Kulturë
Kadri Tarelli: Çamëria në përjetimet e shkrimtarit Hamit Gurguri
E marte, 07.01.2025, 07:56 PM
Magje e braktisur, çati e rënë dhe një copëz qiell i vetmuar, i ngrënë, i vrarë. Era fryn nëpër shkurre, mbi gurë të latuar dhe puse të harruar, mbi trarë të përmbysur në këtë shembje të jetës dhe të botës, në Çamëri - Luan Rama
NJË
ÇAM, TEK GURI POLAR...!
Çamëria
në përjetimet e shkrimtarit Hamit Gurguri
Nga
Kadri Tarelli
“Në 100-vjetor të dëbimit të dhjetëra mijëra
shqiptarëve çamë për në Turqi, që Greqia i ndërroi me grekë nga Azia (1923-25).
Në 80 vjetor të dëbimit të 23.000. çamëve në Shqipëri (1944-45).
Të mos harrohen......!”.
Me këto fjalë, Hamit Gurguri, shkrimtari nga Drenica
Dardane, tashmë prej kohësh banues në Suedi, e fillon romanin “Çami, tek guri
polar”. Libër që të djeg duart, si prush i zbuluar nga hiri i kohës, ku fjalët ngrenë
zërin, ngrijnë zemrën, trazojnë mendjen, mpijnë gjymtyrët e ngjethin trupin e
çdo lexuesi, pavarësisht se cilit komb i përket, aq më thërres për ne
shqiptarët. Në të ka shumë ofshama, dhimbje, tmerre, vrasje, djegie, largime,
shkëmbime e mashtrime, të një populli të tërë, që thërret e kërkon
drejtësi......! Vallë do ta dëgjojë “Evropi” dhe nëpunësit e saj të kollarisur......
dhe, a do të pendohet për ç’ka bërë vite më parë....!? Nuk besoj........!
E trishtueshme të filloj librin me këto fjalë: “Dikur
në antikë, dënimi më i rëndë ishte mërgimi, .......! - thotë Naumi. Janë
pak fjalë, por me peshë të rëndë, që mbartin mbi shpinë filozofinë e shekujve, si
mallkim që na ndjek ne ilirianëve nga moti në mot, aq sa nuk po gjejmë qetësi,
madje më shumë sot. Së shumti nga fqinjët, por ca më shumë edhe nga vetvetja.
Këtë plagë të madhe, autori e sjell nëpërmjet
historisë dhe rrëfimit letrar. Ndërsa unë dhe kushdo si unë, do të pyesë: - Pse
autori na kujton një fjalë të hershme sa vetë jeta? Mos ka lidhje me jetën dhe
mbijetesën e kombit tonë, që vlen edhe për kombet e tjerë, që mund të kenë
pasur të njëjtin fat......!? Po pisha e mbirë përmbi gur, me rrënjët e dala, si
brinjë skeleti, që përqafojnë dhe shtrëngojnë gurin si mburojë, ndoshta si fuqi
mbijetese, apo si forcë ngadhënjimi të jetës mbi vdekjen dhe harrimin.....!?
Pisha e vendosur mbi ballinë të librit është gjetje
e bukur artistike, si fotografi apo si pikturë, po me Naumin, çamin Epirot
ç’lidhje ka? Ç’kumt kujton dhe përcjell? Mos vallë ky është portreti i
mërgimtarit të shkulur nga vendlindja dhe në vend të huaj mbetet rrënjë
jashtë.....!? Unë përgjigje nuk pres. Gjithsecili le të futet në sinorët e
imagjinatës, duke kërkuar përgjigje në fletët e këtij romani të çuditshëm.
Lexuesi, gjatë këndimit do të vërë re se libri
shtrihet në dy kohë dhe në dy vende të ndryshme, madje shumë larg njëri-tjetrit,
siç është Çamëria, Epiri dhe Suedia. Është zgjedhja e autorit, për të përballur
dy kultura, dy qëndrime, dy përkujdesje ndaj njeriut..... Etj, etj. Mbase për
të thënë se malli për mëmëdhenë djeg njësoj, edhe kur je shumë larg......!
Pjesa e parë i kushtohet Çamërisë dhe problemeve të
saj të trazuara, të thyera, të shqyera, të ngatërruara, ku përplasen dy
popuj, grekët dhe shqiptarët çam, që në
shekuj kanë jetuar së bashku, pa grindje dhe luftëra mes njëri-tjetrit. Sherri
dhe lufta mes tyre filloi pas Luftës Ballkanike, kur edhe u vendosën kufijtë
mes shteteve. O Zot, ç’pësuan shqiptarët...........! Lexoni dhe do të
bindeni.....! Ngjarjet janë aq të ngjeshura, sa na duket sikur autori i
përjeton vetë, duke lëvizur nëpër shtigjet e historisë së gjallë të Çamërisë në
ato kohë të turbullta, që mos i provoftë kush!
