Kulturë
Albert Habazaj: Mero Baze vjen në Vlorë me atdheun e tij poetik
E merkure, 08.01.2025, 06:57 PM
MERO BAZE VJEN NË VLORË ME ATDHEUN E TIJ POETIK
Nga
Albert HABAZAJ*
Më
28 Tetor të vitit që përcollëm [2024] lexova këtë shënim lakonik në rrjetin e
Facebook-ut tek profili i gazetarit dhe publicistit të njohur, ing. Mero Baze:
“Nën
presionin disa vjeçar të Ilirian Zhupës, i cili qëmtoi një antologji të gjithë
poezive të mija, nga koha studentore deri më sot dhe nën mungesën e plotë të
mëshirës së Arben Bllacit, për të mos bërë asgjë që nuk do ai në libër si
redaktor, nga nesër libri im shpërndahet në treg. Pak a shumë i hidhur si
shkrimet”. U ndjeva i lumtur në
kub kur lexova këtë njoftim, i motivuar nga besimi tek autoriteti dashamirës i
Zhupës; nga bindja e fortë në meritat e diktaturës së shëndetshme redaktoriale të
Bllacit të Ri, të cilin e kam mik qysh nga viti 1976; patjetër dhe tek ndjenja
e sigurisë në poezinë e Bazes, të cilën e kam ndjekur, qysh në vitet tiranase në
gazetat e moshës sonë “Studenti” dhe “Zëri i Rinisë”.
Nuk
është thjesht formalitet estetik përkujdesja e lartë e botimit nga UET PRES, si
dhe angazhimi i studiuesit serioz, dr. Ermir Nika, njëkohësisht përgjegjës i
Deparatmentit të Arteve të Aplikuara në Fakultetin e Shkencave Humane dhe
Arteve Liberale në Universitetin Europian të Tiranës.
Mbajmë
mend, që firma e Mero Bazes është shfaqur në shtypin shqiptar me poezi aty nga
vitet 1985.
Ndërkohë,
kujtojmë që “Jug” është libri i parë
me poezi i autorit, të cilin shoqëria shqiptare e më gjerë e njeh si gazetar sipëror
shqiptar, me një fjalë të gjithëpushtetshme. Ky libër është një përmbledhje e
përzgjedhur e poezive të tij, krijuar prej vitit 1987, kur ishte student, por që
u botua tepër vonë në kohë, para 10 vjetësh, në vitin 2014. Vëllimi poetik “Jug” synon të jetë një antologji e
përzgjedhur e poezive të tij të angazhuara, të cilat janë më shumë se sa një
përjetim emocional për vendlindjen e tij. Ky libër gjendet dhe në platformën ndërkombëtare të tregtisë elektronike
amazon.com.
Në
katalogun e Bibliotekës Kombëtare nga autori Mero Baze gjejmë 1327 regjistrime
bibliografike (të cilat përditësohen duke u shtuar kronologjikisht), autor i 7
librave publicistikë, në 4 tituj është redaktor dhe në 1 libër - bashkautor i
tekstit shtesë (parathënies).
Atdheu në Poezinë e
Mero BAZES
“Shi me baltë”, të cilit po i festuam datëlindjen
letrare të premten e 13 dhjetorit 2024 këtu, në sallën “Ali Asllani” të
Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë është vëllimi i dytë i autorit. Ende pa
mbushur 2 muaj që ka lindur dhe vjen në jetë 10 vjet mbas “vëllait të madh” - “Jugut”. Profili i Mero Bazes më thotë,
së pari, që gazetaria dhe poezia janë dy motra bërë një nënë, e cila e ka emrin
Kulturë e Vlerave Shkrimore; së dyti, ai ekonominë e fjalës e vlerëson shumë, e
ka bazike, e ka thesar.
Baze,
si mjeshtër i fjalës na ka dhuruar një kullë poetike, ndërtuar me katër kate:
katit të parë i ka vënë emrin Një vend që
quhet jug, të dytit Zëra pa jehonë,
të tretit Orët e fundit të luleve dhe
katit të sipërm Diell apo Titanik.
Duke falënderuar
rektoren e Universitetit, prof. dr. Aurela Saliaj për angazhimin e
drejtpërdrejtë në realizimin e kësaj veprimtarie letraro-kulturore në mjediset
e sallës së madhe “Ali Asllani” të UNIVLORËS, ndjesë të nderuar miq, që nuk
mund të trajtoj gjithë ndërtesën librore të autorit, sepse pedagogët e nderuar të
letërsisë në Universitet dhe autoritete të fushës, si prof. dr. Roland Zisi,
prof. as. Monika Hasani dhe prof.as. dr. Ermir Xhindi, nëpërmjet mendimit të
specializuar, na njohën më mirë e më thellë me veprën letrare të autorit.
Mero Baze vjen në Vlorë
me Atdheun e tij poetik dhe bota letrare e mirëpret me nderim për ndihmesën
letrare, që jep si poet i dashurisë në sy dhe
dhembjes në kockë, i lotit
elegjiak për poetin e pushaktuar të “Atdheut lakuriq”, i ëndrrave
romantike për vendlindjen, i metaforave të angazhuara, i
simbolikave historike dhe atdhetare.
