Kulturë
Paulin Z. Zefi: Sarda, qyteti i lashtë iliro-arbnor, ku çdo gur i saj flet shqip
E diele, 21.07.2024, 07:51 PM
Sarda, qyteti i lashtë iliro-arbnor, ku çdo gur i saj flet shqip
Nga
Paulin Z. Zefi
Sarda,
e cila ka një vertikale shumë të thellë historike, që daton në Antikitetin e
Vonë, në kulmin e zhvillimit të saj ka qenë një nga qytetet më të lulëzuara, jo
vetëm në Arbëri, por edhe në Europë. Në vitin 877 ka shërbyer si kryeqendër e
rajonit të madh të Pulatit dhe ka lulëzuar si qendër e Dioqezës së Sardës. Deri
në fund të shek. XV ka qënë një qendër shumë e rëndësishme ekonomike dhe
kulturore, duke arritur kulmin e lulëzimit të saj në kohën kur u sundua nga
Dukagjinët. Vetë famëmadhi, Leka III Dukagjini, pasi u largua nga Sapa
(Nënshati i sotëm) e ndërtoi selinë e tij princërore në këtë qytet dhe rrënojat
e pallatit të tij ende ekzistojnë edhe në ditët e sotme në pjesën e sipërme të
sistemit të fortifikimit. Mjerisht, Sarda u shkatërrua përfundimisht nga turqit
osmanë në vitin 1491, duke u kthyer në një qytet fantazëm. Mirëpo, rrënojat e
shumta të strukturave murale të kështjellës dhe kishave katolike të stilit
romanik janë dëshmi e gjallë e një të kaluare të lavdishme. Nga një relacion i
Imzot Frang Bardhit që daton në vitin 1641, mësojmë se asokohe në Sardë dhe
rrethina ekzistonin rrënojat e 80 kishave, por vetëm njëra prej tyre ishte
funksionale. Ndërsa, gjatë zhvillimit të gërmimeve arkeologjike në vitet
1967-1970 nga Hëna Spahiu dhe Damian Komata, janë evidentuar 10 kisha, 7 brenda
në qytet dhe 3 të tjera jashtë murit rrethues. Deri në vitin 1971, kur
përfunduan punimet e ndërtimit të digës së HEC-it të Vaut të Dejës, kodra
shkëmbore mbi të cilën qëndron Sarda, nga një gadishull i rrethuar prej lumit
Drin në tre anët, u shndërrua në ishull.
Falenderoj
nga zemra mikun e nderuar, Titin (Tito Ahmataj), shefin e Restoranit “Zemra e
Ballkanit” në fshatin Rragam të Shkodrës, që na mundësoi transportin me anije
turistike nga Rragami dhe deri në Ishullin e Shurdhahut!
I
ftoj të gjithë ata që kanë kohë dhe mundësi, që të vijnë dhe ta vizitojnë këtë
vend të mrekullueshëm për të prekur dhe shijuar nga afër madhështinë e Arbërisë
sonë të lavdishme!
Ishulli
i Shurdhahut, Liqeni i Vaut të Dejës: 12.07.2024