Kulturë
Ndue Dedaj: Kalivarja, histori me kumbonë kishe
E hene, 17.06.2024, 06:56 PM
KALIVARJA, HISTORI NË KUMBONË KISHE
NGA
NDUE DEDAJ
Jemi
ndaluar për një kafe te “Tuneli” i Kalivares. Ta themi që në krye të herës, do
të kishim dashtë që aty në ballë të urës, ku merr udha për në Kalivare e Kimzë,
të shihnim një obelisk të gurtë, ku të shkruhej: “Ky vend është i dëshmuar në
një kumbonë kishe që në vitin e largët 1154”. Dhe jo vetëm për turistët që
marrin përpjetë Munellës. Tash që katundet e malësive tona po zbrazën nga
banorët, nga Alpet në Trebeshinë, lypet qe disa shenja të vjetra historike t’i
theksojmë më shumë, në emër të së ardhmes, që asaj të mos i mungojë gjuha e së
shkuarës, “pasaporta” e identitetit shqiptar.
Kështu,
në rastin e Kalivares, fshat i vjetër i Mirditës, në këmbë të malit të
Munellës, që nga ana administrative më 1949 i ra të shkonte me rrethin e Pukës,
ashtu si krejt lugina e epërme e Fanit të Madh, është interesante historia e
kumbonës njëmijëvjeçare të kësaj kishe, që në vitet ’30 na e përcjell përmes
një rrëfimi të shkurtër famullitari i athershëm i Kalivares, historiani Dom
Nikollë Kimza, ku sa herë i kthehem më bëhet se po lexoj skicën e një novele
ende të pashkruar.
Me
dy fjalë, ishin kohët e rënda të pushtimeve otomane dhe kumbona kishte qenë
mbartur në krah nga kalivarasit për ditë të tëra dhe ishte fshehur në Va-Spas,
në anë të Drinit. Banorët ishin të ndërgjegjshëm për rëndësinë e saj, pasi ajo
mbante mbishkrimin latinisht Anno Domini (Viti i Zotit) 1154, çka e bënte atë
kishën më të hershme në Mirditë. Kishin kaluar mote të përgjakshme, luftërat
kishin zgjatur, kumbona ishte zbuluar rastësisht nga një vajzë myslimane, të
cilës i kishte hasur kiza në një send të fortë, që kishte qenë kumbona, të
cilën më pas burrat e kishin mbartur për në Kalivare. Ndoshta ndonjë ditë ai
obelisku i kumbonës së lashtë do të vihet nga bijtë vullnetmirë të këtyre
anëve, por tani për tani aty po punohej për ngritjen e një hidrocentrali dhe
fjalët tona në këtë rast dihen! Janë veçse kritike, pasi, përpos dëmit
ekologjik, mjedisor, ujor, askush nuk mendon për këtë vend e këta njerëz, se si
ata të përfitojnë nga pasuritë natyrore që u përkasin me shekuj. Mjafton të
themi se ka tridhjetë vjet që trajlat me bakër kalojnë orë e çast mbi këtë urë
të betontë, nga miniera e Munellës në Fushë-Arrës dhe banorët kanë pasur vetëm
një “përfitim”, pluhurin e vazhdueshëm mbi rrugë, shtëpi e bashtina, edhe pse
rruga laget rregullisht me autobotët e minierës. E, pra, këta njerëz nuk janë
“jetimë”, qeverisen nga socialistët në pushtetin qendror e nga demokratët në
atë vendor.
Sot,
në të vërtetë nuk jemi nisur për ndonjë reportazh, por “instinkti” i vjetër i
lajmësit nuk na le të qetë, edhe pse kritikat mediatike me gjasë janë një
kambanë e shurdhët, pasi nuk dëgjohen më. Mësuese Pashkë Gjoka (Prendi), që
kthehet pas disa kohësh në vendlindje, për të vënë një dorë lule në vendin ku
prehen dy prindërit e saj, na tregon për njerëz dhe ngjarje të një kohë, kurse
për të sotmen fjalët janë aq të pakta. Jemi katër veta dhe në bisedat tona
hyjnë aq shumë njerëz, sa na duket se i kemi njohur të gjithë, përmendim më së
shumti emra mësuesish që i kemi pasur kolegë në vite, por dhe të tjerë miq të
hershëm, si Pashk Deda, që bën zakonin e vendit duke u ngritur nga diku matanë
e ardhur për respekt në tavolinën tonë sa për t’u përshëndetur.
Sa
herë merr një rrugë për diku, të zgjohen dhe kujtimet e herës së parë atje.
Ishte prilli i vitit 2006, dhe në përgjigje të ftesës së kryetarit të komunës
së Gjegjanit të asaj kohe, Mark Mesuli (me të cilin kishim “folur” me shkrim,
por nuk ishim takuar deri atëherë), bashkë me birin e këtyre anëve, inxhinierin
ekonomist Anton Ndoj, që punonte në Bankë, me të cilin ishim komshinj, kishim
marrë rrugën nga Rrësheni dhe me Benz-in e tij po ngjiteshim tërmales për në
Kimzë, pasi atje organizohej përkujtimi i “Qeverisë së Kimzës”, në një festë të
vërtetë. Ishte kënaqësi takimi atë ditë me Pal Nikoll Markun, me të cilin
gjithashtu takoheshim për së pari, edhe pse ai më 1999 kishte shkruar ca
rreshta miradije në kopertinën e librit “Toka e Katedraleve”, që ia kishte
marrë një të afërmit tim në traget dhe e kishte lexuar, siç më tha, për disa
orë që ia kishte marrë gjumit. E përsëritëm të njëjtën rrugë, po për “Qeverinë
e Kimzës” dhe pas pesë vitesh, sërish me Antonin e paharruar, por kësaj here me
ftesën e një tjetri kryetari komune të Gjegjanit, Dr. Ndue Carës.
Rri
e kundroj “ujëvarën”, por ajo sot nuk paska ujë dhe kujtohem për fotografinë e
përbashkët me Antonin aty, të cilës asnjëherë nuk do t’i mungojë buzëqeshja e
tij e dëlirë...
Largohemi
nga kjo faqe e Munelles me kurreshtjen e një vargu toponimesh, si Kalivare,
Kimëz, Nredi, Vigjaj, Kodra e Bollave, Fusha e Plorit, Guri i Dragoit, Mushtë,
Mesul, Tuç, Qafë Bari, që jo të gjitha mund t’i zbërthejmë, duke sjellë
ndërmend një shënim që bënte pardje mbi një shkrim tonin shkrimtari dhe
gjuhëtari i njohur Mehmet Elezi: “Më ka bërë përshtypje gjithnjë edhe toponomia
e Mirditës, e cila është thjesht shqip...”