Kulturë
Albert Habazaj: Polifonia femërore në letërsinë e autores Vjollca Aliaj
E enjte, 16.01.2025, 07:55 PM
POLIFONIA FEMËRORE NË LETËRSINË E AUTORES VJOLLCA ALIAJ
Dy
fjalë për vëllimin me poezi “Qëndisur me fije dielli” dhe librin “Njeriu lind
si një ditë e bukur” - prozë e shkurtër: skica letrare, tregime, ese
Nga
Albert HABAZAJ
Poetët janë njerëzit
më të mirë në botë. Ndërsa poeteshat, veçmas ato që spikasin në letërsinë
artistike dhe estetike, janë më të mirat fare; aq më tepër kur ato fisnike
shkrimore janë zonja, nëna, gjyshe…
Gjerdanin e bukur
shkrimor që feks në letërsinë që prodhohet në Vlorë e zbukuron sidomos letërsia
femërore, që vërtet e stolis kraharorin e qytetit.
Një nga synimet
fisnike të shoqërisë sonë letraro-kulturore artistike është përurimi i letërsisë
së mirë të miqve tanë të penës, ku veçojmë edhe përurimin e disa poeteshave dhe
shkrimtareve të Vlorës.
Sot është dita e
poetes lirike dhe shkrimtares Vjollca Aliaj dhe ne, me respekt për penën dhe kënaqësi
për vlerat, që përçon autorja, po i organizojmë këtë festë letrare të thjeshtë,
por të pastër e me shpirt, që na duket si një “qëndisje me fije dielli”, siç thotë Vjollca në një poezi lakonike.
Në parantezë, dua
të përmend se nuk është veprimtaria e parë që ne bëjmë me Lidhjen Ndërkombëtare të Poetëve,
Shkrimtarëve dhe Artistëve, “PEGASI” Albania, dhe për këtë unë gjej rastin të
falënderoj z. Kristaq F. Shabani, jo vetëm si koleg e dashamirës, por për
angazhimin e tij si President i Lidhjes Ndërkombëtare të Poetëve, Shkrimtarëve
dhe Artistëve, “PEGASI” Albania, botues i Lidhjes së Krijuesve “PEGASI”,
realizues i përkushtuar dhe I dalluar me prezencë krijuese, analitiko-studiuese
në tryeza të rrumbullakta, konferenca, simpoziume, deri në Kongres letërsie.
Kristaqi spikas me botime të shumta në mjaft gjini, është anëtar nderi i disa lidhjeve
shkrimtarësh dhe akademive të shumë vendeve të tjera të Botës. Ndërkohë,
është ideator i funksionimit të Akademisë Alternative Pegasiane, në të cilën
marrin pjesë profesorë, akademikë, studiues, artisë me nivel dhe të spikatur në
Trojet shqiptare dhe nga Bota.
Ndërkohë, Kristaq
Shabani është redaktor i 2 librave që ka botuar deri më sot autorja Vjollca
Aliaj.
Vjollca Qemal
Hysaj Aliaj është një qytetare vlonjate, me gjenetikë të kulluar, si nga dera e
babës, dhe nga dera e burrit, ku ndezi zjarrin në tokë e në det. Ajo është një atdhetare
e dalluar, veprimtare e angazhuar, që i shërben dukshëm emancipimit të shoqërisë’
dhe edukimit estetik, moral dhe kulturor me jetën e saj vetiake, familjare dhe
me letërsinë e kursyer që thur e meriton vëmendje. Vjollca është një zonjë e
lexuar, e cila studimet e e larta nuk i ka kryer për Letërsi, por në Fakultetin Ekonomik, për Ekonomi Industriale.
Sa mirë ka rastitur për të kjo mundësi! Më ravijëzohet, jo thjesht formalisht,
potreti i saj si një bulëzim i formimit universitar të Fatos Arapit.
Si në poezi, edhe
në prozë, autorja Vjollca Aliaj e njeh dhe e respekton ekonominë e fjalës,
strukturën e poezisë moderne dhe me pak vargje shpreh shumë ndjenja e mendime.
