Kulturë
Ismet Salihu: Libër - Monument i përjetshëm dedikuar atdhetarëve që u flijuan për Çlirimin e Kosovës
E marte, 07.01.2025, 07:58 PM
LIBËR - MONUMENT I PËRJETSHËM DEDIKUAR QINDRA E MIJËRA ATDHETARËVE SHQIPTARË, QË FLIJUAN EDHE JETËN PËR ÇLIRIMIN E KOSOVËS
Prof.
Dr. Sabile Keçmezi Basha: Ekzekutimi i
shqiptarëve nga OZNA dhe UDB-ja jugosllave (1944-1945), Prishtinë, 2024
Nga
Prof. Dr. Ismet Salihu
Autorja
prof. dr. Sabile Keçmezi Basha, gjatë studimit disavjeçar, ka hulumtuar një
temë, një çështje jashtëzakonisht të rëndësishme në aspektin historik, human,
moral dhe, mbi të gjitha, patriotik. Në këtë studim, në këtë libër voluminoz,
në baza shkencore, opinionit shqiptar ia prezanton biografinë dhe veprimtarinë
e qindra e mijëra aktivistëve dhe patriotëve shqiptarë që gjatë këtyre 100
viteve të fundit u sakrifikuan për çlirimin dhe formimin e shtetit shqiptar.
Këta veprimtarë përgjatë shekullit XX nuk e ndërprenë aktivitetin dhe luftën e
tyre për çlirimin e dy të tretave të tokave shqiptare, të cilat padrejtësisht
mbetën nën juridiksionin e shteteve që u kufizuan me Shqipërinë.
Studimi
i prof. dr. Sabile Keçmezi- Bashës, veçmas është me rëndësi, ngase, me prova e
fakte të pamohueshme shkencore, ia prezanton publikut përpjekjet, luftën si dhe
sakrificën e popullit tonë për çlirimin e dy të tretave të tokave shqiptare, të
cilat mbetën nën juridiksionin e ish-republikave të ish-Jugosllavisë: Serbisë,
Malit të Zi, Maqedonisë, por edhe nën shtetin grek.
Në
epiqendër të luftës për çlirimin e territoreve shqiptare, në studimin e autores
Basha, me arsye vend qendror zë veprimtaria e atdhetarëve shqiptarë që përpoqën
për çlirimin e Kosovës nga pushtimi jugosllav e serb.
Me
të drejtë autorja Keçmezi-Basha, pas prezantimit të shkurtër të gjendjes së
shqiptarëve të Kosovës së okupuar nga Mbretëria e jugosllave, që nga përfundimi
i Luftës, në vitin 1918, në epiqendër të studimit ka paraqitur pozitën e
Kosovës gjatë periudhës 1945-1948. Kjo periudhë është një ndër periudhat më të
rënda e më të vështira të popullit shqiptar. Me prova bindëse, autorja e
prezanton Kosovën dhe popullin e saj shqiptar në vigjilje të përfundimit të
Luftës së Dytë Botërore, veçmas tradhtinë që iu bë popullit shqiptar të
Kosovës, e cila u manifestua në Mbledhjen e Dytë të Këshillit Nacionalçlirimtar
të Kosovës, mbajtur në Prizren në vitin 1945, kur gjoja “me dëshirë të
popullsisë së saj, Kosova i bashkohej Serbisë federale në kuadër të Federatës
jugosllave”.
Për
ta kundërshtuar këtë riokupim të Kosovës, populli shqiptar, shumicë dërrmuese i
Kosovës, gjatë pesëdhjetë vjetëve në vijim, kurrë nuk e ndali rezistencën në
mënyra të ndryshme.
Në
rrjedhën e rezistencën, nga intelektualët dhe patriotët shqiptarë, gjatë tërë
këtij gjysmë shekulli, u formuan dhe vepruan pandërprerë organizata të shumta
ilegale shqiptare, të cilat në programin e tyre politik të përbashkët e patën
çlirimin e Kosovës nga okupimi i Serbisë. Kjo rezistencë dhe ky aktivitet i
patriotëve shqiptarë për çlirimin e Kosovës nga okupimi jugosllav dhe serb ishte jashtëzakonisht i vështirë dhe me
sakrifica të shumta.
Këtë
rrugëtim të vështirë dhe me sakrifica të veprimtarëve dhe patriotëve, autorja
Keçmezi- Basha e prezanton me fakte dhe kundërveprime të okupatorit serb, i
cili i arrestoi dhe u shqiptoi dënime
drakoniane; deri me burgime të përjetshme, madje edhe me pushkatime pa gjyqe.
Përveç dënimeve drakoniane me burg, ndaj patriotëve shqiptar u zbatuan torturat
më barbare që njihen vetëm në historinë e burgjeve të shteteve më diktatoriale.
Pjesa
e dytë e librit të autores Sabile Keçmezi-Basha është pjesa më voluminoze dhe
dominante. Kjo pjesë mban titullin “BIOGRAFIA DHE VEPRIMTARIA E DISA
ATDHETARËVE QË U PUSHKATUAN NGA OZNA DHE UDB-ja JUGOSLLAVE”.
Në
këtë pjesë autorja për disa qindra veprimtarë, në mënyrë sublime dhe të
detajuar, prezanton vendlindjen, ditëlindjen, shkollimin, veprimtarinë
patriotike disavjeçare, organizimin e tyre në organizata ilegale, arrestimet
dhe dënimet afatgjata me burgim, madje edhe duke i varur e duke i pushkatuar.
Në këtë kapitull autorja Basha gjithashtu në mënyrë të veçantë e prezanton
sakrificën e numrit të madh të patriotëve shqiptarë, të cilëve u janë shqiptuar
dënimet me vdekje, të ekzekutuara me pushkatim. Gjithashtu, ka pasur raste jo
të pakta, kur të burgosurit shqiptarë janë pushkatuar edhe pa aktgjykime të
gjykatave.
