Kulturë
Gani Pllana: Në gjoksin eshtëror
E enjte, 09.01.2025, 06:53 PM
Gani S. Pllana
DIKUR...
Dikur, këndej e këtu,
Të parët tanë, të uruar,
Me një shokë në bel
Punonin me bukë e kripë.
Udhëtonin cep më cep Arbërisë,
Si gurë meteorësh për të mbijetuar,
Që dallëndyshet të mos largoheshin nga
vendi,
Prore bëhej kuvendi!
I mbante besa e njëri-tjetrit,
I mbante dashuria ndaj Atdheut;
Mblidheshin në gjirin hyjnor,
Ishin bashkë përherë,
I mbante shpresa,
Për ditë më të mira...
S’i mposhti lëndesa
As në ditët më të vështira.
NË GJOKSIN ESHTËROR
Buka në dysh
Ndahej para furtunave,
Buka në dysh
Ndahej pas furtunave,
Nga të parët tanë...
E donin punën e familjen,
Këndonin këngë kreshnike,
Në gjoksin eshtëror, shkruar Liria!
Trimërisht qëndruan
Në tokën bukanike.
Kur lindte fëmija në vatër,
Buzëqeshnin familja e fisi;
Dëgjoheshin krisma armësh,
Shkëlqente në kaltërsi plisi.
Urimet nuk kishin të ndalur,
Kumbonte
edhe daullja,
Hidhej vallja, krenohej kulla.
TOKA SKUQEJ
Të parët tanë,
U bënë ballë shumë stuhive!
.............................................
Toka e lagur, shpesh skuqej
Nga pikat e gjakut të tyre,
Që u rridhnin padrejtësisht,
Nga shtypja e mjerimi,
Që u bëhej nga ardhacakët,
Nga Karpatet e largëta.
Në plisa të bardhë si bora,
Lulëkuqet çelnin pranverën.