Thirrja, O Zot, vazhdon, sepse pas afro 20-vjetësh, nis
lufta Italo-Greke dhe më pas me pushtimin e Greqisë nga gjermanët, gjatë Luftës
së II-të Botërore. Kohë kur arrestohet djaloshi gjimnazist Naumi dhe dërgohet në
kampet e punës, në Norvegji, bashkë me mijëra të tjerë.
Autori me copëza të shkurtra na rrëfen pamjen
tragjike të kombit shqiptar të mbetur brenda kufijve të një shteti tjetër. Është
historia e Çamërisë, si pjese e kombit dhe truallit Shqiptar, e ndarë
padrejtësisht nga trungu i Shqipërisë etnike, krahinë ku thika vrastare e
politikës Evropiane, e preu, duke përmbushur lakminë e fqinjit tonë jugor.
Çamëria e bukur mbeti jashtë kufijve tanë, si krah i thyer i shqiponjës
mbështetur në flamur.
Kam dëgjuar shumë rrëfime për Çamërinë, që në
fëmijëri, pasi kisha shokë, më pas edhe komshinj nga Çamëria, të ardhur rreth
vitit 1945, në Shqipëri, shumë prej tyre edhe në Durrës. Tregime që ngjasonin
me njëri-tjetrin, pasi ishte e njëjta tragjedi, me dy aktorë: populli çam që
dhunshëm detyrohej të linte vendlindjen shekullore dhe ushtarët grek që vrisnin
apo shponin me bajonetë pleq, gra dhe fëmijë. Mjerë ai popull që i përjetoi ato
dit plot tmerr e frike, të lagur me lot malli, dhimbje e trishtimi, si plagë që
dhemb edhe pas shumë vitesh. Rrëfimet mbeten si e njëjta pikturë, ngjyer me
gjak dhe baltë Çamërie. Ndryshonte vetëm autori dhe frymëzimi në bukurinë e
fjalës, ngjyrave, këngës vajtimtare dhe valleve.
Kam lexuar edhe libra historie, që me gjuhën e
ftohtë të letrës dhe dokumentit, flasin për ato ngjarje ngjyrë gri, ku ka luftë,
bisedime, vendime, fund lufte, dredhi, paqe dhe trazime, thjesht si ngjarje, pa
më të voglën ndjesi. E tillë është historia, për t’i lënë vendin artit dhe
shkrimtarisë, që të lundrojë në detin e trazuar të frymëzimit, me tregime,
novela, romane, piktura, drama e tragjedi për skena teatri, etj, etj.
Pikërisht këtu e ngul spirancën edhe shkrimtari ynë
Hamit Gurguri, i cili, si mjeshtër i rrëfimit, bashkon në një sofër historinë
dhe letërsinë, duke i shtyrë të përqafohen e të udhëtojnë ngjitur-ngjitur, në
misionin e përbashkët, për të përcjellë te lexuesi i shumtë, ato çfarë kanë
ndodhur e përjetuar popuj të ndryshëm, në kohë dhe vende të ndryshme. Është aftësia
e shkrimtarëve t’i ujdisin, t’i kolisin e stolisin ngjarjet, që lexuesi ta
përtypë, ta shijojë dhe ta përthithë historinë, duke u bërë pjesë, shpirtërisht
dhe fizikisht.
Kam përshtypjen se lexuesi, në këtë roman, duhet të
ketë pak zemrën e fortë dhe mendjen e ftohtë, pasi ngjarjet dhe ndodhitë janë
plot skena, ku lufta dhe vdekja, të ftuara nga politika, pa u tutur hedhin
valle mes gjakut e tmerrit, duke mos kursyer pleq, burra, gra dhe fëmijë. Rrëfimet
akuzojnë padrejtësinë...... ndaj një populli, jo pak por të banorëve të një
krahine të tërë, siç është Çamëria. Nuk ngul këmbë të mbetem këtu, pasi do më
jepni të drejtë, sapo të futeni në faqet e para të këtij libri magjik.
