Kulturë
Ndue Dedaj: Mirditasi që s'mujti me e ndal kohën
E diele, 23.06.2024, 05:57 PM
MIRDITASI QË S’MUJTI ME E NDAL KOHËN
Gjon Mark Ndoj (1928 - 2006)
NGA
NDUE DEDAJ
Ai
aty kishte qenë, por i ndaluar, ndaj s’e kishim njohur. Jetonte në Orosh,
punonte punëtor krahu në mirëmbajtjen e rrugës automobilistike, ishte anëtari
më i rregullt i bibliotekës së vatrës së kulturës në Bulshar, ashtu si Musine
Kokalari në Rrëshën, i vetmi “luks” që u lejohej të ndaluarve. I ndaluar
asokohe donte më thënë të mos kishte asnjë të drejtë, për asgjë, as për të
shkuar në dasma te farefisi yt, se të nxirrnin përjashta komunistët me tesër e
pa tesër. Zot në shtëpinë tënde nuk ishte më ti si qëmoti, por Partia. Kështu
që me demokracinë, në qytetin e Rrëshenit, zbriti dhe ai. Atëherë u bë një
personazh publik, pasi drejtonte shoqatën e ish - të përsekutuarve politikë për
Mirditën. E vërteta ishte se ai në këtë qytet kishte qenë mësues në vitin 1946,
kur dhe kishte filluar kalvari politik ndaj tij. Një mirditas me tipare
fisnike, antikomunist, nuk mund të ishte “bashkudhëtar” i revolucionit
ideologjik që sapo kishte nisur.
Tashmë,
me rënien e komunizmit, ai ishte njeri me peshë, pyetej për gjithçka dhe i ecte
fjala. Drejtuesit e rinj të rrethit e kishin pikë referimi dhe me të drejtë,
pasi ai vinte nga shtresa më hekakeqe politikisht e shoqërisë. Nuk u soll në
demokraci me të tjerët, siç ishin sjellë në komunizëm me të. Kishte qenë
njëherësh një letrar i kultivuar me plot dorëshkrime letrare dhe jo vetëm. Këtë
do të mësonim më vonë, kur dhe do të nisnim të bashkëpunonim. Libri i parë i
shtëpisë botuese “Mirdita”, botuar në vitin 1997, është një bashkëpunim me
shoqatën që drejtonte Gjoni, ku shkruhej dhe për nacionalistët më të shquar të
Mirditës nga veta ai. Në këtë kohë nisëm të “zbulonim” pak nga një autor të
mirëfilltë, që kishte plot syrtarët me dorëshkrime letrare, poezi, tregime dhe
novela, drama, një monografi politike për Kosovën, shkruar në fillimin e viteve
’80, kujtime etj. Të gjitha shkruar me një kaligrafi të bukur, por me një
shkrim tepër të imët, që mezi lexohej dhe kjo diktuar nga koha e shkrimtarisë
së tij në burg, ku kishte mësuar frëngjisht dhe përkthyer ndonjë vepër në këtë
gjuhë.
Kishte
kryer Konviktin e Oroshit, vijue Liceun Françeskan “Iliricum” në Shkodër dhe në
rrethanat e krijuara më tej kishte studiuar si autodidakt. Vuan 17 vite burg
politik, nga të cilat dhjetë në Burgun e Burrelit, ku dihet se qëndronin
kundërshtarët më të rrezikshëm të regjimit; aty ai bëri zakonin e
intelektualëve të tjerë të fushës së letrave, shkroi ndër të tjera dhe tri
drama, me nga dy akte: “Mujo Ulqinaku”, “Hasan Riza Pasha” (I hueji për ne) dhe
“Kordiani”, shumica e të cilave nuk e kaluan dot portën e prangosur të
Burrelit, qe në shoqëri me At Pjetër Meshkallën, Engjëll e Kel Çobën, Gac Çunin
etj., duke pasur mentor Gjergj Kokoshin.
Më
1999 botoi librin e parë artistik, me tregime e novela, “Kardinal Ahuni”, dhe
më pas në të njëjtën hulli, “Ndëshkimi i pafajësisë” dhe“Davita e Kulakut”.
Novela ishte lloji i prozës më i lëvruar prej tij. Studiuesi Mark Marku, në
parathënien e “Kardinalit” shkruan: “Autorit fatmirësisht nuk i është dashur të
sajojë subjekte, personazhe dhe atmosferë artistike... Tregimet e këtij libri
janë fotografime të befta që ndërgjegja e autorit i ka bërë këtij realiteti të
ashpër. Si të tilla ato janë të qashtra, pa ndërlikime e stërhollime të kota,
subjekte që rrëfehen në atë stil që na imponon natyra e tyre”.
