Kulturë
Nikolin Sh. Lëmezhi: Udhëtimi Apostolik i Shenjtërisë së tij Françesku në Emiratet e Bashkuara Arabe
E shtune, 18.01.2025, 07:54 PM
UDHËTIMI APOSTOLIK I SHENJTËRISË SË TIJ FRANÇESKU
NË
EMIRATET E BASHKUARA ARABE (3-5 SHKURT 2019)
DOKUMENTI MBI – VËLLAZËRINË NJERËZORE
PËR PAQEN BOTËRORE DHE BASHKËJETESËN E
PËRBASHKËT
Përktheu:
Nikolin Sh. Lëmezhi
PARATHËNIE
Feja
e çon besimtarin që të shohë në tjetrin një vëlla për ta mbështetur dhe për ta
dashur. Nga feja në Hyjin, që ka krijuar universin, krijesat dhe të gjitha
qeniet njerëzore – të barabartë për nga Mëshira e Tij –, besimtari është i
thirrur ta shprehë këtë vëllazëri njerëzore, duke e ruajtur krijimin dhe gjithë
universin dhe duke mbështetur çdo person, sidomos më nevojtarët dhe më të
varfërit.
Duke
u nisur nga kjo vlerë transhendente, në takime të ndryshme ku ka mbizotëruar
një atmosferë vëllazërie dhe miqësie, kemi bashkëndarë gëzimet, trishtimet dhe
problemet e botës bashkëkohore, në nivelin e progresit shkencor dhe teknik, të
arritjeve terapeutike, të erës dixhitale, të mass mediave, të
komunikimeve; në nivelin e varfërisë, të luftërave dhe të pikëllimeve të shumë
vëllezërve e motrave në vende të ndryshme të botës, për shkak të vrapit drejt
armatimeve, të padrejtësive shoqërore, të korrupsionit, të pabarazive, të
degradimit moral, të terrorizmit, të diskriminimit, të ekstremizmit dhe të
shumë arsyve të tjera.
Nga
këto ballafaqime vëllazërore dhe të sinqerta, që kemi pasur, dhe nga takimi
plot me shpresë në një të ardhme të shndritur për të gjitha qeniet njerëzore, ka
lindur ideja e këtij »Dokumenti mbi Vëllazërinë njerëzore«?. Një dokument i
arsyetuar me sinqeritet dhe seriozitet që të jetë një deklaratë e përbashkët me
vullnete të mira dhe të drejta, i tillë saqë të ftojë të gjithë personat që mbartin
në zemër besimin në Hyjin dhe besimin në vëllazërinë njerëzore të
njësohen për të punuar së bashku, gjersa ai të bëhet një udhëheqje për të
gjitha breznitë e reja drejt kulturës së respektit të ndërsjellë, në
përmbajtjen e hirit të madh hyjnor që i bën vëllezër të gjitha qeniet njerëzore.
DOKUMENTI
Në
emër të Hyjit, që ka krijuar të gjitha qeniet njerëzore të barabarta në të
drejta, në detyra dhe në dinjitet, dhe i ka thirrur që të bashkëjetojnë si
vëllezër mes tyre, për të populluar tokën dhe për të përhapur në të vlerat e së
mirës, të dashurisë e të paqes!
Në
emër të frymës së pafajshme njerëzore që Hyji ka ndaluar ta vrasim, duke pohuar
se kushdo që vret një person është sikur të kishte vrarë gjithë njerëzimin dhe
kushdo që e shpëton një është sikur të kishte shpëtuar njerëzimin mbarë!
Në
emër të të varfërve, të të mjerëve, të nevojtarëve dhe të të mënjanuarve që
Hyji ka urdhëruar t’i ndihmojmë si një detyrë e kërkuar për të gjithë njerëzit
dhe në mënyrë të veçantë çdo njeriu të pasur dhe në gjendje të mirë!
Në
emër të jetimëve, të vejushave, të refugjatëve dhe të të mërguarve nga banesat
e tyre e nga vendet e tyre; të të gjitha viktimave të luftës, të persekutimeve
dhe të padrejtësive; të të dobtëve, të atyre që jetojnë në frikë, të të
burgosurve të luftës dhe të të torturuarve në cilëndo pjesë të botës, pa asnjë
dallim!