Pjesa
e tretë të librit mban titullin “TË EKZEKUTUARIT SHQIPTARË NGA OZNA DHE UDB-JA
JUGOSLLAVE (1944-1990)”.
Autorja
Keçmezi-Basha, në bazë të hulumtimit të literaturës së gjerë, e sidomos pas
hulumtimit në arkivat e gjykatave dhe të dosjeve të policisë serbe në Kosovë
dhe burimeve të tjera relevante, me emër e mbiemër dhe vitin përkatës, në këtë
pjesë i prezanton 45.754 shqiptarë të vrarë. Nga ky numër, shumica dërrmuese
janë vrarë gjatë përfundimit të Luftës, përkatësisht gjatë viteve 1944-1945.
Këta në fakt ishin patriotë të shquar shqiptarë, të cilët me armë kundërshtuan
riokupimin e Kosovës nga Serbia.
Veçmas
duhet të theksohet se, edhe pas përfundimit të luftës, në përmasa më të vogla
vazhduan diskriminimi, dhuna, përndjekja dhe vrasja e shqiptarëve nga regjimi
serb. Kështu, autorja Keçmezi-Basha në këtë studim, me fakte dhe prova të
pamohueshme, e paraqet edhe numrin e vrasjeve, kryesisht të të rinjve
shqiptarë, në periudhën e pasluftës nga OZNA dhe më vonë nga UDB-ja. Kështu,
sipas të dhënave që autorja Keçmezi-Basha i thekson në këtë libër, nga OZNA dhe
nga UDB-ja jugosllave, në vitin 1946 janë vrarë 242 shqiptarë, në vitin 1947 -
141, në viti 1948 - 63 e kështu me radhë. Ndërkaq, gjatë dhe pas demonstratave
të vitit 1981, regjimi serb vrau demonstrues paqësorë. Kështu, gjatë
demonstratave të vitit 1981, vrau 25 të
rinj shqiptarë, sa vrau (pra 21 të rinj shqiptarë) edhe në vitin 1982. Kështu, UDB-ja
serbo- jugosllave ka vazhduar vrasjet deri në vitet ’90 të shekullit XX.
Përkatësisht në vitin 1990 ka vrarë 60 shqiptarë. Në mesin e këtyre të vrarëve
janë edhe Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla si dhe Kadri Zeka, të cilët u vranë në
Gjermani më 17 janar 1982, Metush Krasniqi, i cili u vra në vitin 1986, Nuhi
Berisha e Rexhep Mala, të cilët u vranë në vitin 1984 e shumë të tjerë, të
cilët të gjithë janë të evidentuar në librin e autores Keçmezi-Basha, me
ditëlindje, vendlindje, (aq sa ka mundur të siguroi nga dokumente arkivore),
aktivitetin e tyre si dhe dënimet me burgim dhe me pushkatim.
Sipas
të dhënave që prezantohen në studimin e autores Keçmezi-Basha, që nga viti 1946
deri në fund të vitit 1990, pra pas përfundimit të luftës, nga OZNA dhe UDB-ja
janë vrarë 920 shqiptarë. Në këtë numër të të vrarëve shqiptarë janë evidentuar
edhe 110 shqiptarë të vrarë gjatë shërbimit ushtarak në ushtrinë jugosllave.
Me
gjithë diskriminimin, aparteidin, dënimet me burgim e me pushkatim, si dhe
vrasjet e të rinjve tanë në ushtrinë jugosllave, populli ynë asnjëherë nuk e
ndali rezistencën dhe veprimtarinë në
mënyra të ndryshme, madje edhe me armë, gjatë gjysmë shekullit vijues, që nga
viti 1945. Kjo rezistencë dhe luftë për çlirimin e Kosovës në mënyrën më
sublime u manifestua edhe me luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të
Kosovës gjatë vitit 1998 deri më 12 në qershor 1999, kur një herë e
përgjithmonë Kosova, pas një shekulli robëri, u çlirua nga okupimi i Serbisë..
Në
fund të këtij vështrimi të shkurtër, duke pasur parasysh këtë libër voluminoz,
që është rezultat i hulumtimit shumëvjeçar të autores Sabile Keçmezi-Basha,
mund të konkludojmë se ky libër do të jetë një burim dhe prezantim shumë i
rëndësishëm për biografinë, veprimtarinë dhe sakrificën e qindra e mijëra
veprimtarëve shqiptarë, që e flijuan lirinë, por edhe jetën e tyre, për
çlirimin e Kosovës. Me botimin e këtij studimi do të plotësohet një vakum i
madh i historisë më të re të shqiptarëve të Kosovës dhe mbarë kombit tonë.
Shumë të dhëna, ngjarje dhe veprimtari të qindra patriotëve shqiptarë, që nga
viti 1944 deri në vitin 1990, të cilat janë të shkruara në këtë libër, do t’u
shërbejnë mësimdhënësve tanë në shkolla dhe universitete të Kosovës, që
gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme të pajisen me njohuri dhe dije për
historinë tonë, për rezistencën dhe për luftën e kombit tonë, duke e vlerësuar,
duke e ruajtur dhe duke e avancuar konsolidimin e shtetit të Kosovës e të
Shqipërisë. Njëherësh, me këtë studim, autorja Keçmezi-Basha e ka ndërtuar një
monument të përjetshëm për qindra e mijëra patriotë shqiptarë, që flijuan edhe
jetën e tyre për çlirimin e dy shteteve tona, të Kosovës dhe Shqipërisë, në
zemër të Ballkanit.