Nuk kam ndërmend të bluaj përmbajtjen, pasi nuk
është si kafe mëngjesi. Lexuesi le ta shijojë më nge, duke përjetuar ndodhitë
të shtruara si qilim i qëndisur jo me fije mëndafshi, por me gjemba gorrice,
apo thumba këpucari, që shpojnë sa herë të shkelësh dheun e rrahur e ngjeshur
nga shekujt. Ndërkohë po përpiqem të qëmtoj disa hollësi, për të kuptuar
bukur-mirë, (siç thonë në Dardani), thelbin apo kuptimin praktik e filozofik të
rrëfimit, jo si ngjarje, por si kumt që duhet shënuar e mbajtur mend, për t’ua
përcjellë brezave që mos harrojnë.
Libri nis me një shaka të çuditshme, aq sa mendova
se i gjithë libri ishte një limonatë e këndshme, thjesht për t’u argëtuar. Ushtarët
në front lufte, pranë qytetit të Izmirit. Ishte lufta Greko-Turke e vitit
1919-1922. Përballë dy ushtri, Greke dhe Turke, ku kishte edhe shumë shqiptarë,
dardanë në ushtrinë turke, epirotë (çamë) në ushtrinë greke. Kërciste pushka
dhe mitralozi, ndërkohë artileria gjëmonte në të dy krahët. Kohë dreke.
Përballë llogoreve, një pemëtore me qershi që skuqnin në rrezet e diellit. Në
libër, autori bën që të pushojë lufta për pak kohë, aq sa disa ushtarë, armiq
me njëri-tjetrin, të mblidhnin së bashku qershi për shokët e tyre të uritur.
Unë po e besoj, sepse kështu thotë autori. - Po a mundet të ndodhë.......? Pse
jo......!?
Fill pas këtij çasti beteja filloi më e ashpër, ku
pati shumë të vrarë e të lënduar. Dardanasi plagoset, ndërsa epiroti vritet. Ja
si shkruan autori:
- Sipas zyrtarëve të Mbretërisë së Greqisë, në atë
luftë u flijuan afro dyqindepesëdhjetë mijë ushtarë grekë, çamë dhe vllahë!
Medet, një çerek milioni njerëz të ri, siç ishte Naumi im! Shkruan Irena Naçi, personazhi i librit.
Këtu fillon vërtet romani, ku ngërthehet historia
dhe letërsia. Autori i njeh mirë të dy
fushat, ndaj lëviz lirshëm në të dy livadhet e tyre. Historia studiohet,
diskutohet dhe publikohet, por e ngjeshur me pak ose aspak personazhe, data dhe
vende, ndërsa letërsia lexohet dhe përjetohet, duke marrë me vete edhe të
dhënat e historisë. Këtu personazhet lëvizin nëpër skenën e jetës dhe
labirintet e historisë me plot të pa pritura, aspak të gëzueshme, duhet thënë
tragjike, siç është shkëmbimi i banorëve sipas përkatësisë etnike, vendosur në
Traktatin e Lozanës, Korrik 1923. Ndaj autori zemër thyer, shkruan: - “Deti
u bë në përjetësi edhe varri i tyre i prehjes. Deti u bë varrezë, por varret pa
emra, pa shenja”.
Një lloj djallëzie greke, që çamët e Çamërisë dhe
shqiptarët e Kosturit, të besimit myslyman, t’i quajë turq dhe t’i shpërngulë
nga trojet arbërore, në Anadoll të Turqisë dhe të sjellë në vend të tyre lloj-lloj
ortodoksësh, me gjasa si popull grek.
Autori me të drejtë ndalon e thekson: - “Ky rast,
më duket mua është ndërkombëtarizim i parë i problemit të shqiptarëve në Greqi.
Ndoshta përmirësohet pozita jonë në këtë shtet, të cilit aq shumë i dhuruam,
shumë keq u tradhtuam, u mashtruam dhe më së keqi e pësuam......". Por
ndodhi ndryshe.....! Vitet treguan se shpresat u venitën, madje u përkeqësuan.
Ballkani nuk gjeti qetësi, sepse pas pak kohe lufta mbaroi dhe filluan
bisedimet për paqe, pa ditur se një tjetër luftë do fillonte, ende pa mbushur
20 vjet.
Po mjaftohem të citoj pak rreshta nga libri:
........“Ja, kështu na vajti jeta ne shqiptarëve: ti
për grekun, unë për turkun, ndërsa atdheu ynë i përgjakur nën këmbë të huaj...
I copëtuar, në robëri, çdo ditë me vragë e varrë na përgjaket... Vallë çfarë
gabimi, apo çfarë gjynahu bënë ata para nesh?”....
Në këtë udhë mendimi, unë bashkohem me autorin, ndaj
jam i detyruar të shtoj me dhimbje: - Ç’gabime bënë të tjerët më
pas........!?