Në
emër të popujve që kanë humbur sigurinë, paqen dhe bashkëjetësën e përbashkët,
duke u bërë viktima të shkatërrimeve, të rrënimeve e të luftërave!
Në
emër të »vëllazërisë njerëzore« që përqafon të gjithë njerëzit, i njëson
dhe i bën të barabartë!
Në
emër të kësaj vëllazërie grisur nga politikat e integralizmit dhe
të ndarjes dhe nga sistemet e fitimit të tepruar dhe nga prirjet ideologjike të
urryeshme, që manipulojnë veprimet dhe fatet e njerëzve!
Në
emër të lirisë, që Hyji ua ka dhuruar të gjitha qenieve njerëzore, duke i
krijuar të lira dhe duke i dalluar me të!
Në
emër të drejtësisë dhe të mëshirës, themele të begatisë dhe bazë e fesë!
Në
emër të të gjithë personave me vullnet të mirë, të pranishëm në çdo cep të
tokës!
Në
emër të Hyjit dhe të gjithë kësaj, Al-Azhar al-Sharif – me myslimanët e Lindjes
e të Perëndimit –, së bashku me Kishën Katolike – me katolikët e Lindjes e të
Perëndimit –, deklarojnë që të përdorin kulturën e dialogut si udhë; bashkëpunimin
e përbashkët si drejtim; njohjen e ndërsjellë si metodë dhe kriter!
Ne
– besimtarë në Hyjin, në takimin përfundimtar me Të dhe në Gjykimin e Tij –, duke
filluar nga përgjegjësia jonë fetare dhe morale, dhe nëpërmjet këtij Dokumenti,
i kërkojmë vetes sonë dhe Liderave të botës, drejtuesve të politikës ndërkombëtare
dhe të ekonomisë botërore, që të angazhohemi seriozisht për të përhapur
kulturën e tolerancës, të bashkëjetesës dhe të paqes; të ndërhyjmë, sa më parë
që të jetë e mundur, për të ndaluar derdhjen e gjakut të pafajshëm, e për t’i
dhënë fund luftës, konflikteve, degradimit të mjedisit dhe rënies kulturore e
morale që bota po jeton aktualisht.
Ju
drejtohemi intelektualëve, filozofëve, njerëzve të fesë, artistëve, operatorëve
të mediave dhe njerëzve të kulturës në çdo pjesë të botës, që të rizbulojnë vlerat
e paqes, të drejtësisë, të së mirës, të bukurisë, të vëllazërisë njerëzore dhe
të bashkëjetesës së përbashkët, për të konfirmuar rëndësinë e këtyre vlerave si
spirancë shpëtimi për të gjithë dhe të përpiqen t’i përhapin kudo.
Kjo
Deklaratë, duke nisur nga një reflektim i thellë i realitetit tonë bashkëkohës,
duke vlerësuar sukseset e tij dhe duke jetuar dhimbjet e tij, fatkeqësitë e tij
dhe gjëmët, beson me ngulm se ndër shkaqet më të rëndësishme të krizës së botës
moderne janë një ndërgjegje njerëzore e anestetizuar dhe largimi nga vlerat
fetare, për më tepër edhe mbizotërimi i individualizmit dhe i filozofive
materialistike që hyjnizojnë njeriun dhe vënë vlerat e botës dhe materiale në
vend të parimeve të larta dhe transhendente.
Ne,
edhe duke duke njohur hapat pozitivë që qytetërimi ynë modern ka kryer në
fushat e shkencës, të teknologjisë, të mjekësisë, të industrisë dhe të
mirëqenies, në mënyrë të veçantë në Vendet e zhvilluara, nënvizojmë se, së
bashku me progrese të tilla historike, të mëdha dhe të çmuara, verifikohet një
prishje e etikës, që kushtëzon veprimin ndërkombëtar, dhe një dobësim të
vlerave shpirtërore dhe të ndjenjës së përgjegjësisë. Gjithë kjo kontribuon në
përhapjen e një ndjenje të përgjithshme frustrimi, vetmie dhe dëshpërimi, duke
çuar shumë në rënie ose në vorbullën e ekstremizmit ateist dhe agnostik, ose në
integralizmin religjoz, në ekstremizmin dhe në fondamentalizmin e verbër, duke
bërë kështu që persona të tjerë të dorëzohen në forma varësie dhe
vetëshkatërrimi individual e kolektiv.
