bëri dr. Henri Çili,
botues i “UET” PRESS, ndërsa një vështrim analitik të thukët e bëri prof. Gëzim
Basha - një njohës shumë i mirë i veprës së autorit Preç Zogaj, ardhur
enkas nga Amerika.
Takimi vijoi në formën e një
bashkëbisedimi të dëlirë midis autorit dhe pjesëmarrësve në sallë, i moderuar
nga përgjegjësja e Departamentit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në Fakultetin e
Shkencave Humane të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë prof. as. dr. Monika
Hasani Hoshafi.
Pjesë e diskutimit mbi natyrën, stilin,
karakteristikat dhe elementët e veçantë të poezisë së Zogajt, të prodhuar në
trajektoren e 40 viteve gjatë periudhave të ndryshme të jetës sa tij, u bënë nga
pedagogët dr. Ermir Xhindi - kritik i njohur dhe mendimtar letërsie, nga dr. Edlira
Çerkezi, pedagoge letërsie në departament dhe Msc. Albert Habazaj, përgjegjës i
Bibliotekës shkencore dhe kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve
“Petro Marko”, Vlorë.
Nuk e quaj të udhës të flas për mjetet
letrare e stilistikore të poetit, veçoritë e profilin letrar të Preçit, ngaqë
nuk dëshiroj të përsëris ato që dihen apo atë që e kanë bërë të tjerët më mirë
se sa unë, as të përshkruaj çfarë folën lektorët seriozë të asaj veprimtarie
mbresëlënëse në Universitetin e Vlorës, sepse poezia e zgjedhur e Zogajt është
e mirëpritur nga lexuesi i çdo moshe. Ajo rron se mbushet sa te thjeshtësia e
autorit, tek kultura e tij e plotë, sepse i ka rrënjët në gurrën e kulluar
popullore dhe trupin e fortë, degët me lule me aromë të këndshme, ndaj gjethet
poetike i çelin të reja në çdo poezi, të tijat, origjinale, të freskëta, të
pastra, të kaltra, të shëndetshme, të dobishme, me frymë moderne e fytyrë
qytetare, me eshtër kombëtare, me vlera artistike
dhe estetike të larta. Se është poezi e vlerësuar, prandaj e ka vendin sipër,
tek poezia e mirë shqiptare, që lexohet me ëndje dhe dëshirë, se ka art të
bukur dhe mesazhe të larta humane. Dhe për këtë i shprehim mirënjohjen e gjithëkohshme
poetit lezhjan, që është edhe nga Vlora, edhe nga Elbasani, edhe nga
Gjirokastra, edhe nga Tropoja, edhe nga Tepelena, edhe nga Skrapari, edhe nga
Durrësi, edhe nga Shkodra, edhe nga Gjakova, edhe nga Skrapari, edhe nga
Saranda edhe nga Ulqini, edhe nga Fieri, edhe nga Korça, edhe nga Pogradeci,
edhe nga Mirdita, edhe nga Dibra, edhe nga Preveza... Ai vërtet vjen nga areali
poetik i Lezhës, por tashmë i përket poezisë shqipe. Poezia e Preç Zogajt është
Karta e Identitetit të Dashurisë Njerëzore, në të gjitha kuptimet dhe
shkallëzimet e mrekullueshme që rrok hapësira e kësaj fjale; është Pasaporta e
Mirënjohjes Dritërore në të gjitha virtytet bujare që rrok organigrama e këtij
visari shpirtëror. Sikurse në jetën e përditshme aktive të këtij personaliteti,
këto cilësi që shpreha e vërejmë “Në çdo
pasqyrë na sheh mëkati”, librin 550 faqsh me poezitë e zgjedhura të 40 viteve: 1984-2024, duke iu qasur
tematikave të larmishme, me ngjyra të ngrohta dhe të ëmbla, me fuqinë e
imazhit, të tejdukshme, të paububushme, me gjuhën e ndjerë të një poeti të
vërtetë dhe për të vërtetën, një pjesë e
tyre botuar për herë të parë. Ai është një poet i lindur, por ka ditur ta mbajë,
ta ruajë dhe t’i shërbejë si duhet shëndetit letrar, duke lexuar e krijuar vijueshëm
e përditësueshëm letërsinë më të mirë botërore dhe shqiptare, duke krijuar
stilin e tij, gjuhën e tij për poezinë gjithmonë të re, që, si një mjeshtër i
artit të fjalës, di ta përcjellë realitetin jetësor në të gjitha këndvështrimet
e mundshme, me të gjitha ngjyrat e dukshme dhe të padukshme, me gjerësi e
thellësi metaforike në vargje lakonike, me trishtim e optimizëm, bukur e me dhembje,
me dashuri dhe plagë, të bekuar nga humanizmi letrar, estetik dhe religjioz, në
ballë të luftës së pambarimtë të së resë me të vjetrën, pa u dukur, pa u
mburrur, që unë jam ai luftëtari përparimtar.
