Editorial
Ndue Dedaj: Shkolla, rënia e një 'miti' kombëtar
E enjte, 15.08.2024, 07:58 PM
SHKOLLA, RËNIA E NJË “MITI” KOMBËTAR
(Mësuesi,
“zotnia”që u kthye në “shok”!?)
NGA
NDUE DEDAJ
Se
si është shkolla sot, optimistët ta gjykojnë po deshën nga statistikat e
Ministrisë së Arsimit, që me siguri tregojnë rritje nga viti në vit! Pesimistët
nga treguesit e PISA-s, sipas të cilëve ka rënie drastike të rezultateve të
nxënësve në matematikë, lexim etj. Pa hyrë në analiza të thelluara të arsimit,
arritjeve dhe dështimeve, një gjë e vërejnë të gjithë, drejtimin politik të
shkollës, ndonëse nën një ombrellë demokratike. Qeveritë e tranzicionit thonë
se kemi bërë reforma në arsim, ama drejtuesit e shkollave nuk i “voton” në asnjë
rast stafi pedagogjik, ata i emron partia si qëmoti dhe pikë! “Shkollë për
drejtorë” mund të kenë bërë dhe të tjerë, por në karrigën e drejtorit nuk mund
të ulën në asnjë rast!? E thartë, e thënë drejpërdrejt dhe pa shumë etikë, por
ky është realiteti. Drejtori na duhet “yni”, edhe nëse nuk ka fiks tesër partie
në xhep. Si mund t’ia besojmë shkollën dikujt tjetër? E, pra, shkollat
jopublike në Shqipëri, që nuk i drejtojnë partiakët, militantët apo dhe më keq,
patronazhistët, shpesh janë më të mirat, si në Tiranë, Shkodër, Durrës etj.
“Çfarë po na thoni! A nuk keni qenë këtu? Kështu kanë bërë dhe ata të tjerët
(të djathtët) kur ishin në pushtet, kanë vënë njerëzit e tyre, deri te
pastrueset!” Jo vetëm ata, por që nga 44-a kështu ka ndodhur! Problemi është se
me këtë logjikë nuk shkojmë askund, administrata e shkollës në vitin 2024 duhet
të jetë veçse teknike dhe asessi politike. Vetëm ministri lë të jetë person
politik! Për mendimin tonë jo domosdoshmërisht as ai.
Nëse
ka një gjë që është thelbësisht kombëtare, kjo është shkolla dhe nëse këtu
dominon partia, vajmedet, Europën mos e shko as nëpër mend, pasi ajo arsimin e
ka bërë me strategji kombëtare e jo parciale. Shkolla u kthye në mision nga
Rilindja Kombëtare dhe misioni nuk pranon që ta kornizojë ideologjia. Luigj
Gurakuqi nuk i shihte mësuesit nga “tesëra e partisë”, por nga dijet dhe
përkushtimi ndaj kombit. Për një vend që dilte nga analfabetizmi kronik, në
shekullin XX shkolla u kthye në një “mit” për shqiptarët, ndonëse me mjaft
kufizime ideo-politike mbas Luftës së Dytë Botërore. Për fat të keq sistemi
arsimor është krejtësisht i centralizuar, shkolla quhet publike veç formalisht,
pasi publiku nuk ka asnjë rol në qeverisjen e saj, paçka disa komisioneve tejet
formale. Mësuesi ka nja pesë - gjashtë drejtorë mbi krye, nga shkolla në
ministri, me turlilloj emërtesash, që me shumë se me asgjë tjetër merren me
shkresa. Që të mos na thonë se po e teprojmë, po i përmendim: drejtori i
shkollës, drejtori i zyrës arsimore vendore, drejtori i arsimit i bashkisë,
drejtori rajonal i arsimit, drejtori i arsimit parauniversitar, drejtori i
agjensisë së inspektimit dhe kontrollit dhe mbase nuk mbyllet me kaq. Këtë
“luks” drejtorash nuk e ka as mësuesi amerikan apo anglez. Shteti mund të
mburret se ka bërë për shkollën dhe nuk duam t’i biem mohit asgjëje të mirë që
është arritur, ama deri më sot nuk ka mundur të largojë shpërndarësit e drogës
nga “oborri” i saj, me gjithë vullnetin e ministrit të Brendshëm që sapo e
larguan!...
Personalisht,
për të kuptuar gjendjen kritike të shkollës, më mjafton shqipja e rrënuar e
rrjeteve sociale. Ajo tregon se cili ka qenë niveli i përvetësimit të gjuhës
shqipe në tridhjetë vitet e tranzicionit. Një shëmtim e masakrim i gjuhës
masivisht; gabime drejtshkrimore, morfologjike e sintaksore trashanike. Mungon
kultura e gjuhës dhe gjuha e kulturës. Nuk bëhet më fjalë për bukurshkrim, që
ka gjasë të shihet si diçka anakronike, por për të shkruarit korrekt të çdo
teksti që publikohet. E nuk është vetëm çeshtje rrjetesh sociale, por dhe institucionale
e akademike, pasi nuk ka më korrektor gjuhësor, redaktor letrar, reçensent! E
kur nuk është gjuha në nivelin e duhur, aty e më keq është mësimi i historisë,
e cila ka filluar të “bëhet” nëpër klube njëlloj si politika, me një pasion të
çuditshëm, që vetëm padituria mund ta sjellë. Nuk paraqiten më mirë as
gjeografia dhe lëndet e tjera kombëtare, në vend të muzikës klasike, operistike
e moderne bëhet folklor, në vend të pianos i bihet çiftelisë!... Mund të
mburremi se dhe nxënësit tanë tashmë i nxënë disiplinat shkencore me tekstet e
Oksfordit, Kembrixhit apo Harvardit, gjë që është më të vërtetë e rëndësishme,
por si mund të bëhet fizikë, kimi, biologji etj. kur nuk ka askund kabinete
mësimore, laboratore dhe qendra eksperimentimi. Rrofshin projektet, që nuk janë
asgjë tjetër, vetëm ca plagjiatura të “pafajshme” interneti. Për të përgatitur
një të ashtuquajtur projekt për një roman nxënësit nuk venë në bibliotekë të
lexojnë librin, por futën online për të gjetur se ç’kanë thënë të tjerët për autorin!?