Historia
pohon se ekstremizmi religjioz dhe kombëtar dhe mostolerimi kanë prodhuar në
botë, qoftë në Perëndim qoftë në Lindje, atë që do të mund të ishte quajtur
sinjalet e një «lufte të tretë botërore me pjesë», sinjale që, në pjesë
të ndryshme të botës dhe në kushte të ndryshme tragjike, kanë filluar të
shfaqin fytyrën e tyre mizore; situata për të cilat nuk njihet me saktësi sa
viktima, vejusha dhe jetimë kanë prodhuar. Përveç kësaj, ka zona të tjera që
përgatiten për t’u bërë teatër konfliktesh të reja, ku lindin vatra tensioni
dhe grumbullohen armë dhe municione, në një situatë botërore të zotëruar nga
pasiguria, nga zhgënjimi dhe nga frika e së ardhmes dhe e kontrolluar nga
interesat ekonomike miope.
Pohojmë
gjithashtu se krizat e forta politike, padrejtësia dhe mungesa e një
shpërndarjeje të drejtë të pasurive natyrore – prej të cilave furnizohet vetëm
një pakicë të pasurish, në dëm të shumicës së popujve të tokës – kanë krijuar,
dhe vazhdojnë ta bëjnë, sasi të mëdha të sëmurësh, nevojtarësh dhe të vdekurish,
duke provokuar kriza vdekjeprurëse prej të cilave janë viktima vende të
ndryshme, pavarësisht pasurive natyrore dhe risurseve të breznive të reja që i
karakterizojnë. Përballë krizave të tilla, që bëjnë të vdesin nga uria miliona
fëmijë, tashmë të katandisur në skelete njerëzorë – për arsye të varfërisë dhe
të urisë –, mbretëron një heshtje ndërkombëtare e papranueshme.
Është
në pah lidhur me këtë se sa thelbësore është familja, si bërthamë themelore e
shoqërisë dhe e njerëzimit, për të nxjerrë në dritë disa bij, për t’u kujdesur
për ta, për t’i edukuar, për t’u dhënë atyre një moral të fortë dhe një
mbrojtje familjare. Sulmimi i institucionit familjar, duke e përçmuar ose duke
dyshuar për rëndësinë e rolit të tij, përbën një prej të këqijave më të
rrezikshme të epokës sonë.
Dëshmojmë
edhe rëndësinë e rizgjimit të ndjenjës fetare dhe të rëndësisë për ta
gjallëruar në zemrat e breznive të reja, nëpërmjet edukimit të shëndoshë dhe
përputhjes me vlerat morale dhe me mësimet e drejta fetare, për të përballuar
prirjet individualistike, egoistike, konfliktuale, radikalizmin dhe
ekstremizmin e verbër në të gjitha format dhe manifestimet e tij.
Objektivi
i parë dhe më i rëndësishëm i feve është ai për të besuar në Hyjin, për Ta
nderuar dhe për të thirrur të gjithë njerëzit që të besojnë se ky univers varet
nga një Hyj që e qeveris, është Krijuesi që na ka formuar me Urtinë e Tij
hyjnore dhe na ka dhënë dhuratën e jetës për ta ruajtur. Një dhuratë që askush
nuk ka të drejtë ta heqë, ta kërcënojë ose ta manipulojë sipas kënaqësisë së
vet, madje, të gjithë duhet ta ruajnë një dhuratë të tillë të jetës nga fillimi
i saj deri në vdekjen e saj natyrore. Prandaj, dënojmë të gjitha praktikat që
kërcënojnë jetën si genocidet, aktet terroristike, dyndjet e detyruara,
trafikun e organeve njerëzore, abortet dhe eutanazinë dhe politikat që
mbështesin gjithë këtë.