Vargjet
e Zogajt të ngelen në mendje, sepse kanë shumë kuptime, të fusin në mendim dhe
të frymëzojnë të bëhesh i mirë, i bukur dhe i dobishëm edhe në vjershërim, sepse
siç u shpreh studiuesi i tij G. Basha “Përmbledhja
e poezisë së zgjedhur të Preç Zogajt është një kaskadë gjuhësore mahnitëse dhe
manifestim i plotë i maturisë estetike, që konfirmon jo vetëm vendin e autorit
në hierarkinë kanonike të poezisë shqipe, por edhe kapacitetin e sotëm të
shqipes për ta mbërrirë sublimimin poetik me spontanitet fluid”.
Atë ditë, tek “Ali Asllani” në
Universitet, në fjalën time të vogël për nderim të Preçit tonë të
madh, si njeri, si mirësi, si letërsi artistike dhe estetike, si standard i
lartë intelektual dhe qytetar, gazetar, politikan e shtetar, i urova me zemër
mirëseardhjen në Vlorë dhe në emër tim, edhe të poetëve të Vlorës, që e
vlerësojnë dhe e nderojnë. Ai ka arritje në poezi, sepse mbështetet me elegancë
në folklor, pa u zënë në befasi nga folklorizmi, sepse pi ujë të kulluar nga
gurra dhe i shijon. Dhe vijon Udhëtimin shkrimor e poetik në këmbë, me
dinjitet, me emrin e tij të përveçëm. Por, si mund ta harrojmë ne që Preç Zogaj
tha ato fjalë aq të mira dhe na vlerësoi shumë Ali Asllanin dhe Fatos Arapin e
mua m’u bë zemra mal. Ai kujtoi engjëllorin Ndoc Gjetja dhe Rudolf Markun
modern, duke u treguar pa u dukur një shembull i shkëlqyer i Mirënjohjes. Në
parantezë, vlen të theksoj se Universiteti ynë ka krijuar një traditë të mirë për
paraqitjen e poetëve më në zë para studentëve tanë, kolegëve të penës dhe miqve
të shumtë. Kemi bërë përurime të autorëve të njohur si Rudolf Marku, Mero Baze,
Vllasova Musta, Daut Gumeni, Odise Kote, e do ta vijojmë me dëshirë e mirësi
stafetën, krahas autorëve tanë të Vlorës, patjetër.
Para auditorit të përzgjedhur e
shumë të interesuar, përmenda faktin, që unë kam nga Lezha tash e gjysmë
shekulli Tonin Nikollin, vëllamin tim jo vetëm poetik dhe i kujtova, që ai,
burri i lartë Preç Zogaj, sikurse Petraq Risto e Xhevdet
Shehu, janë treguar dashamirës me ne, kur, në
rininë e hershme studentore, apo më herët si nxënës të blertë në Tiranë, na botonin shkrimet e vjershëzat tek “Zëri i Rinisë” mua, Odise Kotes,
Toninit, Adrian Lagjit, si letrarë të rinj të atyre viteve...