Thjesht, do të shpreh nja
dy mbresa: Poezia e Mero Bazes ka frymëmarrje, ka imazh që lëviz e unë ia ndjej
frymën që nga poemthi “Atdheu” i
katit të parë deri tek poemthi i fundit i katit të katërt për qenin e shtëpisë
“Vdekja e Baloit”, se “Asgjë s’mund të vdesë më në këtë botë/ kur
vdekja e para zë të vdesë...”. Mero Baze është një poet i vërtetë atdhetar,
por është i pamëshirshëm në dashurinë ndaj tërësisë njerëzore, me gjithëkohësinë
dhe hapësirën e saj, me virtytet dhe veset pa retushe.
Të them të drejtë,
pasi lexova poezinë e gjatë apo poemthin “Atdheu”,
pulita sytë e thashë me vete: “Po ky Baze, ç’i ka këto vargje: “Mos e lini
Atdheun ta vizatojnë poetët...”, se “Atdheu s’është siç shkruajnë poetët...”
etj. Hej bela! Se unë them: “Mos u mërzit,
Atdhe!/ Ke poetët...” Dyshueshëm dhe detyrimisht, iu riktheva prapë
leximit, tani të vëmendshëm. Pashë që autori kishte një këndvështrim të ri shumë
ndjesor, origjinal, të guximshëm, të gjithëpërfshirshëm, pa syze, pa kollare,
pa lajka, i gatshëm dhe për debat, jo për orientime, ndoshta dhe i përgatitur
dhe për ndonjë kundërsulm “patriotik” të dëshpëruar trimash të lodhur...
“Atdheu” i Bazes është një klithmë e një kirurgu të vërtetë
shkrimor, të rreptë, por të saktë e shërues për shijet artistike dhe estetike të
lexuesit të sotëm edhe të nesërm. Mendoj se këtë shërim e realizon me operacionin
e vargut sy më sy e me këmbë në tokë, që i bën realitetit të përditësuar
atdhetar, këtij bashkëkohorit pra… Poeti shkruan: “Të duash këtë vend që quhet Atdhe.../ Ta duash është heroizëm i vërtetë
.../ Të duash këtë Atdhe është torturë..., / Ta duash këtë Atdhe është marrëzi.../,
Të duash Atdheun duhet të jesh burrë...”. Kundërshojeni?!...
Kemi “Shi me baltë” apo një elegji për atdhedashurinë.
Kemi
“Shi me baltë” apo tablo realiste për
dashuritë njerëzore!?
Sikurse
poeti është një grimcëz, një dritëz në kozmos, edhe poezia e tij është
identitet, është pjesë e së tërës sonë letrare, që thjeshtësisht e në sy të
thotë: Ky jam unë, peshomëni…
Të
paktën, këtu në Vlorë Mero Baze peshon shumë, sepse jo vetëm, gjeografia e
historia, por edhe kultura, letërsia, folklori, etnografia dhe etnologjia i ka
parë në krahë të njërit - tjetrit “tepelenas
e vlonjatë…”, siç e përjetëson dhe kënga labe këtë përbashkim bujar.
Në
Letrat Shqipe, Mero Baze është pjesë e Pentagonit së poezisë së “Tepelentë”, së
bashku me engjëllorët Petrit Ruka e Qazim Shemaj, me Udhëtarin e vargut të lartë
Ilirian Zhupa, si dhe poetin e mirënjohur të kockës së fortë identitare, të
zotin e “Rrënjëve” prof. Sadik Bejko.
Vlen
të kujtojmë, që treshja Ruka - Shemaj - Zhupa i dhanë famë poezisë së madhe të Tepelenës
së vogël, sikurse dhe 2 simotrat e saj Lezha e Tropoja. U hëngrën arrët të mëdhenjve,
siç thotë një fjalë e vjetër këtyre hënave, sepse “3 Provincat lirike” u matën
me luanët e Tiranës dhe qyteteve të mëdha, bënë sfida e vunë firmë në letërsinë
shqipe, pikërisht në fushën e poezisë bashkëkohore, qysh në vitet 1975-1985 e
në vijim.
Poeti
i Himarës, Tepelenës, Labërisë dhe Shqipërisë, Ilirian Zhupa, që tashmë,
fatmirësisht për ne, është i regjistruar në Poezinë europiane shprehet: “Mero i
dashur! Pavarësisht rezistencës tënde për të mos u shfaqur si poet, kënaqësia
ishte imja dhe besoj e lexuesit shqiptar, të cilit ia prezantuam këtë libër! Një libër me shumë shi dhe baltë, dy elementët themelorë për krijimin e jetës”…
Ne e dimë, që ky libër ka bërë bujë në Tiranë, por kam
bindjen se autori Mero Baze, si kushëri i parë letrar i poetëve vlonjatë, nuk
mund ta quante të mirëqenë, pa marrë vulën poetike të Vlorës. Sot Vlora ia dha
këtë vulë poetike të merituar.
A e vëreni dashamirësinë e poetit për poetin?! A e ndjeni
fisnikërinë
e poetit shembullor për qytetarinë. Vjen së brendshmi, buron e gurgullon si
gurrë e kulluar shpirti. A nuk kemi të drejtë të
shprehemi: “S’ është gjë takimi i mbretit me mbretin/ para takimit
të poetit me poetin!”…
*) Përgjegjës i Bibliotekës shkencore “Nermin Vlora
Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë; Kryetar i Shoqatës së Shkimtarëve dhe
Artistëve “Petro Marko”, Vlorë