Gjithashtu
deklarojmë – me vendosmëri – se fetë nuk nxisin kurrë për luftë dhe nuk nxisin
ndjenja urrejtjeje, armiqësie, ekstremizmi, as nuk ftojnë ndaj dhunës apo ndaj
derdhjes së gjakut. Këto fatkeqësi janë fryt i shtrembërimit të mësimeve
fetare, të përdorimit politik të feve dhe edhe të interpretimeve të grupeve të
njerëzve të fesë që kanë abuzuar – në disa faza të historisë – me ndikimin e
ndjenjës fetare në zemrat e njerëzve për t’i çuar në kryerjen e asaj që nuk ka
aspak të bëjë me të vërtetën e fesë, për të realizuar qëllime politike dhe
ekonomike që janë tokësorë dhe miopë. Për këtë ne iu kërkojmë të gjithëve të
pushojnë së instrumentalizuari fetë për t’i nxitur ndaj urrejtjes, ndaj dhunës,
ndaj ekstremizmit dhe fanatizmit të verbër e të pushojnë së përdoruri emrin e
Hyjit për të justifikuar veprat e vrasjeve, të mërgimit, të terrorizmit e të
shtypjes. E kërkojmë për besimin tonë të përbashkët në Hyjin, që nuk i ka
krijuar njerëzit që të vriten apo që të ndeshen mes tyre dhe as për t’u
torturuar apo përvujtëruar në jetën e tyre e në ekzistencën e tyre. Në fakt,
Hyji, I Gjithëpushtetshmi, nuk ka nevojë që të jetë i mbrojtur nga askush dhe
nuk do që emri i Tij të jetë i përdorur për të terrorizuar njerëzit.
Ky
Dokument, në pajtim me Dokumentet
Ndërkombëtare të mëpërparshme, që kanë nënvizuar rëndësinë e rolit të feve
në ndërtimin e paqes botërore, dëshmon si në vijim:
- Bindjen
e fortë se mësimet e vërteta të feve ftojnë që të qëndrojmë të kapur me vlerat
e paqes; të mbështesim vlerat e njohjes së ndërsjellë, të vëllazratellazërisë
njerëzore dhe të bashkëjetesës së përbashkët; të rivendoset dija, drejtësia
dhe dashuria dhe të rizgjohet ndjenja e religjiozitetit mes të rinjve, për të
mbrojtur brezat e rinj nga zotërimi i mendimit materialist, nga rreziku i
politikave të lakmisë së fitimit të tepruar dhe të indiferencës, të bazuara mbi
ligjin e forcës dhe jo mbi forcën e ligjit.
- Liria
është e drejta e çdo personi: secili gëzon lirinë e besimit, të mendimit, të
shprehjes dhe të veprimit. Pluralizmi dhe ndryshueshmëria e fesë, e ngjyrës, e
seksit, e racës dhe e gjuhës janë një vullnet i urtë hyjnor, me të cilin Hyji
ka krijuar qeniet njerëzore. Kjo Urti hyjnore është origjina nga ku vjen e
drejta për lirinë e besimit e për lirinë për të qenë ndryshe. Për këtë dënohet
fakti për të detyruar njerëzit që të bashkohen me njëfarë feje apo me njëfarë
kulture, ashtu edhe imponimi i një stili qytetërimi që të tjerët nuk e pranojnë.
- Drejtësia
e bazuar mbi mëshirën është udha për ta përshkuar që të arrihet një jetë
dinjitoze për të cilën ka të drejtë çdo qenie njerëzore.
- Dialogu,
mirëkuptimi, përhapja e kulturës së tolerancës, e pranimit të tjetrit dhe e
bashkëjetesës mes qenieve njerëzore do të mund të kontribuonte në mënyrë të
dukshme për të zvogëluar shumë probleme ekonomike, shoqërore, politike dhe
mjedisore që sulmojnë pjesën më të madhe të gjinisë njerëzore.