Ndërkohë, ne në Vlorë, ndihemi mirë dhe
bëhemi besimtarë shpirtërorë te shenjtëria e trinisë. Ku e kam fjalën. Fatmirësisht,
na kujtohet, që nga tre qytete të vegjël “provincialë” si Lezha, Tropoja dhe
Tepelena dolën nga tre trima atë poezisë së re, dhe, përkatësisht nga Lezha:
Ndoc Gjetja (dritë kujtimi!), Rudolf Marku e Preç Zogaj, nga Tropoja Hamit
Aliaj (dritë!), Ndoc Papleka e Skënder Buçpapa, nga Tepelena Petrit Ruka dhe
Qazim Shemaj (dritë u pastë kujtimi), si dhe Iliran Zhupa, të cilët tronditën
“bablokët e metropolit”, u hëngrën arrët ujqërve të Tiranës dhe qyteteve të mëdha…
edhe pse nuk mund të pranohet si term akademik, 3 Trinitë themeluan shkollat
poetike të Lezhës, Tropojës e Tepelenës, pa le të bëhen xhelozë “të rëndët”…
Ne kemi Poetin e Vlorës, Hiqmet
Meçaj e “Tokës së pagjumë”, identitarin
tonë të ndritshëm në rrafsh kombëtar, i cili u shfaq lart qysh nga viti 1963,
që në vitin 1983 fitoi çmimin kombëtar “Libri më i mirë poetik i Vitit”, që pati shumë, shumë
dashamirës, por patjetër edhe ca të verbuar nga ligësia dhe paaftësia. Sikurse
3 lezhjanët, 3 tepelenasit, 3 tropojanët, edhe Hiqmeti Ynë na frymëzonte shumë
dhe na frymëzon, aq më tepër për sfidat e tij nëpër dallgët dhe furtunat e
kohës, që ka përballuar me stoicizëm, deri sot në moshën 81-vjeçare...
Shkurt, atë ditë me Preçin u kënaqëm
dhe mësuam shumë. “Është
gëzim për mua, kur shoh Poet Preçin midis jush! Është bukur, kur Universiteti
juaj bëhet zëdhënës i Shkrimit dhe Shkruesit! Është lumturi kur shoh Bashkimin
Poetik të krijuesve shqiptarë”, më shkruan Tonin Nikolli nga Zvicra. “Takim
mbresëlënës me mjeshtrin e poezisë shqipe, poetin Prec Zogaj në Universitetin “Ismail
Qemali” Vlorë, u shpreh poeti dhe shkrimtari Eqerem Canaj, sekretar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë. “Ishte një ndër
takimet më moderne të kohëve të fundit, duke u nisur nga mënyra e organizimit,
etika organizative dhe respekti që z. Preç imponon me atë çka prezanton në
krijimtarinë e vet shumëplanëshe” tha mësuesja e devotshme dhe poetja e njohur
e Vlorës Anila Toto.
Dhe në fund të këtij takimi me
vlera, si qershia mbi tortë u regjistrua në kujtesën e Universitetit dhe të
Vlorës së kulturës edhe një kujtim i bukur i poetëve vlonjatë me poetin e
njohur shqiptar Preç Zogaj, pas përurimit të vëllimit poetik “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati” në
sallën “Ali Asllani”, Universiteti “Ismail Qemali”,
Vlorë, e premte, 10.01.2025:
Nga e majta në të djathtë: Ergys Alushi, dr. Aleksandër Çipa, prof. Gëzim Basha, Anila Toto, prof. Aurela Saliaj (Rektore e Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, dr. Henri Çili (botues,
themelues dhe drejtues i UET), Preç Zogaj, Eqerem Canaj, Ruzhdi Bajrami, Elma Rama dhe Albert Habazaj.
Faleminderit, Rektore për këtë
mundësi që na dhe, që solle Poetin Preç Zogaj në Vlorë!