Kulturë
Bedri Tahiri: Kush nderon historinë, krijon ardhmërinë!
E shtune, 11.01.2025, 09:05 PM
AMANETI I BREZAVE
Kush nderon historinë, krijon ardhmërinë!
Hartë
e Atdheut të shqipeve e qepur me fije gjaku: Drenica-Artakolli-Qyqavica!
Nga
Bedri Tahiri
Sa
herë ndizej zjarri liridashës në Drenicën heroike e përcëllonte edhe Artakollin
kryengritës. Një melodi e ndërsjellë. Mbase vetë Orët e Qyqavicës mitike ua
kishin përcaktuar fatin e përbashkët. Këtë më së miri e dëshmon historia, e
djeshmja dhe e sotmja. Mbase, edhe e ardhmja.
Dhe,
përherë tok; në kohën e Azem Galicës, në kohën e Shaban Polluzhës, në kohën e
Adem Jasharit.
Të
parët tanë historinë e shkruan me gjak dhe na e lanë amanet këtë copë Atdhe,
mbushur me varre, me beteja, me ngjarje, me këngë...
Një
Atdhe mbushur me Lisa të pamposhtur, që me suksese u përballuan stuhive
shkatërrimtare!
Ngjarje
e paharruar ka mbetur edhe e marta e zezë e 18 tetorit 1920, kur togu ndëshkues
ushtarak serb, i udhëhequr nga krimineli Rashë Pantiqi (i njohur edhe si kapiten
Rasha, i cili, që nga vitet 1910-1912, i njihte mirë këto fshatra, ngase kishte
lëvizur këndej pari, me hartë në dorë, duke u paraqitur si mysliman i
Sanxhakut), pas humbjeve të mëdha në Qyqavicë, nga luftëtarët e Azem Galicës,
ndërmori aksionin hakmarrës të quajtur Yrrëfije, ku mblodhi 84 veta nga
fshatrat e Artakollit dhe ashtu duarlidhur i pushkatoi, aty ku ditë më parë
kishin humbur betejën, në Rogën e Vjedullave në Qyqavicë (sot Vorret e
Qyqavicës).
Atë
ditë, nga Strofci u vranë 21 veta, në mesin e tyre, katër të familjes së njohur
të Bajraktarit të Strofcit (Bajram Hasanit, që ishte i vetmi bajraktar në
Artakoll).
Pra,
nga kjo derë e njohur atdhetarësh e bujarësh, u pushkatuan tre vëllezër: HASAN
BAJRA- HASANI (Luftëtar i shquar, në betejën e Merdarit të vitit 1912 (ku mori
një plagë), pastaj në Shkup, në marshimin e kryengritësve të prirë nga i madhi
Hasan Prishtina, i akuzuar për vrasjen e popit të Prilluzhës (1917) dhe
pjesëtar i zëshëm në Çetën e Azem Galicës), HYSEN BAJRA- HASANI, SELMAN BAJRA-
HASANI dhe nipi i tyre ZYMER SEFERI- HASANI.
Ky
Lis degëshumë e rrënjëthellë, sot pushon nën Lisin shekullor që përkujdeset si
Ogurbardhë në varrezat e Strofcit.
Lisi
nën Lis! Apo, më mirë: Lisat nën Lis!
Një
amanet trashëguar nëpër breza.
Dhe,
këtë amanet historik e mitik, që vath në vesh e kishte bartur Bajrami (djali i
Hasanit, bashkëluftëtarit të Azem Galicës), e realizoi i biri, mësimdhënësi Kadri Hasani!
Bajrami
qe një burrë që nuk ia hante dot qeni shkopin. Valët e jetës e hodhën
andej-këndej, por qëndroi vertikalisht. Vetë e kishte përjetuar rrugën e
shtruar me hithra të shpërnguljes për në Turqi, por fati e kishte mëshiruar nga
shkretëtirat e Anadollit, dhe gjashtë vjet kishte qëndruar në Shkup e pastaj qe
kthyer në Kosovë për të rinisur mëkëmbjen.
Ai
kishte amanete të shumta, por si lajtmotiv të shndërruar në ideal jetësor
kishte NJË: Këta katër burra dhe të dy motrat (njëra në Abri e tjetra në
Druar), që po ashtu ishin vrarë nga plumbi i hasmit shekullor (serbit), por
edhe të gjithë të vrarët nëpër luftëra e beteja, të mos treteshin në pluhurin e
harresës, por të përkujtoheshin, të shënjoheshin, të ringjalleshin...
Kështu,
pas më shumë se një shekulli, u vendos kjo Pllakë e përbashkët dhe katër të
tjera për secilin varr, me vlera të mëdha historike- kombëtare, që unë po i
quaj SHENJA TË SHENJTA! Po i respektuam këto SHENJA TË SHENJTA, kemi respektuar
historinë tonë kombëtare qindravjeçare, e cila me luftën e lavdishme të
Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kurorëzoi synimet tona ndër breza dhe sollën
LIRINË!
Këto
Shenja të Shenjta flasin shumë! Këto janë histori e shkuar historisë!
Vallë, kjo punë e mirë dhe e mbarë, a duhet të
reflektojë edhe në ndërgjegjen e atyre që u takon (pushtetarëve) për një Pllakë
a Monument përjetësie edhe në vendin e ngjarjes, në Qyqavicë!
Pa
koment! Historia mban shënime dhe nuk falë askënd! I papërsëritshmi Hasan
Prishtina këshillonte që të ruhemi nga mallkimi i historisë!
Epo
nuk thuhet kot: Kush nderon historinë, krijon ardhmërinë!
Të
lumtë Kadri Hasani për këtë vepër pavdekësie!
Lavdi
e respekt për të gjithë të rënët të asaj dite dhe të të gjitha periudhave
historike!
Strofc, 10 janar 2025