- Dialogu
mes besimtarëve do të thotë të takohesh në hapësirën e pakufi të vlerave
shpirtërore, njerëzore dhe shoqërore të përbashkëta, e të investohet kjo në
përhapjen e virtyteve më të larta morale, të nxitura nga fetë; do të thotë edhe
të shmangim diskutime të kota.
- Mbrojtja
e vendeve të kultit – tempuj, kisha dhe xhami – është një detyrë e garantuar
nga fetë, nga vlerat njerëzore, nga ligjet dhe nga konventat ndërkombëtare. Çdo
tentativë për të sulmuar vendet e kultit apo për t’i kërcënuar nëpërmjet
atentateve apo shpërthimeve ose shkatërrimeve është një devijim nga mësimet e
feve, por edhe një dhunim i qartë i të drejtës ndërkombëtare.
- Terrorizmi
i urryer që kërcënon sigurinë e personave, qoftë në Lindje qoftë në Perëndim, qoftë
në Veri qoftë në Jug, duke shpërndarë panik, terror dhe pesimizëm nuk vjen nga
feja – megjithëse terroristët e instrumentalizojnë – por vjen nga interpretimet
e grumbulluara të gabuara te teksteve fetare, nga politikat e urisë, të
varfërisë, të padrejtësisë, të shtypjes, të arrogancës; për këtë është e
nevojshme të ndërpritet mbështetja e lëvizjeve terroriste nëpërmjet furnizimit
me para, me armë, me plane apo justifikime dhe edhe mbulimi mediatik, dhe të
konsiderohen të gjitha këto si krime ndërkombëtare që kërcënojnë sigurinë dhe
paqen botërore. Nevojitet të dënojmë një terrorizëm të tillë në të gjitha
format dhe shfaqjet e tij.
- Koncepti
i qytetarisë bazohet mbi
barazinë e të drejtave dhe të detyrave nën hijen e të cilit të gjithë gëzojnë
drejtësinë. Për këtë është e nevojshme të angazhohemi për të vendosur në
shoqëritë tona konceptin e qytetarisë së plotë e të mohojmë përdorimin
diskriminues të termit pakicë, që mbart në vete farat e të ndierit të
izoluar dhe të inferioritetit; ai përgatit terrenin ndaj armiqësisë dhe
përçarjes dhe iu heq arritjet dhe të drejtat fetare e civile të disa qytetarëve
duke i diskriminuar.
- Raporti
mes Perëndimit dhe Lindjes është një nevojë e ndërsjellë e padiskutueshme, që
nuk mund të zëvendësohet as nuk mund të lihet pas dore, në mënyrë që të dy të
mund të pasurohen në mënyrë të ndërsjellë me qytetërimin e tjetrit, nëpërmjet
shkëmbimit dhe dialogut të kulturave. Perëndimi do të mund të gjente në
qytetërimin e Lindjes masa për disa sëmundje të tij shpirtërore e fetare të
shkaktuara nga sundimi i materializmit. Dhe Lindja do të mund të gjente në
qytetërimin e Perëndimit shumë elemente që mund ta ndihmojnë që të shpëtojë nga
dobësia, nga ndarja, nga konflikti dhe nga rënia shkencore, teknike dhe
kulturore. Është e rëndësishme t’u japësh vëmendje ndryshimeve fetare,
kulturore dhe historike që janë një përbërës thelbësor në formimin e
personalitetit, të kulturës dhe të qytetërimit lindor; dhe është e rëndësishme të
përforcohen të drejtat njerëzore të përgjithshme dhe të përbashkëta, që të
kontribuohet në garantimin e një jete dinjitoze për të gjithë njerëzit në
Lindje dhe në Perëndim, duke iu shmangur përdorimit të politikës me dy masa.
- Është
një nevojë e domosdoshme të njihet e drejta e gruas për mësim, për punë, për të
ushtruar të drejtat e saj politike. Përveç kësaj, duhet të punohet për ta
liruar nga presionet historike dhe shoqërore që janë kundër parimeve të besimit
vetjak dhe të dinjitetit vetjak. Është e nevojshme edhe të mbrohet nga
shfrytëzimi seksual dhe nga të trajtuarit si mall ose si mjet kënaqësie apo
përfitimi ekonomik. Për këtë duhet të ndalohen të gjitha praktikat çnjerëzore
dhe zakonet vulgare që e përvujtërojnë dinjitetin e gruas e të punohet për të
modifikuar ligjet që u ndalojnë grave të gëzojnë plotësisht të drejtat e veta.
