Kulturë
Blerim Rrecaj: Kalaveshi me mandarina
E diele, 03.11.2024, 07:49 PM
Blerim Rrecaj:
Kalaveshi me mandarina
U
zgjua në shtatë e njëzet e dy. U çudit se u ngrit lehtë nga shtrati, e me
disponim të mirë. Mendoi atë që para jo shumë ditësh e vërtiti stacioneve të
trurit se për t'u zgjuar, e për zgjim në kuptim të mirëfilltë të fjalës po
duhet një motiv, duke pasur zgjimet e lodhura që nuk ishin e nuk janë të pakta.
Vendosi të ecte me këta krahë pendël të lehtë, sikur donte të fluturonte, as
vetë pa e ditur për kah e për ku. Mbase donte të hidhej në rrugë, në një
peisazh, e pastaj të takonte diçka që do
ia zbukuronte ditën. I la këto ëndërrime syhapura dhe e mori telefonin. Hyri në
facebook, dhe pa se çfarë kishte vënë në të viteve më parë. Pa nja dy poezi të
tijat, nëse do të guxonte të thoshte që ishin të tilla në kuptimin e vërtetë të
fjalës, pastaj pa poezi të autorëve, emra poetësh të mirënjohur. Diç edhe i
kujtohej nga kohë e atëhershme e postimeve, e shumëçka s'i kujtohej. Por,
filloi t'i shijonte këto që po lexonte, e facebooku po ia rikujtonte. U ndal te
poezia e poetit gjerman Gëte me titullin "Kujtim", të përkthyer nga
Lasgush Poradeci:
"Do
gjithnjë të shtegëtosh?/Ç'kërkon fatin tjetërku?/Mëso fatin ta kuptosh/Sepse
fati është këtu. "/ Oh, sa e bukur, e kuptimplote, tha dhe vazhdoi më tej.
Pastaj, pasi pa edhe poezi të tjera, u
ndal te një poezi e poetit shqiptar, lushnjarit Faslli Haliti, që titullohej:
"Tabelat":
"Njerëz/Ruani
pemët dhe lulet!/Njerëz/ Ruani njerëzit nga njerëzit!"/ Oh, , sa shkurt,
sa saktë, sa (m)e art(ë)tha. More, ia paskam qëlluar me këto gjetje e shpërndarje,
e edhe me këto të dyja, iu duk se u vetëlavdërua. Dhe klikoi në një forum interneti, për të
lexuar ca shkrime e thënie që kanë thënë për poetin lushnjar,të
lartpërmendur, e lexoi edhe disa poezi
të tij. Ndjeu freski, frymëzim, këndellje. Dhe u çua. I pihej një kafe kur
tashmë kishte kaluar një orë. Në vluesen elektrike hodhi ujë çezmeje, dhe
shtypi butonin, e la ujin të vlonte, le të gjendet ky ujë për ndonjë çaj më
vonë, ose për ndonjë gjë, dhe mori njërën nga xhezvet, jo atë të kuqen në anën
e jashtme, e të zezë përbrenda, por atë të alumintën, ngjyrë të njejtë
vizëlluese mbrenda e jashtë, se tash në vend të një neskafeje vetëm me ujë, ose
me pak qumësht, që do i ndërronte ngjyrën kafesë së zezë në ngjyrë të pjepri,
mjalti, shkretëtire, më shumë i pihej një kafe vetëm me qumësht që duke i
hedhur pluhur nesi, do bëhej një makiato me shkumë. Punë, tekeje e tij. Hodhi në filxhan sheqer e kafe, ndezi pllakën
e shporetit, po nuk gjente qumësht. (Qumësht kishte në dyqanet e shumta afër,
po nganjëherë seç të mbërthen një përtesë, saqë s'të lë të lëvizësh vendit).
Siç duket kishte mbaruar, pasi pa pjatat që u kishte mbetur vetëm gjurmë
çokolate pasi ngrënies së pudingut, e që rrinin njëra mbi tjetrën mbi
fundshtrojën, pranë kroit të kuzhinës. Fiku pllakën, mori ujët e vlueses, piu
kafenë e zezë. Dhe më pas ç'bëri? Vazhdoi të bridhte në një ditë të rëndomtë, e
paksa të ngatërruar, sa andej e sa këndej. Dikur veten e krahasoi me pamjen e
qiellit që ishte ndarë përgjysmë, njëra pjesë e kthjellët e kaltëroshe, tjetra
me ca re të një të hirte të lehtë, që mbanin diellin në gji të tyre, e s'donin
ta lëshonin, kështu ato ngroheshin vetë, e tjerëve u bënin hije. Ishte një ditë
rëndomtësie, edhe me ca detaje që e bënin jetën më interesante. U ndal në një
dyqan frutash e perimesh. Që i jepnin një shije ëmbëlsie. U ndal te koshi i
madh katërkëndësh, mbushur mandarina, po zgjidhte këto fruta aromëkëndshme me
fletë të gjelbërta e të freskëta, që duket se sa kishin ardhur. U befasua
këndshëm kur hasi në një degë mandarine, të gjatë e të pashkëputur në të cilën
rrinin varur gjashtë-shtatë kokrra të këtij fruti të familjes së portokajve. I
mori e i vuri në qese, edhe këto, me kujdes, si një kurorë mbresëlënëse. Erdhi
në strehën e tij. Shkaktoi habi të këndshme te familjarët. Dhe fluturuan
kushedi se në ç'plantacion mandarinash.