Gjoni
u përfshi dhe në antologjinë “Kontakt Poetik” të poetëve mirditas, botuar
asokohe. Ishim të përhershëm në shoqërinë e tij në Mirditë dhe jo vetëm, në
promovime librash të ndryshëm, bashkë me Ndue Gjikën, Uran Butkën, Sadik
Bejkon, Gjon Përjakun, Pal Doçin etj., në bar-kafetë e qytetit dhe në shtëpinë
e tij, me Lekë Shtinë, Bardhok Pulajn, Zef Zefin, Gjergj Markun etj., sidomos
në kohën kur ai nuk mundi më të dilte jashtë banesës për shkaqe fizike. Në
shtëpi na priste gjithnjë buzagaz bashkëshortja e tij e fisme, Vitorja, dy
djemtë, vajza Veronika, që do të shkruante dhe ajo më vonë një libër interesant
me mbresa të trishta nga ajo kohë. Mësuesi Anton Filej ishte komshiu i tij i
papërtuar, që ia “dëshifroi” më durim të pashoq në kompjutër tekstet e shkruara
imët, që më pas Gjon Jaku, botuesi i “Geer” Tiranë, më një përkujdesje të
veçantë, i kthente në libra.
Një
ditë, aty nga viti 2000, një grup miqsh krijues të prirë nga Gjon Mark Ndoj
shkuam për një vizitë te Zef Vorf Nekaj në Laç, që kishte ardhur nga Amerikë
dhe jetonte te të afërmit e tij. Përveç bisedës plot shqyrtime të së kaluarës
së afërt të atyre të dyve, kujtoj dhe bibliotekën e madhe që Zefi kishte sjellë
nga përtej Oqeanit. Mbetet i paharruar takimi ynë atëherë me këtë mirditas të
ditur e të shëtitur, arsimtar në Mirditë e Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore,
profesor, editor dhe publicist i njohur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku
dallon korrespondenca më Mustafa Krujën më mërgim etj.
Libri
“Luftëtarë mirditas të lirisë” është një kontribut i rëndësishëm i Gjon Mark
Ndojt, si një detyrim moral ndaj nacionalistëve atdhetarë, që u burgosën
politikisht, u dënuan me burgime të rënda e të gjata, u vranë me gjyq e pa
gjyq, u arratisën jashtë vendit etj. Ka qenë fat për kujtesën historike
shqiptare dalja e librit “Rrno vetëm për me tregue” të At Zef Pllumit, pasi
nxiti plot pena të ndaluara deri atë kohë që të shkruanin ato që kishin parë
dhe përjetuar në regjimin e kaluar. Gjoni, siç e cekëm, e kishte të shkruarit
pasion e po të ishte në liri mbase dhe profesion, por gjithësesi libri i tij i
fundit, “S’mujta me e ndal kohën”, që ai nuk e pau të botuar (mbërriti ditën e
lamtumirës së tij), është në frymën atzefpllumase. Gjon Mark Ndoj, që ishte i
formuar me kulturën klasike perëndimore, vërtet nuk mujti e “ndal” kohën e
mbrapshtë të diktaturës e me i dhënë asaj një tjetër trajtë, por kohën në liri
që pati në dispozicion nuk e kaloi me muhabete pa bereqet, por si një Sokrat i
paepur iu vu punës e shkroi dhe në shtrat ku e ngujoi sëmundja e paralizës,
shkaktuar prej mundimeve të burgut.
Ruajmë
kujtime të shumta me “Lalë Gjonin”, siç e thërrisnim shpesh, kemi folur për
tekstet e tij letrare dhe përgatitjen e tyre për botim, gjuhën e përdorur nga
ai, një gegnishte veriperëndimore (shkodranishte), që ai e kishte përzemër,
edhe pse për ne do të ishte dëshirueshme një gegnishte letrare më e gjërë.
Shkodra, me të folmen e saj melodioze, traditën letrare shkrimore të Koliqit,
Pipës etj. kishte lënë gjurmën e saj në formimin e tij si letrar.
Kredoja
e tij shfaqet dhe në poezinë tronditëse “Pranvera eme”, që dallon për stilin e
veçantë, strofën e vështirë pesëvargshe, por sidomos për filozofinë e jetës,
brengën e një pranvere që endet si një “kujtim i vranët”, ku shkrihen në një:
lulet dhe kupa e helmit, zëri i qyqes dhe ai laureshës, vetmia dhe rrezet e
diellit, ku këto të fundit janë vetëm për zogjtë e jo dhe për poetin, pasi...
“kur zemra s’njeh kohën, pranvera eme asht kjo?!”