Shtyhem të pyes kështu, sepse pak vite më
vonë, filloi lufta Italo-Greke, e viteve 1940-1941, ku përsëri u vunë përballë
shqiptarët e Shqipërisë me shqiptarët e Çamërisë. Dhe pas lufte, ndodhi tragjedia:
Shpërngulja me dhunë e mijëra çamëve të Epirit, drejt shtetit të Shqipërisë. Për
çudi, historia përsëritet më tej, për fat të keq, nën shembullin grek, rreth 60
vjet më pas, në vitin 1998-1999, ushtria serbe dëboi mijëra dardanas nga
Dardania. Ishte ndërhyrja e fuqive të mëdha të botës, dhe qëndresa e UÇK, që u
ndal kjo tragjedi e re mbi shqiptarët. Dardania fitoi mëvetësi. Sot është e Mosvarme.
........“E, diku, në kabinete e kancelari i bënin
hartat e reja, kufijtë e rinj, fatkeqësitë e gjakderdhjet e reja... - Paj, ata
atë punë kanë....!?”, thotë diku autori.
Duke kënduar librin, mendoj se kam të drejtë të ndaj
lexuesin në dy grupe, pasi kemi të bëjmë me roman historik:
- I pari grup është njohës i historisë, që nuk çan kokën
për data, bisedime dhe vendime. Përjeton ngjarjet, gëzon, trishtohet, vuan e
vajton bashkë me personazhet. Diku edhe shan e mallkon shkaktarët......!
Grupi i dytë, që ka pak njohje, vuan dy herë:
Si fillim, vuan për të njohur e fiksuar historinë,
që lëviz sipas ligjeve të veta pa pyetur për dëshirat e njerëzve, as për pasojat
që pësojnë popujt. Historia nuk bëhet me “sikur”. Ndryshe do ishte vetëm
frymëzim letrar.
Më tej, ashtu si lexuesi i parë, vuan bashkë me
personazhin dhe fatin e tij. Mallkon dhe i përjeton ngjarjet, gjatë dhe, pasi
mbyll faqet e librit.
Nuk kam dyshim se kushdo si unë, vlerëson librin dhe
e përgëzon autorin, i cili nëpërmjet Irenës, si përkthyese e misionarëve të
dërguar nga zyrat e “Evropit”, bën një përshkrim të shkurtër me 15 pika, si përmbledhje e historisë së Epirit. Ku, si
fillim e nis që nga lashtësia: ? Historiani grek Tukididi, pas Luftës së
Peloponezit, la shënimin: - Kur forcat e Athinës hynë në Gjirin e Ambrakisë,
aty popullsia nuk fliste greqisht, por barbarisht, (pra gjuhë epirote). Më
tej vazhdon duke përfshirë emrat e personaliteteve dhe figurave më të
shquara që kanë lënë gjurmë në historinë e botës, që nga lashtësia, deri në
ditët e sotme. Faqe 29-33
Kjo zgjedhje e këtij materiali, ka një dobi të madhe
për lexuesin, pasi në një fletë letre, apo bllok shënimesh, mund t’i kopjojë
dhe t’i mbajë në xhep, në çantë apo në tavolinë, për të fituar kulturë
historie, më tej për t’i përdorur në biseda, diskutime, shkrime, mbase edhe
fjalime.
Besoj se nuk e teproj me vijueshmërinë e ngjarjeve
dhe marifeteve që bëjnë “nëpunësit”, apo emisarët e dërguar nga zyrat e
“Evropit”. Nuk janë as të parët as të fundit, për çka shohim e dëgjojmë edhe në
ditët e sotme, që po t’i vërrejmë hollë-hollë, ngjasojnë si vëllezër binjakë,
vetëm ndryshon emri, koha dhe vendi. Nëpunësit e ardhur, të cilët ne i presim
me buzëqeshje, i besojmë dhe i shikojmë në sy si shpëtimtarë, si “etalonë” të
drejtësisë, në të vërtetë na dalin me dy qëndrime, (populli i quan me dy
fytyra). Na hiqen apo shtiren si të paanshëm e parimorë, që do mbrojnë të
vërtetën dhe të drejtën, ndërsa pas shpine, kur mbyllen bisedimet dhe merren
vendimet, i kanë ngulur thikën pas shpine popullit dhe kombit shqiptar, kështu
edhe popujve të tjerë. Dhe ne mbetemi me pyetjen në gojë: Si ka mundësi.....!?