- Mbrojtja
e të drejtave themelore të fëmijëve për t’u rritur në një mjedis familjar, për
t’u ushqyer, për t’u edukuar dhe për asistencë është një detyrë e familjes dhe
e shoqërisë. Të drejta të tilla duhet të jenë të garantuara e të mbrojtura, që
të mos mungojnë dhe të mos u mohohen asnjë fëmije në asnjë pjesë të botës. Nevojitet
të dënohet çdo praktikë që dhunon dinjitetin e fëmijëve ose të drejtat e tyre. Është
gjithashtu e rëndësishme të vigjilohet kundër rreziqeve ndaj të cilave ata janë
të ekspozuar – në mënyrë të veçantë në ambientin dixhital – dhe të konsiderohet
si krim trafiku i pafajësisë së tyre dhe çdo dhunim i fëmijërisë së tyre.
- Mbrojtja
e të drejtave të të moshuarve, e të dobtëve, e të paaftëve dhe i të shtypurve
është një nevojë fetare dhe sociale që duhet garantuar dhe mbrojtur nëpërmjet
legjislacioneve të forta dhe zbatimit të konventave ndërkombëtare lidhur me
këtë.
Për
këtë qëlim, Kisha Katolike dhe al-Azhar, nëpërmjet bashkëpunimit të përbashkët,
shpallin dhe premtojnë se do ta çojnë këtë Dokument tek Autoritetet, tek
Liderat që kanë ndikim, tek njerëzit e besimit në të gjithë botën, tek
organizatat rajonale dhe ndërkombëtare kompetentë, tek organizatat e shoqërisë
civile, tek institucionet fetare dhe liderat e mendimit; dhe të angazhohemi në
përhapjen e parimeve të kësaj Deklarate në të gjitha nivelet rajonale e
ndërkombëtare , duke nxitur që të përkthehen në politika, vendime, tekste
legjislative, programe studimi dhe materiale komunikimi.
Al-Azhar
dhe Kisha Katolike kërkojnë që ky Dokument të bëhet objekt kërkimi dhe
reflektimi në të gjitha shkollat, në universitete dhe në institutet e edukimit
e të formimit, me qëllim që të kontribuohet për të krijuar breza të rinj që të
sjellin të mirën dhe paqen dhe të mbrojnë kudo të drejtën e të shtypurve dhe të
prapambeturve.
Në
përfundim urojmë që:
kjo
Deklaratë të jetë një ftesë për pajtimin dhe vëllazërinë midis të gjithë
besimtarëve, madje mes besimtarëve dhe jobesimtarëve, dhe mes të gjithë
personave me vullnet të mirë;
të
jetë një thirrje për çdo ndërgjegje të gjallë që të kundërshtojë dhunën rravguese
dhe ekstremizmin e verbër; thirrje për atë që do vlerat e tolerancës dhe të
vëllazërisë, të premtuara dhe të inkurajuara nga fetë;
të
jetë një dëshmi e madhështisë së besimit në Hyjin që njëson zemrat e ndara dhe
lartëson shpirtin njerëzor;
të
jetë një simbol i përqafimit mes Lindjes dhe Perëndimit, mes Veriut dhe Jugut e
mes të gjithë atyre që besojnë se Hyji na ka krijuar për të na njohur, për të
bashkëpunuar mes nesh e për të jetuar si vëllezër që duhen.
Kjo
është ajo që shpresojmë dhe përpiqemi të realizojmë, me qëllim që të arrijmë
një paqe universale nga e cila të gëzojnë të gjithë njerëzit në këtë jetë.
Abu Dhabi, 4 shkurt 2019
Papa Francesku
Imami i Madh i Al-Azhar
Ahmad Al-Tayyeb