Ky është kulmi i një “ore letrare”. Një shkollë që nuk e ka bibliotekën me
raftet në korridore, ku librin ta “prekin” të gjithë me sy dhe me dorë, nuk
është institucion edukimi. Se gjerat janë të ndërlidhura, një nxënës që nuk
lexon, nuk ka mendim të vetin, s’mund të shkruaje bukur, s’përgatit dot një
esse origjinale. Duket se shkolla i është dorëzuar pa kushte internetit, si të
jetë fjala për një “magazinë popullore” ku të gjithë fusin duart sipas qejfit.
Nuk është fjala këtu për të mësuarit digjital me platforma përkatëse, që
ndihmon në rrethana specifike, siç ishte pandemia, shkollat shqipe të
emigracionit etj. Fëmijët në Suedi, tregojnë emigrantët tanë atje, mësojnë që
në klasë të parë se çfarë është lopata, kazma, sharra dhe si përdorën veglat e
punës, kurse tek në veç në i mësofshin fëmijët e Zadrimës te “Mrizi i Zanave”.
Ka
një kontradiktë të madhe sot, shkolla ka të tjera sfida për të përballuar në
shoqërinë moderne, ndërkohë që ajo shtetërore, publike qeveriset me mendësitë e
djeshme(!) Mësuesve nuk u janë krijuar kurrëfarë mundësish që të zhvillojnë
aftësitë e tyre konkuruese profesionale, por thjeshtë t’ia dijnë për nder
qeverisë kur u rrit rrogat!? Vetëm njëzet përqind e fondeve përdoruara për
muret e godinave shkollore të reja apo të restauruara, të ishte vënë në
dispozicion të veprimtarisë kualifikuese e eksperimentuese të arsimtarëve,
pozita, dinjiteti dhe paga e tyre do të ishte tjetër. Mësuesi i dekadave të
para të shekullit XX ishte “zotni”, kurse mësuesi i sotëm ka mbetur “shok”, si në
44 - ën e këndej. Burokracia arsimore përpiqet ta mbajë mësuesin lidhur pas
“Ditarit”, edhe pse mësuesit në pjesën më të madhe e bëjnë atë formalisht.
Sistemi i punës së mësuesit është aq i komplikuar gjatë procesit mësimnor dhe
edukativ, sa nuk ka ditar që të mund ta rrokë! Por, ani, qeverisë, i duhet
formalizmi, statistikat, një mësues i bindur që shkruan raporte e plotëson
evidenca si të jetë një nëpunës. Kulmi ka qenë para pak vitesh, nuk e dimë sot,
kur mësuesit i kërkohej të argumentonte me disa rreshta notën e vënë prej
tij!?...
Një
vështrim kritik i shkollës, sidomos i rolit të shtetit ndaj saj, mendojmë se
mund të ndihmojë në një fillim viti shkollor, ku sigurisht nuk do të mungojnë
lulet, por do Zoti e na kursehen fjalimet dhe grimasat qeveritare!...
***
Post
scriptum: Për ndokënd, që këtë shkrim mund ta mendoje disi të “ashpër”, po
themi se nga ana vetjake ruajmë mbresat më të mira nga shkollat ku shërbyem dhe
kolegët e të gjitha niveleve të arsimit, me të cilët punuam dhe bashkëpunuam
për dyzet vite, por problemin e shohim si mjaft serioz dhe bëjmë përgjegjës të
parin shtetin.
Raporti
jo i pëlqyeshëm i shtetit me arsimin nuk është i ri dhe shqetësimi ynë ky
është: pse është i vjetër!? Nuk është e rastit që kemi një vazhdë reflektimesh
kësodore që herët. Njëqind vjet më parë, më 1922, At Ambroz Marlaskaj, një nga
profesorët e shquar shqiptarë, deputet në Asamblenë Kombëtare, është tejet
kritik ndaj shtetit në artikullin “Shkollat tona”, në të cilin shkruan se
shteti e ka për detyrë me i shtue tagret (të drejtat) e të mirat e nënshtetasve
e jo me i humbë e me i dhunue ato; shkolla, tue i rritë fëmitë për shtetin, nuk
do t’ua shuejë atyre karakterin, ndjesitë, lirinë e ndërgjegjen vetjake,
përkundrazi do t’ua zhvillojë ma tepër, aq sa fëmija tue e kuptue dinjitetin e
lirinë e tij, të mbërrijë me çmue të mirën e lirinë kombëtare…
Kështu
e sheh pozitën e shtetit ndaj shkollës ky tribun i Pavarësisë, për të cilin
edukimi kombëtar është “themeli dhe qëllimi i shtetit”.