Ndaj autori vikat: - “Ecni, shporruni nga Janina, nga Epiri, nga Çamëria e
përgjakur nga ato duart tuaja, që shekujt nuk mund t’i lajnë... Ju i dëbuat, ju
u ndihmuat grekëve që ta përfundojnë punën e gjakpirësve të shqiptarëve të
Çamërisë dhe të tërë Epirit........!”.
Kam përshtypjen se në këtë pikë, romani ta mbush
mendjen më mirë se një tekst historie, pasi ka lëng jete që rrjedh në çdo faqe
të tij. Një vlerë e shtuar më shumë për autorin Hamit Gurguri.
Ndryshe lexohet e përjetohet pjesa e dytë e romanit,
ku heroi kryesor është çami Epirot, Naumi. Kërshëria të ndjek në çdo faqe: - Vallë
si do të vazhdojë jeta e tij....? - A do shpëtojë gjallë nga kampet “naziste”,
ku jeta dhe vdekja flinin pranë e pranë....! Ngjarjet janë tronditëse, por ata fituan
e shpëtuan, duke pyetur veten: - “Çka do bënin dhe kah do t’ia mbanin tutje
në liri......?”
Është folur e shkruar shumë për kampet naziste të
punës, ku në atë tablo të përgjakur, çdo autor sjell copëza të veçanta, që i
japin jetë - jetës dhe ndriçim e dritë zymtësisë së kohës. Ndërsa romani ka
hyrë në shtratin e vet, ku ka pak histori dhe më shumë jetë në lëvizje drejt
lirisë dhe mbijetesës, ku vendosmëria dhe guximi i hyjnë aventurës, për të
fituar lirinë, pavarësisht se mund ta paguanin me jetë, siç edhe ndodhi me
shokët e Naumit, kur mësynë gardhin me tela dhe u nisën drejt të panjohurës.
Të panjohurën, (natyrën e ashpër të alpeve të
Suedisë, bashkuar me të ftohtin polar), autori e njeh mirë, pasi ka shumë vite
që jeton aty, madje në skajin më verior të atij vendi magjik. Po aq mirë njeh
edhe mikpritjen dhe dashurinë njerëzore të atij populli fisnik. Mbase ka mbresa
nga përvoja vetjake, kur la Drenicën dhe u vendos në Suedi.......! - Ku i
dihet.....! Por unë besoj...!
Kështu që, autori e ka të lehtë të lëvizë Naumin dhe
pesë shokët që shpëtuan nga arratisja, në ato vise, fshatra dhe qyteza me
tradita dhe kulturë të ndryshme nga mesdhetarët. Ja si shprehet Naumi: - “Dola,
si po më duket tani, lehtë nga skëterra e robërisë naziste... Këtu hasa në
njerëz... në një vend ku çmohet njeriu... U bëra pjesë e një familje...! Ai
popull meriton nderime dhe lëvdata pa fund. Ndaj ngulmon: - “I bëri nderë
një vend, që rrallë e kishte parë në hartë. Vala e luftës e solli e...!”, - shkruan
autor Hamit Gurguri.
Në rrjedhën normale të jetës në atë vend të largët,
ku koha lëviz qetësisht, romani ndjell kërshëri, por pa tmerre e fatkeqësi.
Naumi u shkollua, u diplomua inxhinier, filloi punë, u dashurua dhe krijoi
familje. Çdo fjalë është e tepërt kur lexojmë: ? “Naumi im... Epiroti im...
Shqiptari im... Ylli im polar... Jam vajza më e lumtur... U bëra nusja më e
lumtur në Luleo... Nuk e mendoja kurrë, më pak e prisja... Një qytet ishte sot
me ne”.
Dhe më tej: - Gjatë tërë ceremonisë, Naumi ishte
i përlotur. Kishte mall për atdhe, për gjyshen që nuk ishte më... Nuk kishte
aty askënd të afërm... Megjithatë ndjehej i lumtur në mes atyre njerëzve që
gëzoheshin, këndonin e vallëzonin në atë acarin e dimrit... Festonte pothuaj
një qytet për një të panjohur...!
Rri dhe mendoj enigmën e pishës rrënjë dalë......!
Pyes lexuesin e vëmendshëm, si mendon, e zgjidh dot
të panjohurën!? Apo ndjen dhimbje për fatin e këputur të mijërave shqiptarëve
që enden nëpër botë dhe në fund mbeten pa rrënjë, si shpërblim pa varr, ose me
varr të harruar, nga koha mbuluar......?
Urime dhe suksese i nderuar Hamit Gurguri! Ke
shkruar një roman me vlera njerëzore dhe atdhetare, që duhet kënduar me kujdes
dhe qetësi.
Kadri Tarelli
Durrës. Fund dhjetori,
2024.