Ngaqë redaktori i të dy librave, autori
i të dy teksteve shtesë, siç quhen parathëniet në shkencën e bibliotekonomisë,
unikali në llojin e vetë, Kristaq Shabani bëri një vështrim analitik të thukët,
unë do të shpreh vetëm 2-3 mbresa për autoren. Vjollca Aliaj, së pari dhe së
fundmi, është një poete e dashurisë në të gjitha kuptimet e bukura të saj. Vëllimin
e parë me poezi “Qëndisur me fije dielli”
(ç’titull i mrekullueshëm metaforik, që sdo të na shqitet nga kujtesa) ia
kushton më të shtrenjtëve të saj, burrit të saj ushtarakut të lartë,
diplomatit, publicistit, ish-prefektit të Gjirokastrës, njeriut me kulturë Astrit Kareman Aliaj, si
dhe dy çupave të tyre aq të mira: Alketës dhe Dorelës. Po me ç’mjaltë shpirti e
mbush vjershën “Të panjohurat e Nënujërave,
Mbiujërave”, kushtuar babait të saj - komandantit të Sazanit dhe
Karaburunit. Dhe në fund të poezisë shkruan: “IM AT’ dhe Deti”, një legjendë!/ hej, Hemingëay!/ Duhesh ti!”. Në një
poezi tjetër, aq simbolike të titulluar “Simfoni
Gruaje” në vetëm këto 8 vargje: “Çfarë
sheh tek ne?/ Është një buzëqeshje/ qëndisur
me fije dielli,/ E freskët do të jetë dhe nesër,/ por, kjo që dëgjon/ është këngë
dashurie,/ këngë gruaje,/ rron përjetësisht…”, Vjollca ka gdhendur një
monument lirik të veçantë për gruan. Ajo lufton shumë për emancipimin e gruas
jo vetëm me penë, por me angazhimin e saj dinjitoz si kryetare e Shoqatës
“Laskarina Bubulina” - Gratë e Detarëve Shqiptarë (GDSH), falë dhe mbështetjes
së fuqishme të bashkëshortit, djalit të Vlorës e komandantit të zgalemëve të
detit Astrit Aliaj, si dhe përkrahjes me zemër që i bëjnë simotrat e shoqërisë
që drejton.
Vjollca është e përfshirë në disa
antologji poetike, prozaike, si dhe rrëfimtarie, por libri “Njeriu lind si një ditë e bukur” është i
dyti me firmën e saj, që vjen si një ndihmesë modeste në fushën e prozës së
shkurtër me skica letrare, tregime dhe ese. Edhe në këtë libër me prozë ajo
shfaqet natyrshëm e pa sforco si poete me konceptim të ri, të bukur, të lartë e
letrarisht fisnik për jetën, për dashurinë, për vijimin e saj të denjë.
Në këtë libër, ajo paraqitet edhe me
statusin e gjyshes, dhe këtë shportë me lule shkrimore ia kushton nipit Giorgio
Alessandro Emanuele.
Prozat poetike të Vjollcës më nxjerrin
mallin e Nonda Bulkës, por, patjetër, ndërtuar me një frymë të re, mbushur me
dritë të ngrohtë, plot hapësirë dashurie, kthjelltësi mendimi, pranverë
ndjenjash, që na dhuron kalendarin e jetës së vërtetë të njeriut, jo qaraman,
jo të zymtë, të keq e të egër, por atij optimistit, qytetarit, të mirit, të
qeshurit, njeriut të bukur në mision e në mesazhe. Ashtu sikurse bleta punëtore,
që mbledh nektarin e luleve për mjaltin e kosheres, edhe Vjollca ka mbledhur
nga shoqëria vlerat, virtytet, traditat më të mira, dijen, edukatën, mirësinë
me frymëmarrje, mbresat e gjalla, të thella e të forta të jetës, diellin e
librave të mirë të bibliotekave të pasura, “njeriun,
që lind si një ditë e bukur” për të kënaqur shijet artistike dhe estetike të
lexuesit.
Nuk mund të zgjatem më tepër, jo se nuk
dëshiroj e s’mundem, por se program duhet respektuar dhe t’u lëmë radhë të tjerëve
të thotë mendimet dhe urimet e tyre.
Veç një gjë dua ta shpreh, se një nga
mesazhet më të forta të librit dhe patjetër të autores, (se libri është jeta e
saj), unë e mora tek proza e vogël drithëruese “Me Bukovskin” e famshëm, ku shkrimtarja jonë bën këtë reflektim,
tek ndalet në fëmijërinë e saj, pasi lexoi romanin e katërt të Bukovskit “Bukë me sallam”: “Nëse, do ta kujtoja gjënë më të bukur prej saj, do të përmendja praninë
e prindërve në çdo moment”. Sidomos sot, kur ndjehet shumë ashpërsi, vrazhdësi,
ç’ekuilibrim, skizofreni psikopateske, dhunë, sëmundje morale, dhimbje e
infeksion në edukimin e fëmijve, duhet të pijmë ujë të kulluar në gurrën e
kthjellët të edukimit të prindërve prurë me dinjitet në bashkëkohësi.
Udha e Letërsisë është e bukur se ka
mozaik shkrimor, dhe të gjithë ne, guximtarët e lindur për fjalën e bukur
letrare dhe që dimë ta mbajmë jemi në udhëtim, secili në korsinë e vetë. Kjo
Udha e e Letërsisë më sjell imazhin e rrugëve automobilistike të qytetit, në të
cilat nuk qarkullojnë vetëm veturat luksoze, autobuzat e makinat e rënda, por
edhe biçikletat e bukura aq të këndshme dhe të dobishme.
Vjolla, të faleminderit, se, si një
amvisë e zonja e fjalës na ke dhuruar një letërsi të mirë!
Jetë të gjatë dhe
pena flori!