Ja,
u tha, një kalavesh me mandarina prej vëllezërve toskë. Doli me to në
fotografi, në prapavijë dukej lulja në formë palme që kohë më parë ia kishte
sjellë nëna nga Vlora, e cila dikur ishte vetëm filiz i vogël e tashmë,
pothuajse prekte tavanin e dhomës, të cilën e zbukuronin. Historiza e kësaj
luleje me pak fjalë është kjo: derisa nëna e babai ishin ndalur në një
restaurant për të pushuar pak, njëra nga punonjëset kishte vërejtur shikimin e interesimin
e nënës për këtë lule palme. I ishte afruar, dhe pastaj pas një bisede e ndeje,
nënës ia kishte dhuruar dy pipa që do t'i sillte te ne, ku tashmë sëbashku
ndjehemi më mirë.
Dikur,
më vonë, e ndjeu se po largohej edhe kjo ditë, e cila po linte pas dritëhijet e
shenjat e veta, me një buqetë detajesh, përjetimesh e kujtimesh.
Natë me yje
Rrinte.
Kaloi mesnata, si pa u ndjerë. Kur pa akrepat e orës së murit, u çua nga
krevati ku rrinte ulur, e fiku televizorin që kishte ndejtë ndezur kot, për
kushedi sa kohë. Bëri dy tre hapa të papërcaktueshëm dhe u drejtua kah dera e
ballkonit, vuri dorën në rezën e bardhë të derës së tij, paksa rëndueshëm e me
forcë, e tërhoqi derën kah vetja, ndjeu freskun e kësaj nate para se të
kapërcente kufirin e pragut për të dalë matanë. Pa horizontalisht mjedisin
rrethues, të zakonshmin e përditshëm e të përnatshëm, hodhi sytë përtokë kah
rruga, dhe pa lëvizjet e çastit të dikujt që ecte vetëm, pas pak dhe të dy
vetëve që ecnim bashkë, të një maceje që me vrap trupoi rrugën e doli e hyri
mes një ngushtice të një zyreje e një objekti biznesesh, e s'di se ku mund të
ketë dalë, dhe një grumbulli qensh të qetë, çuditërisht që nuk nxjerrnin asnjë
të lehur, e sikur po bënin plane për t'ia mësyer dikah, nën reflektimin e
dritave të shtyllave të rrugës, të reklamave e të dritave të shkurta a të gjata
të automjeteve që shkonin poshtë e përpjetë. Ndonëse rruga me gjithë këta
shiritë ishte e drejtë si tepsi, dhe ca nga njerëzit, që njërës anë i thonin
poshtë, e tjetrës lart, por edhe s'pajtoheshin se cili ishte drejtimi për
"lart" e për "poshtë", pa e pasë ndërmend ndonjëfarë
kuptimi të figurshëm a metaforik. Pos që e tundoi një valë e tillë
diçkathënëse, ndjeu edhe aromën e rrobave të shtrira në mbajtësen e tyre plastike,
këmbë e telbardhë, në të cilën ata thaheshin, e nëse s'teprohej me krahasime
ato priteshin të bëheshin "arrë" ose si copa "mishi të
terur". E la këtë krahasim për të
cilin pati një hezitim, hodhi sytë herë nga njëra anë e herë nga tjetra, si të
ishte edhe vetë në rrugë a farë udhëkryqi e sigurohej të kalonte atë, në mënyrë
të sigurtë.
La
shikimin përtokë, e hodhi atë përqiell. U çudit, u hutua, u befasua për të
mirë. Kjo natë e kthjellët fundtetori, kishte dhe një tufë yjesh, të shpërndarë
qiellit zijosh, dy-tre sosh më të mëdhenj, e më të ndritshëm, siç u thonin
dikur, më të moshuarit, yje të mëdhenj
"sa grushti". Shikonte e meditonte kah qielli piklan, kah kjo fletë e
zezë pikëldritash. Kishte kohë që s'kishte parë qiell me yje, apo edhe po të
kishte parë gjatë gjithë këtij viti nja njëmbëdhjetë-dymbëdhjetë herë, pra as
sa gishtat e tërë trupit, e mori këtë, për një puhi të këndshme poetike. Dhe
shikonte të drejtim të tyre. Ky drejtim e shpiu nëpër rrugë të mëparshme
pamjesh, kur yjet ndonjëherë dilnin me shumicë, e jo me kaq kursim si këtyre
kohëve. Sidoqoftë, edhe kaq sa ishin, si sonte, dukeshin aq bukur, saqë sa më
shumë t'i vështroje të dehnin me dritën e dëshiruar. Pas nja gjysmë ore, ndjeu
një lloj të rrëqethure nga i ftohti i natës dhe u përshëndet me ta, hyri në
dhomë të pritjes e të ditës, aty ku më parë ishte, për t'u drejtuar kah dhoma e
gjumit. U ndje mjaft zhurma e lëvizjes së perdeve që tërhoqi, pasi bënë rrugën
në binarë garnishteje, e hapi njërën nga tri dritaret, për të parë këta yje që
e bënin këtë natë të dritëmbël. Edhe këtë herë, veproi siç bëri në ballkon, u
përhumb çaste-çaste, dhe në fund para se t'u mbyllte dritaren, bëri ca shkrepje
yjeve që shkrepëtinin. U shtri në shtrat dhe e priste gjumin.